Albspirit

Media/News/Publishing

Bojken Abazi: Dhjetë pika për takimin Rama-Kurti!

Situata në Ballkan është sërish e tensionuar, duke na kujturar se pa drejtësi nuk ka qetësi. Pas incidenteve në Mal të Zi dhe tensioneve të vazhdueshme në Bosnje Hercegovinë, të shkaktuara nga Serbia, tani vëmendja është përqëndruar te kufiri Kosovë-Serbi, ku Qeveria Kurti ka vendosur me të drejtë të zbatojë masat e reciprocitetit në lidhje me targat provizore.

Sakaq, prej dy vitesh, Qeveria Rama e ka futur Shqipërinë në “Ballkanin e Hapur” – Zona e Novi Sadit e dominuar nga Serbia. Pandemia nuk është zhdukur dhe dy republikat shqiptare vazhdojnë të vuajnë nga nivelet më të larta të varfërisë dhe pabarazisë në rajon.

Megjithatë, këto 6 muaj kemi parë masa pozitive ekonomike dhe shumë shpresëdhënëse nga Qeveria Kurti. Në mes të kësaj situate, po përgatitet takimi Rama-Kurti.

Le të përfytyrojmë 10 rezultate të dobishme që mund të dilnin nga ky takim, ashtu siç na e do zemra, ashtu siç e kërkojnë interesat kombëtare:

  1. Dy kryeministrat flasin njëzëri për të dënuar kërcënimet e Serbisë në kufirin verior të Kosovës, duke mbështetur zbatimin e masave të reciprocitetit si rruga e vetme për të vendosur marrëdhënie barazie me Serbinë. Me këtë rast, KM Rama tërhiqet nga çdo marrëveshje që lidhet me “Ballkanin e Hapur” dhe dy kryeministrat zotohen të përafrojnë, drejt njësimit, politikat e jashtme të dy republikave shqiptare në përputhje me interesat kombëtare.
  2. Hidhet poshtë njëzëri tentativa e Serbisë për të themeluar “Zajednicën” (Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë), një shtet brenda shtetit që e defunksionalizon Kosovën ashtu si “Republika Srpska” (që nisi si “Zajednicë”) defunksionalizon Bosnje Hercegovinën. Sakaq, KM Kurti kërkon dhe KM Rama miraton ngritjen e një grupi pune ndërshtetëror për përgatitjen dhe dorëzimin e padisë për gjenocid ndaj Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
  3. Denoncohet njëzëri spastrimi etnik që Serbia po kryen ndaj shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, duke u zotuar për hapa që ndërmerren me urgjencë për ta paraqitur çështjen në të gjitha organizatat ndërkombëtare që monitorjnë të drejtat e pakicave kombëtare. Njëkohësisht, dy kryeminstrat zotohen që të ulen së bashku me partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi për një platformë që mbron të drejtat e shqiptarëve.
  4. Miratohen në parim hapat për një strategji të përbashkët në përballjen me pandeminë Covid-19 dhe bashkëpunim i ngushtë i të gjitha institucioneve shëndetësore të dy republikave shqiptare.
  5. Miratohet një dokument që nis punën drejt bashkimit doganor, duke eliminuar çdo tarifë dhe barrierë jo tarifore për realizimin e tregut të përbashkët të prodhimit, mallrave dhe shërbimeve mes Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe për funksionalizimin e tregut të përbashkët energjitik dhe projekte infrastrukturore të përbashkëta (rrugë lidhëse e hekurudha).
  6. Miratohet ngritja, sa më parë, e grupeve të përbashkëta ndërparlamentare dhe ndërqeveritare për monitorimin dhe zbatimin e marrëveshjeve Shqipëri-Kosovë, si dhe për marrëveshje të reja në të ardhmen.
  7. Si dy kryeministra që drejtojnë parti që bëjnë pjesë në forumet ndërkombëtare të partive social-demokrate, do të ishte domethënëse nëse KM Kurti ia kujton edhe njëherë KM Rama se Shqipëria është e Kastriotit dhe jo e Kastratit, duke i propozuar që Kosova dhe Shqipëria të ngrejnë një kompani publike të përbashkët për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e “Rrugës së Kombit” dhe akseve të tjera kombëtare, për të mos pasuruar edhe më tej oligarkinë që ka kapur sektorët strategjikë të ekonomisë dhe ka rritur pabarazinë.
  8. Për të luftuar varfërinë, si masë lehtësuese, dy kryeministrat zotohen që brenda këtij mandati dy republikat shqiptare të sansksionojnë me ligj minimumin jetik, në përputhje me përkufizimin e agjencive të OKB-së dhe Organizatës Ndërkombëtare të Punës dhe sipas kostove socio-ekonomike dhe shportës ushqimore. Përcaktimi i minimumit jetik ndikon tek rritja e pagës minimale, pensioneve, ndihmës ekonomike dhe mirëqënies sociale, në përputhje me konventat ndërkombëtare dhe Shtyllën Evropiane të të Drejtave Sociale.
  9. Dy kryeministrat zotohen për një doktrinë të përbashkët të mbrojtjes dhe sigurisë të dy republikave shqiptare me stërvitje të përbashkëta policore dhe ushtarake.
  10. 10. Vendoset për hapat për njohjen e diplomave për të gjitha nivelet arsimore, pa patur nevojë për njësime dhe procedura shtesë. Përafrimin e kurrikulave të arsimit të detyrueshëm, dhe përfshirjen në kurrikulat e arsimit të mesëm të ekskursioneve edukative nga gjimnazet e Shqipërisë në Kosovë dhe anasjelltas.

Nga ana tjetër, dy kryeministrat zotohen për hapa konkretë drejt bashkimit të ligës së futbollit dhe të ligave të tjera sportive.

 

—–

Autori është Drejtor Ekzekutiv i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE në Shqipëri

Please follow and like us: