Letra e shkrimtarit Hamza te Kadri Hazbiu kundër Teodor Laços
Letra e shkrimtarit, Hamza K., drejtuar ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, ku ai denoncon disa prej kolegëve të tij
Shokut Kadri Hazbiu, Ministër i Punëve të Brendshme
I dashur shoku Ministër
Po ju drejtoj këtë letër për disa nga ato problemet e letërsisë e të artit që më kanë shqetësuar dhe sipas porosisë së më dhatë Juve, kur ishit në aktivin e Partisë së Korpusit të Korçës, po i rendit si më poshtë:
Pa mohuar punën e mirë dhe sukseset që janë arritur në letërsi dhe artet te ne, pas fjalimeve të shokut Enver Hoxha të vitit të kaluar dhe pas Plenumit të IV-të të Komitetit Qendror të PPSH-së, dhe pa mohuar luftën që është bërë kundër shfaqjeve të liberalizmit në këto sfera shumë të rëndësishme të frontit ideologjik kulturor; mendoj se akoma nuk janë goditur deri në fund disa tendenca e shfaqje negative dhe nuk po kritikohet si duhet në shtypin tonë letrar (në gazetën “Drita” dhe revistën “Nëntori”), disa vëllime me tregime, poezi, romane dhe drama; apo tregime poema dhe poezi të veçanta, një pjesë e të cilave për gabime të theksuara antisocialiste, u goditën nga Komiteti Qendror i Partisë dhe më vonë nga lexuesit.
Kështu p.sh.: janë kritikuar zyrtarisht tregimi “Fushata” i Sabri Godos, që nuk është i përmbledhur në librin me tregime “Zëra nga burime të nxehta”, “Pranvera e madhe”, dhe “Shënime të shkruara natën”, të Sotir Andonit, libri “Ajri i ftohtë i mesnatës”, i Teodor Laços (këta të dy janë kunetër dhe kanë pasur miqësi të ngushtë me Todi Lubonjën). Librat me poezi “Mozaik” të Roland Gjozës (ky është element i deklasuar dhe i është hequr e drejta e botimit), libri me poezi i Moikom Zeqos.
Gjithashtu, Faslli Haliti dhe Flora Mullaymeri, për përbërje të keqe familjare e për shfaqje të imoralitetit e liberaliste në qëndrimin dhe shkrimet e tyre pas Plenumit të IV-të të Komitetit Qendror të Partisë, për të dy u morën dhe masa administrative nga organet tona. Por e keqja qëndron se librat që përmenda më lart vazhdojnë të lexohen, sepse nuk u morën masa përkatëse nga Ministria e Arsimit e Kulturës për t’i hequr ata nga qarkullimi.
Gjithashtu në vend që të ndalohej botimi i librave me përmbajtje revizioniste, akoma vazhdon të botohen të tilla nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”. Dhe një gjë e tillë ndodh pikërisht pas vendimeve të Plenumit të IV-të të K.Q. të Partisë. Libra të tillë janë botuar “Në këtë qytet”, “Erdhi një nënë”, me vjersha të Frederik Rreshpjes dhe Milianov Kallupit, apo disa libra me vjersha të poetëve kosovarë si ato të Enver Gjergjekut dhe Ali Podrimjes etj. Shumica e vjershave në këto libra janë me ide të errëta, pacifiste dhe formaliste në thelb ato janë të shthurura si në përmbajtjen e tyre dhe në formën artistike. Edhe në gazetën “Drita” dhe në revistën “Nëntori”, po vazhdohet të botohen poezi të shthurura nga forma poetike, prozaike dhe jo të mbështetura në tabanin kombëtar. Le të marrim p.sh. një rast konkret:
Në revistën “Nëntori”, Nr.3, 1974, është botuar novela e Teodor Laços, “Ditë dhe netë që mund të vijnë”. Në këtë novelë, autori paraqet një pjesë të territorit tonë jugor të pushtuar (në kohën e sotme), brenda tre ditëve dhe tre netëve, nga një divizion grek (siç dihet një divizion ka 13 deri 14 mijë ushtarë, ja ku arrin absurditeti dhe fallsiteti); pa u bërë asnjë rezistencë nga ana e forcave tona të armatosura. Bile qysh në fillim të luftës, autori paraqet se ushtria jonë shpërndahet në çeta partizane dhe futet në guvat e maleve.
Në këtë novelë janë pasqyruar pikëpamjet armiqësore të Beqir Ballukut, i cili mohonte luftën e shkallës së parë në front të organizuar. Në novelë ekspozohen dhe variantet taktike që ne i përdorim në stërvitje, por që i mbajmë në konspiracion të plotë. Gjithashtu, kjo novelë tek ata që lexojnë përhap frikë dhe panik, sepse në atë mënyrë janë pasqyruar ngjarjet dhe situatat. Propozoj që t’i kërkohet autorit, me cilët specialistë ushtarakë është konsultuar për materialet e novelës, ndërsa ndaj tij të mbahet edhe qëndrim, sepse nuk e ka rastin e parë që shkruan kështu.
Në mënyrë masive te ne nga lexuesit, dhe sidomos nga rinia, lexohen librat artistikë që përkthehen nga gjuhë të huaja. Kam vënë re se disa libra të tillë të përkthyera kanë në qendër seksualizmin, vetminë, jetën boshe, vetëvrasjet, aventura dedektive, të botës perëndimore dhe imperialiste. Të tilla libra janë: “Familjet e mëdha”, “Vdekje në anije”, “Tre veta në barkë”, “Qeni i verdhë”.
Dhënia për lexim brezit të ri libra që përshkohen nga fenomene negative të shthurjes dhe degjenerimit; I dëmtojnë të rinjtë tanë dhe në radhët e tyre do të kemi të infektuar. Fakte të veçanta flasin se po përkthehen me shumicë libra artistikë të pakontrolluar nga përmbajtja dhe që të rinjtë, në mënyrë masive i tërheqin këto libra, duke nënvleftësuar botimet tona origjinale. Dhe çfarë ndodh më tej, të rinj të veçantë imitojnë në jetën e tyre veprime të personazheve negative libreske. Këtë do ta ilustroj vetëm me një shembull: megjithëse ka edhe raste të tilla.
Një oficer i ri, i quajtur Dashamir Turhani, efektiv i reparteve tona, vrau veten, prirej për të lexuar vetëm libra artistikë të Î përkthyera që pasqyronin vetminë; dhe vetëvrasjet nga që i mungonte formimi i duhur ideologjik, që me vështirësinë e parë që u ndesh në jetën personale, (përveç shfaqjeve të tjera negative që pasqyronte), u thellua në leximin e librave që trajtonin aktin e vetëvrasjes; ndërsa ditën që do të vriste veten kishte marrë për lexim romanin “Pjesëmarrës në vrasje”, në këtë roman kish nënvizuar paragrafë të tëra që e shtynin drejt aktit kriminal.
Mendoj se në qoftë se do të vazhdohet të botohen libra artistikë të përkthyera, apo origjinalë që nuk do të kenë përmbajtje revolucionare dhe që do të jenë të mbushura me filozofizma të sëmura dhe të përshkruara nga ide të ndërlikuara, siç e preka më lart do të na dëmtojnë edukimin e brezit të ri në të ardhmen.
Një çështje tjetër që më ka tërhequr vëmendjen dhe që mendoj të ngre në këtë letër është dhe ajo e përbërjes klasore së shkrimtarëve dhe artistëve. Kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve ka marrë në analizë këtë problem dhe u është hapur rruga e botimeve shumë shkrimtarëve me përbërje të keqe biografike.
Të tillë janë disa nga ata që njoh unë si: Koçi Petriti, Dhori Qirjazi, Sotir Andoni, Klito Fundo, Koço Ristani, Flora Mullaymeri, Teodor Laço, Roland Gjoza, Gjergj Zheji, Faslli Haliti, Niko Dako, e ndonjë tjetër, që sigurisht në situata të ndryshme, duke qenë elementë të tillë, disa prej tyre kanë nxjerrë kokën në forma të heshtura si në krijimet e tyre, ashtu dhe në qëndrimet ndaj diktaturës së proletariatit…!
“Sotir Andoni, i dënuar me burg, boton libra me mendime të verdha, kisha, xhami, manastire, hoxhallarë e priftërinj” Të marrim dhe të analizojmë vetëm dy nga këta që prekëm më lart: Sotir Andonin dhe Teodor Laçon. Sotir Andoni në vitin 1948 tentoi të arratisej në Greqi, por u kap në kufi dhe u dënua nga gjyqi i popullit. Si doli nga burgu për të rehabilituar veten filloi të shkruajë tregime, ndërsa në vitin 1960, i hapet rruga e botimit dhe ka botuar disa libra nëpërmjet miqve që ka në organet botuese, dhe në Kryesinë e Lidhjes së Shkrimtarëve.
Ajo që ka rëndësi se të gjitha librat dhe shkrimet e Sotir Andonit përbëjnë dyshime dhe fenomenet në to nuk janë trajtuar nga pozita e realizmit socialist. Librat e tij trajtojnë tema të viteve ‘20-‘40 dhe janë të mbushura me kisha, xhami dhe manastire, me mendime të verdha, me tregtarë, çifligarë, priftërinj, hoxhallarë dhe me dallaveraxhinj. Duke i pasqyruar këta në libra si të arsyeshëm, bamirës ndaj popullit tonë, në novelën “Pranvera e madhe” nazistët gjermanë paraqiten si njerëz të sjellshëm dhe të arsyeshëm ndaj popullit dhe jo si shtypës dhe gjakpirës.
Të ndalem konkretisht te disa libra të Sotir Andonit. Në librin me tregime “Trokthet e kuajve në mesnatë” ka tregime që nxijnë realitetin tonë socialist dhe që poshtërojnë dinjitetin e popullit tonë. Në novelën “Pranvera e madhe”, gjermanët paraqiten si njerëz të sjellshëm ndaj popullit tonë, sikur nuk kishin ardhur në Shqipëri si okupatorë, por sa për të kaluar në Greqi apo gjetiu, në këtë novelë poshtërohet lufta jonë Nacionalçlirimtare.
Në romanin “Shënime të shkruara natën”, Lufta Nacionalçlirimtare pasqyrohet si një luftë komitësh që nuk udhëhiqet nga partia, po nga “intelektualët” e “kulturuar”, në novelën “I vogli e mund të madhin” se një nënoficer grek gjatë luftës italo-greke, “na edukon” rininë dhe fëmijët tanë dhe u futkërka në gjak “idetë e çlirimit”. Sipas autorit, idetë importohen dhe nuk janë burim i forcës së brendshme të një populli.
Në tregimin “Shkelja gazit Xhixhi”, ky element ofendon figurën e veteranit të Luftës Nacionalçlirimtare dhe sekretarit të Komitetit të Partisë, duke i nxjerre këta si dallkaukë dhe njerëz të allishverisheve. Tani, kohën e fundit, ky shkroi dhe një dramë të titulluar “Orteku i vjeshtës”, drejtori i Teatrit Profesionist të Korçës, Petraq Zoto, duke qenë se e ka fshatar, ia vuri në skenë në Teatrin e Korçës nga një regjisor me qëndrim të keq politik (vëllai i tij është dënuar për veprimtari spiunazhi), për përgatitjen e kësaj drame dhe rrogat e aktorëve janë harxhuar mi 25 mijë lekë të rinj, kur erdhi puna që t’i shfaqej publikut, me të drejtë u ndalua, sepse në këtë dramë villej vrer për luftën Nacionalçlirimtare dhe sipas saj, lufta jonë nuk u bë për pushtetin politik, por thjesht për kërkesa ekonomike, duke bashkëjetuar me të gjithë tradhtarët e vendit pas çlirimit.
Më keq ndodh se në bazë të ligjeve qeveritare, kur një pjesë artistike nuk shfaqet duhet që aprovuesit e saj të zhdëmtojnë arkën e shtetit, pa lëre pastaj masat e tjera që nuk u morën, por u kalua në heshtje.
Përveç krijimeve, Sotir Andoni nuk ka mbajtur qëndrim të mirë edhe gjatë kohës që ka qenë sekretar për propagandën Todi Lubonja. Ai, duke pasur miqësi të ngushtë me Todi Lubonjën, ishte përkrahës i shkrimeve liberaliste dhe i elementit të deklasuar, për shërbimet që i kishte bërë Todi Lubonjës, ky i fundit e mori në Radio-Televizor si redaktor dhe u dëbua nga Radio-Televizori, pas shkarkimit të Todi Lubonjës nga të gjitha funksionet. Po japim edhe një shembull tjetër.
Në revistën “Ylli”, Nr.1 Viti 1973, Sotir Andoni ka botuar një intervistë, ku ul sistemin tonë arsimor socialist për sa i përket mësimit të gjuhëve të huaja, duke ngritur lart sistemin arsimor në regjimin e fashizmit në Shqipëri. Po në këtë intervistë, ky “shkrimtar” lavdëron një mësues të asaj kohe, Virgjir Ballamaçi, i cili ka qenë anëtar i partisë fashiste “Garda di ferra” dhe pas çlirimit të atdheut ka mbajtur qëndrim të keq armiqësor ndaj pushtetit popullor.
Atëherë lind pyetja, si ky njeri (S. Andoni), që njihet për këto njolla në vend që t’i hiqet e drejta e botimit dhe të merren masa e të mbahet qëndrim ndaj tij, vazhdon akoma të botojë, ndërsa kritikët tanë dhe drejtuesit e Lidhjes së Shkrimtarëve nuk i kursejnë fjalët e mira në adresë të tij, duke thënë se “është shkrimtar i talentuar”? Këto i kanë shkruar në shtypin e Lidhjes, në gazetën “Drita” dhe në revistën “Nëntori”.
Teodor Laço (kunati i Sotir Andonit), i ati ka jetuar dhe ka vdekur në SHBA. Në SHBA, i ati i Teodor Laços ka zotëruar pasuri kolosale, një pjesë të së cilës ua dërgonte dhe fëmijëve në Shqipëri në dollarë. Po ashtu, T. Laços dhe familjes së tij vazhdojnë t’i vijnë kartëmonedha nga SHBA. Edhe T. Laço, si S. Andoni, ka pasur shoqëri të ngushtë familjare me T. Lubonjën, duke i dhënë këtij të fundit edhe kostume dhe materiale të tjera, derisa T. Lubonja ndërhyn duke e transferuar në Tiranë, në Kryesi të Lidhjes së Shkrimtarëve, ku punon edhe sot në sektorin e edukimit të këtij dikasteri.
Teodor Laço, me të vajtur në Tiranë, përkrahu pa hezitim krijimet letrare me shfaqje liberale. Në gazetën “Drita” shkroi një artikull për një dramë të Fadil Paçramit, ku e ngriti në qiell “talentin e madh” të Fadil Paçramit, sikur ky na paskësh qenë dramaturgu më i madh i Shqipërisë dhe si kjo dramë, rekomandonte Teodor Laço, duheshin shkruar.
Të njëjtin qëndrim mbajti Teodor Laço edhe ndaj poemës antisocialiste “Dielli dhe rrëkerat” të Faslli Halitit, me një artikull që botoi në gazetën “Drita”, sigurisht për të fshehur gjurmët në ndonjë rast edhe kritikonte, por në të njëjtën kohë edhe e mburrte Faslli Halitin, sikur na paskësh në shtyp një libër me vjersha shumë të mirë.
Libri me vjersha që lavdëronte Teodor Laço, për tendenca revizioniste, nuk u botua. Vitin e kaluar, pas fjalimit të shokut Enver të 15 marsit, kur po bëhej një luftë e madhe kundër shfaqjeve liberale në letërsi, e sidomos në poezi, Teodor Laço boton një artikull në gazetën “Drita”, duke lavdëruar pikërisht ato krijime dhe ata letrarë të rinj, që partia i kritikonte për shfaqje të huaja në shkrimet e tyre.
Në vitin 1972, Teodor Laço ka botuar një libër me tregime “Ajri i ftohtë i mesnatës”, ku shtrembërohet realiteti ynë socialist, ky shkrimtar shpif ndaj realitetit tonë në këtë libër, duke i veshur anët negative të panumërta, pa thënë asgjë pozitive ndaj socializmit, por që t’i zbulosh anët negative këtij libri, sigurisht është e vështirë, sepse i ka veshur me marifete artistike.
Përveç novelës armiqësore që përmenda më lart “Ditë dhe netë që mund të vijnë”, “Ajri i ftohtë i mesnatës”, Teodor Laço shkroi dhe një dramë me titull “Të jesh njeri”, në të cilën propagandon vetminë dhe diskrediton organet tona gjyqësore të R.P. të Shqipërisë, këtë dramë e paraqiti për ta vënë në skenën e Teatrit Popullor të Tiranës dhe Teatri i Korçës, por për të meta të tilla nuk u vu në skenë.
Ja cili është Teodor Laço, që sot çuditërisht drejton sektorin e edukimit në Lidhjen e Shkrimtarëve. Mendoj, shoku Ministër, se këto aktivitete nuk duhen parë si të shkëputura dhe të rastit, por duhet t’i analizojmë më thellë dhe me përgjegjësi, sepse këtu duket se ka kundërvënie ndaj Plenumit IV të Komitetit Qendror të PPSH-së, për letërsinë dhe artet.
Sidomos Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, duhet t’u rikthehen edhe një herë për studim dhe zbërthim fjalëve të shokut Enver të vitit të kaluar, dhe vendimeve të Plenumit V të K.Q të Partisë dhe të nxjerrin konkluzione për të marrë masat konkrete në këtë fushë, siç është letërsia dhe artet.
Korçë dt. 14. 11.197
Raporti i Drejtorisë së Botimeve dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së, pas letrës së Hamza K.
MENDIME MBI DISA LIBRA
- ”Pranvera e madhe”, i Sotir Andonit. Është një libër për fëmijë me gabime ideore. Këtu ndihet pikërisht ajo influencë e letërsisë revizioniste lidhur me qëndrimin ndaj armikut (gjerman), krijohen situata jorealiste, që nuk i shërbejnë edukimit të fëmijëve. Jemi të mendimit që të hiqet nga qarkullimi.
- “I vogli e mund të madhin”, i Sotir Andonit. Është një novelë me mjaft shqetësime ideore. Në disa raste nuk konceptohet drejt Lufta Nacionalçlirimtare. Ka nuanca që nxjerrin në pah frikën e Luftës. Shtrembërohet qëndrimi i fshatarësisë ndaj luftës, lidhja e fshatarësisë ndaj partizanëve etj. Pra vepra nuk i edukon mirë të vegjlit. Mendojmë të hiqet nga qarkullimi.
- “Shënime të shkruara natën”, i Sotir Andonit. Edhe ky roman ka të meta dhe gabime të karakterit ideor, sidomos në trajtimin e figurës së komisarit e komandantit. Vetë çeta partizane na jepet e izoluar, nuk janë të qarta qëllimet dhe lidhjet e saj, ndonëse bën mjaft aksione. Pra, pasqyrimi i Luftës Nacionalçlirimtare nuk i përgjigjet realitetit. Mendojmë të hiqet nga qarkullimi.
- “Ajri i ftohtë i mesnatës”, i Teodor Laços. Libri ka disa gabime që konsistojnë në mosvënien e theksit sa duhet tek anët pozitive të realitetit, por merret më shumë me ato negative. Duhet vënë në dukje se ndaj anëve negative ai mban qëndrim, i stigmatizon. Prandaj mendojmë që vepra të mbetet në qarkullim.
- “Mozaik” nga Roland Gjoza. Ka disa momente që nuk tingëllojnë mirë dhe përbëjnë gabime apo lënë shteg për keqkuptim. Por dobësitë më të mëdha të këtij vëllimi janë koncepte të karakterit artistik, prandaj mendojmë që të mos hiqet nga qarkullimi. Kuptohet se të gjitha këto vepra po të ishin paraqitur tani për botim, do t’u ktheheshin autorëve për ripunime, ose si të pabotuara.
- “Tre vetë në një barkë”. Kjo është një vepër e lehtë e një autori anglez, Xherom Xherom, me skena humoristike e aventura që nuk trajtojnë probleme shoqërore. Ai e ndërton humorin më shumë ndaj tipave dhe jo për probleme. Por me që nuk ka edhe ndonjë gabim të rëndë, mendojmë të mbetet në qarkullim.
- “Qeni i verdhë”, i Simonovit. Kjo është një vepër që nuk duhej botuar, sepse i mungon fare sensi klasor. Komisari Megre, që në fakt është përfaqësues i borgjezisë, paraqitet si njeri i mirë dhe bamirës. Është një vepër me aventura, me një gjuhë të tipit të romaneve policore. Mendojmë që edhe kjo vepër të hiqet nga qarkullimi, meqë nuk ka vlera edukuese për lexuesit tanë. Veprat që përmendëm, sot nuk ndodhen në libraritë, por vetëm në biblioteka, prandaj do vihen në fondet e rezervuara. Shënojmë se menjëherë pas përfundimit të studimit që po i bëjmë literaturës politiko-shoqërore që nga Çlirimi e deri më sot, do të merremi me literaturën artistike, për të konkluduar për veprat që do të hiqen nga qarkullimi ose do korrigjohen.
18. XII. 1975 DREJTORI
Afka Gambeta
Informacioni i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me shkrimtarët që përmendeshin në letrën e shkrimtarit Hamza K., drejtuar ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu
SEKRET
Ekzemplar, Nr.1
Tiranë më 5. 12. 1974.
I n f o r m a c i o n
Lidhur me problemet që ngrihen në letrën e Hamza K.,, nga verifikimi që i bëmë rezulton se çështjet e ngritura prej tij në përgjithësi qëndrojnë dhe megjithëse janë të njohura nga ana e institucioneve të artit e të kulturës, kemi mendimin se përsëri meritojnë e duhen parë.
Së pari: lidhur me disa persona që përmenden në letër, që janë me biografi jo të mire, e janë anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve, rezulton:
Sotir Andoni, është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, i dënuar për tentativë arratisjeje, ka qenë në lidhje të ngushtë me Todi Lubonjën, me përkrahjen e të cilit doli në krijimtari të lirë. Pas Plenumit të IV, u dërgua në fshat për riedukim.
Teodor Laço, nga Korça, kunat i Sotir Andonit, anëtar i kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve. Ka pasur babanë në Amerikë, aktualisht ka hallat. Nga korrespondenca me to, del se merr vazhdimisht dollarë dhe u kërkon edhe rroba, përfshi këto edhe të vjetra po të jenë. Ka qenë përkrahës i veprave të Fadil Paçramit, nëpërmjet shkrimeve të tij në organet letrare i ka ngritur lart ato. Është sjellë në Tiranë me rekomandim të Todi Lubonjës.
Gjatë vitit 1974 ka botuar novelën “Ditë dhe natë që mund të vijnë”, e cila ka nuanca të teorisë armiqësore të “rrëshqitjes” është lidhje e Vaskë Gjinos.
Koçi Petriti, arsimtar në Librazhd, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, është me prejardhje të keqe politike.
Flora Mollaymeri, me prejardhje jo të mirë politike, njihet si femër me prirje moderniste. Me rekomandimin e Todi Lubonjës ka mbaruar shkollën, e u kërkua nga gazeta “Drita”. Pas Plenumit të IV u kritikua dhe u dërgua në Korçë. Aktualisht është arsimtare në këtë rreth.
Roland Gjoza, student në Gjuhë-Letërsi. Është këshilluar nga organet tona, mbasi implikohej me një grup të rinjsh për veprimtari armiqësore, i kritikuar për krijimet e tij para Plenumit të IV.
Faslli Haliti, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, autor i poemës “Dielli e Rrëket”, e cila u kritikua rëndë lidhur me përmbajtjen e saj shumë të dobët nga ana ideologjike, gjë për të cilën Faslliu u çua në prodhim për riedukim.
Së dyti: për sa i përket botimit të disa veprave të huaja ose tonat, këto i takojnë periudhës para Plenumit të IV të K.Q., dhe disa nga këto janë të disa viteve edhe më parë, siç bëhet fjalë p. sh., për veprën e Sabri Godos, “Fushata”, e vitit 1963, e cila nuk është lejuar për të qarkulluar.
Lidhur me sa më sipër kemi mendimin se: Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, mbase ka vend për ta shikuar përbërjen klasore të disa anëtarëve të saj mbasi, përveç personave të mësipërm, ka edhe elementë të tjerë me përmbajtje të keqe politike, me pjesëtarë familjeje të dënuar për krime të rënda kundër shtetit, ose të arratisur jashtë, siç janë: Robert Petro Ndrenika (aktor i teatrit) Dhori Qiriazi, Ymer Rustem Skënderi, Sadik Osman Kaceli, Ramadan Sokoli, etj.
Në këtë drejtim po të shikohet e arsyeshme lidhur me ruajtjen e pastërtisë së Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve mund të ndihmonim edhe ne si organ dhe mbase vetë kryesia duhet të shikojë në të ardhmen më me rigorozitet pranimin në lidhje të anëtarëve të saj. Për veprat me dobësi ideore si rregull nuk bëhet një analizë e thellë dhe e gjithanshme me autorët e tyre, por mjaftohen vetëm me qëndrimin që mbajnë kritikët nëpërmjet shkrimeve në gazetën “Drita” e “Nëntori”.
Ndoshta do të ishte më e drejtë një analizë nga kolektivi i lidhjes sipas gjinive përkatëse me krijuesit, duke u ndalur më hollësisht në të metat e dobësitë e veprave të tyre. Komitetet e Partisë për disa nga këto krijues mbajnë një qëndrim më të avancuar (siç janë rastet ndaj Faslli Halitit në Lushnjë, Frederik Kreshnjës në Shkodër, Sotir Andonit në Korçë, të cilët janë çuar për riedukim në prodhim), ndërsa kryesia e Lidhjes pa rakorduar me rrethet i vlerëson dhe i aktivizon si anëtarë të Lidhjes.
Kryetari i Degës VIII
(M. B.)
Informacion për letrën e shokut Hamza K.
Në letrën që i drejtohet shokut Kadri Hazbiu nga Hamza K., ngrihen një sërë problemesh për mjaft autorë dhe vepra letrare.
Sa morëm letrën, ne thirrëm shokë të Ministrisë e të Lidhjes e i porositëm të shqyrtonin disa probleme që u takonin atyre (si analiza e veprave letrare) dhe ndoqëm disa probleme të tjera.
Për të konkluduar për këto çështje ishte një punë e ndërlikuar dhe e gjatë, prandaj informimin po e bëjmë tani që përgjithësisht problemeve që ngrihen deri diku u është dhënë zgjidhje.
Së pari: bëhet vërejtje për një sërë autorësh, të cilët nuk kanë përbërje klasore të mirë, dhe u është dhënë e drejta e botimit. Përmenden: Koçi Petriti, Dhori Qiriazi, Sotir Andoni, Klito Fundo, Koço Ristani, Flora Mollaymeri, Teodor Laço, Gjergj Zheji, Roland Gjoza, Faslli Haliti, Niko Dako etj.
Duke u nisur edhe nga të dhënat e tjera, u porosit Lidhja, që Teodor Laço të largohej nga aparati i Lidhjes. Ai tani është transferuar në Fier. Për novelën e gabuar “Ditë dhe net që mund të vijnë”, u bë diskutim në kolektivin e Lidhjes dhe u botua një shkrim në gazetën “Drita”, ku ai u kritikua ashpër.
Ai bëri autokritikë. Krijimtaria e tij pas Plenumit IV, veç kësaj novele, ka qenë e mirë. Në bazë të të dhënave që kemi pasur deri tani për Dhori Qiriazin dhe Sotir Andonin nga Komiteti i Partisë i Korçës, është folur për gabimet e tij. Por deri tani nuk është bërë ndonjë veprim për qenien e tyre si anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve.
Për Dhorin, me kërkesën tone, ditët e fundit nga Komiteti i Partisë së Kolonjës, na ka ardhur një shkresë në të cilën midis të tjerave thuhet se: në diskutimet që janë bërë pas Plenumeve të fundit në rreth janë shfaqur mendime që të mos jetë anëtar. Por propozim konkret Lidhjes së Shkrimtarëve ose K. Q. të PPSH-së nuk i është bërë nga komitete të Partisë për asnjërin.
Frederik Reshpja, për të cilin bëhet fjalë në letër është goditur. Sipas rregullave të caktuara për të gjithë autorët, me përjashtim të atyre që njihen mirë para se t’u publikohet vepra, merret pëlqimi i rrethit.
Kështu është vepruar dhe për disa autorë që përmenden në letër, si Klito Fundo, Roland Gjoza, Niko Dako etj. Ata nuk janë anëtarë të Lidhjes dhe me përjashtimin të R. Gjozës, nuk janë as të rrezikshëm, prandaj ne nuk e kemi ndjekur në mënyrë të veçantë.
Roland Gjoza, sivjet mbaroi Universitetin. Ai është këshilluar nga organet e Punëve të Brendshme se implikohej me disa të rinj me përmbajtje armiqësore, është kritikuar dhe për ndonjë krijim, por nga sa dimë ne, nuk është i deklasuar. Çështjen e tij po e shikojmë se s’kemi mundur ta sqarojmë deri në fund.
Për Flora Mollaymerin, kemi biseduar me Komitetin e Partisë të Korçës, ta shikojë e të njoftojë ç’qëndrim duhet mbajtur ndaj saj. Ajo është mësuese dhe kandidate e Lidhjes. Autori i letrës bën vërejtje edhe për disa shkrimtarë të tjerë, si: Gjergj Zheji, Koçi Petriti, Koço Ristani. Me sa jemi në dijeni, ata kanë ndonjë të metë, por në tërësi është quajtur e arsyeshme që ata të krijojnë e publikojnë.
Megjithatë, nga sektori i kuadrit të aparatit të K. Q. të Partisë, rretheve u janë kërkuar të dhëna për tërë shkrimtarët e artistët e rretheve, anëtarët e Lidhjes, me qëllim që të shikohet më mirë përbërja klasore dhe qëndrimi i tyre. Ne bashkë me shokët e kuadrit jemi duke i shikuar të dhënat që kemi në tërësi për tërë anëtarët dhe do të nxjerrim problemet që dalin.
Në Tiranë, gjatë diskutimeve që u bënë për luftën kundër burokratizimit, u pa edhe një herë përbërja klasore e disa kuadrove dhe janë marrë masa që gradualisht e sipas rastit të lëvizin nga institucionet qendrore artistike, por për qenien ose jo anëtarë të Lidhjes, nuk është ngritur ndonjë problem.
Në informacionin e MPB-së, përmenden autorë si: Robert Ndrenika, Sadik Kaceli, Ramadan Sokoli, Imer Skënderi dhe Faslli Haliti.
Të tillë mund të ketë edhe të tjerë, të cilët po i shikojmë konkretisht. Për disa nga këta kemi shkëmbyer mendime dhe me komitetet e Partisë së rretheve, të cilat janë duke i shikuar. Pasi të bëjnë propozime, komitetet e Partisë do të marrin masa për qenien e tyre në Lidhje.
Faslli Haliti, është çuar në fshat për riedukim dhe nuk ka botuar gjë në shtyp, por atij nuk i është hequr e drejta e botimit përgjithmonë. Në rrethin e vet deri tani i është ekspozuar vetëm ndonjë vepër në pikturë.
Imer Skënderi, është parashikuar të largohej nga Instituti i Arteve, por ai vdiq para ca kohësh.
Së dyti, për veprat që kritikohen pasi u shqyrtuan nga ana e Ministrisë, ndonëse me shumë zvarritje, kohët e fundit u konkludua që:
A – “Pranvera e madhe”, “I vogli e mund të madhin”, “Shënime të shkruara natën”, vepra të Sotir Andonit, si dhe “Qeni i verdhë”, letërsi e huaj, të hiqen nga qarkullimi. Ato do të ngelen në bibliotekë në vende të rezervuara.
B – Veprat e F. Reshpes, janë hequr nga qarkullimi.
Po ashtu janë hequr nga qarkullimi që më parë libri i Sabri Godos “Zëra nga burime të nxehta” dhe libri i përkthyer “Tre veta në barkë”.
Libri i Teodor Laços, “Ajri i ftohtë”, ka edhe ndonjë tregim me kufizime dhe merret shumë me aspekte negative, por ndaj tyre autori mban qëndrim, prandaj si nga Ministria e Lidhja mendohet që të mos hiqet nga qarkullimi, por të bëhen kritika më të forta në shtyp.
Për librin e R. Gjozës, “Mozaik”, të botuar disa vite më parë, mendohet që tani për tani të mos hiqet nga qarkullimi deri sa të sqarohet në tërësi çështja e tij, ndonëse në vëllim ka disa momente që përbëjnë gabime ose lënë shteg për keqkuptime.
Theksojmë se Ministria menjëherë pas studimit që po i bën literaturës politiko-shoqërore që nga çlirimi e deri më sot, do të shqyrtojë dhe literaturën artistike për të konkluduar mbi veprat që do të hiqen nga qarkullimi. Ne i kemi sugjeruar të shikojnë me precedencë dhe disa vepra të tjera, për të cilat në letër bëhen vërejtje. (Vdekje në anije, poezi nga Kosova etj). Për veprat e pabotuara me dobësi ideore, diskutohet në redaksi, konkluzionet i janë paraqitur dhe aparatit të K.Q.
Ne kemi porositur disa rrethe të diskutojnë për krijimet e dobëta me autorët. Në fakt, në këtë drejtim punën duhet ta ndjekim më mirë dhe ne. Nga letra dalin shumë probleme, por shihet se autori i saj, shoku Hamza K., herë-herë, me vërejtje që bën, kalon në ekstremitet, gjë për të cilën i’u bënë vërejtje dhe në diskutimin që bëri në seminarin kombëtar për problemet e punës kulturore në Ushtri, në Durrës. /Memorie.al