Albspirit

Media/News/Publishing

Hajredin Fratari: Bashkimi kombëtar vjen duke hequr barrierat Shqipëri-Kosovë!

Hajredin Fratari: Bashkimi kombëtar vjen duke hequr barrierat Shqipëri-Kosovë!

Intervistë me sipërmarrësin e njohur dhe themeluesin e “Konfindustrias shqiptare”, Hajredin Fratari

 

Çerçiz Loloçi

 

Hajredin Fratari, nipi i kombëtarëvet Hajredin Fratari nga Mallakastra dhe Avni Gjilani nga Kosova, i biri i nacionalistit Rauf Fratari, u lind në Tiranë më 30.09.1942. Kreu Teknikumin e Ndërtimit dhe punoi si teknik në Berat. Vazhdoi shkollën, një filial nafte në Kuçovë, mandej Universitetin e Tiranës, natën, dega e Inxhinierisë së Ndërtimit, më 1966. Punoi inxhinier ndërtimi në Pukë, mandej në Tepelenë. U arrestua më 15.09.1979 dhe pas një hetuesie intensive me tortura për 13 muaj, u dënua me 25 vjet burg (15 vjet për “sabotim”, 10 vjet për “agjitacion e propagandë” dhe 5 vjet internim, (vendimi nr. 27 viti 1980). E vuajti dënimin në burgun e Tiranës, në të Ballshit, në një kamp përqendrimi me mëse 1100 të burgosur dhe në burgun e Qafë-Barit. Pjesëmarrës në revoltën e të burgosurve në burgun e Qafë-Barit, maj 1983. U torturua për 31 ditë me radhë për pjesëmarrje ne revoltë. U dërgua në burgun e Burrelit për një vit e gjysëm (1983-1985) dhe në burgun-kamp të Bulqizës (1986). U lirua më 11.09.1987.

 

Kur kanë nisur përpjekjet tuaja të para në fushën e sipërmarrjes së lirë?

Më muajin maj ose qershor 1990 ka filluar veprimtaria ime sipërmarrëse, sapo qeveria bëri të mundur me ligj krijimin ndërmarrjet private. Duhet të kishe 10 mijë lekë të vjetra që të hapje një numër llogarie në një bankë që të merrje lecensë. Mu deshën 2 muaj që të bëja 10 mijë lekë të të vjetra dhe u hap ndërmarrja e parë e ndërtimit në Shqipëri.

Sapo mora licensën gjëja e parë është se më vjen një djalë nga SHBA dhe më kërkoi t’i ndërtoja një vilë në Kopshtin Botanik. E kërkonte urgjent dhe për gjithë natën bëra preventivin dhe projektidenë e vilës dhe i thashë do fillojmë me bodrumin. Preventivi i bodrumit bënte 360 mijë lekë, do paguash 30 përqind dhe unë do filloj punimet sa më parë.  Emigranti shkoi në Bankën Qendrore dhe pagoi gjithë vlerën dhe ky objekt përfundoi brenda një muaji. Të thashë 30 përqind e jo gjithë vlerën e vilës, i thashë emigrantit nga SHBA. Po po, unë të njoh prej kohësh ndaj kërkoj të ndërtosh diçka për mua, më tha ai. Ndërkohë një brigatë tjetër e imja punonte për kryegjyshatën e Bektashinjve dhe ndërtova falas tre tyrbetë e para në selinë qendrore. Kam investuar rreth 200 milionë lekë për selinë e kryegjyshatës. Një kthesë në veprimtarinë time ishte ngritja e Frigoriferit Metalik, të cilin e mora për një afat 9 muajsh dhe e realizova për 6 muaj. Nga kjo punë unë përfitova 100 mijë USD. Në atë kohë fillova të bleja makineri dhe pajisje të tjera që i duheshin një firme ndërtuese.

 

Nga ajo kohë e deri më sot, çfarë do të vlerësonit si arritjen më të madhe në sipërmarrjen tuaj?

Ndërmarrja ime u rrit viti pasi viti, u plotësua në staf dhe në një ekip profesionistësh dhe prej tyre punët më të mira kanë qenë komplekset që kam ndërtuar në Yzberisht, në Kopështin Botanik dhe te ish artistikja Migjeni. Gjatë kësaj periudhe kam punuar edhe me fonde publike, konkuroja si gjithë të tjerët dhe fitoj objektin si oferta më e mirë. Nga 1997 hoqa dorë nga punët me tendera publikë sepse u rrit shumë edhe korrupsioni. Me ndërmarrjet time kam realizuar edhe disa ndërtime spitalore dhe objekte të tjera.

 

Megjithëse me prejardhje nga nga një familje atdhetarësh ndër breza, ju nuk jeni përfshirë në politikë?

Mbas vitit 1992 vura re që Partia Demokratike që aspironim shumë nuk dëshironte të kishte në gjirin e saj njerëz që kishin orgjinë nga familje atdhetarësh e të përkushtuar që kishin kontribuar ndër breza për Shqipërinë. Unë kisha fatin të isha nipi i dëshmorit të parë, të shtetit shqiptar, Hajredin Fratari vrarë më 1914 nga rrebelët, ai është njëherësh dëshmori i kombit dhe dëshmor i atdheut. Megjithatë kur PD kishte nevojën për kontributin tim, siç ishin zgjedhjet e vitit 1997, 2001 e 2005 kam ndihmuar mjaft për të bërë fushata në Tepelenë, në Mallakastër, në Tiranë. Mendoj se PD nuk ka dashur kurrë që të kishte brenda saj pjestarë nga familjet tona. Pra megjithëse jo shumë të dëshiruar në partinë e re të krijuar pas viteve nënëtëdhjetë, unë e pashë të domosdoshme të përfshihem drjtpërdrejt në garën elektorale apo për të ndihmuar në fushata dhe kandidatë të tjerë. Përfshirja më e fundit nga familja ime ka qenë në zgjedhjet e fundit parlamentare të vajzës sime, Lediana Fratari, që konkuroi në Tiranë për Partinë Demokratike. Megjithëse e vënë në listë në kufirin e fundit ajo zhvilloi një fushatë qytetare, me ide dhe propozime konkrete, çka u vlerësua me një numër të konsiderueshëm votash duke lënë pas shumë emra të tjerë të kësaj force politike.

 

Pavarësisht mospërfshirjes në politike, ju keni qenë aktiv në themelimin e një shoqate profesionistësh ‘Konfidustria shqiptare”; na thoni diçka për veprimtarinë e saj?

 

Në dhjetor 2005, së bashku me disa profesionistë themelova shoqatën “Konfidustria shqiptare”, një organizatë që mblidhte gjithë industrialistët e vendit. Shoqata bashkëpunonte kryesisht me konfidustrian italiane dhe vazhdon ende të funksionojë duke u marrë me projekte të donatorëve të huaj dhe të Komunitetit Europian.

 

Si ish i përndjekur politik, si do t’i vlerësonit raportet me PD dhe forcat e reja demokratike të krijuara pas viteve nëntëdhjetë?

Të gjithë ish të përndjekur dhe ish pronarët ishin shtylla kryesore e Partisë Demokratike dhe e forcave të reja politike të krijuara pas viteve nëntëdhjetë, por u zhgënjyen shumë nga PD sepse bëri shumë pak këtë shtresë. Këto dy shtresa do të përfitonin shumë në radhë të parë duke anulluar ligji 7501 që pranarët të merrnin tokat dhe pronat e tyre, ndërsa të përndjekurit të merrnin punë e papaguar gjatë viteve të burgut. Për ta shpërblyer këtë shtresë ishte shumë e thjeshtë, por qeverisjet e demokratëve nuk ishin të interesuar të bënini një gjë të tillë. Strehimi i të përndjekurve politikë do të merrte një zgjidhje përfundimtare, majfton që të jepeshin disa parcela shtetërore për disa ndërtues, të cilat të të kishin si detyrë edhe banesat për këtë shtresë.

 

Sipas jush a egziston aktualisht një klimë e mirë biznesi?

Për të paraqitur limën e biznesit mjafton t’u referohesh raporteve ndërkombëtare si ai i Bankës Botërore apo raporti më i fundit i Dhomës Amerikane të Tregëtisë që thotë se vetëm në Shqipëri nuk bën dot biznes. Referuar vendeve të rajonit si në Mal të Zi, Maqedonia e Veriut, e të tjera vende që kanë taksën 9 përqind, ato janë bërë edhe shumë tërheqëse për investitorët e huaj dhe ata vendas. Në Shqipëri kjo taksë është 35.2 përqind dhe duke përfshirë edhe atë që jepet nën dorë shkon shkon deri në 40 përqind.

 

Një dimension pak i njohur ka qenë përfshirja juaj në krizën kosovare…

Natyrisht se për të huajt ajo ishte një krizë kosovare, por për në ishte thjesh krizë shqiptare dhe pikërisht me këtë aspect do kuptuar edhe mikpritja e mijëra njerëzve që u përfshinë në konflikt me regjimin e Millosheviçit. Kur ndodhi kriza kosovare, une po shkoja në Itali. Sa zbrita në Romë më telefonon motra dhe më thotë se në stadiumin e lojërave me dorë kanë ardhur shumë shqiptarë nga Kosova. (Siç mund ta dini nëna ime është me origjinë nga Kosova dhe lidhja ime me shtetin tjetër po shqiptar ishte pak më e veçantë). Mora disa familja nga Kosova dhe i sistemova brenda mjediseve të mia. Kur kthehem mbas dy ditësh pata shumë kërkesa dhe hapa një pallat nëntë katsh te rruga e Elbasanit dhe mora 390 veta dhe i strehova atje derisa përfundoi lufta. Kam bërë edhe një apel ndërkombëtar si rotarian dhe erdhën shumë ndihma nga vende të ndryshme të Europës.

 

Ka një praktikë botërore ku shoqatat e sipërmarrjes janë kritike ndaj praktikave qeverisëse; pse mungon kjo praktikë në vendin tonë?

Qeverisjet e ndryshme si të Partisë Demokratike dhe ato të Partisë Socialiste janë munduar që t’i blejë shoqatat e biznesit për t’i pasur si leva të saj. Në këtë mënyrë ato u shërbejnë interesave të tyre të ngushta ose të krerëve të tyre dhe pak komunitetit të biznesit, që janë kontributorë të rëndësishëm në një shtet demokratik.

Në këndvështrimin e një sipërmarrësi, a mendoni se mund të bëhet më shumë për heqjen e barrierave shtetërore midis Shqipërisë-Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut e Malit të Zi ku shqiptarët janë bashkëqeverisës?

Mendoj se kjo është e qëllimshme nga influenca serbe sepse është shumë e thjeshtë që të hiqet trau mes Kosovës dhe Shqipërisë, ashtu siç u unifikua abetarja, mund të bëhet edhe unifikimi doganor. S’ka nevojë për bërtitje për bashkim kombëtar, por të hiqen pengesat midis tre vendeve dhe tregu shqiptar do të kishte një frymëmarrje tjetër edhe për thithjen e investimeve të huaja, por edhe për të rritur më shumë ekonominë shqiptare.

https://www.botasot.info/intervista-opinione/1682609/hajredin-fratari-bashkimi-kombetar-vjen-duke-hequr-barrierat-shqiperi-kosove/?fbclid=IwAR2Mko6C6XDfnQJH_aKACa0hS6KVXM-GZ0iLG08YxSEj9rF6HKhpyG9KGf0

https://gazetadielli.com/category/politike/

 

https://www.facebook.com/DielliNewspaper/posts/1014259129364121

Please follow and like us: