Spiro Mëhilli: Fati i njerëzve të afërm të Stalinit
Jakov Xhugashvili (1907-1943), djali i Ekaterina Shvanixes dhe i Stalinit
Vetë Stalini vuante nga atreroskleroza. Pas mbledhjes së Jaltës në vitin 1945, ai pësoi tri kriza kardiake brenda 5 muajve.Vdiq në 5 mars 1953 në moshën 73 vjeçare nga hemorragjia masive e bërthamave të nënkores së hemisferës së majtë trunore. Është përfolur se e helmoi Lavrent Beria, duke i dhënë antikoagulantin varfarinë me dozë të madhe. Profesor Mjasnikovi, që bëri autopsinë e kufomës me ndihmën e 7 mjekëve të tjerë, në 9 mars 1953, deklaroi se ai vuante nga forcimi progresiv i artereve të trurit, gjë që mund të spiegonte sjelljen e tij paranojake dhe pamundësinë për të dalluar miqtë nga armiqtë, për të thënë më pas për sëmundjen e Alvarezit. Stalini pati një hemorragji masive në bërthamat e nënkores së hemisferës së majtë të trurit, që çoi në çrregullime të pakthyeshme të frymshkëmbimit dhe të qarkullimit të gjakut. Pas vdekjes ai u vendos në Sallën e Kolonave të Pallatit të Sindikatave në Moskë. Turma e dendur dhe e çrregullt e njerëzve të ekzaltuar nga vdekja e këtij gjeniu, bëri që të shtypeshin e të vdisnin mbi 500 veta. Më pas, trupi i tij, u vendos pranë atij të Leninit, në Mauzoleumin, që ndodhej në Sheshin e Kuq. Do të ishte njëri nga shokët e tij, Nikita Hrushiovi, që në Kongresin e XX të PKBS do të zbardhte krimet e Stalinit dhe kufoma e tij të hiqej nga Mauzoleumi dhe të digjej, për t’i mbetur vetëm historisë. Stalini ishte sigurisht një i sëmurë mendor. I kishte të gjitha simptomat e kësaj sëmundjeje, sadizmin, intolerancën ndaj kritikave, etjen për hakmarrje, maninë e përndjekjes, megalomaninë. Kjo sëmundje u theksua me rëndimin e atrerosklerozës.
Ekaterina Shvanidze do të ishte gruaja e parë e ligjshme e Josif Xhugashvilit. Ishte fundi i vitit 1905 kur ai u njoh me vajzat e familjes Shvanidze në rrugën Freilinskaja nr. 3 në qendër të Tbilisit, pranë sheshit “Erevan”. Ishin tri motra: Aleksandra (Sashiko), Maria (Mariko) dhe e vogla, Ekaterina (Kato) Shvanidze, që menaxhonin atelienë “Harvieu”. Ato ishin nga Rasha, në perëndim të Gjeorgjisë, nga një familje e kulturuar gjeorgjiane. Po atë vit, Josifi u martua me bukuroshen Ekaterina (Kato) Shvanidzen dhe në vitin 1907 atyre u lindi djalë, Jakovi. Në vitin 1907, Josifi e çoi të shoqen dhe të birin në gadishullin Bailo. Kato shkonte dhe takonte Sergei Allilujevin, vjehrrin e ardhshëm, në atë kohë drejtor i hidrocentralit në një zonë buzë Detit Kaspik. Më 22 nëntor 1907, në moshën 22 vjeçe, në Tbilis, Ekaterina (Kato) Shvanidze, që vuante nga tuberkulozi, vdiq në duart e të shoqit, Josifit. Ceremonia e varrimit u bë më 25 nëntor 1907 në Kishën Kulubanskaja dhe më pas, ajo u varros në Kishën e Santa Ninës në Kubia. Gjatë ceremonisë së varrimit, Josifi ruhej nga agjentë, por arriti t’u shpëtonte duke kaluar lumin dhe u nis të takonte Leninin në Zvicër. Djalin ua la prindërve të së shoqes dhe u largua për t’u marrë me punë partie. Ai asnjëherë nuk e ka dashur të birin.
Nadjezhda Allilujeva, ishte e bija e Sergei Allelujevit rom në origjinë dhe e Ollga Fedorenko Allilujevës, që kishte pasur histori dashurie me një polak, për të vazhduar me një hungarez, me një bullgar, me një turk, madje dhe me shokun e Josifit, Viktor Kurnatovskin. Përveç këtyre, ajo ka pasur marrëdhënie edhe me Josifin, nga e cila përflitej se kishte lindur gruaja e tij e ardhshme, Nadjezhda Allilujeva. Vite më vonë, Pavli, i vëllai, i tha së motrës, Nadjezhdës, se nga vrima e çelësit kishte parë në dhomë të ëmën zhveshur me Josifin (Kobën, Soso). Ajo vuante nga një sëmundje e rëndë nervore, ndoshta një sindromë depresivo-manjakale e trashëguar nga një formë e çrregullimit të personalitetit, edhe pse Svjetllana foli për skizofreni. Në vitet 1922-1923, ajo vuante nga pagjumësia dhe dobësia. Në vitin 1926, ajo bëri një abort, që sipas të bijës, i shkaktoi probleme femërore dhe për shumë muaj nuk pati menstruacione. Në atë vit, ajo pati divergjenca me të shoqin, mori dy fëmijët duke i thënë atij se e kishte lënë, dhe shkoi në Leningrad pranë familjes së saj. Me këmbënguljen e Stalinit dhe të të atit të saj, me gjithë kundërshtimet e së ëmës, ajo u kthye në Kremlin pranë të shoqit. Në vitin 1927, mjekët konstatuan se Nadjezhda kishte probleme me një nga valvulat e zemrës dhe vuajti nga artriti dhe angina. Në vitin 1929, mbetën shpesh të ndarë. Në vitin 1930, angina iu shfaq përsëri, sa që asaj i hoqën bajamet. Qëndrimi në Karlsbad, nuk ia largoi dhimbjen e kokës. Në vitin 1931, kur ajo ishte 30 vjeçe, studionte në degën e kimisë në Akademinë Industriale të Moskës dhe shkonte në leksione me tramvajë. Shokët e klasës i përshkruanin gjendjen e mjerueshme në Ukrainë, ku ata kishin kaluar verën si aktivistë. Edhe Kira Allilujeva, kur shkoi te burri i hallës, Stanislav Redensi, në atë kohë shef i GPU-s në Harkov, pasi kishte hapur një nga perdet e dritareve të vagonit ku ndodhej, kishte parë një mizëri njerëzish me bark të fryrë që po vdisnin urie dhe ia tregoi atë hallës Anna dhe ajo kunatës, Nadjezhdës, e cila ia tregoi Stalinit. Ai ia ktheu se “janë thashetheme trockiste”. Pasi kishte dëgjuar nga shokët se dy vëllezër ishin arrestuar, sepse kishin ngrënë mish njeriu, ajo u detyrua të hidhej në sulm. Çfarë ndodhi? Stalini, nga kjo thënie e së shoqes, reagoi duke e quajtur atë “mungesë të disiplinës politike”, arrestoi studentët e Akademisë Industriale dhe dërgoi në internim të gjithë ata studentë që kishin qenë në Ukrainë.
Shokët humbën besimin ndaj saj, duke menduar se ajo ishte shkaktare e arrestimeve dhe ekzekutimeve, dukuri që atë e vrau shpirtërisht. Ajo dhe Buharini kishin një ndjenjë mosaprovimi, që fshatarët të vdisnin nga uria. Më 8 nëntor 1932, Voroshillovi shtroi në Kremlin një darkë të madhe për nder të 15 vjetorit të Revolucionit Socialist të Tetorit, në të vërtetë Grushtit të Shtetit. Stalini në sy të të pranishmëve i tha të shoqes: “Ej ti! Pi diçka” dhe i hodhi cigaren e ndezur, ndërsa ajo bërtiti: “Nuk quhem ej. Si guxon të më flasësh në atë mënyrë?”, pastaj përpara gjithë të ftuarve, u ngrit nga tryeza dhe u largua duke vrapuar. Polina Molotova e shoqëroi deri te Pallati Poteshnij dhe i tha: “Nuk është e drejtë të braktisësh Stalinin në një periudhë kaq të vështirë”. Guvernantia Karolina Vasiljevna Til, e gjeti Nadjezhdën të shtrirë në shesh, mes një pellgë gjaku ngjitur me krevatin e saj. Në dorë ajo mbante pistoletën e markës “Valter”, që ia kish sjellë i vëllai, Pavli, nga Berlini. Kufoma e saj kishte një fytyrë të rregullt, me sytë gjysmë të hapur, kurse në kraharor, në vendin ku projektohej zemra, kishte një vrimë prej 5 mm. Profesori Kushner dhe një koleg ekzaminuan kufomën në dhomën e saj të gjumit. Enukidze kryesoi funeralin me Dora Kazan dhe çekistin Pauker. Ajo vrasje ishte politike. Mëngjesin e 10 nëntorit, kufoma u çua në Kremljovka. Natën, arkivoli u çua në sallën e kollonave pranë Sheshit të Kuq dhe Kremlinit. Në orën 8 të mëngjesit, Jagoda iu bashkua komisionit të funeralit. Stalini qau pranë arkivolit, kapi kokën e saj dhe filloi ta puthte, por nuk mori pjesë në varrimin e saj në Novo Devici. Molotovi u mundua ta përligjte këtë vetëvrasje duke thënë se Nadjezhda ishte xheloze ndaj një berbereje, që ishte e caktuar të rruante Stalinin. Dhe Stalini nga ai moment braktisi daçën në Zubalovo (Zubalovo ndodhej 35 km larg Moskës, pranë Usovos, vend ku Stalini dhe të tjerë udhëheqës sovjetikë kishin daçat e tyre. Para revolucionit, Zubalovi, një pasanik nafte, kishte ngritur dy çifliqe me nga një shtëpi, njërën për vete dhe tjetrën për të birin. Ishin gjithsej 4 daça stil gotik) dhe u vendos në Kuncevo, që ndodhej jo më larg se 8 km nga Kremlini.
Jakov Xhugashvili (1907-1943), djali i Ekaterina Shvanixes dhe i Stalinit, u rrit nga prindërit e së ëmës. Fliste keq rusishten dhe kishte aksent si i ati, Stalini. U bashkua me familjen e Stalinit kur ishte 20 vjeç. Persekutimi i tij vazhdoi deri në vitin 1928, kur ai pasi u ofendua nga i ati, u fut në kuzhinën e apartamentit në Kremlin dhe qëlloi vetën me plumb në gjoks. Stalini pa e prishur terezinë i tha: “Ah! Nuk je i aftë të marrësh shenjë”. Pasi Jakovi u përmirësua, menjëherë u dërgua në Leningrad, në familjen e të shoqes, Nadjezhdës, tek Allilujevët. Në vitin 1932, kur ishte 18 vjeç, u dashurua dhe u martua me Zonjën, vajzën e një prifti. Stalini nuk e kishte miratuar atë zgjedhje, sepse donte që Jasha të vazhdonte studimet. Më pas, Jasha u nda nga Zonja dhe u kthye në shtëpi. Në vitin 1939 mbaroi Akademinë “Frunze”, që e kishte filluar në vitin 1935 dhe hyri në forcat e armatosura me gradën toger. Në vitin 1937 u martua me një grua të divorcuar, hebrejen Juliana, që Stalini nuk e kishte miratuar. Në vitin 1938, u lindi vajzë, Xhulia. Më 22 qershor, kur ai ishte 33 vjeç, e çuan në Baranovic të Bielorusisë Perëndimore, në repartin e artilerisë, ku luftoi me trimëri deri sa u kap rob nga gjermanët. Kur nazistët në vitin 1943, kërkuan ta shkëmbenin Jashën me mareshallin fon Paulus, komandantin e Armatës 6 Gjermane, “Kërkojnë të bëjnë pazarllëqe me mua. Nuk do ta pranoj. Lufta është luftë.
Nuk kam asnjë fëmijë me emrin Jakov, nuk kam asnjë fëmijë me emrin Jakov” – tha “i madhi” Stalin. Propaganda bolshevike e interpretoi këtë dukuri sikur për Stalinin të gjithë djemtë e Rusisë ishin djemtë e tij. Jakovi u dërgua në tre kampe përqëndrimi: në Hammelburg, në Lubecca dhe në Sachsenhausen dhe i rezistoi të gjithë kërcënimeve. Para se ai të tentonte të arratisej tha: “Nëse nuk do ta shoh më vendin tim, kërkoj që t’i thoni babait tim, Josif Visarionoviç Stalinit, që unë nuk e kam tradhtuar asnjëherë dhe ajo që ka farkëtuar propaganda gjermane, është veçse një gënjeshtër”. U vra nga një ushtar gjerman në tentativë për t’u arratisur (E vërteta është se kur ushtria sovjetike u shpartallua tërësisht nga ushtria gjermane dhe ushtarë e oficerë sovjetikë braktisnin masivisht frontin, Stalini nxori urdhërin nr. 270 të 16 gushtit 1941, ku thuhej: Urdhëroj që: 1-Cilido që heq shenjat dalluese dhe dorëzohet, duhet konsideruar si një tradhtar i poshtër. Familjarët e tij do të arrestohen si familjarë të atij që ka thyer betimin dhe tradhtuar atdheun. Këta dezertorë duhet pushkatuar menjëherë. 2- Ata që do të rrethohen, duhet të luftojnë deri në fund. Ata që preferojnë të dorëzohen, duhet të shkatërrohen me çdo mjet të mundshëm, ndërsa familjarët e tyre do të privohen nga çdo ndihmë”. Ligji i gushtit të vitit 1941, kishte dekretin që të gjithë oficerët e rënë robër ishin “besëthyes tradhëtarë” dhe familjet e tyre duhej të ishin “vendosur nën arrest”. Jakovi futej në kategorinë e parë dhe Stalini në të dytën, pra sipas këtij urdhëri, ai duhej të ishte nga të parët që duhej t’i nënshtrohej atij vendimi. Për këtë arësye bëri të paditurin. Në vitet 1941-1942, jo më pak se 157.593 veta që bënin afërsisht 16 divizione, u gjykuan për paburrni dhe mijëra u pushkatuan. Megjithatë, kur ia lypte interesi, ai e shkelte urdhërin nr. 270, që binte ndesh me “Djemtë e Rusisë”. Djali i madh i Hrushovit ishte pilot. Në një nga betejat, avioni i tij nuk u kthye në bazë. U mendua se ishte goditur nga gjermanët. I gjithë territori u kreh dhe avjoni që duhej të mbante numrin e tij nuk u gjend. Ai mori disa dekorata “Për merita në luftë”. Më vonë u mor vesh se ai ishte arratisur dhe ishte dorëzuar te gjermanët me gjithë avion. Hrushovi takoi Stalinin dhe i kërkoi t’i kthente të birin. Ashtu u veprua. Djali i Hrushovit u këmbye dhe u kthye në Moskë. Ai u pushkatua si tradhtar. Kur Hrushovi u takua me Stalinin dhe i kërkoi të dinte të vërtetën, fjalët e Stalinit ishin: “Djalin ta ktheva. Pse u pushkatua, atë shko e gjeje te gjykatësit, që e dënuan”. Në verën e vitit 1941, Julian e arrestuan dhe ndejti në burg deri në pranverën e vitit 1943, kur u vërtetua që ajo nuk kishte pasur lidhje me kapjen rob të Jakovit.
Vasil Xhugashvili, (1921-1962) që në adoleshencën e tij paraqiste shenja mendjemadhësie. Në gjimnaz ishte bërë problem për sjellje të papranueshme, por pedagogët nuk kishin kurajo që të lajmëronin të atin. Njëra nga mësueset mori guximin dhe e lajmëroi të atin e Vasilit. Një ditë, në shkollë shkoi babai i gjithë kombeve dhe u prit me ovacione, jo vetëm nga stafi pedagogjik, por edhe nga nxënësit. Pas takimit “të përzemërt”, Stalini largohet dhe shkon te makina që e priste, aty thërret të birin, e kap për fyti dhe e kërcënon. Të pranishmit u tmerruan nga një veprim i tillë i udhëheqësit të madh dhe drejtori urdhëroi që nxënës e pedagogë të futeshin në klasat e tyre. Kaluan vite. Vasili u rrit dhe vendosi të bëhej pilot në aviacionin ushtarak. Ndërkohë u dha pas pijes, sa vazhdimisht ishte i dehur. Skuadra ku ai bënte pjesë, kishte gjashtë ose shtatë veta. Vasili me shokët e skuadrës shkonte shumë mirë dhe jo vetëm që vazhdonte të pinte, por, dhe kur shkonte në mbrëmjet e vallzimit, shkaktonte skandale. Afër përfundimit të kursit teorik, instruktorët i folën atyre për atë që quhej shtoper, veprim ku avioni nuk i bindet pilotit dhe pasi bën disa rrotullime të çuditshme, i drejtohet tokës me shpejtësi skëterrë dhe piloti menjëherë duhet të katapultojë duke u hedhur me parashutë. Erdhi rradha e Vasilit. Kur mori urdhër të kthehej dhe të ulej në aerodrom, ai, me dashje, e futi avionin në shtoper. Instruktorët e urdhëruan që të hidhej me parashutë, por ai vazhdonte t’i drejtohej tokës. Tmerr! Në aviacion është dukuri e radhë , por në atë rast ishte djali i Stalinit. Vdekja e tij do të ishte fundi i tyre. Çuditërisht, Vasili jo vetëm që nuk katapultoi, por e uli avionin në pistë. Gëzimi i instruktorëve dhe i shokëve ishte i madh. Komandanti i shkollës vendosi ta fuste në burg. Komisari, si më i zgjuar, i tha që këtë veprim nuk duhet ta bëjmë, por të gjejmë një rrugë tjetër, ta gradojmë dhe ta bëjmë instruktor duke i privuar hipjen në avion. Në vitin 1940, u martua me Galina Burdonovskajan dhe patën dy fëmijë, Aleksandrin në vitin 1941 dhe Nadjezhdën në vitin 1943. Ishte i dhunshëm sa e godiste të shoqen, Galinën, që sapo kishte lindur Aleksandrin. Në 1941 Gjermania naziste sulmoi Bashkimin Sovjetik. Vasili mori pjesë në beteja. Shqetësimi i Stalinit ishte se mos dhe ky si Jakovi, mund të binte në duar të gjermanëve dhe do të ishte një turp për të. Vasili luftoi me heroizëm duke rrëzuar avionë kundërshtarë dhe në një nga betejat u plagos. Më 26 maj 1943, Stalini urdhëroi komandantin e aviacionit, Novikovin, që ta hiqte menjëherë nga komanda e regjimentit të aviacionit dhe të njoftonte oficerët e regjimentit se kolonel Vasili Stalin është hequr për dehje dhe korruptim të regjimentit. Në vitin 1946, pa u ndarë me Galinën, vendosi të martohej me Katja Timoshenkon. Punonjësja e gjendjes civile e refuzoi një veprim të tillë, pasi ai në pasaportë figuronte i martuar. Vasili e kërcënoi se do t’i thoshte Lavrant Berias që ajo kishte lidhje me armiqtë e Rusisë dhe u detyrua të kryente veprimet për martesë. Nga martesa e dytë lindën Svjetllana në vitin 1947 dhe Vasili në vitin 1949. Në vitin 1950, ai pati edhe një martesë të tretë me Kapitolina Vasiljevnën. Ndërkohë filloi të kishte marrëdhënie me Nina Karmen, të cilën e mori në rezidencën e vet. Thuhet që ka pasur dhe një martesë të katërt. Në Zubalovo merrte një grup vajzash dhe kalonte kohën. Pati 7 fëmijë, 3 prej të cilëve të adaptuar. Arriti të merrte gradën e gjeneralit. Tri javë pas vdekjes së Stalinit, ai u degradua dhe u largua nga ushtria. Disa ditë më vonë, për sjellje të papëlqyeshme u thirr nga Malenkovi, për ta lajmëruar që duhej të ishte më i sjellshëm. Ai e fyen rëndë dhe për pasojë u arrestua dhe u burgos. Pas Malenkovit, sekretar i parë u bë Nikita Sergejeviç Hrushovi. Ai, në Kongresin e XX diskreditoi figurën e Stalinit. Vasili vazhdonte të qëndronte në burg. Tek Hrushovi shkoi Budioni dhe i kërkoi që Vasilin ta nxirnin nga burgu. Hrushovi refuzoi, por ai iu lut për hirë të së kaluarës, sepse pavarësisht gabimeve të tij, Stalinin e kishin pasur shokë dhe udhëheqës. Hrushovi u thye, Vasilin e nxorën nga burgu, mbiemrin nga Stalin e zëvendësuan me Xhugashvili dhe e degdisën në Siberi.
Svjetllana Xhugashvili (1926-), e bija, ishte dashuruar me skenografin hebre Aleksej Jakovleviç Kapler, që sipas Stalinit, ishte agjent britanik, prandaj më 2 mars 1943, e morën dhe e çuan në burgun e Lubjankës duke e akuzuar për bashkëpunim me armikun e jashtëm dhe më pas e degdisën 5 vjet në Verkuta për spiunazh. Në vitin 1945, Svjetllana u martua me hebrein Grigori Morozov (1921-2002), student në Institutin për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe po atë vit u lindi djalë, Josif Morozovi. Pas divorcit me Grigorin, në pranverën e vitit 1948, ajo u martua për së treti me Juri Zhdanovin dhe në vitin 1950, u lindi vajza, Katja Zhdanova. Edhe me Jurin u divorcua. Vite më vonë, në SHBA, do të shkruante librin me kujtime që i dedikohej të atit.
Aleksandër Shvanidze, vëllai i Ekaterina Shvanidzes, gruas së parë të Stalinit, një nga bolshevikët e parë gjeorgjian, u martua me Marien, një vajzë e pasur nga familja Koronas, me origjinë hebreje spanjolle, këngëtare opere dhe shumë e bukur. Aleksandri u pushkatua në vitin 1942, kur ishte 60 vjeç. Kur Maria mori vesh vrasjen e të shoqit, vdiq në vend nga pushimi i zemrës. I biri, 8 vjeç, u arrestua, sepse tha “Ju jeni armiq të popullit” dhe u dërgua në Siberi si “djalë i armikut të popullit”. Kunata e Stalinit, Maria Shvanidze, motra e Ekaterinës dhe e Aleksandrit, ish- sekretarja e Enukidzes, u arrestua dhe vdiq në internim.
Ana Allilujeva, e motra e Nadjezhda Allilujevës, u dashurua me asistentin polak të Xherxhinskit, Stanislav Redens, në kohën kur ai ishte me detyrë në Permë. Stanisllav Redens u arrestua në vitin 1938, si “armik i popullit” dhe u pushkatua megjithë lutjet e Anës. Më vonë, Stalini urdhëroi arrestimin e Anës, që u çmend në burg, por jetoi deri në vitin 1964. Ksenia, e veja e vëllait të Nadjezhdës, Pavël Allelujevit, ushtarak profesionist dhe atashe ushtarak në vitet 1930-1933 në Gjermani, u arrestua në vitin 1948, së bashku me Evgjenian, gruan e xhaxhait të Nadjezhdës, si mikesha të hebrenjve dhe u denuan me 10 vite burg për spiunazh. U liruan në 1954, pas vdekjes së Stalinit.
MARRË NGA LIBRI DIKTATORË DHE AVENTURIERË.