Albspirit

Media/News/Publishing

PUSHTETI KORRUPTON GJITHMONË, PRANË TYRE JANË GJITHMONË ÇINGIJET E PARTIVE QEVERISËSE

A e kemi të keqen brenda nesh, apo rrethanat na korruptojnë? Në vitin 1971, psikologu i Universitetit të Stanfordit, Philip Zimbardo, u përpoq të demonstronte fuqinë e mundshme të situatave dhe roleve shoqërore, në korruptimin e moralit individual. Duke parashikuar skenarët e ëndërruar nga TV Reality dekada më vonë, Zimbardo dhe kolegët krijuan një burg dhe rekrutuan 12 studentë meshkuj në kolegj, për të luajtur rolin e rojeve dhe 12 për të luajtur rolin e të burgosurve.  

Ideja ishte të studioheshin ndërveprimet e tyre për dy javë, por atyre iu desh të ndërprisnin ‘Eksperimentin e Burgut të Stanfordit’ pas vetëm gjashtë ditësh, të tilla ishin nivelet e mizorisë së shfaqur nga ‘rojet’ ndaj ‘të burgosurve’, duke përfshirë detyrimin për t’u pastruar tualetet me duar.

Për Zimbardon, mësimi tronditës ishte i qartë: situatat e fuqishme mund të mposhtin individualitetin tonë, duke i bërë njerëzit e mirë, të këqinj. Interpretimi i tij u shoqërua me idetë rreth rrënjëve të së keqes, me sa duket duke ndihmuar për të shpjeguar mizoritë e së kaluarës dhe të së ardhmes. Zimbardo më vonë do të përdorte kërkimin e tij ndërsa dëshmonte në mbrojtje të një prej rojeve amerikane të akuzuar për mizori ndaj të burgosurve në burgun e Abu Ghraib në Irak, në vitet 2003-2004.

Gjatë viteve, studimi i Zimbardos ka qenë subjekt i kritikave dhe riinterpretimeve intensive. Në vitin 2002, psikologët socialë britanikë Alex Haslam dhe Stephen Reicher kryen një eksperiment të ngjashëm të quajtur “BBC Prison Study”. Në versionin e tyre, të burgosurit u bashkuan dhe rrëzuan rojet, duke treguar se ngjarjet e eksperimentit të Stanfordit nuk ishin aspak të pashmangshme. Janë shfaqur edhe pamjet e Zimbardos – në rolin e ‘mbikëqyrësit të burgut’ – duke udhëzuar rojet e tij se si të sillen, gjë që duket se prish spontanitetin e ngjarjeve që shpalosen.  

Kohët e fundit, një regjistrim audio zbuloi një nga bashkëpunëtorët e Zimbardo-s, në rolin e ‘gardianit të burgut’, duke bindur një nga ‘gardianët’ që të sillej më mizorisht me të burgosurit. Ai i tha atij se, nëse do të bënte një punë mjaft të mirë, eksperimenti mund të çonte në reformën e burgjeve në jetën reale. Kritikët si Haslam thonë se regjistrimi tregon që studimi i Stanfordit ishte më shumë i ngjashëm me një formë teatri live, sesa një eksperiment shkencor. Zimbardo dhe mbrojtësit e tij kundërshtojnë duke shpjeguar që, pavarësisht nëse sadizmi i rojeve ishte i pashmangshëm apo jo, mesazhi i studimit qëndron – se, në rrethana të gabuara, njerëzit përndryshe “normalë” janë në gjendje të bëjnë mizori ekstreme.

Please follow and like us: