Owen Matthews: Plani i Vladimir Putinit për Ukrainën…
“The Spectator”
Mesazhi i Vladimir Putin ishte po aq i qartë dhe i njohur, sa edhe metoda e tij e veprimit. Kremlini ka nisur një të kryejë një tjetër grumbullim të madh të trupave përgjatë kufirit me Ukrainës. Arsyeja? Hakmarrja.
Muajin e kaluar, presidenti ukrainas Volodimir Zelenskiy shkoi në Uashington për të ripërsëritur kërkesën e tij, që Ukraina të lejohet t’i bashkohet NATO-s. Shfaqja masive e forcës ushtarake – e dyta për këtë vit – e nxiti Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken të paralajmërojë aleatët e tij evropianë, se Rusia po tregon shenja të rrezikshme, se ka ndërmend të pushtojë fqinjin e saj më të vogël në jug të kufijve të saj.
“Shqetësimi ynë është se Rusia, mund të bëjë gabimin serioz duke tentuar të ripërsëritë atë që bëri në vitin 2014, kur grumbulloi forca përgjatë kufirit, kaloi në territorin sovran të Ukrainës, dhe e bëri këtë duke pretenduar në mënyrë të gënjeshtërt se ishte provokuar”– u tha të premten Blinken gazetarëve.
“Ne nuk jemi të qartë mbi qëllimet e Moskës, por e njohim mënyrën sesi mendon dhe vepronajo”- theksoi Blinken. Ndërkohë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, këmbënguli të premten se Rusia “nuk përbën ndonjë kërcënim për askënd”, dhe akuzoi vendet e NATO-s për “veprime provokuese”.
Por imazhet satelitore tregojnë të kundërtën. Rusia ka ndërmarrë një lëvizje të madhe të trupave tokësore, njësive të blinduara, tankeve dhe artilerisë vetëlëvizëse, të cilat po grumbullohen në periferi të jashtë qytetit Yelnya, afër kufijve të Rusisë me Bjellorusinë dhe Ukrainën.
Herën e fundit që Putin kreu të njëjtën manovër, ishte në marsin e këtij viti. Asokohe synimi i tij i dukshëm, ishte t’i dërgonte një mesazh të fortë administratës Biden, se ai nuk do të toleronte ndërhyrjen e Perëndimit në Ukrainë, dhe ndoshta më e rëndësishmja, se ai nuk pranon që të injorohet.
Gjatë fushatës së tij, Biden premtoi se do ta detyronte Rusinë që të paguante për sjelljet e saj të këqija, si ndërhyrja e supozuar në zgjedhjet presidenciale të viteve 2016 dhe 2020 në SHBA, tentativa për vrasjen e politikanit të opozitës Alexei Navalny dhe sulmet kibernetike ndaj infrastrukturës strategjike të Amerikës.
Pas disa javësh shqetësim nga kryeqytetet perëndimore, Putini i tërhoqi trupat e tij. Por ajo lëvizje, u duk se funksionoi. Putin mori atë që donte:një takimin kokë më kokë me Biden në Gjenevë në muajin qershor. Dhe Biden hoqi pa dëshirë sanksionet e planifikuara kundër gazsjellësit thuajse të ndërtuar nga Gazprom, Nord Stream 2, përballë mungesës së energjisënga vendet evropiane.
Atëherë, pse Putin ka zgjedhur këtë moment për të luajtur sërish në të njëjtën formë? Një shkak, është kriza e përshkallëzuar e refugjatëve në kufirin Bjellorusi-Poloni. Varshava ka vendosur në kufi trupa ushtarake për të penguar depërtimin e mijëra emigrantëve, të cilët janë inkurajuar zyrtarisht nga aleati i Putinit, Alexander Lukashenko, që të tentojnë të hyjnë në BE.
Edhe pse kryeministri polak Mateusz Morawiecki, fajësoi javën e kaluar Putinin për “orkestrimin” e krizës, nuk është e qartë nëse ideja e përdorimit të emigrantëve si një armë – ashtu siç ka bërë Turqia vitet e fundit – ka erdhur nga Kremlini apo nga vetë Lukashenko.
I qartë është fakti se Putin i ka dërguar regjimit në Minsk mesazhe të forta mbështetjeje, në formën e avionëve bombardues strategjikë, me aftësinë e lëshimit të armëve bërthamore, të cilët kanë nisur patrullimin e hapësirës ajrore të Bjellorusisë.
Por një arsye më e mundshme për shfaqjen e fundit të forcës, është një kombinim i zemërimit ndaj vizitës së Zelensky në Uashington, e shoqëruar me një mbështetje të shtuar ushtarake të SHBA për Ukrainën, dhe një ndjenjë e re vetëbesimi që ekziston tanimë në Kremlin.
Vendimi i administratës Biden për të hequr dorë nga sanksionet mbi “Nord Stream 2”, ishte një fitore e madhe strategjike për Putin. Jo vetëm sepse paralajmëroi një rritje të varësisë energjetike të BE-së nga Rusia, por edhe sepse shkaktoi zhgënjim midis BE-së, Kievit dhe Uashingtonit.
Çmimet e larta të gazit natyror, nxorën në pah se sa shumë ka nevojë Evropa për gazin rus, në një kohë kur po përpiqet të eliminojë termocentralet me qymyr, për të përmbushur qëllimet në luftën kundër ndryshimit të klimës. Brenda vendit, zgjedhjet parlamentare të shtatorit i ri–dhanë partisë në pushtet një shumicë kushtetuese prej 2/3 në Duma.
Një valë e re represionesh politike gjatë verës që shkoi, e shtypi organizatën politike të Alexei Navalny, që deri vitin e kaluar dukej sikur mund të përbënte një kërcënim serioz për hegjemoninë politike të Kremlinit. Navalny ndodhet është në burg, dhe mbështetësit e tij gjenden nën një presion ekstrem.
Çmimi Nobel për Paqe u fitua nga një gazetar rus dhe jo Navalny i burgosur, duke e shpëtuar Kremlinin nga çdo lloj poshtërimi ndërkombëtar. Ndërkohë, Moska e forcoi kontrollin ndaj internetit brenda Rusisë, duke detyruar Google dhe Apple që të respektojnë ligjet ruse.
Në përgjithësi, për Eugene Rumer dhe Andrew S.Weiss të “Carnegie Endowment for International Peace”, pavarësisht nga efektet e pandemisë dhe turbullirave politike të brendshme, viti 2021 ka qenë në fakt shumë i mirë për Vladimir Putin.
Gjëja e vetme që ka shkuar vërtet keq, është që Kremlini ka dështuar të frenojë mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën, që është deri tani një nga përfitueset më të mëdha në botë të ndihmës ushtarake amerikane.
Në shtator, Biden konfirmoi një paketë të re ndihme prej 60 milionë dollarësh për Ukrainën, e cila përfshin sistemet mbrojtëse “Javelin”, pjesë e 2.5 miliardë dollarëve që Shtetet e Bashkuara kanë dhënë për mbrojtjen e Ukrainës që nga viti 2014. “Presidenti Zelenskiy dhe Ukraina kanë marrë po aq, në mos më shumë vëmendje nga kjo administratë se sa çdo vend tjetër evropian”– u tha gazetarëve po në shtator kohë një zyrtar i lartë i administratës Biden.
Aftësitë e sigurisë të Ukrainës në inteligjencë, sigurinë kibernetike dhe subversion politik, kanë përfituar edhe nga ndihma bujare e Britanisë së Madhe dhe vendeve të tjera perëndimore. Edhe Turqia, dikur aleate e Rusisë, e ka furnizuar Kievin me dronë ushtarakë.
Një nga çështje kryesore ku Zelenskiy nuk arriti të merrte një përgjigje pozitive, ishte lutja e tij që Ukraina të lejohet të anëtarësohet në NATO, e cila u refuzua me vendosmëri nga Biden.
Anëtarësimi në NATO, kërkon që aplikantët të përmbushin shumë kushte, si në reformat e sundimit të ligjit, modernizimin e sektorit të mbrojtjes, një ekonomi transparente dhe tëqëndrueshme ,dhe më e rëndësishmja nga të gjitha:mungesën e ndonjë konflikti të ngrirë.
Në vitin 2014 Ukraina e humbi Krimenë, që u aneksua nga Rusia, ndërsa 2 provinca lindore mbeten nën kontrollin e separatistëve të mbështetur nga Rusia. Por pavarësisht shanseve të pakta të Ukrainës për t’iu bashkuar NATO-s, Putin dhe rrethi i tij i brendshëm mbeten shumë të fiksuar me fqinjin e tyre.
Në korrik, Putin botoi në media një ese të gjatë, ku argumentonte se Ukraina “nuk është, dhe nuk ka qenë kurrë një shtet i pavarur”, dhe se ajo është një “pjesë e patjetërsueshme e Rusisë”, pasi i mungon një identitet etnik, kulturë, fe dhe një gjuhë e veçantë.
“Ajo ka përparuar gjithnjë sa herë që ka qenë pjesë e Rusisë, dhe ka vuajtur kur nuk ka qenë pjesë e saj. Pavarësia e Ukrainës është frymëzuar dhe sponsorizuar gjithmonë nga armiqtë e Rusisë”- shkruante ndër të tjera Putin. Ajo ese synonte të shpjegonte ndërhyrjen e Rusisë në Ukrainë.
Nuk ka dyshim se një pushtim plotë i Ukrainës do ta dëmtonte rëndë Putin, duke provokuar reagime të ashpra ekonomike, dhe ndoshta edhe ushtarake nga NATO. Por, siç e tregoi vendimmarrja e shpejtë e Putinit në vitin 2014, ai nuk është gjithnjë strategu i ftohtë dhe llogaritës që e imagjinon Perëndimi.
Pikëpamja e tij mbi botë është paranojake. Ai ka frikë nga rrethimi, dhe bazohet mbi supozime të rreme në lidhje me natyrën e shtetësisë dhe identitetit kombëtar ukrainas. Shtojini kësaj një ushtri të re të fuqishme dhe të kushtueshme, dhe një mungesë të plotë kontrollesh dhe balancash ndaj pushtetit personal të Putinit, dhe do të keni një kombinim të rrezikshëm dhe të paqëndrueshëm./bota.al