Përkujtohet Aqif pashë Elbasani, figurë e shquar e historisë shqiptare
Si sot më 10 shkurt të vitit 1926, ndërroi jetë Aqif pashë Elbasani, një prej eksponentëve të lëvizjes atdhetare para dhe pas shpalljes së Pavarësisë.
Aqif pashë Elbasani ishte pinjoll i Biçakçinjve, një familje e madhe çifligare. Pasi mbaroi arsimin fillor dhe të mesëm në vendlindje, Aqif Pasha u nis drejt Stambollit për të kryer studimet e larta.
Në fund të shek. XIX, iu kundërvu administratës osmane dhe mbështeti lëvizjen arsimore që u zhvillua pas fitores së Revolucionit Xhonturk. Ndërsa, përgjatë vjetëve 1910-1912, iu bashkua qëndresës së armatosur antiosmane dhe luajti rol të rëndësishëm në organizimin e kryengritjes së përgjithshme në qarkun e Elbasanit.
Pas fitores së Revolucionit Xhonturk, u vu në krye të klubit atdhetar të shqiptarëve “Bashkimi”. Në korrik 1909 mori pjesë në Kongresin e Dibrës dhe në vjeshtë të këtij viti, qe gjithashtu në punimet e Kongresit Arsimor të Elbasanit. Kontributi i tij lidhur me ngjarje madhore në historinë e vendit, vijoi me organizimin e kryengritjes së përgjithshme për Shpalljen e Pavarësisë.
Më 25 Nëntor 1912, bashkë me patriotët Lef Nosi, Qemal Karaosmani, E. Jorgaqi, F. Papajani e të tjerë, Aqif Pasha ngriti flamurin shqiptar në qytetin e Elbasanit, duke shpallur pavarësinë. Në vitin 1913 u emërua prefekt i Elbasanit, detyrë që e ushtroi deri në 1914-n, kur u emërua ministër i Brendshëm dhe i Luftës.
Organizimi i Kongresit të Lushnjës u bë i mundur edhe falë angazhimit të tij të dallueshëm. Në vitin 1922 u largua nga Shqipëria i detyruar nga lëvizja e armatosur që shpërtheu në Shqipërinë e Mesme. Pasi u vendos në Vjenë, krijoi Partinë Kombëtare.
Në vitin e mëpasshëm u zgjodh deputet i Korçës në Kuvendin Kushtetues./atsh