Ilir Lluri: Si lindi tek unë dashuria ndaj monumenteve
Lagja “Pazar i Vjetër” ku u linda unë kishte dy sheshe, sheshin e Kishës dhe atë të kalasë. Në sheshin e kishës lojrat qenë të paqta, jo luftarake, ndryshe nga kalaja ku duart dhe këmbët shpesh na bëheshin plagë në luftimin me shpata e shigjeta në mbrojtje të saj.
Në vesh më vijnë fjalët e gjyshes:
– do biesh nga ndonjë mur të keqen nëna.
Ky mbetet kontakti im i parë me dy nga monumentet e rralla të trashëgimisë sonë kulturore në Gjirokastër. Njohja me to erdhi përmes dashurisë, dhimbjes dhe sakrificës.
Pas mbarimit të shkollës së lartë u emërova në qytetin e Beratit, një tjetër qytet me kala. Pak kush e di se gjatë tre viteve të punës aty, ju ruajta tundimit të një vizite në kalanë e tij. Kisha frikë mos magjia e fëminisë, ajo e ndërtuar brenda ambienteve të kalasë së lagjes sonë, do të më shkatërrohej.
Pas viteve 1990 për një periudhë 8 vjeçare punova në qytetin e Antigonesë si specialist i turizmit. Por nëntokën e saj e kisha njohur më herët, përmes arkeologut të parë të qytetit, Vladimir Qirjaqi i cili më tregonte herë pas here, gjetjet në këtë sit arkeologjik. Rastësi e çuditëshme që arkeologu i parë i qytetit, doli nga lagja e parë e saj, “Pazar i vjetër” që dikur thirrej, plaka.
Tashmë raportet me trashëgiminë janë në rafshin profesional.
Ne vazhdën e përpjekjeve të realizimit të aktiviteteve nën përcaktimin: “Kjo ndodh për herë të parë”, me znj. Loena Bakuli zhvilluam një vit më parë aktivitetet; “Edhe 1.000 shtëpia Kikino” dhe “Trokitje në gur”, dedikuar mjeshtrit Muhedin Makriu.
29 shtatori i sivjetëm është i veçantë. Gjirokastra feston 60 vjetorin e shpalljes qytet muze, ndërkohë që Këshilli Bashkiak i qytetit e ka shpallur vitin 2021 “Viti Kadare” në nder të 85 vjetorit të lindjes së shkrimtarit. Kjo është arsyeja që u ideua dhe realizua, një klip mbështetur në shprehjen, Tymi e mban gjallë shtëpinë, shkëputur nga krijimtaria e tij.
Dita e sotme sjell si risi rruajtjen në kujtesë dhe krijimin për herë të parë të arkivit filmik e fotografik të proceseve restauruese në banesën gjirokastrite. E gjitha kjo, falë bashkëpunimit të Drejtorisë së Turizmit dhe trashëgimisë së Bashkisë Gjirokastër dhe Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore nën drejtimin e znj Pezana Rexha.
Falënderoj ish drejtuesin Bledi Kaçi dhe drejtuesen aktuale Loena Bakuli për gjithë angazhimin e tyre.
Falënderoj menaxherët e banesës Zekate dhe hotel “Praga”; poetin dhe gazetarin Petrit Beqiri për tekstin brilant.
Falënderoj artistët e mrekullueshëm të grupit të Cfakës, në veçanti Ermelinda dhe Artan Bixhakun.
Respekt e mirënjohje për punën tuaj
Vilson Kuçi, Dash Hide, Biant Çami. Respekt për mjeshtrin e oxhakëve, Agron Haska dhe aktorët, Sotiraq Dame dhe vogëlushen simpatike Kiana Kodra.
Si lindi Dita Kombëtare e Trashëgimisë ?
Akti i parë heroik në mbrojtje të vlerave të trashëgimisë sonë kulturore ka ndodhur 105 vjet më parë. Në 29 shtator të 1916 ushtarakët: Kamber Bënja, Bexhet
Manastirliu dhe Abaz Taushani
dhanë jetën në luftë për të ndaluar vjedhjen e objekteve arkeologjike të parkut të Apollonisë.
Në shënimet e mia nga Berati, gjeta këtë poezi të intelektualit dhe poetit të njohur Simon Vrusho kushtuar kësaj ngjarjeje, e cila u bë shkas për shpalljen e 29 shtatorit; Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore.
APOLLONI 1916
Në Apolloni më 1916
Austriakët grabitën një grua mermeri
Kur i panë tre shqiptarë
Ndjenë se atyre, u grabitej nderi
A s’ishte ajo, portret i nënave të tyre
Të thinjura nga koha, nga vitet
Siç qenë, në vrull të zemërimit
U hodhën ndaj grabitësve
U hodhën dhe ranë
Mbi rrënojat antike përmbysur
Ranë atje, ku dymijë e ca vjet më parë
Gruaja e lashtë, në mermer ishte ngrysur
Në Apolloni, më 1916
Katër banorë më pak kishte Shqipëria
Tre ishin të shekullit të njezetë
I katërti…, ishte nga lashtësia.
Besoj se është e tepërt të theksoj se ç’do defekt sado rastësor në monumentet e trashëgimisë sonë kulturore, “ngjall” tek unë shijen e dhimbjes që niste pas goditjeve të mara në lojdrat me shpata të fëmijërisë. Bashkë me atë dhimbje të bekuar ndjej njëkohësisht edhe këshillën “ndryshe” të gjyshes sime të mirë;
– Ki mëndjen të keqen, mos bjerë ndonjë mur i kalasë !
Please follow and like us: