Ballsor Hoxha: ÇKA TË BËJMË ME POLITIKËN?
Shih, Albin Kurti, nga shqiptari më i pastër, -kaloi, prej filmave të soc-realizmit të Shqipërisë, në revolucionar, në shqiptar, në kosovar herë pas here dhe deri në profet! Sigurisht, kjo do edhe pak kohë, por shumë pak, derisa ai të kalojë n. zot. Mu sikur Enver Hoxha, dhe, për ta shkurtuar, po ashtu edhe si Adem Jashari dhe Ibrahim Rugova! A jemi të veçantë në këtë? Për të mos u hapur më tutje, le të shohim shembullin e serbëve dhe të Serbisë, si fqinji dhe fqinjët tanë të përhershëm dhe të pa-zhvendosshëm, të pa-harrueshëm, për çfarëdo të keqe apo, ndoshta, edhe të mirë (mund të kujtojmë këtu një kafe në Graçanicë të cilën e vizitojnë të gjithë prishtinasit e kamur, apo, mund të kujtojmë edhe një mjek nga fshati Shillovë të cilin e vizitojnë të gjithë shqiptarët e asaj ane)!
Shih, në historinë serbe që e njohim, si ne si serbët, nëse sado pak mund të shohim se çdo e tashme, dhe çdo e ardhme, nuk mund të themelohet pa u dëgjuar në të kaluarën, apo thënë më thjeshtë, çdo gjë që shohim është shpërfaqje e, saktësisht, prezencave (lexo: fizikes) që kemi përjetuar, Millosheviq, si për serbët, po ashtu edhe për shqiptarët, pavarësisht konotacioneve, të gjithave të mundshme, kishte -kaluar në një zot. Zot për nga fuqia, për nga pushteti, për nga dhuna e qoftë për nga pandalshmëria!!
Nuk di një shqiptarë, nga ish – Jugosllavia së paku, që nuk e shihte Millosheviqin si të pandalshëm, të pa zotërueshëm, si të pa-përballshëm. Thënë shkurt, si të paprekshëm. Thënë kjo, shikuar ndryshe, shikuar përbrenda ankthit të viteve nëntëdhjetë, të gjitha këto cilësi kanë vetëm një përkufizim – zot! Millosheviqi, zot, si për shqiptarët (edhe nëse vetëm zot i lig) dhe po ashtu edhe për shqiptarët.
Por, në politikë, Millosheviq, shndërrohej në një argument, edhe të qëniesimit shqiptarë, por edhe të përqendrimit dhe të solidaritetit shqiptarë, duke qenë se atashonte ankthin që përjetohej me qëllimin e të qënit, edhe shqiptarë por edhe njerëzor!
Atëherë, gjithnjë duke përfshirë çmendurinë ballkanase, serbe e shqiptare po ashtu, politika, si shpikje e njeriut, pikërisht para apo përballë presë së tij/saj, për shkak të pamundësisë për të parë po të njëjtën, pre të saj/tij, sikur kanibali i parë në njerëzimin që e njohim dhe si e njohim, politika është njëlloj totemi, i cili vazhdimisht shpërfaqë dhe mish-ëron po të njëjtin krim, apo shpikje, si të dojë lexuesi. Nëse Millosheviq ishte totemi serb i asaj që ka kaluar në mantra të tyre– sudim samom sebi – (i gjykoj vetes tim, vetëm unë), apo nëse për shqiptarët çdo politikan kalon në zot, prej Skënderbeut, në Enver Hoxhën, e deri tek Adem Jashari, Rugova e Kurti sot (dhe ky i fundit posaçërisht pa dëshirën e tij!), dhe siç u tha po ashtu edhe Millosheviq, kjo është në një mënyrë, edhe balansi ndërmjet dy shoqërive, të gjithave, cilatdo qofshin ato (le të kujtojmë këtu Gjermaninë si – fajtori kujdestar – për tërë njerëzimin!!); dhe/ose si e njëjta gjë, detashim prej njerëzores, prej -kalimit të njerëzores, dhe prej totemit.
Duke qenë se Totemi, i politikës, si krim i cili përsëritet në përhershmëri të njerëzimit, ai, në një raport të kundërt të forcave, shqiptaro -serbe, apo të këtij aktual, vazhdimisht sjellë një dhe vetëm një zot!! Një të paprekshëm. Një, e cila, i cili, do të shikojë prenë tonë, për ne!
Por zoti, ky shqiptaro-serb, është në të vërtetë, vetë -kalimi i njerëzores, nga një stad në tjetrin, nga politika në shoqëri/shoqërore, në antropos të ndër-personales! Por, a kemi guxim, si shqiptarët, e serbët si shembull këtu, të -kalojmë këtë krim të kryer epoka më parë, e të zbulohemi për kafshë që jemi! Pikërisht sipas Aristotelit. Apo të zbulohemi për kriminelët që “ishim”!