Vangjush Saro: Ditë vere në kohë dhe fëmijëri të ndryshme
Duke parë fotot e fëmijëve të fëmijëve, në pishinë, në det, në park, në tenis, në futboll – edhe ato familjare, në Meksikë, etj. – vetiu mediton për kohë e fëmini të ndryshme. Nga ne, kush ishte me fat, shkonte në ndonjë kamp pionierësh; (ishin në Durrës, Pogradec, Velipojë, Dajt, etj.) Ndonjëherë na mblidhin kampet lokale; (organizoheshin në hijet e Pandës dhe të Fabrikës së Birrës). Në këto kampe, paraditet shkonin me ndonjë film te kinema “Morava”, mbasditet me lojëra gjithfarë. Ndonjëherë, ishte mërzi. (Aty s’luaje dot me cingla apo te shtyje rrethin prej teli a teneqeje me një dorezë. Etj.)
Por… rëndom vera jonë kalonte në rrethinat e qytetit, në një shtegtim të përditshëm, që fillonte me një copë bukë me sheqer dhe… ujë ose vaj ulliri; ndonjëherë djathë e domate, shumë rrallë gjalpë e reçel. Bëheshim pesë a gjashtë shokë, që pothuaj gjithë kohës ishim bashkë. Ndalesa e parë bëhej te Panda, ku “krihnim” tavolinat për të gjetur ndonjë lek. Pastaj te Çezma e Shetros. Rrugës lëshoheshim nëpër manaferra ose për kokrra murrizi; (ne iu thoshim murizka). Gjuanim zogj me llastiqe (pse ajo egërsi?) e, ndonjëherë, provonim pellgjet me ujë (hauzet e Mborjes); ne iu thoshim pritka. Por duhej të përballnim rojet (iu thoshim pojak) që ishin shumë të frikshëm.
Nga dreka, mblidheshim diku. Në vapë, ishte koha për domino, yç, letra (ndonjëherë edhe me lekë); pastaj dreka. Më tej, Radio Praga, që transmetonte çdo ditë këngë italiane për emigrantët italianë kryesisht në Gjermani. Mbasdite futboll, ndonjëherë derisa errej. (Por jo me top prej lecke, siç shkruan një bashkëmoshatar, për të “prekur” ata që janë të gatshëm ta përfytyrojnë atë kohë vetëm me tela me gjemba dhe njerëz të rreckosur. Kish pasur topa prej lecke deri në fund të viteve ‘50. Më vonë, luhej me topa llastiku; një lloj prej tyre, mbaj mend, ishte mesatar dhe kushtonte 45 lekë. Kur shpoheshin, i ngjisnim (iu vinim pullë) te biçikletari. Por ndërkohë, gjendeshin edhe topa futbolli. Në fillim, ata ishin me komardare. I frynim me pompën e biçikletës, ndoshta edhe me frymë dhe pastaj ua mbyllim “grykën” me fije, sikur këpucët.)
Që ta mbyll këtë meditim, ne ishim fëmijë (përgjithësisht) të lumtur. Si të thuash, shkonim kundër kohës, e gjenim lojën, mëvetësinë, ëndrrën. Në fakt, e pamë që u ndalua boksi, u ndalua feja, po shtohej fukarallëku; por ende s’kishim informacion për burgosjet dhe internimet… Më vonë do të kuptonim që ajo jetë ishte bardh’ e zi; e, për disa shtresa, për fat të keq, ndoshta vetëm zi…
Fëmini të ndryshme, në kohë të ndryshme. Çdonjëra ka ngjyrat, hijet dhe vlerat e veta