Albspirit

Media/News/Publishing

Avokati Kieran Both: Koha që shqiptarët të provojnë fatin me llotarinë amerikane të vizave 2023 

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Programi i vizave emigruese të shumëllojshmërisë (llotaria amerikane) DV-2023:  Periudha për t’u regjistruar nëpërmjet internetit për llotarinë amerikane ka filluar të mërkurën më 6 tetor, 2021 në orën 12:00 në mesditë sipas Eastern Daylight Time, EDT (GMT-4) (ora 18:00 sipas orës lokale të Shqipërisë) dhe përfundon të martën, më 9 nëntor, 2021 në orën 12:00 në mesditë sipas Eastern Daylight Time, EDT (GMT-4) (ora 18:00 sipas orës lokale të Shqipërisë). Do të skualifikohen ata persona që aplikojnë më shumë se një herë. Të gjithë ata që aplikojnë për llotarinë amerikane dhe përzgjidhen, do ta marrin vizën emigruese ose green card-ën deri në fund të vitit fiskal 2023 (30 shtator, 2023).

Për çdo vit fiskal ka një periudhë të kufizuar kohe gjatë së cilës mund të regjistroheni për programin e vizave emigruese të shumëllojshmërisë (DV). Çdo vit Departamenti i Shtetit publikon udhëzime të detajuara se si të futeni në këtë program. Udhëzimet për DV-2023 mund t’i gjeni në https://travel.state.gov/

Të gjitha kërkesat duhet të dërgohen në mënyrë elektronike në faqen e internetit të E-DV-së  https://dvprogram.state.gov/  gjatë periudhës së caktuar për regjistrim. Kërkesat e paraqitura me vonesë ose në letër nuk do të pranohen. Sipas ligjit, nuk lejohet më shumë se një kërkesë nga ose për një person gjatë kësaj periudhe regjistrimi. Departamenti i Shtetit përdor teknologji të sofistikuar për të kapur rastet kur është bërë më shumë se një kërkesë. Në rast se paraqisni më shumë se një kërkesë, do të skualifikoheni. Faqja e internetit ku mund të paraqisni kërkesën do të mbetet e paaktivizuar deri në ditën dhe orën që është specifikuar në faqen e udhëzimeve për llotarinë amerikane.

Pasi të keni paraqitur kërkesën për të marrë pjesë në llotarinë amerikane, në ekran do t’ju shfaqet emri dhe numri i konfirmimit që ju është caktuar – ky numër është vetëm për ju. Printojeni këtë faqe konfirmimi në mënyrë që ta keni si dokument. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të ruani numrin e konfirmimit, pasi është e vetmja mënyrë për të kontrolluar statusin e kërkesës që keni paraqitur, si dhe në rast se do të përzgjidheni, do t’ju nevojitet për të marrë udhëzime të mëtejshme ose për  caktuar ditën e intervistës për vizë.

Nuk nevojitet të paguani gjë për t’u regjistruar në programin DV. Departamenti i Shtetit të Shteteve të Bashkuara ju këshillon fort që të mbushni vetë formularin për të marrë pjesë në program, pa marrë ndihmën e një “konsulenti vizash”, “agjenti vizash” apo kujdo tjetër që ofron ndihmë. Nëse keni dikë që ju ndihmon, është mirë të jeni i pranishëm në kohën kur përgatisni kërkesën në mënyrë që t’i përgjigjeni saktë pyetjeve si dhe të ruani faqen e konfirmimit dhe numrin unik të konfirmimit që ju është caktuar.

Çdo vit Departamenti i Shtetit, nga të gjitha kërkesat e regjistruara për vizë, bën një përzgjedhje të rastit të aplikantëve për vizë emigruese DV, bazuar kjo në numrin e vizave që është vënë në dispozicion të secilit prej vendeve e rajoneve pjesëmarrëse. Më ose rreth datës 8 maj, 2022, në faqen e internetit të llotarisë amerikane (E-DV) bëhet përditësimi i Entrant Status Check (vendi në faqen e internetit ku duhet të klikoni për të kontrolluar statusin e kërkesës) ku njoftohen të gjithë ata që kanë bërë kërkesë nëse janë përzgjedhur ose jo. Për të kontrolluar këtë status, do t’ju duhet të fusni numrin e konfirmimit i cili, siç thamë më lart, ju caktohet në momentin që bëni kërkesën për të marrë pjesë në llotarinë amerikane. Nëse e humbisni këtë numër, nuk do të jeni në gjendje të kontrolloni statusin e kërkesës suaj dhe Departamenti i Shtetit nuk do të mund t’ju ridërgojë numrin e konfirmimit. Departamenti i Shtetit nuk do t’i njoftojë të përzgjedhurit as me postë të zakonshme e as me postë elektronike. E VETMJA mënyrë që përdor Departamenti i Shtetit për të njoftuar ata që janë përzgjedhur, është përmes faqes së internetit E-DV tek Entrant Status Check.

Nëse kërkesa juaj është mes të përzgjedhurave, automatikisht do t’ju çojnë tek një faqe konfirmimi ku do t’ju jepen udhëzime të mëtejshme, përfshirë këtu dhe tarifat që duhet të paguani për të emigruar në Shtetet e Bashkuara. Entrant Status Check është mënyra e VETME përmes së cilës do të njoftohen qoftë ata që janë përzgjedhur, qoftë ata që nuk janë përzgjedhur. Ju nxisim fort që ta kontrolloni vetë Entrant Status Check dhe jo t’ia lini dikujt tjetër në dorë që ta kontrollojë dhe t’ju njoftojë.

Është e këshillueshme që të përzgjedhurit ta mbushin menjëherë formularin DS-260 në internet për të caktuar takimin për intervistë në ambasadën apo konsullatën e duhur të SHBA-së. Nëse shihni në faqen e internetit E-DV njoftimin që jeni përzgjedhur për të vazhduar më tej me programin DV dhe gjendeni fizikisht në SHBA, atëherë mund të kualifikoheni për të marrë green card përmes këtij programi.

Në programin e llotarisë amerikane DV 2021 u regjistruan 128,871 shqiptarë me 112,015 anëtarët më të afërt të familjes, d.m.th. 240,886 gjithsej. Në shkallë botërore përzgjidhen 55,000 persona që aplikojnë. Sipas statistikave më të fundit të vëna në dispozicion nga Departamenti Amerikan i Shtetit, gjatë programit DV të vitit 2018, u përzgjodhën 4,484 shqiptarë.

Është e rëndësishme t’ju kujtojmë që fakti që jeni përzgjedhur nuk është garanci që do të merrni vizën. Që të merrni vizën DV për të emigruar në Shtetet e Bashkuara, duhet që të përmbushni të gjitha kërkesat për kualifikim që parashikon ligji amerikan.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është kieranboth@verizon.net

Please follow and like us: