Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Forcim Softa: Tërmetet dhe objektet e larta

Rajoni ynë është i bukur, por i egër, me dukuri si përmbytjet, tërmetet, rrëshqitjet e dherave, zjarret, që mund të shkaktojë një emergjencë të madhe.

Ndikimi i këtyre rreziqeve mund të shkaktojë dëmtime në ndërtesat tona, në infrastrukturë, në diga, si dhe rrezik për sigurinë e njerëzve dhe pronës. Meqënëse standardet inxhinierike dhe marrëdhënia e tyre me aktivitetin sizmik kanë qenë shqetësim për më shumë se një shekull, në dekadën e fundit janë bërë hapa të rëndësishëm në lidhje me rezistencën e ndërtesave ndaj tërmeteve. Ngjarja sizmike con në përsosjen e mëtejeshme të projektimit antisizmik. Të dhënat e mara pas tërmetit janë një pasuri e madhe për kodet sizmike të projektimit të strukturave ndaj tërmetit. Kur inxhinierët projektojnë dhe ndërtojnë objekte, ata vlerësojnë medota si të zvogëlojnë rreziqet. Zbatimi i kodeve të projektimit dhe zbatimit është një detyrim për ndërtuesit dhe organizmat shtetërorë. Përvec kodeve ndërkombëtarë të ndërtimit që rregullojnë projektimin, zbatimin dhe mirëmbajtjen e ndërtesave ekzistojnë edhe kode sizmikë lokalë. Tek ne mungojnë dhe për këtë arsye, duhet punuar shumë në këtë drejtim.

Shumë kode projektimi në botë që pranoheshin të sigurtë 25 vite më parë, tani janë provuar që nuk janë efektive në mbrojtjen nga tërmetet. Eurokodet janë përkthime të kryera nga grupe private, të cilët kanë fituar tenderin. Mbetet për t’u bërë një punë e madhe për përcaktimin e parametrave kombëtarë. Një proces shumë i rëndësishëm ky, që kërkon një impenjim ndërdisiplinor, vecanërisht të specialistëve të Institutit të Gjeoshkencave, të Fakultetit të Inxhinierisë dhe shoqatave të ndërtimit.

Ekziston një dallim thelbësor midis projektimit të një ndërtese dhe medotave të zbatimit. Projektimet e avancuara që synojnë t’u rezistojnë tërmeteve janë efektive, vetëm nëse përdoren medodat e duhura të zbatimit dhe cilësia e materialeve (cimento, hekuri, marka betoni). Projektimi rezistent ndaj tërmeteve zakonisht përfshin “duktilitetin” (aftësinë e ndërtesës për t’u përkulur pa u shembur). Një ndërtesë duktive është në gjendje të përkulet nga verprimi i forcave horizontale dhe vertikale. Në dekadat e fundit, ndërtesat e larta kanë ngjallur interes në shumë vende të botës, ku toka është e paktë, ku ka benefite ekonomike, qëndrueshmëri dhe përfitime të tjera. Kodet e ndërtimit janë standard që drejtohen nga shkenca dhe miratohen nga qeveria. Ato rishikohen vazhdimisht nga institucione shtetërore, pasi shkojnë drejt përmirësimit të vazhdueshëm.

Nga përvoja botërore ka institucione të specializuara, që tek ne mungojnë. Disa ndërtesa të projektuara para vitit 1990 nuk i rezistojnë mirë tërmeteve. Padyshim që ka shumë studime për të përmirësuar rezistencën ndaj tërmetit në këto ndërtime. Nga përvoja botërore për ndërtesat e vjetra nuk ka ligj të rikonstruktohen në përputhje me kodet sizmike të fundit. Kjo është e pamundur, pasi ridimensionimi i elementëve të strukturës (kolona, trarët, themelet) ndryshon sipërfaqen e banimit dhe kosto është pothuajse sa ajo e ndërtimit. Forcat sizmike për të cilat inxhinierët projektojnë, janë propocionale me peshën e ndërtesës. Kjo do të thotë që një strukturë e rëndë mund të projektojë një forcë më të madhe nga tërmeti.

Zgjidhjet duke përforcuar strukturën shoqërohen shpesh me rritjen e peshës dhe ngurtësisë së ndërtimit ekzistues. Për këtë arsye, rriten forcat sizmike që veprojnë, gjë që dëmton akoma më shumë aftësinë mbajtëse nga veprimi sizmik. Shumica e njerëzve mendojnë se ndërtesat e ulta janë më rezistente. Për shkak të lartësisë së vogël të ndërtesës së ulët ka një afërsi të qendrës së gravitetit të saj me valët sizmike, gjë që e bën atë më të dëmtuar. Ndërtesat e larta janë më të forta, jo për shkak të teknologjisë së përparuar, por si rezultat i projektimit specifik inxhinierik. Sa më e lartë të jetë struktura, aq më fleksibël është dhe aq më pak energji duhet për ta mbajtur atë të mos shembet nga lëkundjet e tokës. Normalisht zhvendosjet nga lëkundjet do të jenë shumë të ndjeshme në katet e sipërme në godinat e larta. Për ta bërë më praktike të kuptuarin, po i referohem një dukurie. Mund të ndjeni të njëjtin fenomen ndërsa jeni duke udhëtuar në një autobus në një rrugë me gropa. Kërkohet më pak përpjekje për të qendruar në këmbë sesa me trupin e përkulur. Objektet e larta amerikane janë të ndërtuara zakonisht me një bërthamë betoni, gjë që i reziston forcës sizmike të një tërmeti. Në ndërtimet e larta japoneze, zakonisht përdoren trarë dhe kolona metalike me diagonal, që shërbejnë si amortizatorë. Tërmetet me magnitudë mbi 6 nuk janë të pazakonta në Shqipëri. Për tre arsye tërmeti nuk shkakton dëme të mëdha:

1) kur epiqendra e tërmetit është në det. Për këtë arsye, valët sizmike dobësohen kur arrijnë në zonën e banuar. Ky fenomen ndodhi me tërmetin e fundit në Durrës.

2) Kur struktura gjeologjike e zonës shkakton zbritje të shpejtë të forcave nga valët sizmike dhe

3) Kur teknika e projektimit dhe zbatimit të ndërtimit është cilësore, duke përdorur eurokodet.

A është ndërtesa juaj e sigurtë pas një tërmeti?

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje duhet të dihet sesi reagon ndërtesa ndaj tërmetit. Këtë e tregojnë “sensorët” që vendosen në ndërtesë dhe vlerësojnë automatikisht, nëse ka dëmtime të fshehta. Sensorët mund të paralajmërojnë njerëzit për dëmtimet e fshehta, që mund të jenë vdekjeprurëse. Ato nuk zëvendësojnë inspektimet e ekspertëve, por shërbejnë si një e dhënë, që ekspertët ta përdorin për t’i dhënë përparësi punës së tyre në orët dhe ditët pas një tërmeti të fortë. Për të vlerësuar efektivitetin e tyre po i referohem një rasti të ndodhur në Meksikë, për tërmetin e vitit 2017. Në një ndërtesë të rëndësishme që u dëmtuar nga tërmeti, punonjësit u futën pas 50 minuta, pasi ndaluan lëkundjet. Në këtë kohë objekti shembet, duke pasur pasoja, pasi dëmtimet e strukturës ishin të fshehta dhe nuk u dalluan nga specialistët. Sasia e dëmit që shkakton tërmeti është në funksion të vendimeve të marra nga politika, inxhinierët dhe drejtuesit e biznesit. Vëmendje e vecantë i kushtohet metodave të projektimit të kodit për ndërtesat me pajisje të izoluara në bazë.

Japonia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dy nga vendet me teknologjinë më të përparuar në botë, kanë të njëjtin problem: si të mbrojnë njerëzit nga tërmetet. Megjithatë, ata janë përgjigjur në mënyra të ndryshme një shqetësimi të tillë. Japonia nëpërmjet standardeve të saj ndërton struktura të forta, të afta të përballojnë tërmetin dhe të vihen në funksion menjëherë. SHBA vendosin një standard minimal dhe më pak mbrojtës. Industria amerikane e ndërtimit e sheh izolimin në bazë si një masë të shtrejtë. Izolimi në bazë është zbatuar me sukses në një pallat 8 katësh në Tiranë.

A është e mundur që ndërtesat e lartë të preken nga era?

Përgjigja e shkurtër është “PO”. Sa më e lartë të jetë ndërtesa, aq më e ndjeshme është ndaj ngarkesave të erës. Pramdaj, paralelisht me studimet sizmike, Instituti i Gjeoshkencës duhet të punojë edhe për standardet e erës, që ndikojnë mbi banesa. Arkitektët marrin një rol të rëndësishëm në projektimin e objekteve që t’u rezistojnë tërmeteve. Shumica e shkollave të arkitekturës japin koncepte themelore për vlerësimin sizmik, gjë që në Fakultetin e Arkitekturës në vendin tonë duhet të përmirësohet. Përgjegjësia për projektimin në zonat sizmike shtrihet përtej kontributit të inxhinierit strukturor. Praktikisht struktura mbajtëse është më e rëndësishme për jetën e njerëzve sesa estetika. Përmirësimi i sjelljes sizmike të një ndërtese duhet të jetë përparësia e arkitektit. Në praktikën e zakonshme në ditën e sotme duket se zgjidhja e strukturës i lihet arkitektit dhe provat e sigurisë i lihen strukturistit. Kjo qasje është joefektive dhe duhet të traktohet si model i vjetër.

Konfiguracionet e parregullta të ndërtesave karakterizohen nga variacione në lartësi, duke i dhënë ngushtime dhe zgjerime. Kjo gjë është e rrezikshme, pasi con në shpërndarje të masave dhe ngurtësive në mënyrë jouniforme. Planimetritë e ndërtesave me pjesë të futura dhe të dala nuk janë të preferuara, pasi shkaktojnë reagim sizmik të pafavorshëm. Është e këshillueshme që strukturat të kenë forma të thjeshta dhe të rregullta, si në plan, ashtu edhe në lartësi. Kjo kërkon që arkitekti të frymëzohet nga arkitektura e vendeve që kanë veprim sizmik. Deri më tani, oponencat e projekteve janë opinione, që në përgjithësi kanë përmbajtje përshkrimore dhe nuk parandalojnë mangësitë e strukturave. Në vecanti, për objektet e larta kërkohet një vlerësim më profesional, që mund të arrihet nëpërmjet “kontrollit teknik të projektit”, që në shumë vende bëhet nga ekipe shumë të kualifikuara pranë shoqërive të sigurimit. Janë këto të fundit, të cilat që në projekt vlerësojnë riskun dhe marrin parasysh dëmin financiar.

Duhet vlerësuar kontrolli i plotë i projektit nga specialistët, pasi ndihmon që të shmanget çdo gabim teknik, qoftë edhe njerëzor, duke iu dhënë kështu më shumë siguri qytetarëve për banesat që blejnë.

Mendimet e dhëna në këtë artikull, që janë të bazuara në përvojën botërore, mendoj se do të vlejnë për të njohur dhe përmirësuar punën në projektim dhe ndërtim, veçanërisht në objektet e larta që ndërtohen në zonat sizmike.

Please follow and like us: