Albspirit

Media/News/Publishing

Shaban Murati: Enveri dhe Lenini tani flejnë të qetë

Enveri dhe Lenini tani flejnë të qetë

Shoku Enver tani mund të flejë i qetë. Vija e masave, që ai u lodh duke folur dhe u përpoq për 40 vjet, u arrit tani në Shqipëri. Nga sot e tutje në Shqipëri qeveria nis “këshillimin kombëtar me gjithë shqiptarët pa dallim”, do të pyeten masat për gjithçka dhe do të vendosin masat për gjithçka, siç na mësonte shoku Enver.

Mund të flejë i qetë tani dhe shoku Lenin, që shkruante se në komunizëm politikën e jashtme do ta bëjnë guzhinjerët. Shqipëria me “këshillimin kombëtar me gjithë shqiptarët” ia arriti asaj dite leniniste. Qeveria shpalli zyrtarisht se tani për politikën e jashtme, për Ballkanin e kapur dhe për detin e kapur, do të pyeten masat, pra guzhinjerët dhe kamarierët, që përbëjnë profesionet e shumicës së masave.

Tani pritet që diplomacia shqiptare të zgjidhë brenda ditës me shkopin magjik të vijës së masave të gjitha çeshtjet, që ka shteti ynë me të gjitha shtetet. 100 vite pas Revolucionit të Madh Socialist të Tetorit në Rusi, Shqipëria bën sot realitet atë lloj të paparë politike të jashtme të masave dhe të popullit, që ëndërronte Lenini për komunizmin në izbën e tij me kashtë, (jo me beton), në fshat.

E para si gjithmonë në histori Shqipëria çan në shtigje të parrahura dhe vë në jetë vijën e masave, për të cilën u lodh dhe lëftoi gjithë jetën edhe Lenini, edhe Enveri. Tani shqiptarët nuk duan as punë, as ujë dhe as drita, sepse qeveria po i bind që vija e masave hahet. Rroftë komunizmi demokratik ose demokratizmi komunist!

Please follow and like us: