Ymer Çiraku: Kavafis, poeti i sfidave estetike
Poeti mjaft i njohur grek, K. P. Kavafis, i përcaktuar si ndjekës i parnasizmit dhe simbolizmit, ka lindur në Aleksandri të Egjiptit, ku jetoi tërë jetën e tij – me përjashtim të pak viteve, kur familja ishte vendosur në Angli. Nëpunës në një zyrë që merrej me problemet e ujitjes, natyrë mjaft e tërhequr, krijimet e veta nuk preferoi që t`i përfshinte në rrjetin e botimeve publike. Të përmbledhura, sigurisht në një numër relativisht të pakët krijimesh poetike, sikundër e kishte prirje të vet autori të shkruarit e kursyer, ato u botuan dy vjet pas vdekjes së tij (1935), duke u ndjekur nga një radhë botimesh e ribotimesh viteve më pas, në greqisht e në shumë gjuhë të tjera.
Në krye të përmbledhjes poetike të K. Kavafisit (në variantin më të fundit të përkthyer në një shqipe të begatë nga Aristotel Spiro, krahas dhe mjaft përkthimeve të tjera të kryera nëpër vite nga: N. Kacalidha, R. Çollaku, Andrea Zarballa, P. Jorgoni…), është poezia me titull ‘Muret’. Në këtë poezi, përcillet në nivel metaforik situata e vështirë, absurde e tragjike e atij njeriu, rreth të cilit, papritur, nisin të ngrihen shkallë-shkallë mure asfiksues, e ai – poeti dhe njeriu në përgjithësi, që s’i vuri dot re, që s’e pati mendjen të dëgjonte zhurmën e muratorëve, kur ata i ngrinin lart e më lart ato mure rreth tij. Dhe së fundmi, e ngritur dilema provokuese: mos vallë njeriu për nga natyra e tij i ndjell (i ndërton) vet ato mure, për të realizuar/formatuar brenda vetes instinktin e vet të vetmbylljes, vetizolimit, e pastaj shkatërrimit!? Apo është i shtyrë nga alteregoja e tij mitike për t`i provuar forcat e veta se si mund që t`i rrëzojë e të ngrihet ngashnjyes mbi ato mure?
Pa drojë, pa mëshirë e pa kujdes
mure të larta rrotull meje ngrenë.
Tani këtu kam mbetur pa shpresë.
Tjetër s`mendoj: ky fat mendjen ma bren;
se jashtë plot gjëra kisha për të bërë.
O, si nuk i vura re kur muret lart i çuan.
Por zhurmën e ndërtimeve s`e ndjeva asnjëherë.
Dhe fare papandyer prej botës më larguan.
Shtrohet pyetja: ç’janë këto mure që e shigjetojnë trandshëm shpirtin e poetit? U rrethua, u pengua, por prej çfarë rrethanash nuk u mposht dot prej tyre e si mundi që t’i kapërxejë e të triumfojë mbi to, me famën e njerit prej poetëve të shquar të shek. XX?
Brenda kësaj atelieje krijuese, ku endej në vetminë e tij poeti, e ku nuk dukeshin aspak modele aq të ngjajshme, ai krijonte vargje të çuditshme e blasfemike për nga struktura ligjërimore dhe konceptuale, pothuaj të padëgjuara deri kësaj kohe, në gjendjen tëhuajtëse të atij njeriu të mënjanuar prej të tjerëve, si i pakuptuari, i papranuari, por njëherazi edhe si i paarrituri dot prej tyre. I pakuptuari – për tejkalimin elegant mes teknikave formale të prozës e poezisë, për rrezëllitjen poetike që buronte prej atyre toneve e mjediseve depresive, të derdhura dendur në poezinë e tij.
Në studime kritike, në përcjellje të përkthimeve, në manuale e në histori të ndryshme të letërsive, Kavafis është vlerësuar si poeti zëpërveçëm i shekullit, që konstruktoi gjeometrinë e absurdit, si poeti dekadent i poetikës së demoralizimit njerëzor dhe i funksionalizimit deri edhe të regjistrave – të ashtuquajtur më të ulët të gjuhës, duke u derdhur atyre një magji poetike mbresëlënëse.
Krijimtaria e këtij poeti, ka një shfaqje të veçantë, e klasifikuar në tre nivele. Janë 154 poezitë e pranuara sipas vullnetit të tij, të cilat, mund t’i vlerësonim si krijime që ngrihen e kalojnë përtej mureve dhe në anën tjetër, janë ato tëmohuarat dhe pastaj vijojnë më tej, ato të pabotuarat. Tematikisht, ajo poezi është parë dhe ndarë specifikisht në: poezi filozofike, hedonike (ose mirëfilli estetike) dhe historike. Kjo poezi, u mbrujt konceptualisht si një endje në universin helen dhe atë bizantin, duke kombinuar në harmoni artin e distancimit helen prej objektit me polifonizmin (shumëzërësinë) e mistikës bizantine. Kësisoj, në të kemi të shkrira: refleksionet e dendura filozofike me gjendjet e trazimeve kundërthënëse e dramatike. Pra, nga pikëvështrimi i ngjyrave poetiko-semantike, në ato krijime, ndihen të bashkëshoqëruara në harmoninë e kundërshtive, ndriçimet solare helene me transhedencën e botës bizantine.
Dhe e gjithë kjo ngrehinë komplekse dhe e mirëmenduar (kalkuluar) poetike, i gjen referencat e veta ligjërimore tek një gjuhë e thjeshtë, e xhveshur nga shkëlqimi tradicional, e cila shfaqet pothuaj përmes kuptimeve fillestare të fjalëve, sikur të synojë që të shkojë tek rrënjët e tyre. Kjo tendencë, që në një vështrim të parë formal duket si apoetike, funksionon brenda strategjisë së një ligjërimi, që, siç e vren një kritik (K. Steriopulos), aq sa kufizon zgjedhjet, duke krijuar gjuhën e tij vetiake – aq më shumë ngjitet lart poetikisht me aplikimin e teknikave të gjuhës rrëfimtare të rrugës. Atë që konsiderohej deri atëhere si dobësi prej shijes tradicionale, poeti e ktheu në fuqi dhe burim suksesi, pikërisht duke arritur rilindjen e fjalës poetike. Përmes një leksiku bazik, me të atilla shenja gjuhësore – në nivel gati të thjeshtëzuar, të cilat kanë qarkulluar e qarkullojnë njëkohshëm tek të gjithë folësit dhe në të gjitha kohërat, ai krijon modelin e teksteve moderne, të cilat do të ndihet të zotërojnë si prirje edhe në poezinë europianë e më gjerë.
Por le t’u kthehemi mureve, përballë të cilave u end kjo poezi e përveçme për nga modeli që përcillte. Fryma helene dhe bizantine e saj, e ngopur me filozofi, ngjarje dhe personazhe të larmishëm të atyre epokave, do të projektonte anacionalitetin, një tipar ky, që prej kohësh, nuk dukej të ishte i pranishëm në letërsinë e re greke, madje në të, vrehej e kundërta. Kavafis ishte pra, ai i ndryshmi, ose i papranuari lehtë brenda shijeve letrare e mentaliteteve të kohës. Sigurisht, kjo situatë do të bëhej më evidente edhe prej gjuhës së poezisë së tij, e cila, e refuzonte prej vetes kantilenën e poezisë me paradigma të drejtpërdrejta nacionale, që sigurisht, kishte pasur kontekstet e veta në të cilat ishte krijuar dhe përcillej prej dekada vitesh te lexuesit.
Arti poetik kavafian, i pati të huaja manierat romantike dhe etnocentriste, të shfaqura aq shpesh prej poezisë së kohës, duke guxuar që të përballej kësisoj estetikisht me prestigjin autoritar – që kjo texturë poetike kishte fituar. Ai nuk ndiqte rrugën, që, prej historisë e ngjarjeve të mëdha, të zbriste pastaj tek njeriu, por në kahje të kundërt, prej individit tentonte të eksploronte gjithë botën. Dhe prej mikrobotës së Kavafisit, në fakt, arrihet që të depërtohet ngultazi tek makrobota, duke krijuar kështu modelin e një komunikimi poetik maksimalisht të brendshëm, të intimizuar e për rrjedhojë, në trajtë mjaft përjetuese.
Për poetin, mure ishin tërë tabutë dhe mitet letrare, sociale, fetare, shtetërore e morale njerëzore, të cilat, kanë aftësinë e tyre, që të krijohen e të lartësohen rreth njeriut pa u ndjerë, tinëzisht, shpesh si muzikë këndellëse, për ta kufizuar e mbytur pastaj horizontin e tij. Bjerrja e njeriut, apo edhe tundimi i tij prej pushtetit, janë gjithashtu mure mbytëse… Prej madhështive, ruaju, o shpirt… apelon me alarm drithëronjës poeti, duke renditur në përskaj edhe vargjet:
Dhe nëse s`mundesh ta bësh jetën si ta kënda,
veç për një gjë lufto të paktën
sa mund: të mos e bdarësh…
Aq sa muret i krijoheshin prej së jashtmi, për poetin kishte edhe nga ato mure, që ai paradoksalisht ia krijonte vetes në planin njerëzor. Mbase si baste me veten për të provuar se a do të ishte në gjendje për t`i kapërcyer ato. Me këtë lidhet fakti që p.sh. sa ishte gjallë, ai nuk i botoi asnjëherë si libra krijimet e veta, por ua çonte ato në fashikuj miqve, duke u përballur me sfidën e moskomunikimit përmes botimit. Po kështu, shndërroi në përvojë estetike devijancat tabu erotike, që kishin vetëm shanse refuzimi në receptimin e tyre. Por koha tregoi se këto e të tjera rrethana të disfavorshme, nuk e penguan dot njohjen dhe vlerësimin e lartë të kësaj poezie, edhe përtej kufijve të gjuhës, në të cilën ai e krijoi atë vepër poetike.
Kësisoj, vepra e Kavafis-it, jo vetëm i dëshmoi muret (pengues) realë e metaforikë të njerëzimit, të cilat ngrihen për ta rrethuar e asfiksuar shpirtin e individit, por dëshmoi poetikisht po aq – edhe vullnetin e njeriut për t`i dalluar, për t`i përballuar e pastaj për t`i rrëzuar ato mure, estetikisht e moralisht.
Kavafis mbetet poeti i madh i sfidave estetike.
(Shënim: tekstet e poezive të cituara në këtë shkrim, janë marrë nga përkthimet e A. Spiros prej greqishtes)./exlibris