FABULA NGA VANGJUSH SARO
MJELLMA
Një mjellmë e bukur, borë e bardhë,
noton e loz ndërsa djeg vapa.
I çojnë nga bregu lule e bar.
copëra biskotash e lëvdata.
Është e lumtur Mjellm’ e shkretë,
në ato dhjetë metra pellg…
FAT (!)
I ngeshëm, Shiu mërmërit paprerë;
kurse Lepurushi shfryn nën ferrë:
“Ç’është kjo me ne, natë edhe ditë,
mbetëm nëpër rrënjë e ndër barishte…
Gjithë duke u trembur; gurë zalli.
Zoti e di si do na vejë halli!”
Shpjegohet Lepurushja:
“More evlat,
nuk janë këto gjëra me inat.
Ka zogj, ka ujk, ari, ka edhe dhelpër;
ka yj e diell, siç ka shi dhe breshër;
ka drurë të lartë,
që bëjnë hije,
ka edhe… lepurushë në korije.”
ZOGU dhe SHIU
Ish qielli i zymtë, plot me re
dhe shiu i ftohtë binte me nge…
Një Zog po dridhej përmbi degë,
i strukur keq e keq ndër fletë.
“Ngadalë, o shoku!” I tha Shiut.
“Më bëre qull mua të ziun.”
“E di, por kot kapesh me mua.”
Ia ktheu Shiu pa ndaluar.
“Pse nuk e bëre një fole
sa ishte qielli pa re?…”
MASKA
Dikush po jepte dhe po merrte,
t’i bënte njerëzit për vete…
Por mbledhja shkonte tatëpjetë,
ndaj bërtiti tjetri, me të drejtë:
“Çfarë po ndodh? Të ma shpjegojë dikush,
se u ngjira dhe po vete huq…”
Një zë i çuditshëm flet nga pas:
“Ore zotëri, ti qenke dërrasë;
pa më vënë mua, bën kuvend?”
Ish një Maskë që i jepte mend…
TRISHTILI KURESHTAR
Trishtili i vogël pyet nënën e vet:
“Të gjithë, o ma, fluturojnë ndër fletë,
edhe kështu si ne, sillen përqark?”
“Jo jo, thotë e ëma, Pëllumbat shkojnë larg.
Lejlekë, Pata e shpesë të tjerë,
ikin në dimër e kthehen në verë.
Njoh dhe një zog, që quhet Shqiponjë;
s’ta pret radakja, sa lart fluturon.
Por ka dhe Avionë e Satelitë…”
Ndërkohë, Trishtili i ngratë po dremit.
ZILIA…
Një Dallgë ndiqte shoqen në detin e vjetër;
dhe befas,
iu shkrep ta arrinte patjetër.
Filloi të përhidhej e shkumëzohej fort,
‘garoi’ gjithë ditën, por nuk e kapi dot.
Së fundi e ngrata, e lodhur, u shua
në Bregun që bënte gjumë të trazuar…
KAMBALECI QË NDREQ BOTËN
Kambaleci, i trashur në vitrinë,
lypte aventurën sa më parë.
Tej dritares, gjithë sa sytë përpinë,
ishte marrëzi mbetur me barrë.
Hapi shpejt valixhen plot me ngjyra
dhe penelat i çliroi sakaq…
Le të ndiqnin Botën ndër trazira
dhe të vizatonin vetëm paqe.
Pasi huajti te molli ca telajo,
zbriti bash në rrugë e në zhurma;
hoqi ca kamionë, kulla me maja,
vizatoi shegë edhe hurma.
Ec e ec, nuk lodhej Kambaleci;
ku tymonin qiejt, kthente blunë,
ku nuk kishte ujë, bënte liqene
dhe mandej lumenjtë perçeshkumë.
Ku kishte uri, shtronte një sofër,
me të mira plot, si një Sezam.
Dhe atje ku lufta mbillte mortje,
vizatonte lule përmbi tank…
Ec e ndreq ai çdo kontinent…
Përrallë?!
Mos more, ç’më thua!
Bota ndaj ka marrë tatëpjetë,
sepse përrallën krejt e ka harruar…
………………………………………………………….
Kritika letrare për fabulat e autorit
“Ai është tipologjik dhe gjuhëbërës i ndjeshëm. Theksi është në natyrën e tij humoristike-satirike. Një nga mënyrat e portretizimit të personazheve të tij, është që të thyejnë vazhdimisht iluzionin mbi të cilin ata shpesh janë bartësit. Pra, me plot gojën e themi se Saro e meriton këndin e tij të lartë në mjedisin e fabulës së sotme shqiptare.” (Fatmir TERZIU/ Shkrimtar, kritik letrar)
“Fabula e shkrimtarit Vangjush Saro është një ‘histori’ e shkurtër, por e pasur në imazhe. Gjatë hartimit të saj, autori kërkon dhe provon me sukses kombinime të ndryshme të teknikave të të shkruarit… Përparësor, është përshkrimi i një çasti konkret të natyrës, trilli i motit, që zbulon edhe përcjell raportet midis personazheve.” (Vangjush ZIKO/ Poet, përkthyes.)
“Shenja të reja në krijimet fabulore… I gjejmë ato në konceptim, në këndvështrim dhe ndërtim. Kjo lidhet me aktin poetik individual të tij.” (Xhahid BUSHATI/ Shkrimtar, studjues)
“Falë simbolikës bindëse dhe rrëfimit tërheqës, me fabulat e tij, autori qaset natyrshëm te lexuesit e çdo moshe.” (Daniela HASA/ Pedagoge e Gjuhës Angleze.)
“Nga pikëpamja e ndërtimit, fabula e tij ka gjithmonë në thelb një ngjarje konkrete; dhe shpesh ndërton një përplasje midis dy karaktereve të kundërta, kështu që morali vjen natyrshëm, jo si një sllogan.” (Pandeli KOÇI/ Shkrimtar, kritik letrar)
Pak fjalë për shkrimtarin Vangjush Saro
Vangjush Saro ka lindur më 1952 në qytetin e Korçës. Studimet e larta i ka kryer në Universitetin e Tiranës. Ndër librat e tij, veçohen vëllimet me tregime satirike “Dy orë dramaturg” dhe “Biri i ambasadorit”, romanet “Kurora e Ballkanit” e “Misioni”, si dhe përmbledhjet me fabula “Dhelpra shpërblen Lepurin”, “Trumcaku ftillon Ferrën”, “Gomar apo Kaproll?”
Vangjush Saro ka shkruar për të vegjëlit libra si “Një ditë pa mamin”, “Polic Këmbëvogli”, “Aventurat e Don Kishotit në Shqipëri” dhe “Rrëfime nga shkolla ime”, etj. Ai është gjithashtu autor i kinokomedisë “Shkëlqim i përkohshëm”; ka shkruar edhe skenarë për filma dokumentarë e vizatimorë, si dhe publicistikë.
Fabula mbetet një nga zhanret e preferuara dhe ku ai – siç vihet në dukje edhe nga kritika letrare – shfaqet mjaft i veçantë, duke kombinuar humorin e ironinë me penelatat lirike, si dhe duke inspiruar te lexuesi meditimin.
Shkrimtari Vangjush Saro, Qytetar Nderi i Gramshit, mban Urdhërin “Naim Frashëri”, klasi III. Ai ka fituar dy çmime kombëtare: për vëllimin me tregime satirike “Biri i ambasadorit” dhe për novelën për fëmijë “Polic Këmbëvogli”. Një pjesë e krijimtarisë së tij është publikuar edhe në gjuhë të huaja.
Aktualisht jeton në Vankuver (Kanada).
https://www.youtube.com/watch?v=lJURUEX6sz0