“Perri diellore”, libri më i ri nga Shtëpia Botuese “Jakup Ceraja”
Sapo ka dalë nga shtypi libri më i ri nga Shtëpia Botuese “Jakup Ceraja”, me titull “Perri diellore”, i autorit Altin Sh. Kajtazi.
Altin Sh. Kajtazi është një ndër poetët me premtues të gjeneratës së re. Është magjistër i shkencave filozofike. Po ashtu, merret me krijimtari letrare dhe është autor i një numri të madh shkrimesh eseistike të botuara në gazeta dhe revista të ndryshme. Ky është libri i tij i parë.
Te libri me poezi “Perri Diellore” krijuesi Altin Kajtazi shfaqet si poet i mendimit. Edhe kur shkruan për vetminë, për vetveten, për heshtjen, për qenien njerëzore përgjithësisht, apo për dashurinë dhe atdhedashurinë, ai shkruan i menduar.
“Mendimet le t’i kuptojmë si pema e ngarkuar me fruta. Zaten, këto janë edhe vlera mesazhesh që na i dhurojnë këto vargje. Janë krijime që na e përcjellin mesazhin e bukur inkurajues që të qëndrojmë në rrugën tonë, në shtigjet e dashurisë, lirisë, atdhedashurisë dhe paqes; krijime që na shtyjnë të besojmë te vetja në secilën situatë, e pra, janë një nxitje e motivim kah e bukura”, kështu shkruan studiuesi i njohur i letërsisë Prend Buzhala, i cili është edhe redaktor i librit.
“Kur e themi që ky vëllim ngërthen poetin e menduar, ky aspekt, pra, e shquan energjinë e brendshme të mendimeve, lidhjen e mendimit si energji me vetë qenien e me hapësirën e gjallimit, shpesh edhe si ngarkesë e peshë që rëndon. Kjo energji nganjëherë na shfaqet si metafizikë (shpirtëroja) e herën tjetër si fizikë, materie, lëndë (trupi); aty ku bashkohen zonat e padukshme me të dukshmen”, shprehet Buzhala.
Poeti shpesh mediton për fjalën e për ritmet e saj te thënies, si në një kodim ritual, sugjestionues, me energji mendimi. Në udhëtim e sipër, folësi lirik bëhet dëshmitar i sekretit frymëzues të fjalës së bukur, i imazheve domethënëse që zgjon imagjinata krijuese.
“Personalisht, them se ‘piramida’ është e madhe dhe kërkon shumë shkenca, që të jenë në primatin me aritmetik të tyre. Nëpërmes kësaj, padyshim jam i bindur që shumë shpejt Altin Kajtazi do ia vër gurin e fundit një piramide, figurativisht, e cila do ta përfaqësojë bindshëm poezinë shqiptare dhe në këtë rrafsh njëkohësisht dhe poezinë universale”, shkruan rreth këtij libri poeti Bekim Grajçevci.
Ndërkaq, studiuesi Lutfi Alia shkruan se libri me poezi sociale me titull “Perri Diellore” i poetit Altin Kajtazi prezantohet denjësisht si një galeri stilistike, e pasur me figura metaforike, ku logjika e thyen patetiken, me vargje të shprehura plot ndjenja delikate të poetit atdhetar, një vëllim i mbushur me fragmente të jetës se tij, e pandarë nga Kosova martire, ku secila poezi përben histori me vete, me shembuj vlerash, virtytesh, shqetësimesh dhe optimizmi.
“Vargjet e këtyre poezive kaltërojnë me mendimin lirik duke shprehur shpirtin patriot dhe fisnik në kërkim të paqes dhe lumturisë kosovare. E them pa ndrojtje se Altin Kajtazi është poet që po zë vendin e merituar mes letrarëve të talentuar,” shkruan Alia.
I ndarë në dymbëdhjetë cikle, libri ka strukturën e vet të gjetur, për ta shënjuar gjithsesi idealin poetik të harmonisë, përsosmërisë, rrumbullakësimit, plotësisë, siç është vetë numri dymbëdhjetë. Është numër i simbolikës engjëllore, paqes, një numër gjithëpërfshirës, i pranishëm në mitologji, religjion, astrologji, dhe sidomos në jetën e përditshme. Kësisoj, edhe ciklet le t’i konsiderojmë si simbol i kësaj strukture poetike të zgjimit shpirtëror, frymëzues.
Librin “Perri diellore” mund ta gjeni nëpër libraritë e kryeqytetit.
Please follow and like us: