Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Ymer Çiraku: Një meteor që ndriçoi bukur…

Këto ditë, sapo ka dalë nga shtëpia botuese ‘Toena’ libri me titull: “Aroma e një kohe që po ikën”, i cili i kushtohet aktivitetit të trupës së njohur profesioniste të estradës së Sarandës. Libri është përgatitur nga regjizori, Vangel Agora, ku kanë bashkëpunuar me shkrime e kujtime mjaft emra të njohur si: Josif Papagjoni, Limoz Dizdari, Pëllumb Kulla, Niko Kacalidha, Filip Çakuli, Viktor Zhusti, Miho Gjini, Luftar Paja, Enver Isufi, Osman Mula, Alqi Lepuri e mjaft të tjerë. Botime të tilla, marrin vlerë sepse mbajnë gjallë kujtesën dhe vlerësimin e nderimin për punët e vyera nëpër vite. Që te ne për fat të keq, ndodh që të treten lehtësisht në terrin e harresës. Prandaj është për t`u çmuar edhe nisma e Bashkisë së qytetit për ta mbështetur botimin e këtij libri.Për dikë të interesuar më shumë, kam vendosur më poshtë, shkrimin tim të përfshirë në këtë botim. Kur nga miku im i kahershëm dhe i çmuar, Josif Papagjoni, mora vesh për projektin e përgatitjes së një historishkrimi mbi aktivitetin e trupës së teatrit të estradës së Sarandës, vetëtimthi m’u ngjallën edhe mua kujtimet e bukura rreth kësaj trupe artistike, që përcillte aq shumë buzëqeshje, humor të mençur dhe melodi të ngrohta joniane, atyre viteve të hershme. Pikërisht të asaj kohe të mesviteve `70-të, kur edhe unë, pata rastin dhe kënaqësinë e madhe, që ta njihja e ta shijoja emocionalisht nga afër repertorin e kësaj trupe. Mbresat janë të shumta për ata njerëz që punuan si regjizorë, aktorë, instrumentistë e libretistë. Ata kishin talentin e lindur, por kishin edhe shpirtin qytetar për të t`iu krijuar e dëshmuar spektatorëve – atë jetën e magjishme paralele të artit. Duke ua larguar kështu për ca çaste atë grinë e realitetit të përditshëm. Kjo trupë besoj se e arriti majën e lartë të saj, sidomos me vënien në skenë të disa komedive të plota muzikore, me librete të shkrimtarit të talentuar Enver Isufi, me muzikë të kompozitorit të shquar Agim Prodani. Përballimi i pjesëve të këtij formati, ishte vërtet një guxim i madh artistik, me të cilat nuk ishin përballur dot edhe trupa qëndrore profesioniste. Por këto pjesë të plota skenike u realizua pikërisht në Sarandë, ku do të shpaloste fantazinë e tij krijuese regjizori i njohur Thoma Milaj, si dhe skenografi Lefter Çeko. Kompozitori A. Prodani, sëbashku dhe me bashkëshorten e tij, këngëtaren e mirënjohur Anita Take, ndihej si në shtëpinë e tij për disa muaj qëndrimi pranë kësaj trupe. Këngëtarja A. Take, pas shumë vitesh tërheqjeje nga skena, pikërisht këtu, ajo dha një nga koncertet e saj të mrekullueshme, që do t`i krijonte pasionin dhe besimin e rifillimit të karrierës së saj shkëlqimtare por të ndërprerë, karrierë që pastaj nuk do të ndalej më viteve më pas. Saranda falte mikpritje, falte dashuri, frymëzim dhe energji të pandalur për krijimtari artistike. Shkrimtarët korifej të satirës dhe humorit si Qamil Buxheli e Pëllumb Kulla, ishin për disa vite të ftuarit e nderit për realizimin e materialeve të repertorit të trupës profesioniste. Ato ishin vërtet shfaqje të mëdha – për nga niveli profesionist i repertorit, i aktrimit, i muzikës. Dua të vë në dukje se ato ishin përgjithësisht pjesë të atilla skenike, aq të mirëpritura nga spektatori vendas dhe ai i gjithë vendit, gjatë pushimeve të verës, ku ndihej hareja dhe gëzimi i bukur njerëzor, ashtu si i derdhte këto me farfuritje të mrekullueshme edhe vet ai qytet dhe ato anë kudo, nga deti, fusha e mali, që nga Konispoli e Leshnica, e deri bregut të detit. Sepse përcilleshin me art e përkushtim dhe pa ngarkesa të rënda e të rëndomta ideologjike. Veçanërisht bisedat mes mjeshtrave të ftuar, ishin akademi të vërteta arti, ku shkëmbeheshin përvoja, pikëpamje dhe informacion mbi letërsinë dhe artin në përgjithësi. Të gjithë përfitonin prej njeri tjetrit dhe të gjithë shijonin batutat në harenë e pushimeve buzë detit, ulur në lokale, ku të çante hundët jodi i Jonit dhe aroma e peshkut të pjekur. Dhe ku nuk mund të mungonin e ishin përherë të pranishme sigurisht sirenat tërheqëse e të magjishme, që vinin prej mrekullive të mozaikëve të shumtë të tempujve të Onhezmit antik (Saranda e sotme), prej statujave të Butrintit e prej jehonave të largëta të këmbanave të kishës së njohur të dyzet shënjtorëve, atje sipër në kalanë e Lëkursit. Kjo trupë, pati një shkëlqim të vërtetë mbresëlënës për kohën e vet. U shfaq me rrezatimin e një meteori, që trupëzoi bukur dritën e artit, të cilën, e shijuam dhe e kujtojmë me përmallim të gjithë ne, që patëm rastin dhe fatin t’i ndjekim shfaqjet e saj. Nuk i heq nga mendja kupletet e bukura të Theofil Haxhijanit, këtij zë ëmbli, bashkë me të shoqen, Violetën. Edhe sot kur i kujtoj, më zë hareja me rolet e bukur të Lekë Mosit, Mufit Brajës, Jorgo Nanos, Illo Martikos, lëre pastaj zhdërvjelltësinë e Haki Spahos, karakteret e Gaztere Shkurtit, natyrshmërinë e Karafil Shenës, hirin skenik të Vangjel Agorës; dhe më tej muzikën e Thoma Gjonit, që na mbushte shpirtërat, tingujt virtuozë të kitarës së Adem Dacit, violinistin e talentuar Tomi Stefanidhi, zërin e ngrohtë të Telemak Papapanos, interpretimet solide të Lefter Agorës, timbrin vokal të Gani Dokos, Pëllumb Zotos, Fane Kombulit etj. Do t’i quaja pa droje: Artistë të vërtetë. Po sot? A mund të ringrihet, a mund ta shohim sërish një trupë të tillë? Sigurisht, që kjo do të ishte një dëshirë e bukur, por sot për sot, me sa duket, mbetet në kufijtë e të pamundurës. Por fundja, mbetet kujtimi i bukur për institucionin e atij teatri të varietesë, e bashkë me atë kujtim, ngjizet edhe një shpresë. shpresa se ai teatër, mund të ringrihet një ditë. Doemos, me një profil strukturor e filozofi funksionimi të rinovuar. Por përherë me misionin e panegociueshëm të rrezatimit të artit të bukur, që fal pa kushte buzëqeshjen dhe dashurinë njerëzore.

https://gazetadielli.com/nje-meteor-qe-ndricoi-bukur/

 

Please follow and like us: