Vasiliev Nini përjetëson Themistokli Gërmenjin në një shtatore
Në 105-vjetorin e shpalljes së Korçës Republikë, në shtëpinë ku ka jetuar ideatori i kësaj ngjarjeje madhore për vendin, Themistokli Gërmenji, është vendosur sot një vepër në bronz e realizuar nga skulptori Vasiliev Nini dhe ideuar nga arkitekti Ilir Voci. Në përurimin e veprës merrnin pjesë shumë qytetarë të Korçës.
“Kujtesa është një element i rëndësishëm në zhvillimin e qytetërimeve, ndaj në këtë vit, që përkoi dhe me 109-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, ndalesa te një figurë iluminuese e formimit tonë kombëtar, i cili u vendos në ballë të zgjimit të komunitetit shqiptaro-ortodoks për të rikonfimuar identitetin kombëtar, është një detyrë jo vetëm qytetare, por dhe shpirtërore për mua”, tha Voci.
I vendosur në hyrje të shtëpisë, ku dikur ka jetuar, tashmë Themistokli Gërmenji, një personazh ende i panjohur mirë nga historia, vjen dhe si një formë reflektimi mbi nevojën që kemi për të njohur më shumë të shkuarën.
”Kjo vepër përpiqet ta risjellë Themistokliun në të gjithë përmasën e tij të gjerë, si një personazh me një jetë të trazuar, me një trashëgimi politike dhe kulturore, që kanë qenë vendimtare për fatet e vendit. Por unë dua ta shoh këtë vepër si një moment reflektimi ndaj nevojës që kemi për t’i njohur më mirë figura që lidhen fort me identitetin tonë kombëtar e gjuhësor, pasi shumë përmasa të tjera njerëzore të Themistokliut janë ende të panjohura”, u shpreh Voci.
Me krijimin e “Krahinës autonome të Korçës”, e quajtur edhe “Republika e Korçës”, u ngrit një administratë shqiptare, me në krye patriotin e shquar Themistokli Gërmenji. U valëvit flamuri shqiptar, u hapën shkolla shqipe, u krijuan reparte shqiptare për ruajtjen e rendit, u hartuan shumë rregullore për administratën publike, etj. Në këtë ditë të rëndësishme për qytetin, realizimi i kësaj vepre dhe ngritja e flamurit në shtëpinë e Themistokli Gërmenjit, janë një shenjë e rëndësishme takimi me kujtesën./gazeta shqip