Albspirit

Media/News/Publishing

Visar Zhiti: Qani Sadiku iku në amëshim

Ai, që përballoi me dinjitet të lartë njerëzor vuajtjet e mëdha të burgut, kur nuk lejohej të ishe dhe aq njeri, i urtë, mik i mirë me të mirët, por ndër më guximtarët ndërkohë, i papërmbajtur kundër së keqes, sfidant, që theu pathyeshmërinë e atyre që mbronte komanda e keqe e burgut, shteti i diktaturës, bashkëpunëtorin e tyre, spiunin, dëshmitarët e rremë, kur vetë dhe i vetëm i ndëshkoi duke marrë mbi supe vite të tjera burgu, ridënimin, qëndrestar deri në heroizëm, etj, bashkëvuajtësi ynë me emrin Qani Sadiku, u shua sot, – na vjen lajmi nga larg, – duke pikëlluar familjen dhe të dashurit e tij, këdo që e njohu.
Ndoshta në të gjithë librat e burgut ai është personazh, çami besnik, që i janë kushtuar dhe poezi, edhe filma dokumentarë… Dhe kështu do të mbetet në kujtesën e përbashkët, natyrshëm burrëror dhe i përzemërt, kurajoz deri në fund, buzagas me shokët dhe i sakrificës, punëtor dhe i përkushtuar ndaj kauzës.
Qani Sadiku iku në amëshim, nga pas la hijen e njeriut, aq sa i thjeshtë, po aq dhe i papërkulur. Tani edhe përballë harresës… Bashkëvuajtës dhe mik!
Please follow and like us: