Fadil Sahiti: Aristoteli dhe koncepti për skllavërinë
Aristoteli njihet për konceptet e tij elusive, të kondensuara, të paqarta dhe jo lehtë të kuptueshme. Njëri prej tyre është koncepti për skllavërinë.
Çfarë do të thotë për Aristotelin të jesh skllav, ose kush, sipas tij, është një skllav i natyrshëm?
Së pari vlen të përmendet se ai nuk besonte se, meqenëse praktikohej kudo në antikitetin e lashtë, skllavëria është e natyrshme; ose se lufta dhe okupimi justifikojnë skllavërinë dhe se rrjedhimisht robërit e luftës janë skllevër natyralë. Ai gjithashtu e mohonte konstatimin se kush nuk është grek është skllav, pasi sipas tij nuk ka karakteristika racore dhe etnike që e bëjnë dikë skllav natyror. Me pak fjalë, edhe pse mund të duket kontraverze, Aristoteli e thotë qartë: ‘natyra mund ta ketë si qëllim, por nuk e determinon skllavërinë (Politika, pjesa e 6 & 7).
Nëse as lufta, as raca, as etnia, as edhe natyra nuk e skllavëron njeriun, derivat i kujt mund të jetë kjo e keqe njerëzore?
Skllavëria, thotë Aristoteli, është produkt i njeriut, i botës së tij të brendshme. Atributi i parë dhe kryesor i skllavërisë është paaftësia dhe mungesa e kapacitetit për të sunduar veten, për të “zaptuar” pasionet tona të shfrenuara. Njeriu mund të bëhet skllav, por edhe zot i vetvetes vetëm nga brenda tij. Vetëm kur arrijmë të ndërtojmë një lloj hierarkie të brendshme shpirtërore dhe psikologjike, në krye të së cilës është aftësia për vetëkontroll dhe vetëpërmbajtje, vetëm atëherë bëhemi të lirë. Hierarkia shpirtërore manifestohet në inteligjencë dhe kapacitet racional. Pikërisht kjo hierarki bën diskriminimin, bën ndarjen e njerëzve në skllevër dhe të lirë.
Në një tjetër libër të tij (Metafizika f. 1), Aristoteli thotë se “të gjithë njerëzit kanë dëshirë të dinë” …, por jo të gjithë ia dalin mbanë. Vetëm një pakicë mund të jetë e lirë, thotë ai, pasi jo të gjithë kanë aftësinë për të krijuar hierarki të larta shpirtërore. I lirë mund të jetë një grup i vogël, një elitë intelektuale që arrin të marrë edukatë dhe dije superiore.
Nëse e përkthejmë konceptin e skllavërisë së Aristotelit në jetën tonë reale, atëherë ndoshta mund të thuhet se skllevër janë të gjithë ata që ia kanë falur mendjen dhe shpirtin qoftlargut, qoftë për para apo për ndonjë arsye tjetër perverse. Këtu mund të futen ata profesorë dhe mësues të cilët nuk shqetësohen kur tregtojnë dijen dhe integritetin e tyre për një grusht para apo pozitë institucionale. Këtu mund të futen politikanë autokratikë dhe populistë të cilët, për të fituar pushtetin, pastrohen nga skrupujt moralë. Andaj edhe nuk e kanë problem të flirtojnë me gangsterë të ndryshëm ekonomikë, me matrapazë dhe idiotë fetarë që komercializojnë idetë humaniste për qëllime politike. Mund të futen të gjithë ata mjekë, doktorë që për qëllime komerciale, drejtpërdrejt dhe jodrejtpërdrejtë, bëhen shkaktarë të vrasjes së njerëzve. Mund të futen gazetarë dhe analistë të zhurmshëm, puthadorë e mafiozë, që e tradhtojnë misionin e tyre për qëllime mercenare.
Sigurisht, lista e skllevërve mund të jetë shumë më e gjatë…
Please follow and like us: