Albspirit

Media/News/Publishing

Artur Spanjolli: Dante dhe Beatriçja

Nuk është historia e Helenës së Trojës, as ajo e Antonjos dhe Kleopatrës, as e Tristanit dhe Isotës, as e Lançilotos dhe as ajo e Romeo e Xhuljetës, por nga kjo histori e hidhur dhe e pafat do të lindte një nga kryeveprat e letërsisë botërore ‘Komedia Hyjnore’.
Sipas studimeve dhe hulumtimeve të mia, Beatriçja ka ekzistuar vërtetë (ajo ka edhe varrin brenda Kishës së Dantes) dhe ky i fundit, kur pohon se e ka parë veç dy a tri herë, nuk thotë aspak të vërtetën. Ndoshta i shtyrë nga një ndjenjë inferioriteti në dashuri, ndjenjë turpi apo frustrimi, këtë gjë nuk mund ta dimë kurrë saktësisht, por ai e ka parë atë, Biçe Portinarin, shumë herë, sepse e kishte veç 30 metra larg shtëpisë së tij. Ata ishin fëmijë lagjeje ose komshinj, siç mund të shpreheshim shqiptarçe.
Ai me siguri shkëndijën e parë dashurore e ka përjetuar kur ishte fare i njomë. Rreth 13-14 vjeç. Nëntë vjeç, pohon Dante, ditën e 1 Majit, (Calendimaggio) në një festë ku ai ishte i ftuar. Në atë të pranverës, për të qenë më të saktë, e cila zhvillohej në kopshtin e pallatit të Beatriçes. Por Dante ishte i fiksuar me numerologjinë dhe sidomos me numrin 9. Ndaj ai e përsëriti atë duke e mbledhur me të njëjtin numër dhe thotë se herën e dytë kur ai pa vajzën e bukur, ai ishte 18 vjeç. Dante do të na mbushë mendjen se numerologjia e shenjtë ka të bëjë me fatin e tij shpirtëror. Numerologji të cilën aie ka ekzaltuar pastaj tek ‘Komedia Hyjnore’. 3/33/99+1. Ishte kjo e Dantes pra, një ndjenjë e fortë dhe e brishtë, e cila iu rrit gjithnjë e më shumë me kalimin e viteve dhe e cila pati disa pika kulminante. Disa trauma në vetvete. E para, kur ajo u martua. Fare e re. E dyta kur vdiq babai i Beatriçes dhe goditja më e fortë dhe përfundimtare kur ajo vetë, fare e re, tashmë e martuar që prej 6 vjetësh me Simone de Bardi, ndoshta 25 vjeçare, vdiq fare papritur. E mbylli jetën ndoshta gjatë komplikimeve në lindje o ndoshta për shkak të ndonjë infeksioni. Nuk dihet asgjë e sigurtë.
Edhe familja e Dantes kishte mirëqenje, por ajo e tij ishte një mirqënje fare modeste po ta krahasoje me pasurinë dhe madhështinë e familjes Portinari, brenda së cilës kishte lindur Beatriçja. Ato ishin aq me nam në qytetin e Firences, sa për Danten ishte tepër e vështirë t’i afrohej atyre. Folko, përveçse një tregtar i suksesshëm ai kishte edhe një shpirt të madh dhe ishte dorëlëshuar. Ai me paratë e tij kishte themeluar spitalin ‘Santa Maria Nuova’ dhe atë të jetimëve: Lo Spedale degli Innocenti. Ndaj për Danten të pretendonte Beatriçen, ishte njëlloj sikur sot një djalë i një familje modeste të dashurohej me vajzën e familjes Agnelli apo Berlusconi. Lidhja do të ishte e pamundur për shkak të nivelit shumë të ndryshëm shoqëror. Një arsye tjetër e fortë ishte se vajzat e dyerve të mëdha i fejonin që fëmijë me djemtë e familjeve të tjera të mëdha dhe fisnike për të ruajtur kështu pasurinë brenda rrethit të tyre. Që Dante adoleshent rrinte për orë të tëra me sytë e fiksuar nga dritaret e pallatit madhështorë të Beatriçes, kjo nuk ka asnjë dyshim. Ai shkruan tek “La vita nova” se e ka parë atë i dashuruar, vetëm në tre raste. Në Kishë, rrugëve kur ajo nuk e përshëndeti dhe kur vdiq babai i Beatriçes, Folko Portinari.
Por mendimi im është fare i ndryshëm…
Dante kishte dy frustrime, ndrydhje. I pari se ajo nuk i përgjigjej ndjenjave të tij dhe nuk kishte si të ishte ndryshe. Dante vetë ishte i fejuar me Xhema Donatin që kur ishte fëmijë. Dhe e dyta, se edhe Ajo, femra xhentile, plot me vyrtyte, hyjnorja pra, ishte e fejuar që e vockël, duke iu bindur kështu rregullit strikt të familjes së saj fisnike. Dikur, bindja kundrejt familjes quhej respekt i thellë i fëmijës ndaj prindërve. Në këtë humus pamundësie rritet, shumohet, shumëfishohet edhe ndjenja e Dantes për vajzën e idealizuar në ekstrem duke shkuar deri në pamundësi. Ja se si një moskonsumim sensual mund të shndërrohet në një kërkim pa fund, deri tek më sublimja fantazi njerëzore.
Dante e dinte ç bënte. Ai ishte pjesë e grupit poetik :Fratelli d amore.Të ashtëquajturit stilnovistë, të cilët i këndonin bukurisë ideale dhe dashurisë rromantike. Ata e himnizonin dhe e idealizonin femrën duke e ngritur atë në rrang qiellor. Por Dante jo thjeshtë e shfrytëzoi dashurinë e tij të pafat, e përdori pra atë si brum në magjen e tij krijuese. Ai e lartësoi atë duke e gjetur ngushëllimin veç tek hyjnorja.
Pra Beatricja ka ekzistuar, veç se dashuria për të nuk u konsumua kurrë nga i djeguri poet. Thelbi i këtij pasjoni, i kësaj dashurie të thellë , të dhimbshme dhe plot derte do të mbetej një peng kozmik. Një brengë e pa shlyer. Një orgazmë e mohuar. Por duhet thënë, më mirë që ndodhi kështu për mbarë njerëzimin. Nëse Dante do të martohej me të, ndoshta ai kurrë nuk do të shkruante gjithë ato gjëra aq të bukura që shkroi. Krijime plot shpirt dhe emocjon, pathos dhe thellësi. Nuk do të bënte dot magji me fjalët. Torturuese dhe plot pikëllim, ajo histori e pafatë veç ia helmoi shpirtin e ndjeshëm poetit gjatë moshës 14 – 28 vjeç. As edhe martesa e tij me zonjën Xhema Donati, as edhe 4 fëmijët, asgjë nuk mundi t ia faniste nga mëndja Dantes dashurinë kozmike për Beatriçen. Një figurë e idealizuar aq shumë në deliret e pagjumësisë së Dantes sa ai u sëmur në shpirt. Tek librat, tek studimet, ai kërkonte të gjente ngushëllimin, përgjigjet për pyetjet e pafunda. Përgjigje të cilat ai i gjeti vetëm tek filozofia hyjnore kristjane. Ç’donte të thoshte: të sëmureshe në shpirt për Beatriçen? Ai mbyllej në dhomë me shpirtin plot lotë dhe zi, rrinte në heshtje dhe mendonte veç për të. Obsesjoni i tij për vajzën e pamundur ia bënte gjakun ujë dhe ai i kaloj të gjitha fazat e dashurisë platonike duke menduar intensivisht për të.
Nga lumturia iluzore, kur ajo i buzëqeshi dikur në ecje, ai i dehur krejt nga ngazëllimi, filloi të qante si i tërbuar. Plot me ngashërim lumnor, përgjatë lumit Arno, Dante ndjehej falë lumturisë, sikur të ishte ai i ringjalluri në ditën e tretë pas kryqëzimit gjatë kohëve të pashkës, dhe jo vetë Krishti. Me kalimin e javëve, ankthi dhe padurimi për ta parë akoma vajzën e ëndërrave të tij, rritej e rritej. Pastaj erdhi çasti i rrëfimit intim që i bëri shokut më të ngushtë. Guido Cavalcantit. Më pas, tentativat e tij për ta parë sërisht veç shtoheshin. Dante përdorte të gjithë dinakërinë në dispozicjon , në mënyrë që të mos binte në sy me shprehjen e tij të trishtë dhe të sëmurë, me ecjen prej të rrahuri, tek shkelte kalldrëmin pranë pragut të shtëpisë së Beatriçes. Më në fund ai ra në sy dhe njerëzia aty përqark. Gratë pa punë nëpër dritare, dyqanxhinjtë të cilëve nuk i shpëtonte asgjë, adoleshentët e rrugës që loznin aty përreth, sapo e kuptuan, filluan të talleshin nga pak duke fshehur fytyrën. Qeshnin, sapo e shikonin kur ai kalonte me zemrën e ngrirë nga fiksimi. “Shiko si i digjet shpirti atij të shkretit për atê vajzën e bukur e cila nuk e përfill”?! Dantes aq i bënte. Verën e kaloi si e kaloi por më pas erdhi vjeshta dhe trishtimi pa skaj, i cili ia pushtoi shpirtin krejt, nuk rreshtte. Gjethet e vjeshtës, era e marrë dhe trishtimi, lagështira dhe era e shurdhët e tetorit ia mbushnin shpirtin me mall sfilitës. Ajo nuk dilte më dhe ai dëshironte me aq zjarr ta shihte akoma. Pastaj shpirti iu mbush me dhimbje. Dhimbja e të dëshpëruarit. Dhimbje e cila u shndërrua në një ndjesi vdekje dhe harrimi. Iduhej t’a harronte. Nuk kishte zgjidhje tjetër. Ndaj i vuri një gurë të rëndë zemrës dhe filloi të ecë drejt vetmisë, harresës , studimeve. Luftoi, iku nga qyteti. Iu fut politikës. Më në fund, eshe pse i martuar, plot me detyra familjare, impenjime politike, me kohën që ia gëlltisnin studimet, ai, kurrë nuk arriti ta çrrënjoste nga kujtesa e tij atë eksperiencë hyjnore nga një krah por edhe traumatike nga ana tjetër. Tronditja dashurore do ta damkoste atë përherë me vulën prej hekuri të nxehtë në mish të gjallë.
Ky ishte Dante deri në moshën 26 vjeç kur Beatriçja vdiq. Ajo ishte akoma fare e re, veç 25 vjeçe.Ndaj dhjetvjecari i fundit përpara shekullit të ri, e gjeti Danten krejt të rrënuar shpirtërisht. Ai tashmë as nuk kishtè më mundësi ta shihte atë akoma. Nëse më parë ai mund të shpresonte ta shihte ndonjëherë, – Beatriçja ishte martuar me Simone de Bardi dhe ishte tashmë edhè nënë, – ndërsa tani, me dëshpërimin dhe fiksimin në kokë e kishte humbur çdo shpresë të jetontè nën hijen e një dashurie kaq të madhe. Ajo kishte ikur përgjithnjë, drejt së panjohurës. Pas disa vitesh, edhe Dante vetë do t’ia mbathte nga Firenze i dëbuar përjetësisht nga armiqtë e tij. Guelfët e zinj.
Shekulli i ri e gjeti poetin Dante me tre derte, gjëma mbi krye. 1. Dëbimi pa nder, përkundrazi, me poshtërim nga Firence, si njeri i korruptuar, i pamoralshëm dhe dallaveraxhi gjatë funksjonit si (Priore), Kryebashkiak në Firence. 2.Humbja e të gjitha të mirave materiale që zotëronte në qytet. Shkatërrimi i familjes së tij (më pas djemtë do ta ndiqnin në mërgim nga pas) dhe ajo kryesorja: 3. Humbja në dashuri. Ai nuk do ti shihte më kurrë vendet e dashurisë. Rrugët të cilat ai i deshi aq shumë sepse aty shkeli dikur këmba ebardhë e dlirë dhe hyjnore e Beatriçes. Imagjinoni dhimbjen dhe dëshpërimin e këtij burri shteti. E këtij eruditi me kokēn plot me diejni, plot me njohuri, plot me ndjenja, me emocione, me dashuri, me intuicione, me mendime gjeniale… come sa di sale il pane altrui, e scendere e salire le altrui scale…
Please follow and like us: