Albspirit

Media/News/Publishing

Iris Halili: Requiem për gjyshen time të mirë, Ganimet Gjilani Fratari, në 100-vjetorin e saj të lindjes!

Ishim ulur për darkë si familje një mbrëmje dhe nuk di se çfarë teme e nxehtë po diskutohej, kur natyrshëm djali im më pyeti: “Pa na thuaj ç’të ka mësuar nëna për këtë çështje, na cito ndonjë nga ato proverbat e saj”. Unë e kam pas quajtur gjyshen time ‘nëna’.  Nuk di se si, por për absolutisht çdo çast delikat në jetë më vjen në mendje çdo fjalë e saj, këshillë apo filozofim. Ajo ishte dhe mbetet mentorja ime më e mirë. Ishte dhe mbetet një zonjë e rëndë, jo vetëm nga prejardhja, por më shumë nga jeta e saj e vështirë, të cilën ajo arriti ta veshë me një virtyt të jashtëzakonshëm.

Ajo pati një jetë si nëpër filma: e nisi bukur, i rrodhi dhimshëm, por së paku u mbylli në paqe. Vajzë e dy prindërve të dedikuar patriotizmit, me baba një njeri të mençur dhe deputet në dy legjislatura të Zogut, ndërkohë dhe një tregëtar i sukseshëm dhe me nënë prej një ndër familjeve më fisnike të Delvinës ajo shijoi fëmininë dhe rininë e hershme me gjithë luksin e kohës së viteve ’30.  Megjithatë, dedikimi i saj më i madh ishte etja për dije. E dhënë shumë pas tyre ajo përfundoi shkëlqyer shkollën Nëna Mbretëreshë dhe ishte shumë e lumtur që bashkë me shumë mikesha të saj, përfshi dhe më të ngushtën Musine Kokalari, do shkonte me studime në Romë. Fatkeqësisht familja pati plane të tjera dhe kishte vendosur ta martonte. “Kam qarë aq shumë kur më thanë se nuk mund të shkoja në Itali e duhet të fejohesha sa të nesërmen çarçafi me të cilën isha mbulur natën më ishte lagur i tëri nga lotët”! Sa herë ma tregonte këtë histori i mbusheshin sytë. Por në fund e përmblidhte veten dhe thoshte: “Paçka, zoti më dhuroi një bashkëshort shumë të mirë dhe dy fëmijë si drita”.

Dhe kishte të drejtë gjyshja ime, pasi gjyshi vinte nga akademia e lartë ushtarake e Romës dhe ishte djali i dëshmorit të Pavarësisë, Hajredin Fratari. Dukej se ajo ndonëse i dha fund një ëndrre fati e solli të jetonte një tjetër, ndoshta duke i dhuruar në ato vite të rinisë së hershme atë dhunti që ajo do e kishte më të zgjedhurën mes të shumtave: mëmësinë e jashtëzakoshme dhe përkushtimin pa limit për fëmijët dhe familjen. Por ato ditë të arta nuk ishin e thënë të zgjasnin shumë pasi komunizmi do ia përmbyste jetën një herë e përgjithmonë dhe pas vitit 1944 ajo do të mbetej në Shqipëri me dy fëmijë të vegjël, katër dhe dy vjeç, ndërsa i shoqi, Raufi, si opozitar i fuqishëm i komunistëve, do të arratisej jashtë vendit. Filloi kështu kalvari i gjatë i vuajtjeve dhe persekutimeve. Iu desh të përjetonte heqjen nga Tirana, djalin në burg dhe gjithë pasojat që vinin prej saj; iu desh që nga një zonjë që lexonte pa fund dhe fliste rrjedhshëm tri gjuhë të huaja, të merrte një makinë qepje dhe të ushtronte zanatin e robaqepëses për gati gjysmë shekulli. Kjo mbeti mundësia e vetme që falë duarve të saj të arta arriti të mbajë familjen me bukë.

Sa herë kujtoj apo përpiqem të meditoj, gjithmonë bindem se jeta e saj ishte e tëra një shkollë e madhe virtyti për të gjithë ata që patën fatin ta njohin qoftë edhe për pak. Ajo na mësoi dashurinë e vërtetë për ato gjëra që kanë vlerë parësore në jetë. Më mësoj të dua fëmijën si dhuratën dhe diamantin më të paçmuar. Dikur e pyeta: “Nëna, nuk të vjen keq për të gjithë diamantet apo xhevahiret e shtrenja që i shite pas luftës për hiç mos gjë e vetëm për të blerë bukë e sheqer”? Ajo qetësisht m.u përgjigj: “Jo sepse duke shitur ato arrita të rris dy fëmijë të shëndetshëm që regjimi i kishte lënë pa triska buke dhe kjo për mua ka më shumë rëndësi se çdo gjë. Diamantet mund t’i blesh në çdo kohë, jetën e shëndetshme të fëmijve nuk ke mundësi ta blesh kur ajo ikën. Një fëmijë i lumtur do të jetë gjithmonë një njeri i pasur në shpirt, sido t’i vejë filli i jetës”.

Tek fliste për prindërit e saj gjithmonë kishte një dashuri dhe respekt të veçantë; edhe kur e pyesje “Nuk të vjen keq që ato të prishën ëndrrën e Italisë, e ndoshta po të kishe shkuar me studime atje jeta do të kish rrjedhur më ndryshe”, ajo përgjigjej qetë sikur ta dinte se njeriu nuk mund t’i shmanget destinit të tij edhe sikur të dojë: “Ashtu ishin ato kohë – njerëzit duhen gjykuar për kohën e tyre. Prindërit u shtynë vetëm nga dashuria, pasi mendonin se martesa në atë momente do të ishte shansi më i mirë për jetën time”.

I kishte shumë dëshirë leximet dhe, megjithëse tërë kohën qepte në makinë, kur binte mbrëmja lexonte shumë dhe mes personazheve gjente pak botë të bukur që ajo vetë e jetoj aq pak. Librat për të ishin shoqëria më mirë. E kishte pasion dijen dhe mbi të gjitha nga ne kërkonte të mësonim sa më shumë. Edhe sot e kësaj dite më qëndron në vesh zëri i saj i përditshëm që më ishte bërë si refren “Mëso Iris”! I besonte vullnetit dhe punës dhe kishte parimin që me këmbëngulje çdo gjë arrihej. Sa herë më citonte Stendal që kur e pyetën si arrite të bëhesh shkrimtar duke filluar të shkruash në pleqëri, ai u përgjigjej: “Dëshiroja, dëshiroja, kaq shumë dëshiroja”.

Çdo ditë që vija nga shkolla më pyeste: “Çfarë note more”? – pastaj fillonte moralin e zakoshëm – “Të kesh ambicje për të qenë e para e klasës është vlerë që duhet ta ketë çdokush; ky quhet egoizëm i mirë, ambicje e mirë. Vetëm mes saj arrihen gjërat e mëdha në jetë”. Kishte shumë dëshirë të mësonte çdo gjë gjyshja ime dhe gjithmonë më thoshte: “Njeriu mëson duke lexuar, duke udhëtuar, por dhe duke pyetur; sa më i lartë në vlera të jetë njeriu aq më shumë pyet”. Ndaj sot kur pyes pa teklif për çdo gjë që dua ta di apo mësoj më kujtohet sërish gjyshja ime që më edukoi kaq të hapur ndaj dijes dhe njerëzve.

Me aq pasion gatuante ëmbëlsirat dhe ushqimet më të mira në botë; sapo çohej në mëngjees, para se të ulej tek cepi i saj i zakonshëm i makinës qepëse fillonte të gatuante.  “Gatimi duhet bërë i pari, më thoshte; ushqimi duhet të jetë gati pasi si vjen dita nuk i dihet” dhe pas kësaj çdo herë shtonte: “Kurrë mos harro dashuria vjen nga stomaku”. Ajo grua aq e virtytshme nuk rreshte së rrëfyeri si filloi të mësonte gatimin kur u martua dhe si e kish kuptuar se një tavolinë e bukur dhe me gatime të mira e kënaqte të shoqin pa masë. Sa herë i kutoj me ëndje pjatat e saj të bukura e gjithë ganityra. Gjithmonë më këshillonte: “Ushqim i mirë duhet vërtet, por kurrë mos harro, në çdo tryezë është syri ai që ‘ha’ më shumë”. Shumë ish shoqe të saj që kam takuar ndër vite, kujtojnë me shumë nostalgji sa shumë e shumë gjëra kanë nxënë prej saj. Ajo nuk ishte vetëm mentorja jonë në familje, ajo ka qenë e tillë edhe për sa e sa zonja të reja që punonin me të apo vinin për të qepur tek ajo.

Kishte një aftësi të jashtëzakonshme të krijonte dashuri tek çdokush dhe të mbetej gjithmonë në mendjen e gjithkujt. Tani që mendohem të gjej ku gjendej kjo aftësi them se e gjej tek thjeshtësia e saj si dhe aftësia për t’iu përshtatur gjithkujt në çdo çast e në çdo rrethanë. Kjo zonjë e rëndë, megjithëse jeta e shpuri në kushtet e dobëta ekonomike, kurrë nuk e humbi klasin dhe finesën absolute si dhe një modesti të rallë. Vonë pas viteve 90-të, kur kohët ndryshuan dhe më shihte të bleja ndonjë gjë të bukur, gjithmonë më porostiste: “Mos u trego kurrë atyre që të pyesin për çmimin real të asaj që ke blerë. Kur të të pyesin ose pjestoje ose reduktoje. Është mëkat të shesësh mend, aq më tepër tek ata që s’kanë”. Ajo nuk dinte të bënte dallim në miqësi apo shoqëri, i donte të gjithë njëlloj, i respektonte të gjithë njëlloj. Falë saj kam mësuar shkollën më të bukur në jetë, atë të dashurisë.

Ajo dinte të donte e bënte durim edhe kur jeta vazhdonte ta godiste papushim. Pas kalvarit të rritjes së dy fëmijvë pa praninë e babait dhe nën presionin e persekutimit të çdo çasti, ja ku erdhi burgu i të birit, në moshën e tij më të bukur, vetëm 37 vjeç! Qante nën zë gjyshja ime e ëmbël, qante që të mos na shqetësonte ne përreth. Kur ia shihja sytë me lot gjithmonë më thonte: “Nuk kam të drejtë t’iu mërzis më shumë, por shpirti im e di! I kalova të gjitha në rini, por rinia është e fortë e mban shumë gurë në kurriz, këtë vuajtje në pleqëri nuk duhet ta kisha”. E më pas ulte sërish kokën në makinën e saj qepëse që nuk iu nda kurrë. Ndonjëherë, kur e dëgjoja të rënkonte mundohesha ta qetësoja e i thosha: “Nëna mos u mërzit, daja do dalë shpejt nga burgu”. Ajo qetë ma kthente: “Po moj çupë, nuk duhet të mërzitem se mërzit Zotin , se ka dhe më keq, hall mbi hall mos pastë njeriu”! E mbante veten me kurajo e shtrenjta, nëna ime! I lutej zotit kaq shumë, besonte në të kaq shumë!!

Zonja e rëndë që në rini ecte me pajton e makinë tani do të udhëtonte me skodat e minierave që të çonin në Burrel e Qafë Bari, Zejmen e Ballsh. I shëtiti gjithë burgjet gjyshja ime, kudo ku e shpinin dajën ajo nuk mungonte kurrë ta takonte çdo muaj.  Sa shumë e shumë zonja si ajo i kanë bërë ato udhëtime e kur ecnin zhegut të rrugës me çantat në shpinë dëgjonin jo rrallë ca kalimtarë që talleshin e i thërrisnin “alpiniste”…etj etj. Ato, zonjat, të mrekullueshmet, fisniket ulnin kokën e vazhdonin të mendonin momentin kur do të takonin djalin, burrin, vëllanë, babanë… Gjyshja ime nuk foli kurrë me përbuzje për ato tallje, nuk e dëgjova kurrë të thonte ndonjë fjalë të keqe për komentet, por ndonëse e lënduar deri në dhimje sërish thoshte: “Mos ia vër re, aq dinë e aq thonë”!

Kur erdha në SHBA për herë të parë, nuk di në çfarë ore mësimi na këshillonin se një ndër gabimet më të mëdha në këtë vend është të tallesh e të përqeshësh të tjerët, aq më shumë njerëzit me të meta. Në Shqipërinë komuniste kjo qe një normë saqë mua më vjen turp kur kujtoj si përqesheshin sakatët dhe sërish kujtoj gjyshen time që gjithmonë më këshillonte: “Kurrë mos përqesh, të vjen ty dyfish”.

Ajo i donte njerëzit dhe donte të ndihmonte këdo, kurdo e kurdoherë, pavarësisht mundësive. I donte njerëzit rreth vetes dhe e donte shoqërinë. Koha e errët e kumunizmit dhe kalvari që kaloi nuk ia zymtësoi shpirtin dhe as errësoi ndjenjat, nuk ia vrau shpresën dhe as nuk e bëri pesimiste, përkudrazi e bëri më të fortë dhe e shndërroi në një heroinë të vyrtitshme për këdo që e ka njohur, një zonjë heroinë që reflektonte vetëm mirësi, paqe dhe dashuri.

Unë mendoj se kur të keqen që të bie në jetë nuk ia përcjell njerëzve që të rrethojnë, apo e ndalon veten që ajo të të zymtësojë e të të kthejë në njeri të keq, por në të kundërt kur kjo e keqe të bën më të butë, më të mirë dhe më të dhimshëm për këdo rreth e qark, ti e ke fituar provën e njeriut! Këtë virtyt e kam parë të gjallë tek gjyshja ime!

Ndonëse e persekutuar dhe dërmuar nga regjimi komunist ajo kurrë nuk i lidhi vuajtjet e saj dhe të familjes me Atdheun, kurrë nuk fajësoje Atdheun për bëmat e regjimit. Ishte aq e zgjuar sa të mos i analizonte situatat bardhë zi; por ishte edhe aq e mençur dhe e urtë sa të respektonte çdo njeri të mirë, pavarësisht nga bindjet politike. Ajo ishte pluralistja e parë që kam njohur dhe një atdhedashëse e vërtetë. E donte Atdheun pa kushte dhe pafundësisht. Deri në fund të jetës festa e saj e preferuar ishte 28 Nëntori.

I besonte shumë insitktit të saj dhe në fakt përpos inteligjencës absolute dhe mençurisë së skalitur ndër vite, ajo kishte një intuitë gati të frikshme. I ndjente dhe shihte situatat para se të ndodhnin; kjo sepse ishte shumë e vëmendshme ndaj gjithë njerëzve të dashur që e rrethonin, ishte shumë e lidhur shpirtërisht me to dhe kishte shumë mendim kritik. Të trija këto kombinime, plus kujdesit të tejskajshëm ndaj gjithshkaje rreth e qark pasi: “Çdo gjë mund të ndodhte në çdo çast dhe të vjen nga nuk e pandeh se  edhe muret kanë vesh”, i kishin aktivizuar nje instikt të gjashtë shumë të lartë aq sa dukej sikur ajo dinte çdo gjë shumë kohë para se të ndodhte. Jam e bindur se në një test për inteligjencën emocionale, gjyshja ime e mirë padyshim do merrte pikët maksimale!

Pas viteve ‘90 kur ajo kishte fillur të ishte ne plëqerinë e vonë, jeta i ktheu sërish të ishte e paqshme dhe e bukur si në fëmini. E rrethuar me mbesa dhe nip jetoi, gëzoi e njohu edhe kënaqësinë e të qenurit stërgjyshe. Jetoi vërtet vite të bukura në fund të jetës dhe dukej sikur zoti po i shpërblente gjithë mundin dhe sakrificat e saj sublime. Kujtdo që e vizionte dhe mrekullohej me shtëpinë e djalit ku ajo jetonte i jepte bekimin e përhershëm: “I paç ti më të mira”! Këtë dashamirësi për njerëzit unë e kam hasur tek shumë pak njerëz.

Dëshironte parasjën tek të gjitha, e shtrenjta gjyshja ime. Kjo botë e mirë e saj sikur na rrethon ngahera dhe na bën më të mirë. Në këtë ditë të 100-vjetorit të saj të lindjes do të doja ta puthja fort e fort e t’i mbaja erën e mirë. Do të doja ta falenderoja për gjithçka na fali dhe na dhuroi, për çdo fjalë të thënë e çdo veprim të bërë, por mbi të gjitha do të doja ta shpallja modelin më të mirë të virtytit që unë kam njohur në jetë e në letërsi! Nuk di nëse ka çast në jetë që nuk më vijnë në mendje, ti gjyshja ime, këshillat e tua, fjalët e tua, porositë e tua. Më je kthyer në një libërth virtyti që më duhet t’i kthehem sa herë që ndiej nevojë.

Ajo ishte një heroinë sikur ishin shumë zonja të tjera shqiptare bashkëkohëse të sajat që, ndonëse fati i shpuri në kulm të vuajtjeve, ato përsëri rezistuan të larta në virtyt e të shenjta në shpirt.  Kur pas viteve ’90 e vizitonte shpesh Drita Kosturi dhe të dyja kujtonin sa e sa shoqe të persekutuara e dërmuara personalisht e familjarisht në vitet e errëta të komunizmit, tek i dëgjoja si bisedonin nuk pashë kurrë urrejtje në zemrat e tyre, por vetëm kuptoja neverinë dhe mëshirën që ato kishin për të gjithë ata që u kishin shkaktuar këto vuajte, përfshi dhe shoqen e tyre të shkollës, Nexhmije Hoxha. Duket se këto zonja të rënda i kishin vrarë e dërmuar, shkatërruar jetën, por jo asgjësuar; shpirti dhe vlerat e tyre kishin mbetur po njëlloj-të larta e fisnike deri në madhësht! Këto ishin dhe mbeten zonjat e virtytshme që më mirë se kushdo meritojnë emrin: Zonjat e Përjetshme Shqiptare!

25 shtator 2017.

 

Please follow and like us: