Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Bledar Koçi

Parfumi
Kjo shishkë me pakëz aromë
Një mall të djegur më shkundi,
Si gjethëz me vjeshtën e vonë
Një puthje te largët parfumi.
Siç duket, rri fshehur aty.
Në qelqen e vogël përbrenda
Aromës janë tretur me ty,
Ca vjersha, dëshira dhe ëndrra.
Ti endesh… në ç’botë, s’e di.
Aromës, me mua ti je,
Kjo vjeshtë e vonë… ç’vetmi!
Tek zgjohesh, prapë shishkës ti fle.
Dhe endem mes mallit të djegur,
Sa ëndrra s’i preku më gjumi…
Kur shkundi si gjethëz të zverdhur
Një puthje të largët, parfumi.
Dje dhe sot
Mbrëmë, nëpër gjumë, në ëndërr pashë borë
Dhe kuaj mbi ngrica që iknin veri.
Ku shkuan, pyes vetes dhe zgjas njërën dorë..
….
As sot që u zgjova, as kurrë s’do ta di.
Lumi i Nëntorit
Shokëve të një udhe
Vinte i murrët lumi i Nëntorit.
Një yll ra mes shelgjesh gjëmimit të tij…
Po dridhen shokët.
Dridhen të ftohtit.
Ç’i akullt ky lumë i Nëntorit!
Kapur përdore e hodhën përmes,
si në një valle-vorbull valëve rrëmbyer.
Nuk paska hënëz kjo natë.
Ndaj është kaq ftohtë, kaq ftohtë..
Po dridhen shokët.
U dridhen duart, qerpikët.
U dridhën dhe ëndrrat e lagura qull, dhe zajet e moçëm të lumit.
Përpëlitej ylli mes shelgjesh…
Ngrihej e binte,
Fletëve ndizej.
Një dritëz të dridhur shkëlqente, për shokët..
Mbi lumë të Nëntorit.
Please follow and like us: