Arqile Garo: KRISTAQI NË KRISHTLINDJE
Thanë për Kristaqin: se u prish, një natë që kish Krishtlindjet,
gjoja që shkau nga udhë e drejtë, nga Zoti dhe nga bindjet,
u hapen llafe në mëhallë përralla e thashetheme.
Ca, kanë një fije të vërtetë e ca janë krejt jashtë teme.
Ta pata thënë Kristaq, or mik, ta thashë, ore burrë dheu,
se nuk ke këllqe për zullum, ke zemër Prometeu,
sepse ata që me demek të qasen, të strehuan,
të nesërmen, pa u gdhirë mirë, vajtën të spiunuan.
Po pse more Kristaq i gjorë a nuk e dije, nuk,
se spiunllëku në k’ të vend mban një takëm me bukë?!
Përderisa s’ e ke në gjak, nuk je njëri i natës,
ç’ më shkon si dhelpra në Pazar, si cocërr* mes shtrëngatës?
Është nata e pabesë Kristaq, ka gropa dhe kanale,
dhe ti që s’ je për këto punë re drejt e në fekale!
***
– Por ç’ ndodhi vallë? – do thoni ju, lëçitësit kuriozë.
– Hë pra, na thuaj që ta dimë se na e bëre bozë!
Bëni durim o miq të mirë, avash or të uruar,
t’ ua rrëfej fije e për pe, ngadalë, merreni shtruar!
Pra, del Kristaqi atë natë, të marrë ca frymë, një erë,
me që kish festen, e mendoi, të gjeje dhe ca të tjerë,
të shtrohet në ndonjë lokal të pijë një gotë raki,
dhe paskëtaj si djalë i mbarë, të kthehet në shtëpi.
Po ka momente miq të mi që s’ bëhet ç’ thotë insani,
ti mund ta kesh mendjen sagllam, po fut turinjtë shejtani,
dhe tek të gjitha duken drejt, të del një kthesë nga fundi,
dhe shkon në djall dëshirë e mirë, qëllimi i drejtë dhe mundi.
Pi dy – tre gota Kiçoja, më tutje dhe një tjetër,
duke kërkuar ndonjë mik, del tek “Qilari i Vjetër”
dhe sa zbret shkallët me kujdes të bëjë “rikonjicionin”,
kënaqet, sheh lokalin plot me sy që e zhbironin.
Pa dalin ca dhe e urojnë gjoja me zjarr e mall,
– Gëzuar festen o Kristaq! Kiço, ku je mor djall?!
Pa i bëjnë vend në tavolinë, në krye të mësallës,
i mbushin gotat me raki dhe verë në kanë të dhallës,
pa ja kërcasin me dolli, për Kiçon, për Krishtlindjet,
për qeverinë e për partitë, për vdekjet dhe për lindjet,
për Kryetarin e Bashkisë, një djalë për kokë të djalit,
ja shtrojnë me këngë dhe iso mban i zoti i vetë lokalit,
dhe prapë dolli, për familjarë, fëmijët edhe gruan!
– I binit qylit ore shokë! – rroftë Kici që paguan!
Deri tani, djalli ta marrë, Kiço s’ e ndjen të keqen,
ta kish nuhatur, do kish thënë: – Kristaq varu teneqen!
Por si njeri pa djallëzi, i urtë, i butë, i bindur,
tek rri, gëzon dhe pi alkool porsi usta i lindur,
në mjegullnajën e rakisë me regëtime zemre,
iu ngulen sytë Kristaqit tonë, në gjoksin e një femre!
***
E nga ta dijë Kristaqi i shkretë se fati ç’ lak i stiste,
e mori lumi, se u pleks me “zonjë” profesioniste!
Dhe ju e dini ore miq se si mbarojnë k’ to punë,
E keqja ndodh sa çel – mbyll sytë dhe ti: – veç t’ i hash munë!
kështu dhe ustallesha jonë i la në xhep veç krunde,
– Ta kisha thënë more Kristaq: – do të të dalë prej hunde!
Ta kisha thënë me shumë kujdes, dëgjon ore tutkun,
dalloje femrën si të sheh: për qejf, apo për punë?
Pse kur të sheh femra për qejf, rri urtë dhe bëj viktimën,
edhe shijo në trurin tënd stuhinë dhe vetëtimën,
po kur e sheh që vjen për punë mblidh leckat edhe ik,
se do kalosh periudhë pa fund, me lemeri dhe frikë!
***
Ç’ tu desh mor Kiço mavria ai qejf me bel e cica,
shkoi haberi më teposhtë, mbërriti tek Kiçovica…
porse gruaja e Kiços është një femër me namuz,
ka një emër, ka një zemër dhe dy sy që ndrijnë si shpuzë.
Ndaj nuk vuri ulërimat, as shkuli bishtin e fshesës,
por u ul dhe vrau mendjen edhe bëri benë e besës,
me trurin të qartësuar vendosi ëmbël e qetë:
– Hmm, ai vajti me një, po dhe unë do shkoj me dhjetë,
po ç’ mendove mor i humbur, ç’ të tha mendja o qyqar,
do të lija unë të bridhje hak pa marrë e gjak pa larë?!
Edhe siç u përqendrua tek kjo, e hakmarrjes pistë,
mori laps edhe fletore edhe përpiloi një listë:
– Me kasapin, bojaxhiun, me krushkun dhe me kumbaron,
dhe po pashë që doli fuq, po shënoj këtu dhe Garon!
Edhe nisi Kiçovica, leshraverdha, kurm – ngjala,
të verë planin në zbatim, s’ ndan ajo veprën nga fjala…
***
Kanë kaluar që atëherë disa muaj dhe ca vjet,
por asaj s’ i shkon inati, veç i bën me të përpjetë,
i mori fshatrat me radhë, vilajetin tej e mban,
e filloi nga Kakavija dhe mbërriti në Qafë Thanë,
doli tutje në Morinë nëpër porte dhe limane,
mesazhet në celular: – hajde, dilna kësaj ane!
Doli Kristaqi një natë sa për të hequr merakun,
dhe ti me një pyll me brirë ja zbukurove oxhakun,
porse një imazh i zbehtë bredh në mendjen e secilit,
na e katandise Kiçon si drerin e Shën Vasilit!
***
E di, tani do më thoni: – Ty ç’ të duhet, je i mardhur?
– Çë se kam emrin në listë?! Ende radha s’ më ka ardhur!
Tani unë nuk di ç’ të bëj, të pres veshin si Van Gogu?
A të pres të kthehet fleta, siç bëri dhe Lipe Shtogu?!*
Arqile Garo,
maj 2020
*cocërr – cinxami zog shumë i vogël, i ngjashëm me trumcakun, që ka ngjyrë të murrme dhe që rri nëpër ferra; çerr, ferrak.
*Lipe Shtogu – personazh komik i krijuar nga humoristi Pëllumb Kulla dhe i interpretuar me sukses të jashtëzakonshëm nga mjeshtri i humorit Fierak Fuat Boçi në vitet 80’ të shekullit të kaluar. Një nga skeçet më të bukura të këtij cikli titullohej “Lipe Shtogu prapa listës”.
Please follow and like us: