Miho Gjini: In memoriam, Shpëtim Shmili!
Në ditët e një festivali ndërkombëtar që po zhvillohet në qytetin e Elbasanit, në edicionin 23, u përkujtua edhe Artisti i Merituar Shpëtim Shmili, midis krijuesve te skenës shqiptare: Bekim Lumi, Uran Ahmeti e Sllobodan Mihajllovci. Do të ndalesha me njohjen time, te figura e Shmilit,- si një nga aktorët më jetëshkurtër e më interesantë për skenën e këtij qyteti të lashtë. Me vetëm 45 role të interpretuara në teatër, 12 role në ekranin e kinemasë e me 4 vepra dramatike të shkruara prej tij. Fare pak! Me veçorinë e jashtëzakonshme të një artisti origjinal, të tipizuar vetiu, kur talenti të buzëqesh që në krye. Nga ata artistë të rrallë që patëm e na i mori zoti padrejtësisht!
Lindi më 15 maj të vitit 1941, sa kishte plasur Lufta Botërore dhe iku tinëzisht, nga një goditje cerebrale më 17 shtator të vitit 1994, si para tri javësh më parë, pa i mbushur ende të 53 pranverat e tij e 30 vitet në artin e tij më të dashur. Me një profil nga më të rrallët, me trupin e zhdërvjelltë, me të folurën elegante dhe me atë shkëlqim të syve, përherë të ndezur… Me aftësinë për të hyrë e dalë prej çdo roli e për ta fiksuar atë në Altarin e Artit.
Erdhi ne Teatrin Profesionist “Skampa” të Elbasanit në vitin 1964, një vit më mbrapa si më patën emëruar mua, me detyrën e drejtorit e te regjisorit të këtij teatri të sapokrijuar, së bashku edhe me aktorin tjetër virtuoz, Robert Ndrenikën, duke përbërë kështu një dyshe fatlume për këtë teatër të ri, që pasurohej vetiu, në trupën e krijuar mbi baza amatore, veç me ca aktorë potencialë që i kishte evidentuarr jeta si talente të padiskutueshme, sikundër qenë Demir Hyska, Haxhi Sejko, Thanas Borodani, Hysen Biza, Bukurie Xhorxhi, Antoneta Kristo, Feride Halimi, Ndoc Çefa, Efraim Gashi e disa të tjerë, që formonin me ta një ekip interpretuesish për çdo vepër skenike.
Shpëtimi kishte lindur në Tiranë, po shkollën e mesme e kishte kryer po këtu, në Shkollën Pedagogjike. Dhe në vitin 1957 emërohet si mësues në Shtërmen të Cërrikut. Nuk e ndjente mirë veten aty dhe në vitin 1960 nis të konkurojë në Tiranë në një shkollë të lartë artistike që sapo ishte hapur. Konkuron e padyshim që fitoi, për të ndërruar profilin: nga mësues në aktor, ashtu sikundër ëndrronte gjithheri. Dh artisti i ardhshëm, diplomohet katër vite më mbrapa, duke u emëruar pikërisht në qytetin e tij.
Mirëpo në jetën krijuese të kujtdo artisti, shkrimtari, arkitekti a shkencëtari, ka gjithmonë një vepër krijuese që ndritë, ku përfshihet i gjithë talenti i tij, vlera e mbivlera, drita e shkëlqimi, që mbeten të pavdekshme, të përjetshme, sikundër janë meteorët që “qëndisin” qiellin, Dhe për Shpëtim Shmilin ky rol ngjiti përfundimisht e përjetësisht te figura e Vagabondit, në komedinë e Viktor Eftimiut “Njeriu që pa vdekjen me sy” me regji të Lec Shllakurt. Duke përgjithësuar kështu tipin emblematik të njeriut mosmirnjohtës, të ligun e të ligjëve, i cili të vret me mosmirnjohjen e tij, kur ti i ke shpëtuar jetën dhe e mban me bukë e zemër në shtëpinë tënde. Një dramë e madhe, e shndërruar në tragjedi individuale, që kthehet befas në një komedi po aq të madhe! Se është shëmbëlltyra e njeriut të mbrapsht, skandaloz, të cilit i janë tharë fare ndjesitë njerëzore. Mbase nga krizat e shoqërisë, nga plagët e vuajtjet pa rrugëdalje, kur njeriu pranon më mirë vdekjen se sa jetën reale të mëtejshme, që mund t’i ndodhte kujtdo njeriu në zgrip. Dhe një personazh fantastik për këdo aktor me bagazh artistik e talent vetiak… Peshqesh për Shpëtim Shmilin, që e la shtang edhe vetë Viktor Eftimiun, akademikun rumun me origjinë shqiptare kur e pa në skenë të gjallëruar e tipizuar artistikisht personazhin e tij proverbial! Sikur asnjë rol tjetër të mos interpretonte Shmili,- i barabartë këtu edhe me personazhin e Robert Ndrenikës, Kryetarin e Bashkisë Filimon, që e kishte shpëtuar nga mbytja në lum Vagabondin, tek ai hidhej për t’i dhënë fund jetës! Gjëra të rralla, po efikase, thuajse të papërsëritshme, që vënë në balancë jetë-vdekjen, të mirën dhe të keqen, po edhe fatet njerëzore!
