Albspirit

Media/News/Publishing

Kush e vrau kreun e OKB-së, në kulmin e “Luftës së Ftohtë”?

Pak minuta pas mesnatës së 18 shtatorit 1961, pra 60 vjet më parë, kulla e radio-komunikimeve në qytetin Ndola, në Rodezinë e Veriut, Zambian e sotme, komunikoi për herë të fundit me pilotët e avionit ‘Douglas DC-6’ të kompanisë suedeze “Transair”. Avioni sapo kishte filluar manovrat e uljes. Disa minuta më vonë ai u përplas në pyllin pranë qytetit. Është e vështirë të dihet koha e saktë se kur ndodhi kjo gjë, pasi kërkimet filluan vetëm 10 orë më vonë. Por kur ekipet e shpëtimit mbërritën në vendin e përplasjes, pranë rrënojave të avionit ata gjetën trupin e pajetë të Dag Hammarskjöld, Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Për arsye që nuk u zbardhën kurrë, Hammarskjöld kishte një as spathi të futur nën jakën e këmishës. Gjashtëdhjetë vjet më vonë, vdekja e Hammarskjöld mbetet ende një ngjarje shumë e diskutueshme, dhe shumë nga ekspertët që janë marrë me këtë çështje, refuzojnë ta konsiderojnë atë viktimë të një aksidenti ajror. Dag Hammarskjöld, i lindur në 1905 në Jönköping, një qytet në Suedinë jugore, u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së në prillin e vitit 1953. Ishte një periudhë shumë e vështira për diplomacinë:Lufta Koreane ishte në fazën e saj përfundimtare, ndërsa Lufta e Ftohtë një realitet, fundi i kolonializmit ishte i pashmangshëm, teksa situata në Lindjen e Mesme ishte shumë delikate. Hammarskjöld punoi për t’i garantuar OKB -së më shumë autonomi, në mënyrë që administrata e tij të kishte fuqinë e duhur për të ndërhyrë gjatë krizave ndërkombëtare. Për të treguar se kjo politikë do të ishte largpamëse dhe vendimtare në situata diplomatike delikate, Hammarskjöld u mor personalisht me negociatat e ndryshme.

Kështu, ai u angazhua në negociatat për lirimin e të burgosurve amerikanë gjatë Luftës së Koresë, dhe dërgoi forcat e OKB-së për të parandaluar përshkallëzimin e Krizës së Suezit, teksa ndërhyri për dhënien fund të luftimeve gjatë kryengritjes hungareze të vitit 1956.

Po ashtu ai mbështeti procesin e dekolonizimit, duke mbështetur të drejtat e kombeve të vogla që kërkonin pavarësi nga fuqitë e mëdha, duke shkaktuar kësisoj kritika dhe pakënaqësi tek vendet perëndimore.

Kur u rrëzua avioni me të cilin po udhëtonte, Hammarskjöld ishte duke negociuar një armëpushim midis Kongos, qëu bë e pavarur nga Belgjika në vitin 1960, dhe provincës Katanga në juglindje të vendit, e cila ishte shpallur e pavarur në të njëjtin vit.

Pavarësia e Katangas mbështetej nga ushtarët belgë, që vepronin për llogari të kompanive evropiane të minierave. Moise Tshombe, udhëheqësi separatist i Katangas, e refuzoi propozimin për t’i zëvendësuar ushtarët belgë me ata të OKB-së.

Në fakt, ai kishte frikë se mos humbiste mbështetjen ushtarake ndaj shkëputjes. Nga ana tjetër qeveria e Kongos, mbështetej nga Bashkimi Sovjetik, që shpesh ishte i pakënaqur me rolin që po luante OKB-ja. Në vitin 1961, Hammarskjöld po shkonte në Afrikën e Jugut për t’u takuar me palët e interesuara dhe për të negociuar një armëpushim.

Në orën 6 të pasdites së 17 shtatorit, avioni që mbante sekretarin e OKB -së dhe 15  persona të tjerë në bord u largua nga kryeqyteti i Kongos, Leopoldvil (sot Kinshasa), për të arritur në Ndola, në juglindje të vendit, ku do të takonte udhëheqësin separatist Tshombe.

I mbijetuari i vetëm i aksidentit që ndodhi pak pas orës 1 të mëngjesit të datës 18 shtator ishte Harold Julian, një nga truprojat, që gjithsesi ndërroi jetë 3 ditë më vonë. Para se të vdiste, Julian u kishte thënë autoriteteve se para rrëzimit në avion kishte pasur një shpërthim. Disa javë pas vdekjes së tij, Dag Hammarskjöld iu dha Çmimi Nobel për Paqen. Në dekadat që pasuan, vdekja e tij nxiti shumë teori konspirative, sipas të cilave, ai ishte vrarë me armë zjarri nga një person i punësuar nga CIA apo trupat tokësore amerikane, nga një pilot belg që qëlloi poshtë aeroplanit, apo nga një mercenar i Afrikës së Jugut që dyshohet se e qëlloi në kokë pasi i mbijetoi përplasjes.

Zyrtari i OKB-së që e identifikoi i pari trupin e tij, u betua se Hammarskjöld kishte në ballë një vrimë në madhësinë e plumbit. Por autopsia, gjatë së cilës trupi i Hammarskjöld u skanua me rreze X, nuk e konfirmoi atë pretendim.

OKB hodhi poshtë një numër teorish të tjera, si ajo sipas së cilës një mercenar i supozuar nga Afrika e Jugut i quajtur Suanepol, mburrej se kishte marrë pjesë në vrasje,gjatë kohës qëishte i dehur. Edhe sot, ai aksident mbetet shumë i dyshimtë për të paktën dy arsye.

Së pari për mungesën e provave. Vetëm 20 për qind e avionit u ekzaminua pasi 80 për qind e tij ishte shkatërruar nga shpërthimi. Ndërkohë hetimet u kryen në mënyrë disi sipërfaqësore, pasi shumë nga njerëzit që kishin qenë dëshmitarë të rrëzimit të avionit nuk u morën asnjëherë në pyetje.

Në vitin 2011, britanikja “The Guardian” botoi gjetjet e punonjësit humanitar suedez, Göran Björkdahl, që gjatë 3 viteve kishte intervistuar dëshmitarë okularë të asaj ngjarjeje, të cilët jetonin në fshatrat fqinj. Sipas Björkdahl, dëshmitë dhe elementët e tjerë që ai zbuloi, tregonin se një avion i dytë rrëzoi avionin e tipit DC-6 ku ndodhej Hammarskjöld, dhe se ushtria rodeziane ndërhyri në zonën e katastrofës për të fshehur provat dhe vonuar procesin e kërkim-shpëtimit.

Në vitin 2016, OKB-ja e rihapi hetimin për vdekjen e Hammarskjöld. Një raport hetimor paraprak e cilësoi “të besueshëm” pretendimin e pranisë së një avionit të dytë, dhe u kërkonte qeverive të përfshira në atë ngjarje të provonin se kishin kryer kontrolle të plota të regjistrave të fluturimit.

Ndërkohë, një investigim i agjencisë amerikane të lajmeve Associated Press, i botuar në vitin 2011 nga “The Washington Post” argumentonte se shkaku më i mundshëm i rrëzimit të avionit ishte gabimi i pilotit për shkak të lodhjes.

Në majin e vitit 2015, amerikani Pol Abram, që pretendonte se kishte shërbyer në një bazë përgjimit të NSA-së në Heraklion të Greqisë, i tha grupit të ekspertëve të OKB-së se natën e vdekjes së ish-kreut të OKB-së kishte dëgjuar në radio një komunikim, në të cilin një shtetas jo amerikan, deklaronte me një anglishte me theks të rënduar se:“Amerikanët sapo rrëzuan një avion të OKB-së!”.

Arsyeja e dytë e debateve mbi këtë ngjarje, lidhet me numrin e madh të armiqve që kishte bërë Hammarskjöld gjatë karrierës së tij. Në ato vite,në Kongo kishte një lëvizje të dukshme të agjentëve të shërbimeve sekrete nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Bashkimi Sovjetik dhe Gjermania Perëndimore.

Vendi afrikan kishte pasuri të mëdha minerale, të përqendruara kryesisht në provincën e Katangas, ndër të tjera shumë rezerva të uraniumit, si dhe një mineral thelbësor për prodhimin e armëve bërthamore. Shtetet e Bashkuara druheshin se ndërhyrja e OKB-së në Afrikë, do t’i jepte Moskës mundësinë të dominonte kontinentin e zi.

Ndërkohë Bashkimi Sovjetik, mendonte se Hammarskjöld ishte një kukull në shërbim të Perëndimit. Puna e Hammarskjöld ishte shumë e rëndësishme në përcaktimin dhe zgjerimin e roleve dhe detyrave të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe vetë organizatës. kujton Sipas biografit të tij kryesor Brian Urquhart, vendosmëria e udhëheqjes së tij, “nuk është arritur asnjëherë nga asnjë udhëheqës tjetër i mëvonshëm”. Kjo ishte një meritë edhe më e shquar, në një periudhë historike që ishte shumë komplekse dhe e rrezikshme. / Il Post – Bota.al

Please follow and like us: