Bujar Llapaj, ambasador i denjë i artit dhe kulturës shqiptare në Kanada
Edhe pse virtuale, në platformën Zoom, mbremja e të Shtunës së kaluar, 23 Tetor, organizuar nga Shoqata Shqiptare në British Columbia “Eaglesland”, e titulluar “Një mbrëmje me Maestro Bujar Llapaj”, ka qenë e përkryer në çdo aspekt. Treshja simpatike që drejton shoqatën, Ardian Lagji (kryetar), Ardita Fishta (zv.kryetare), Edison Heba (sekretar), të mbështetur dhe nga themeluesi i shoqatës Estref Resuli e veprimtarë të tjerë, meritojnë vërtet të vlerësohen sërish, jo vetëm për këtë aktivitet, por për gjithçka kanë mundur të bëjnë me përkushtim deri më sot, për mbajtjen gjallë të frymës kombëtare në komunitetin shqiptar të provincës më të largët kanadeze buzë Paqësorit dhe përfaqësimin me dinjitet të shqiptarëve në shumë aktivitete multikulturore që zhvillohen atje.
Në mes të atij komuniteti të vogël në numër mbase, por shumë cilësor, spikat mbi të gjithë emri i dirigjentit të shquar shqiptar, Maestro Bujar Llapaj, i cili mund të cilësohet pa as më të voglin dyshim, një ndër ambasadorët më të denjë të artit dhe kulturës shqiptare jo vetëm në Kanada, por edhe më gjerë. I vendosur prej gati dy dekadash bashkë me familjen në British Columbia, pas disa vitesh bashkëpunimi si dirigjent, në vitin 2007, Maestro Bujari u zgjodh mes disa kandidatëve në një votim të të gjithë muzikantëve, Dirigjent Kryesor i West Coast Symphony Orchestra në Vancouver, rol të cilin vazhdon ta kryejë edhe sot. Sivjet Maestro u emërua edhe Drejtor i Muzikes dhe Dirigjent i Ambleside Orchestra në North Vancouver.
Falë tij, është krijuar një lidhje e veçantë mes West Coast Symphony Orchestra dhe shqiptarëve. Kjo orkestër jo vetëm ndihmon me fondet e mbledhura nga koncerte bamirësie një numër të rinjsh shqiptarë të studiojnë muzikë (në zonën e Gjirokastrës ku ndodhet dhe vendlindja e dirigjentit Bujar Llapaj) por gjithashtu ka zhvilluar edhe dy turne koncertesh në Shqipëri dhe në trojet shqiptare. Një pikë kulmore e këtij bashkëpunimi mbetet 1 Korriku 2012, kur me rastin e Canada Day, kjo orkestër interpretoi në Tiranë. Gjatë mbrëmjes u mësua dhe fakti që tashmë ka filluar të mendohet dhe punohet për organizimin e turneut të tretë në Shqipëri.
Pjesëmarrësit në takimin e të Shtunës dedikuar Maestro Bujarit, nuk e kuptuan si kaluan katër orët e planifikuara. Takimi pati një ndërthurje fjalësh prezantuese, përshëndetëse, fragmentesh muzikorë (të cilat përcollën emocione krejt të veçanta) dhe këmbim mendimesh e pyetje-përgjigje mes auditorit dhe dirigjentit të shquar. Pjesa qëndrore ishte konceptuar si një bashkëbisedim mes Maestros dhe publicistit e shkrimtarit të mirënjohur Vangjush Saro, një tjetër figurë eminente e komunitetit shqiptaro-kanadez në Vancouver.
Në bashkëbisedimin e bukur muzikant-shkrimtar, të pranishmit u njohën me detaje të spikatura nga jeta, formimi dhe karriera e pasur artistike e Maestro Bujarit. Sigurisht çelësi i suksesit të tij mbeten talenti i madh dhe puna e jashtëzakonshme, por ai me mirënjohje nuk ka harruar të përmendë pedagogë me emër apo figura të shquara të artit, që kanë qenë udhërrëfyes në rrugëtimin e tij të gjatë nga koha kur erdhi nxënës në Tiranë e deri te medalja e artë e fituar në përfundim të specializimit në Francë si: Aleko Kareco, Vangjo Nova, Anxhela Antoniu, Roland Çene, Thoma Gaqi, Gjon Simoni, Rifat Teqja, Feim Ibrahimi, Çesk Zadeja, Tonin Harapi e Ibrahim Madhi.
Përveç 3 drejtuesve të shoqatës, Ardian Lagji, Ardita Fishta dhe Edison Heba (Konsull Nderi i RSH në British Columbia), në takim përshëndetën gjithashtu Presidenti i West Coast Symphony Orchestra, Paul Mc Ewen, Ambasadori i Shqipërisë në Kanada, Ermal Muça, botuesi i portalit shqiptaro-kanadez Flasshqip, Taulant Dedja (ish-student i Maestros), sopranoja e shquar Inva Mula, pianisti Genc Tukiçi, poetja nga Vancouver Armenida Qyqja si dhe Anila Erindi, ish-kryetare e Shoqatës Kulturore Shqiptare në Montréal dhe kandidate për këshillin e Bashkisë Montréal në zgjedhjet e 7 Nëntorit 2021.
E përbashkëta e vlerësimeve për Maestro Bujarin, nuk iu referua vetëm suksesit të tij si artist, që i bën nder kombit, artit, kulturës shqiptare, komunitetit të artistëve shqiptarë në Kanada dhe gjithë Diasporës shqiptaro-kanadeze, por edhe tipareve të spikatura të personalitetit të tij prej humanisti atdhetar dhe intelektuali të angazhuar, që nuk ka rreshtur kurre të thotë me guxim fjalën e tij në favor të një Shqipërie më të mire.
Sigurisht, në rastin e artistit të madh Bujar Lllapaj (por edhe të disa figurave të tjera të shquara të Diasporës shqiptaro-kanadeze) ka edhe një element tjetër që “spikat”, por që nuk ka lidhje me të. Në rastin e tij të pëllcet sytë papërgjegjshmëria e strukturave të shtetit shqiptar që pa pikë kriteresh e hierarki vlerash, shpërndajnë pa ndalim majtas-djathtas dekorata, apo tituj “ambasador kombi”, për lloj-lloj mediokrish dhe “harrojnë” vlerat e vërteta, që kurrë nuk bëhen yes-man-ë të qeverisë së radhës. Shpresojmë që aktiviteti i të Shtunës t’i bëjë disa t’i brejë ndërgjegja për të korrigjuar sadopak diçka në të ardhmen.
©Flasshqip.ca