Albspirit

Media/News/Publishing

Sakip Cami: GURI I SHALËS

(Ngjarje e vërtetë që u kthye në legjendë)

Kalosh Camaj kishte ditë që s’kishte dalë nga shtëpia. Ttashë shtëpi, por ajo ishte kullë me tre kate dhe tridhjetë  frengji – dritare. E kulla don bukë, don dru zjarri, don rezerva ushqimore për vehte dhe për mikun. E këto janë harxhuar së tepërmi saqë po troket uria. Nuk mjafton kjo, por vendin e ka pushtuar një hasëm i largët nga stepat e Rusisë dhe të Bullgarisë. Janë dyndur në tokat tona se u kanë pëlqyer shumë. E si të mos pëlqesh tokat e Luginës së Drinit, pjellore e të begata si asnjë tokë tjetër.

Po ç’kërkojnë sllavët në tokat tona? Flet me vehte dhe nëpër dhëmbë Kalosh Camaj dhe ngrihet në kambë drejt derës së kullës. Një bubullimë e madhe është ndjerë farë afër kullës. Një shkreptimë rrufeje e ka shoqëruar atë. Dera e randë e kullës hapet me rropamë. Dimri është në muajin e gjashtë. Nuk del dimri pa i mbushur ditët e veta në këto vise që njohin vetëm dy stinë, verën dhe dimrin. Kërcurin më të madh vendasit e ruajnë për ditën e Shëngjergjit më 6 maj.

-Ku ke ndërmend  të shkosh në këtë të ftohtë, or burrë, e pyet e shoqja, një grua fisnike nga një derë e shquar.

-Në mal, oj grua, te pylli ynë, të shoh një herë se ç’bëhet dhe të marr një kalë dru se edhe këto të plasme dru janë mbaruar.

-Pylli asht mbushur me ushtarë të huaj, or burrë. Kërkojnë Mitron, ushtarin që vrave ti  te pylli ynë. Ma tha edhe Dilja, se asaj i kishte thanë burri i vet.

-Ma baj gati doriun, atë bëj ti, i shfryu të shoqes Kalosh Camaj dhe doli me vrik nga kulla.

Bejazja nuk ja kishte ba dysh kurrë fjalën burrit, doli dhe bani gati kalin e kuq, që i ndriste qimja nga bukuria dhe shëndeti. Malësori edhe vetë rri pa bukë dhe tagjinë kalit nuk ja heq, se kali për malsorin asht jetë, asht punë, asht para’, asht besë, asht burrëri, asht gëzim, asht krenari.

Doriu sikur ta kuptonte se do të dilte me të zot, hingëlliu gjithë gëzim. Kishte ditë të tana pa dalur nga shtëpia dhe, edhe ai po e ndiente se diçka nuk po shkonte mirë me të zotin e tij. Si gjithmonë u përkul për të ja ba sa ma të lehtë të zotit të tij për ta shaluar e për t’u nisur për udhë. Kaloshi ngjeshi një kamë të mprehtë në brez, mori edhe hutën e vjetër që kishte trashëguar nga gjyshi dhe u nis. Udha ishte e gjatë, pylli i pafund, hallet e mendimet ishin ba mullar. Por një kalë i mirë e di se ku do ta çojë të zotin e tij edhe pa folur me njëri  tjetrin. Kur arritën te Përroi i Mitros, kali hingëlliu si për t’ia kujtuar Kaloshit se deri  këtu kishin ardhur atë ditë…

Kaloshi nuk bëzan e kali ngjitet monopatit, aty ku kishin ngarkuar dru zjarri herën e kaluar dhe u kishte dalur përpara ai ushtar i huaj. Këtu Kaloshi erdhi  në vehte.

-Këtu na solle prapë, o dori? – pyeti pa e kuptuar as vetë  se po fliste me kalin dhe ju fanit ajo ngjarje që u përhap në të gjithë krahinën dhe shkoi deri në Sofie e Moskov.

… Ushtari i huaj ishte ngarkuar për të prerë dru për pushtuesit e dyndur dhe kishte zanë vend te përroi i pyllit të Kaloshit. I pari e pa doriu dhe si gjithmonë kur shikonte gjëra të panjohura hingëlliu, si për t’ia kujtuar të zot se dikush i huaj kishte shkelur në pyllin e tij. Kaloshi hodhi sytë atje  ku dëgjohej sopata e ushtarit të huaj. Sopata nuk ndalej dhe Kaloshi ndjeu se kjo sopatë po priste qafën e tij, qafën që zgjatej poshtë kokës e qëndronte për të lidhur trurin me zemrën e tij. Por truri dhe zemra , që të dyja nuk ju bindën. Ç’është ky ushtar i huaj që ka shkelur trojet tona dhe po pret dru  në zabelin tim,  shfru në çast Kaloshi dhe ju drejtua  atij: “Çfarë kërkon o i paudhë në pyjet e mia”?

Ushtari u tremb në fillim nga kjo thirrje e papritur, por shpejt e mori vehten.

-Këto vise tani janë tonat dhe ju duhet të na bindeni ne, o njeri i këtyre maleve. Në doni të kalojmë në paqe së bashku, binduni, në të kundërt do t’iu zhdukim.

Kaloshit iu ngrit damari i djathtë i qafës, pikërisht ai damar që furnizon trurin me gjak  dhe mendoi me vehte se këtu qenka fundi për ty o ushtar i huaj dhe më pas të bëhet edhe hataja. Nxorri me vërtik kamën që mbante në brez dhe sa hap e mbyll sytë ja nguli në zverk, pikërisht te ai damar që të shkakton vdekjen. Ushtari i huaj u rrëzua menjëherë në tokë, zgurdulloi sytë duke mërmëritur në gjuhën e tij.

-Mërmërit,  mërmërit sa të duash o ushtar i huaj, çfarë kërkove, atë gjete në Shqipëri, thirrte fort Kalosh Camaj. – Preke po deshe pyllin tim, preke, do t’ju ther siç ther dashin për dasëm. Shporruni në viset e juaja !

…Kaloshi u lëkund paksa nga tronditja e kalit që kalonte në një monopat dhe erdhi në vehte. Te çadrat, dori’, te çadrat, i foli kalit. Çadrat ishin pak më tej. Atë pyll e kishte bërë natyra si ombrellë dhe njerëzit i thonin në dialektin e tyre, çadrat.

Kali u ndal edhe një herë te çadrat. Kaloshi hodhi sytë edhe një herë rreth e qark pyllit të çadrave. Gjynah i madh të presësh lisat në këtë pyll të bukur e të pafund, mendoi. Zoti e ka qëndisur këtë mrekulli  të natyrës. Këtu te pylli i çadrave nuk të lagte shiu dhe nuk e shikoje as dëborën kur binte.

-Te fushat e gjata, dori, te fushat e gjata, i foli kalit, Kaloshi. Dhe doriu që ja kishte mësuar edhe fjalët të zotit u nis drejt fushava të gjata.

Fushat e gjata ishin një vrap pele larg. Vazhdonin  pyjet e Kaloshit dhe të fisit të tij. Ai kujdesej për pyjet e tij ashtu si edhe për fëmijët. Kali ecte me trokth. Kaloshi kishte dredhur një cigare dhe ashtu shaluar mendonte që të mbaronte punë sa më shpejt dhe të kthehej në kullë, ku e prisnin fëmijët e tij. Papritmas  kali ndaloi. Kaloshi e nguci në vithe për të ecur më tej. Kali turfulloi dhe ktheu kokën drejt të zot, sikur t’i thoshte: ”O zoti im, shiko përqark dhe më pas më nguc, më nguc dhe po deshe edhe më vra, por shiko njëherë përqark”. Kaloshi e kuptoi që doriu e kishte një hall që ndaloi sepse ai nuk ndalonte kurrë pa shkak. Vështroi përqark dhe pa shumë  ushtarë të huaj. Ata ishin shumë, shumë, ishin mbushur shkurret plot me ushtarë. Ata pritnin atë për t’u hakmarrë për Mitron, shokun e tyre, të cilin Kaloshi e kishte vararë te përroi i pyllit të tij. Hafijet kishin shkuar te kampi i të huajve dhe kishin spiunuar se Mitron e kishte vrarë Kaloshi.

Eh, mendoi Kaloshi, edhe më tha gruaja, mos dil nga shtëpia sot, or burrë, por exhelit[1] dhe hasmit nuk i ruhesh dot kurrë.

Ushtarët e huaj e sulmuan Kaloshin me shpata, kama, e huta. Kaloshi u rrëzua nga kali i goditur për vdekje. Doriu ishte jo vetëm dëshmitar, por edhe luftëtar. Ai nuk mund të qëndronte sehirxhi kur dushmani po i vriste të zot. U sul drejt tyre me shkelma, goditi disa prej tyre. Ushtarët e e huaj gjuajtën drejt tyre me huta dhe me shigjeta. Shigjetat e helmatisura iu ngullën në bark, por doriu mbështolli me këmbët e para të zot dhe e ruante atë nga sulmet e të huajve. Nga sytë i dilnin lotë si breshër.

Pasi dhanë shpirt që të dy Kaloshi dhe doriu, armiqtë u larguan. Bora filloi të binte me struplla. Shkëmbi ku zunë vend doriu dhe Kaloshi ngriu nga akulli dhe nuk shkriu as në verë. Nuk shkriu asnjëherë dhe u shndrrua në një shalë kali.

Kanë kaluar shekuj dhe njerëzit i thonë brez pas brezi Guri i Shalës…

 

[1] Vdekjes

Please follow and like us: