Letra romantike e Oriana Fallaçit për Alekos Panagulis
Bon, 26 gusht 1973
Alekos i dashur,
Të shkruaj rishtas për të të thënë se u ndjeva e lumtur, kur të dëgjova për herën e dytë në telefon. Edhe pse ne nuk mund të themi shumë, sepse ti nuk kupton asgjë nga ato që unë të them dhe unë nuk kuptoj asgjë nga ato që më thua, të dëgjoja zërin tënd ishte mrekulli. Pas atij momenti u ndjeva shumë mirë. Të falënderoj për përgjigjen që i dhe pyetjes sime se “Cfarë do të thotë për ty të jesh burrë?”. Kisha nevojë të dëgjoja përgjigjen tënde. Ishte një përgjigje e hatashme, më e mirë se poezia e Kipling.
Ndoshta mund ta përdor, duke i shtuar fjalët e mia pyetjes tënde: “E për ty, çfarë do të thotë të jesh burrë?”. Unë mund t’i përgjigjem në këtë mënyrë: “Një burrë është … një krijesë si ti. Ti je burri”. E megjithatë një detaj i përgjigjes tënde, më turbulloi shumë. Ajo çfarë Andreas ka përkthyer: “To love ëithout permitting one love to become an handicap”. Në italisht: “Të duash pa e lejuar dashurinë të kthehet në pengesë”. Besoja se e kisha kuptuar se kjo ishte për mua dhe jo për të tjerët.
E pra, unë nuk jam dhe nuk do të jem kurrë një pengesë. Unë e di se ekzistojnë gjëra më të mëdha se dashuria e një njeriu, apo dashuria për një njeri. Për shembull, një ëndërr. Për shembull, një luftë. Për shembull, një ide. Mirupafshim të shtunën. Më së shumti, të dielën. Dhe, nëse do të mundem, përpara së shtunës ose përpara së dielës.
Sa të mbaroj punë në Bon, do të ndalem pak në Itali të takohem me nënën se është e sëmurë. Pastaj do të fluturoj menjëherë tek ty. Mos mendo asnjë moment ta lësh klinikën, meqë jam duke ardhur unë. Nëse duhet të rrish atje, atje rri. Unë do të të bëj shoqëri në klinikë duke të folur greqisht. Ose duke luajtur shah me ty.
Ok?
Më prit. Edhe unë të kam pritur pa fund.
Oriana