Albspirit

Media/News/Publishing

Në listën e “Corriere della Sera” si 50 italianët më të famshëm në Evropë

Anita Likmeta ka lindur në Durrës dhe është larguar drejt Italisë në vitin 1997 në moshën 11-vjeçare. Anita ka studiuar për filozofi në universitetin “La Sapienza” në Romë, ndërsa vijon të punojë si gazetare në “Huffington Post Italia”.

 Me një fokus në startup-et e teknologjisë dhe në fushën e modës ajo është përfshirë tërësisht në fushën e sipërmarrjes dhe inovacionit si sipërmarrëse në sektorin dixhital të startup-eve në Itali (për shembull CreationDose dhe Coderblock).
Këtë frymë kërkon ta sjellë edhe në Shqipëri. Përmes analizave e shkrimeve të saj në “Huffington post Italia”, Anita ka ndarë opinionet e saj mbi probleme të ndryshme të shoqërisë dhe politikbërjes në Shqipëri.

Në listën e “Corriere della Sera” si 50 italianët

Anita Likmeta është ambasadore e programit për Diasporën Connect Albania të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Migracionin (IOM): program që i fton shqiptaret e Diasporës të bëhen agjente zhvillimi të vendit të tyre.

Gjithashtu ajo është në listën e “Corriere della Sera” si 50 italianet më të famshme në Evropë. Ajo është një nga 150 “Unstoppable Women” në inovacion në Itali,

Likmeta ishte ditën e sotme në një lidhje “Skype” me emisionin “Shqipëria Live”, ku u shpreh se e vlerëson shumë çmimin.

“Nuk janë çmimet që bëjnë diferencën, unë besoj te puna. Por është shumë e madhe arritja, duke qenë se nuk jam italiane. Jam shqiptare, me të dy prindërit shqiptarë”, tha ajo.

E pyetur nëse mban mend momentin kur ka shkuar për herë të parë në Itali, Anita tha: “Mbaj mend kur jetoja në Shqipëri, ashtu si kur erdha në Itali. Ka qenë një periudhë e vështirë për Shqipërinë. Erdha këtu, nisa duke studiuar. Edhe pse kam mbaruar për filozofi, financa më ka pëlqyer gjithmonë.

Ka qenë e vështirë kur nuk njeh gjuhën. Ndihem në të njëjtën mënyrë kur flas shqip, ndihem në një tunel të mbyllur ku gjej dalëngadalë fjalët. Se kam shumë vite që kam ikur nga Shqipëria”, tha Likmeta.

Kjo e fundit shtoi se është e vështirë se si njerëzit të gjykojnë, pasi kur ka shkuar në fillim ka pasur shumë paragjykime në lidhje me shqiptarët.

“Shumë lajme në televizion ishin kundër shqiptarëve, vret, vjedh. E ndjeja si përgjegjësi edhe veprimet e të tjerëve. Do ta paguash edhe ti për një gjë që e ka bërë dikush tjetër, është një gjë e tmerrshme. Nuk ke bërë asgjë, por ty të shikojnë sikur je si ato. Të shohin si armik, të kanë frikë. Por gjërat ndryshojnë duke u rritur”, tregon Anita.

Likmeta u shpreh se italianët nuk ka reaguar negativisht në lidhje me çmimin që ajo mori, duke qenë se është shqiptare.

“Nuk kanë pasur paragjykime, sepse problemi tani për emigrantët nuk janë ato që kanë arritur. Njerëzit nuk kanë frikë tek unë. Tani kanë një armik tjetër, një person me ngjyrë, tjetër lëkurë”, tha Anita.

Diaspora me sytë nga Shqipëria, Anita Likmeta është një prej tyre

Please follow and like us: