Shaban Murati: Pakti ushtarak midis Parisit dhe Athinës, lajm jo i mirë për Ballkanin
Nuk ka ndodhur kurrë në historinë e deritanishme të Aleancës Atlantike, që nga themelimi i saj në 1949 e deri më sot, që dy shtete anëtare të nënshkruajnë midis tyre një marrëveshje dypalëshe strategjike të ndihmës ushtarake reciproke ndaj njeri-tjetrit në rast të një konflikti të njërit prej tyre edhe me një shtet anëtar të NATO-s.
Mund të klasifikohet si një novacion “sui generis” juridik, diplomatik dhe strategjik, kur zyrtarisht dy shtete anëtare të NATO-s, Franca dhe Greqia, vlerësojnë si të pamjaftueshme garancitë dhe detyrimet e mbrojtjes kolektive Atlantike të shteteve anëtare, që janë themeli i NATO-s, dhe zyrtarizojnë nevojën e mbrojtjes individuale me pakt ushtarak dypalësh, jashtë NATO-s dhe pa pyetur NATO-n.
Ndaj pakti ushtarak, që nënshkruan në 28 Shtator në Paris presidenti i Francës E. Makron dhe kryeministri i Greqisë K. Micotaqis, ka habitur shumë kancelari diplomatike dhe rrjete mediatike në botë me vendimin e tyre të bujshëm për të veçuar paktin e tyre ushtarak nga Traktati themelues i Aleancës Atlantike dhe nga fryma e tij e mbrojtjes kolektive dhe e solidaritetit Atlantik.
Kryeministri grek e shpalli hapur këtë distancim të paktit franko-grek nga NATO, kur i raportoi në Athinë presidentes greke për paktin e ri në 29 Shtator dhe deklaroi se “ne kemi tani një marrëveshje me një klauzolë të ndihmës shumë të fuqishme të mbrojtjes reciproke, e cila shkon përtej dhe mbi angazhimet e mbështetjes kolektive të NATO-s”.
Euforia e shpërthyer nga qeveria dhe diplomacia greke për rëndësinë historike të këtij pakti të ri ushtarak mbështetet në nenin 2 të paktit, ku sipas lajmit të medias greke “Protothema” të 29 Shtatorit: “Neni 2 është më sinjifikativi, meqë parashikon ndihmë të menjëhershme ushtarake të Francës për Greqinë, nëse ndodh ndonjë sulm nga një shtet i tretë, edhe në qoftë se ai shtet është brenda aleancës së NATO-s”.
Euforia qeveritare greke është aq e madhe, sa që revista prestigjioze britanike “The Economist” shkruante jo pa ironi në 2 Tetor se “Kryeministri i Greqisë, K. Micotaqis, e paraqiti paktin si histori dashurie. “Historia na do ne sëbashku. Po ashtu edhe gjeografia”, i tha ai presidentit francez Makron”.
Neni 2 i ndihmës reciproke ushtarake për njeri-tjetrin në rast konflikti të armatosur me një shtet të tretë, qoftë dhe anëtar i NATO-s, përbën kuintesencën e paktit të ri ushtarak midis Francës dhe Greqisë. Është shumë e lehtë të konstatohet se novacioni juridik dhe diplomatik franko-grek për t’u bashkuar ushtarakisht edhe kundër një shteti anëtar të NATO-s paraqet një kurs të ri të hapur të Francës dhe të Greqisë kundër frymës së Atlantizmit dhe mbrojtjes kolektive atlantike.
Pakti i kundërvihet direkt Nenit 5 të Traktatit themelues të NATO-s, që përmban detyrimin e gjithë shteteve anëtare që çdo sulm ndaj një shteti anëtar konsiderohet si sulm ndaj gjithë shteteve anëtare.
Traktati themelues i NATO-s me nenin 5 ka ndërtuar arkitekturën e madhe të sigurisë Atlantike të mbështetur në parimin e madh ushtarak, politik dhe diplomatik “një për të gjithë dhe të gjithë për një”. Pakti franko-grek e përjashton tani zyrtarisht vlerën dhe efektshmërinë e nenit 5 të Traktatit themelues të NATO-s, sepse refuzon mbrojtjen kolektive atlantike për të gjitha shtetet anëtare.
Madje pakti ushtarak franko-grek e vë në dyshim vetë thelbin e ekzistencës së NATO-s dhe arrin deri atje sa që parashikon si element doktrinal ushtarak franko-grek rrezikun nga brenda vetë NATO-s.
Analisti diplomatik dhe ushtarak grek Athanasios Drougas theksonte në 2 Tetor në “greekreporter.com” se “marrëveshja e Parisit ka shumë hije të dyshimta, veçanërisht në termat e garancisë. Ajo u kundërvihet atyre transatlantike”.
Historia e Europës në përgjithësi dhe e shteteve të veçanta anëtare të NATO-s dëshmon se Neni 5 i Traktatit themelues të Aleancës Atlantike ka qenë garancia e paqes dhe e sigurisë së të gjithë shteteve anëtare si gjatë Luftës së Ftohtë, ashtu edhe pas shembjes së komunizmit. Është ky nen, që ka frenuar agresivitetin e Bashkimit Sovjetik më parë dhe të Rusisë tani ndaj shteteve anëtare të NATO-s. Është Neni 5 që i ka dhënë të njëjtën siguri atlantike si SHBA, ashtu dhe shteteve të vegjël të NATO-s si Islanda apo Greqia.
Tani Parisi dhe Athina me paktin e tyre ushtarak i largohen thelbit dhe detyrimit të Nenit 5 të Traktatit të NATO-s, duke nënshkruar një marrëveshje ushtarake dypalëshe, që identifikon rrezikun për të dy shtetet nga brenda Aleancës Atlantike. Në këtë mënyrë Franca dhe Greqia duan të konfirmojnë se NATO nuk mund të garantojë sigurinë, sovranitetin dhe integritetin e shteteve anëtare.
Ky kurs individualist i Francës dhe i Greqisë në kundërvënie të frymës dhe të Traktatit të NATO-s krijon precedentin e rrezikshëm që mund të nxisë shtete të tjera anëtare që ta braktisin detyrimin dhe zbatimin e nenit 5 dhe të kërkojnë sigurira të reja me shtete të tjera anëtare ose jo të Aleancës Atlantike. Me një fjalë pakti ushtarak franko-grek inkurajon erozionin e NATO-s.
Në një farë kuptimi pakti mund të cilësohet hapi i parë strategjik i largimit de facto të Francës dhe të Greqisë nga strukturat ushtarake dhe nga detyrimet ushtarake të NATO-s. Franca e ka zbatuar zyrtarisht këtë kurs në kohën e presidentit De Gol. Presidenti Makron po e ringjall dhe po e shkallëzon distancimin dhe largimin e Francës nga NATO dhe me paktin e ri ushtarak dypalësh po tërheq edhe Greqinë në këtë kurs.
Bazën e doktrinës së re franceze për largim nga NATO presidenti francez Makron e afishoi hapur në 7 Nëntor 2019 në një intervistë me revistën britanike “The Economist”, ku e përkufizoi NATO-n “me tru të vdekur”, dhe ku deklaroi se “nuk e di nëse akoma beson te Neni 5 i Traktatit të NATO-s”. (Për më gjërë shih gazeta “Dita”, 19.11.2019).
Parisi dhe Athina janë të ndërgjegjshëm që pakti i tyre i çuditshëm ushtarak, i cili planifikon luftë të përbashkët edhe kundër një shteti anëtar të NATO-s, zgjon dyshime të bazuara Atlantike për një distancim franko-grek nga angazhimet e NATO-s.
Edhe presidenti francez, edhe kryeministri grek, u munduan ta justifikojnë paktin e tyre ushtarak si hap i parë i madh i konkretizimit të “autonomisë strategjike mbrojtëse” të Europës. Projekti i një “Europe autonome ushtarake” të ndarë nga NATO dhe nga SHBA është një ambicie dhe ëndërr e vjetër franceze, dhe presidenti Makron vlerëson se ka ardhur koha e konkretizimit të tij.
Në qarqet diplomatike dhe mediatike perëndimore mbizotëron opinioni se Franca e ndërmori hapin e paktit ushtarak dypalësh me Greqinë për të sfiduar aleancën e re “AUKUS”, që krijuan në 15 Shtator 2021 Australia, Britania e Madhe dhe SHBA, të cilët nuk e ftuan Francën të marrë pjesë dhe kjo e irritoi së tepërmi Parisin, sepse “AUKUS” injoroi rolin e Francës si fuqi e madhe me interesa në Azinë e Largët dhe Oqeani.
Nga pikëpamja financiare me marrëveshjen ushtarake me Greqinë, e cila angazhohet të blejë disa fregata franceze me vlerë 5 miliardë dollarë dhe gjuajtës francezë me vlerë 3 miliardë dollarë, presidenti Makron po përpiqet të kompensojë disi goditjen që pësoi Franca nga vendimi i qeverisë australiane në muajin Shtator që në vend të nëndetëseve elektrike franceze të ndërtojë nëndetëse atomike me ndihmën e SHBA dhe të Britanisë së Madhe.
Në planin ushtarak dhe gjeopolitik pakti ushtarak franko-grek ngjall dyshime të mëdha për mundësitë dhe kapacitetet për t’u konsideruar si bazë e krijimit të “autonomisë ushtarake europiane”.
Nuk mund të mos ngjallë habi fakti se si dhe përse Franca zgjodhi si partner strategjik për ndërtimin e “autonomisë mbrojtëse të Europës” Greqinë e vogël, të krimbur në borxhe dhe një nga shtetet më të varfra të BE, dhe nuk zgjodhi shtete të mëdha dhe të fuqishme aleate në NATO dhe në BE si Gjermania, Italia, Spanja, për të mos thënë edhe Britania e Madhe, e cila është një shtet i madh dhe i fuqishëm europian, që vërtet doli nga BE, por nuk ka dalë dhe nuk e nxjerr dot kush jashtë nga Europa.
Është unik mendimi se shtysa bazë emotive e nënshkrimit të paktit të ri ushtarak, sidomos për Greqinë, është humori i keq i të dy shteteve ndaj Turqisë. Siç shkruante “The Economist” në 2 Tetor: “aleanca e re franko-greke reflekton frikat e tyre të njëjta nga Turqia”. Greqia e vogël mendon se me paktin e ri ushtarak me Francën ajo do të krijojë një raport të ri të barabartë forcash ushtarake me Turqinë, që mund t’i japë mundësinë të realizojë ambicjet e mëdha detare në detin Mesdhe.
Natyrisht tingëllon naive shpresa greke se Franca pa u menduar dy herë do të nxitojë të hyjë në konflikt ushtarak me një fuqi rajonale si Turqia për hatrin e rivendikimeve greke për zona sa më të mëdha detare në Mesdheun Lindor. Pavarësisht se ministri grek i Mbrojtjes në 30 Shtator deklaroi se pakti i ri përfshin ndihmën ushtarake franceze për gjithë sovranitetin grek në tokë dhe në det, e vërteta është se pakti franko-grek e përjashton ndërhyrjen franceze për zonat ekskluzive ekonomike detare apo për shelfin kontinental, për të cilat ka debate dhe tensione midis Greqisë dhe Turqisë. Ndaj pakti ushtarak franko-grek realisht dëmton më shumë NATO-n se sa Turqinë.
Me paktin e ri ushtarak me Greqinë Franca realizon interesin e saj gjeopolitik për të forcuar dhe konsoliduar influencën si fuqi e madhe në detin Mesdhe. Presidenti Makron e deklaroi qartë në 28 Shtator se “ajo që ne nënshkruam është një partneritet i strukturuar, i cili diktohet nga situata gjeopolitike në detin Mesdhe”.
Greqia kështu vihet në dispozicion të kësaj strategjie mesdhetare franceze. Me paktin e ri Franca e përfshin zyrtarisht Greqinë në sferën e saj të influencës, sepse siç shkruante në 1 Tetor “martenscentre.eu”: “Është hera e parë në historinë e saj që Greqia nënshkruan një marrëveshje dypalëshe me një nga fuqitë e mëdha me klauzolën e ndihmës reciproke ushtarake”.
Nuk janë të qarta llogaritë makrostrategjike të Greqisë në lidhje me këtë pakt, sepse vështirë të mendohet se Franca do të hyjë në luftë me Rusinë apo me Kinën në eventualitetin e një konflikti të armatosur të tyre me Greqinë. Nuk po shtrojmë fare pyetjen nëse do të hyjë Franca në luftë për hatër të Greqisë, nëse do të kishte një konflikt të Greqisë me SHBA ose me Britaninë e Madhe.
Një nga efektet imediate të paktit të ri franko-grek është përurimi i fenomenit të përçarjes strategjike brenda aleancës Atlantike dhe një prirje për të kundërvënë Europën dhe BE me Amerikën. Nuk është e e rastit, që Rusia e priti me kënaqësi paktin e ri franko- grek, sepse e konsideron dobësim të kohezionit të NATO-s dhe një hapësirë të re për diversionin rus në gjirin e NATO-s. Media ruse “expert.ru” shkruante në 29 Shtator: “Makron përçan Europën”.
Franca dhe presidenti i saj ambicioz po luajnë kartën e madhe gjeopolitike të zgjerimit të sferës së influencës franceze në pellgun e Mesdheut dhe në rajonet rreth tij. Dalja e Britanisë së Madhe nga BE dhe largimi i kancelares dominuese gjermane Angela Merkel nga posti i saj po shfrytëzohen nga presidenti francez si një shans i ri i zgjerimit të rolit të Francës në Europë dhe në zona të ndryshme të botës.
Pakti dypalësh ushtarak franko-grek shfaqet si demonstrim i politikave individualiste të dy shteteve, gjë që bie ndesh me frymën, idealet dhe objektivat e Aleancës Atlantike. Asnjë pakt dypalësh midis shteteve të veçanta të aleancës nuk mund të zëvendësojë garancitë e mbrojtjes kolektive të NATO-s.
Nuk pritet të jenë pozitive efektet e këtij pakti ushtarak as në Ballkan. Nuk është lajm i mirë për Ballkanin. Përkundrazi mund të ketë efekte negative për shkak të nxitjes së një spiraleje të re të garës së ethshme të armatimeve, ku është futur Greqia, si dhe për inkurajimin e ri që i jep pakti diplomacisë greke të shantazhit ushtarak ndaj të gjithë shteteve fqinjë me të cilat Athina ka probleme të hapura dhe tensione./gazeta dita