Qe koha e kthesës në profesionalizmin e këtij teatri, ndërkohë që do t’i besoja me tej, edhe dy role diametralisht të kundërta: nje rol komik ne komedin e Xhon Gollsuorshtu “Kutia prej argjendi”, atë të Rouperit aristokrat që ai e luante me finesë dhe një rol dramatik në veprën psikologjike “Justina” të dramaturges finlandeze Hella Vuolijoki, pastorin finok, me të cilën mbrojta diplomën si regjisor. Në të dyja rolet që i besova mikut tim Shpëtim, e pashë realisht, se si fërgëllonte para syve të mi, mjeshtrinë virtuoze të aktrimit, pa qenë nevoja orientuese regjisoriale. Nuhatja e tij ndaj figurës qe e vizatuar dhe e mishëruar në trurin e në shpirtin e tij. Ai i jepte mandej figurës: plasticitetin, formën e duhur, me një vërtetësi të lakmueshme edhe për të tjerët që e rrethonin në skenë.
Kështu ai do të ishte edhe kur interpretoi në dramën “Linda” të Xhemal Brojës (Ing, Pirron), në dramën e huaj “Trumbetjeria” (Mikel Stravisnskin), në dramën”Dy krisma në Paris” (Esat Pashë Toptanin), në komedinë e Thanas Borodanit “Udha e Zavalinajve” (Shpendi Miza), në dramën e Sulejman Pitarkës “Familja e Peshkatarit “(Jonuz Brugën), po edhe në nje komedi si “Prefekti ” i Besim Levonjës, ku do të lozte shkëlqyeshm figurën e Memecit! Pra, patëm një artist, me një larmi profilesh, me detajime e intimitete të veçanta, të vizatuara e të portretizuara, gjithë këto figura, me përvojën e një argjendari të përkorë, ai do të interpretonte gjithmonë me përkushtim me një përgatitje vetiake e me kulturën etike të një profesionisti këmbëngulës deri ne vitin 1994, kur i qe ngarkuar roli i studentit të varfër Kevin, në komedine “Zonja nga Barcelona” të Tomas Brand. Me një interpretinm brilant, shprehës i një gazi të jashëtzakonshëm, i cili rridhte, jo vetëm nga një “vis comika” e rrallë, po edhe prej një energjie emocionale të pazakontë, kulmore… Që do të mbyllte edhe siparin e krijimeve të tij. Paskëtaj ai ndjeu atë lodhje skenike raskapitëse, që e afroi me shtratin e paspak edhe me vdekjen…
I tillë, me një punë krijuese të pakursyer, do të ishte ai edhe nëpër filmat që interpretoi, me aq natyrshmëri, si me Robet Çamçakizin te “Horizontet e hapura”, po edhe në një rol diametralisht të kundërt, sikundër qe zoti Valter, në filmin ‘Gjeneral Gramafoni’… Sepse ky artist me kulturë interpetuese, e me hiret që ia kërkonte skena, ekrani e publiku i tij, si në teater, ashtu edhe në film, para se ta merrte pjesën e personazhin, shfletonte edhe me dhjetra-qindra faqe literaturë profesionale e njohëse, në frëngjisht, italisht e në rusisht.
Ky bagazh i madh vetiak e përgatiti Shpëtim Shmilin edhe të vinte vet në skenë pjesë të reja të repertorit, drama e komedi, po edhe të provonte penën e dramaturgut, me idet ëe simbolet e veta, me mesazhet e përparuara që kishte akumuluar e formuar. Ku me sukses e ku me dështime, si me dramen e tij “Fundi i një intrige”, që e shkroi dhe e përgatiti me mund e art dhe nuk arriti dot ta kalonte dot barrierën burokratike e partiake, ndërkohë që simbolet shprehëse (një darë që shtrëngonte në harkun e vet të hekurt të gjithë personazhet së bashku), do ta shënjonin edhe autorin e guximshem me “vijen e kuqe” të regjimit paradoksal…
Për fatin e keq timin, nuk e pata edhe atë mundësi të mëtejshme, që të kisha lexuar e të flisja edhe për dramat që shkroi, po jam i bindur se nga duart e nga shpirti tij i ndjeshëm e universal, prej artisti e intelektuali të mirëfilltë, nuk mund të dilte asgjë e dobët, e “tharë” apo e përgjysmuar… Shpëtim Shmili ishte një Artist i Madh e polidimensional, që u evidentua mbi kohën e vet, i cili iku nga të parët midis të talentuarve tanë te pavdekshem, që ikën e na la.
Fjalë e mbajtur brenda mureve të Kalasë të Skampës së lashtë. 4.10. 2021.
Please follow and like us: