Albspirit

Media/News/Publishing

Pirro FOTIADHI: NDEROJMË FIGURËN DHE PERSONALITETIN E NDRITUR TË MËSUESIT, IRAKLI BILLA!

NDEROJMË FIGURËN DHE PERSONALITETIN E NDRITUR TË MËSUESIT IRAKLI BILLA!, SI NJË SHEMBULL FRYMËZIMI PËR TË SOTMEN DHE GJENERATAT E ARDHSHME!

Portret i paautorizuar në kuadrin e 7 Marsit, ditës festive të Mësuesit, kushtuar intelektualit, mësuesit të përkushtuar, drejtuesit organizativ dhe metodik, Irakli Billa.
Në vend të prologut…
Historikisht, në jetën e përditshme, roli i mësuesit, kurrësesi nuk është konceptuar si një profesion për transmetimin e dijeve apo njohurive shkencore, por gjithësesi si një mision prioritar shumëdimensional, me rëndësi të jashtëzakonshme, me përgjegjësi e lartë qytetare në proceset e formatimit të gjerë të personalitetit njerëzor. Sepse në thelb, misioni përmes procesit të mësimdhënies për të edukuar dhe përgatitur nga ana shkencore gjeneratat e panumërta, për t’u mundësuar ballafaqimin me sprovat e përditshme jetësore, përbën një prej hallkave të rëndësishme në realizimin e synimeve që lidhen kryekëput me edukimin intelektual, ashtu sikundër edhe atë moral, estetik, social e fizik të nxënësve.
Edhe pse për shumicën e njerëzve skepticizmi që mbisundon konsiston në faktin se profesioni i mësuesit dhe mësimdhënia, kurrësesi nuk mund të përfshihen ndër punët apo misionet e vështira. Por realiteti dhe e vërteta dëshmon se mësuesia, vlerësohet e konsiderohet si një ndër profesionet tejet të vështira e sfiduese. Sepse mësuesit dhe edukatorët, përçdoditë e sistematikisht përballen me domosdoshmërinë e leximit e studimit, me veprimtari jashtë orarit mësimor e të papaguar, me përpjekje për të punuar individualisht në mënyrë të diferencuar me nxënësit e prapambetur, me vështirësi në punën me prindërit pa përmendur burokracinë e mbledhjet e pafunda në shkollë. Vlerësuar realisht si një institucion moralo-edukativ, mësuesia dhe vetë mësuesi me rolin e tij protagonist, duke respektuar plotësisht përgjegjësinë e funksionit që kryen dhe vepruar në përputhje me rrethanat për të përmbushur me sukses kompetencat dhe misionin e tij shoqëror, lipset natyrisht që të jetë jo vetëm një person i kompletuar dhe i përgatitur nga ana shkencore, por njëherazi edhe një vëzhgues dhe interpretues pozitiv i ngjarjeve, si edhe një edukator thelbësor krejt larg paragjykimeve.

Kurrësesi nuk e mohoj faktin se nuk janë të paktë mësuesit me personalitetin dhe dinjitetin e ngjashëm si Irakli Billa. Por në këtë ditë festive e sinjifikative, dëshiroj t’i referohem figurës së këtij mësuesi vullnetmirë, si pjesëz e mësuesve idealistë, i cili në rrugëtimin e tij jetësor dhe profesional, ofroi diçka shumë të thjeshtë po aq edhe madhështore. Me integritetin dhe moralin e tij admirues, u përkushtua me bujari në edukimin shkencor, duke ndriçuar mendjen e një sërë gjeneratave të nxënësve.

Irakli Billa, si një individualitet i mësuesit që zotëronte një nivel të lartë të njohurive shkencore, me perceptimin si edhe me përvojën e tij, mundësonte me sukses, që duke u mbështetur në prirjet individuale të nxënësve, të përzgjidhte mjete të caktuara të ndikimit pedagogjik ashtu sikundër edhe format sjelljes, që synonin në përhapjen e përvojës së avancuar të mësimdhënies,duke ndikuar në rritjen e ndjeshme të efektivitetit të mësimdhënies dhe proceseve të edukimit të nxënësve.

Duke fokusuar veprimtarinë profesionale pedagogjike hapësira e kontributdhënies së tij dhe përgjegjësia e lartë qytetare, statusi pedagogjik e social i tyre, kurrësesi nuk mund të ngushtohet në kornizat e transmetimit të njohurive. Por duke u vlerësuar si një mision thelbësor, për të krijuar dhe zbuluar shumë aspekte të një personaliteti njerëzor në kuadrin e formimit të një pozicioni jetësor njerëzor të nxënësve.

Gjithë rrugëtimi jetësor e profesional për afro 4 dekada në sfidat e panumërta në udhët e mundimshme të dijeve dhe shkencës, dëshmon përpos të tjerash, performancën dhe gjurmët dinjitoze të përkushtimit dhe përpjekjeve të tij këmbëngulëse për përmbushjen me sukses të standardeve mësimore. Me një kontribut të jashtëzakonshëm në proceset e mësimdhënies dhe edukimit që lidheshin me maksimalizimin e të nxënit, për brezat e rinj të Selenicës, Poros si edhe të qytetit të Vlorës, në lidhje jo vetëm me formimin shkencor por edhe edukimin e zhvillimin e mëtejshëm social të tyre.

Ιrakli Billa, si një edukator dhe mësues pasionant, duke spikatur përherë në proceset e mësimdhënies cilësore dhe bashkëkohore, ndoqi rrugën e ndjekur prej paraardhësve të tij, në inkurajimin e veprimit mësimor të nxënësve, në ndriçimin e horizonteve të reja dhe pajisur me një përgatitje dhe formim me nivel të lartë të të nxënit. Duke dëshmuar realisht një kontributdhënie admiruese në përgatitjen e brezave të rinj me dijet shkencore, në rrugëtimin jetësor të ardhmërisë së tyre. Pasi përmbushja e synimeve dhe arritja e qëllimeve fisnike në çdo hap të jetës, natyrisht që kërkojnë angazhime, punë, qëndrueshmëri, sakrifica, përgjegjësi, profesionalizëm, thellim të vazhdueshëm të njohurive, intensitet të pandërprerë dhe mbi të gjitha, integritet dhe bujari.

Sepse vlerësuar në një kontekst të larmishëm, roli i mësuesit dhe edukatorit, konsiston në një përkushtim madhor ndaj misionit të dijes, i cili natyrisht që kërkon angazhime, bindje dhe pasion të përçdoditshëm, për të përcjellë njohuritë tek nxënësit, përmes taktit dhe mjeshtërisë së veçantë në aplikimin e metodave pedagogjike moderne dhe mbresëlënëse.

 

Rrugëtimi jetësor dhe ai profesional…

 

Irakli Llambro Billa erdhi në jetë më 29 12.1948 në qytetin e Vlorës, si gëzimi i birit të parë në familjen e nderuar të Llambro Billës dhe bashkëshortes së tij Olympiadha Sokrat Babe, në një familje, me tradita arsimdashëse me prejardhje nga Palasa, ku spikasnin virtytet e dashurisë dhe të bujarisë, por edhe ndjenjat e theksuara të atdhedashurisë. Ati i tij, qysh në rininë e tij, ende 17 vjeçar, iu bashkua Lëvizjes Nacionalçlirimtare duke u angazhuar në mënyrë aktive fillimisht në Çetën e Bregut e në vijimësi në Brigadën e 12-të Sulmuese. Në betejën për çlirimin e qytetit të Sarandës, plagoset rëndë duke mbetur invalid edhe pse u dërgua në Itali për t’u operuar dhe mjekuar. Vitet e fëmijërisë së brishtë i kalon pranë familjes në qytetin e Vlorës duke u përballur me vështirësitë e panumërta dhe pamundësitë ekonomike të mbarë vendit, që përjetonte situatat e menjëhershme të rimëkëmbjes pas përfundimit të Luftës Nacionalçlirimtare.

Si pinjoll i një familjeje të mrekullueshme, qysh në vogëli ai u rrit duke trashëguar virtytet dhe parimet e vyera jetësore të familjes, dashurinë për vendlindjen, ashtu sikundër edhe pasionin për librat si edhe kureshtjen për shkencën në përgjithësi.

Starton dhe vijon hapat e para të arsimimit të tij në shkollën 11 vjeçare «Halim Xhelo» ku fillimisht përfundon ciklin e mësimeve të shkollës 7 vjeçare në vitin akademik 1961-62 me nota shumë të mira, duke u veçuar si një nxënës pasionant dhe me dëshira të ndezura për dijen. Mandej vijon ciklin e mësimeve të shkollës së mesme, duke pasur mësues figura të spikatura si Daut Shtinon, Tanush Frashërin, Kristaq Sulin, Xhevdet Mahilën, Nuri Borshin, Meleq Skëndon, e përfundon me rezultate të larta në vitin shkollor 1965-66, falë vullnetit që dëshmonte por edhe të mësuarit sistematik, për të mundësuar natyrisht një formim dhe nivel të lartë, të cilat siguronin mundsit respektive për të vijuar studimet universitare. Padyshim që në arritjen e këtyre rezultateve, një rol motivues luanin edhe angazhimi i mësuesve mjaft të përgatitur dhe me nivel të lartë, me kërkesat e larta të llogarisë që ushtronin sistematikisht.

Me përfundimin e gjimnazit, rregullat e kohës impononin që 1 vit gjithësecili prej maturantëve, të punonte në një ndërmarrje prodhuese, e Irakliu punon në ndërmarrjen e Ndërtimit «Perlat Rexhepi», duke hedhur hapat e para në profesionin e axhustatorit, madje duke fituar edhe kategorinë e Dytë, për aftësitë e tij të shfaqura. Në angazhimet e tij pranë kësaj ndërmarrje përpos aftësive të dëshmuara në profesionin e tij, ai merr pjesë aktive në proceset e rindërtimit të vendit e konkretisht në aksionin për çeljen e rrugës automobilistike të Karaburunit, ashtu sikundër edhe në një sërë nismash apo aksionesh të tjera lokale apo kombëtare.

Në vijimësi, në vitin 1967 i akordohet e drejta për të ndjekur studimet e larta pranë Universitetit të Tiranës, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në degën Kimi-Biologji. Starton jetën studentore me vrullin rinor e me dëshira dhe ambicie jo vetëm për formatimin e një personaliteti bashkëkohor, por njëherazi edhe për të perfeksionuar njohuritë e tija shkencore në këto degë të rëndësishme, të cilat në vijimësi shndërrohen në simbioza të rrugëtimit të tij jetësor dhe profesional.
Duke u përqëndruar në studimin sistematik, me një këmbëngulje pasionante për të depërtuar në labirintet e shkencave të natyrës, Irakliu gjatë viteve të jetës studentore shquhet për përgatitjen e tij sistematike si edhe nivelin e lartë të formimit profesional, duke përfunduar me sukses ciklin e studimeve në vitin 1971, e duke u Diplomuar si Mësues Bio-Kimie.Sfida të reja jetësore pasojnë tanimë në jetën rinore të Irakli Billës.

Në vitin 1972, Irakli Billa emërohet si mësues i Biologjisë dhe Kimisë në gjimnazin «Hajredin Beqari» të qytetit minator të Selenicës, ku për një dekadë, sistematikisht kontribuoi me një përkushtim dhe pasion admirues në edukimin dhe formimin e brezave të rinj të kësaj qyteze.
Tepër i ri në moshë për të mbajtur mbi shpatulla përgjegjësitë e jetës, ende pa i mbushur të 20 –tat, Irakli Billa starton duke hedhur hapat e para në rrugën e gjatë, tejet të vështirë të misionit hyjnor të mësuesisë, duke sfiduar çdo pengesë apo vështirësi momentale. Ndonëse në një qytezë të vogël, me freskinë e moshës, me vullnetin e tij të patundur, me ndihmesën dhe përkrahjen e kolegëve me përvojë, ai dëshmon misionarin e kohës me shpirt të hapur dhe të shqetësuar, për të kontribuar denjësisht në transmetimin e dijeve brezave të rinj. Duke mundësuar dhe realizuar konkretisht hapjen e perdes për një botë krejt të re për nxënësit e tij, ku përpos edukimit dhe formimit shkencor u jepej mundësia e rrallë për t’u bërë njerëz më të mirë e qytetarë të denjë. Sepse në thelb, njohuritë dhe dija, humbasin vlerat e tyre reale, nëse nuk përhapen dhe transmetohen gjerësisht tek aradhat e nxënësve të interesuar për to, për t’u bërë pjesëtarë të një shoqërie dinamike.

Në startin e karrierës së tij në shkollën «Hajredin Beqari» në Selenicë,përpos pasionit dhe seriozitetit, Irakliu dëshmoi një kontributdhënie të papërsëritshme, duke lënë gjurmë të pashlyeshme si në veprimtari kulturore po ashtu edhe në pjesëmarrjen në një sërë aksionesh me karakter kombëtar por edhe lokal.
Vite teksa realisht vetë jeta ndonëse ishte më e thjeshtë, më e ngrohtë, më njerëzore, ndërkohë që vështirësitë ishin të panumërta. Por koha e lirë shijohej, predispozitat e cilido mësuesi nuk lidheshin kurrësesi vetëm me përmbushjen mekanike të detyrimeve për të zhvilluar mësime pasive. Por për të motivuar dhe krijuar gjallëri, entuziazëm, frytshmëri në çeljen e mendjeve si edhe ajrosjen e shpirtrave, jo vetëm në ndërtimin e një imazhi pozitiv, në rrënjosjen e njohurive, por mbi gjithçka të vlerave të shumanëshme jetësore.
Në vijmësi ai angazhohet duke ofruar energji dhe pozitivitet, tolerancë dhe vetëvlerësim, një nivel të lartë komunikimi pedagogjik ashtu sikundër edhe aftësinë e mësuesit në përdorimin metodave efikase dhe novatore mësimore, me karakter shpjegues dhe ilustrues, për të përballuar në mënyrë të pavarur dhe me sukses situatat aktuale mësimore.

I përkushtuar dhe shumë produktiv, në misionin e tij ndriçues,me pasionin e tij krejt të veçantë, jo vetëm në procesin mësimor, për të përcjellë njohuritë tek nxënësit, por për t’u çelur gjithësesi hapësirat e një bote krejt të re, duke u dhënë atyre mundësinë e rrallë për t’u formuar dhe edukuar, por mbi gjithçka, për t’u bërë njerëz më të mirë e të dobishëm. Duke respektuar moton dhe prirjet për t’iu shërbyer gjeneratave të reja të vendit, duke mbështetur zhvillimin dhe mësimin e tyre në një shoqëri dinamike, në vlerësimin se mësimdhënia është sinonim i lumturisë e cila natyrisht përpos mjediseve të klasës, zhvillohet dhe evoluon në një sërë mjedisesh të veçanta shkencore ashtu sikundër edhe në veprimtari të ndryshme analoge. Përtej orës së mësimit, me vullnet të sinqertë, në kohën e lirë, angazhohet dinamikisht për të plotësuar mangësitë e konstatuara, duke punuar dhe sendërtuar ndërtimin e laboratorit aq të domosdoshëm të kimisë si edhe një sërë kabinetesh të tjera mësimore, ku veçon ai i biologjisë, duke u vlerësuar madje në shkallë rrethi me Flamurin e shkollës më të mirë. Periudha dhe kohë që jetoheshin të përkushtuara në karriera të arsimimit dhe punës shkencore, në edukimin e brezave me dije shkencore, me vlera jetësore, me kulturë.

Realisht ishte mbresëlënës serioziteti, përgjegjësia, orientimi, shpirti i bashkëpunimit, vetëdija e misionarit mësues Irakli Billa, i cili në vijimësinë e karrierës së tij profesionale shumëvjeçare, u angazhua me të gjitha forcat për të mësuar, për të udhëhequr, për të formësuar shpirtrat e nxënësve. Jo vetëm duke ofruar njohurit shkencore, por në të njëjtën kohë, duke ua zbukuruar ditët e shkollës nxënësve të tij. Sepse roli i një mësuesi, përpos atij thelbësori si mësimdhënës, lipset njëherazi që të mbisundohet prej pasionit, dashurisë, predispozitave pozitive e mirëkuptimit, sinqeritetit në përjetimin e nevojave dhe problematikave shqetësuese të nxënësve.

Νë vlerësim të punës së tij të suksesshme e aftësive drejtuese, në shkurt vitin 1982, Irakli Billa emërohet si Drejtor i shkollës së Mesme të Bashkuar «Loni Mone» në Poro ku punoi me pasion e dashuri për 7 vite rradhazi. Gjatë viteve të karrierës së tij drejtuese në këtë fshat arsimdashës, spikati për drejtimin e suksesshëm ashtu sikundër edhe për arritjen e plotësimin e objektivave të vendosura duke u shquar për arritjen e rezultateve të larta e admiruese. Irakli Billa, mësues punëtor dhe pa përtuar, një drejtues autoritar, serioz dhe kërkues në punën e prditshme, me ecjen e tij karakteristike, e mbisundonte mirësia dhe buzëqeshja teksa hynte në mjediset e shkollës, duke përshëndetur të gjithë përreth edhe në distancë.

Duke vlerësuar si parësore dhe udhërrëfyese arsimimin dhe kodin e vlerave që lipset të pajiseshin nxënësit, për të mundësuar kësisoj përballimin e problemeve të jetës,por edhe për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe efektive, fokuesi motivues i drejtuesit dhe mësuesit Irakli Billa, por edhe gjithë kolektivit pedagogjik, ishin standartet dhe metodat efektive pedagogjike në përmirësimin e përgatitjes profesionale dhe nivelit të lartë të mësimnxënies.
Sepse qenia si drejtues, lidhet me një sërë sfidash asfare të rastësishme, të cilat nuk lidhen vetëm me vendimmarrjen,pasi përditshmëria konsistonte me mbarëvajtjen e çdo detaji mësimor dhe edukativ, në gjithë mbarëvajtjen e veprimtarisë kolegjiale, por edhe të dukurive psikosomatike dhe shpirtërore të nxënësve, ashtu sikundër edhe të mësuesve dhe të prindërve.
Figura dhe personaliteti drejtues i Irakli Billës, si një prej mësuesve dhe drejtuesve të preferuar, jo vetëm nderohej dhe respektohej nga ana e komunitetit vendor. Vendasit dhe fshatarët e thjeshtë, shihnin tek ai, njeriun e përzemërt, human e fisnik, dashamirësin dhe të kudogjendurin, fjalëmbëlin dhe modestin, duke kërkuar hera herës sugjerime e këshillime lidhur me kontrollin dhe ecurinë evolutive të fëmijëve të tyre.

Në përshtatje me kushtet e krijuara, për të siguruar normalitetin dhe sfiduar vështirësitë konjukturale, në shërbimin sa më të mirë të funksionimit të procesit mësimor, Irakliu në rolin e drejtuesit, jo vetëm impenjohej por vlerësonte dhe motivonte dimensionet pedagogjike-didaktike duke fokusuar nxënësit dhe përparimin e tyre, duke iu referuar veçorive dhe kërkesave të kohës që lidheshin me formimin e tyre shkencor.

Paralelisht me angazhimet e tij të përditshme si drejtues dhe mësues në shkollën e Mesme të Bashkuar «Loni Mone» në Poro, Irakliu përzgjidhet si Pedagog i jashtëm pranë Filialit të Universitetit të Tiranës në qytetin e Vlorës. Për disa vite rradhazi,me fisnikëri dhe integritet ai ofroi gjithë potencialin e njohurive të tija shkencore në shërbim të formimit dhe kualifikimit shkencor të mësuesve të Bio-Kimisë.

Njëherazi edhe në Kabinetin Pedagogjik të rrethit të Vlorës, me një vullnet të jashtëzakonshëm, Irakli Billa shërbente si metodist i jashtëm e bashkëpunëtor i ngushtë, duke referuar në një sërë aktivesh apo konferencash shkencore. Si një mësues specialist i shquar në udhën e vështirë të dijes, i vlerësuar për kompetencën profesionale dhe metodike, duke ndihmuar realisht në kuptimin dhe zbërthimin e të fshehtave të shkencës dhe të vetë jetës. I gatshëm për të ofruar kontributdhënien e tij arsimore por edhe atë shkencore, në funksion të përmirësimit të proceseve mësimdhënëse, sistematikisht ai angazhohej dhe asistonte në një sërë grupesh dhe ekipesh kontrolli për të ndihmuar dhe kontrolluar, konkretisht në shkolla të ndryshme të rrethit të Vlorës.
Në muajin Prill 1989, Irakliu transferohet nga Poro duke u emëruar si mësues i Bio-Kimisë në shkollën e Mesme «Hasan Pulo» të Orikumit, ku vijoi të ushtronte me kompetencë detyrat e tij funksionale deri në muajin Tetor 1990. Mandej transferohet në shkollën e Mesme Teknologjike të Naftës «Shyqyri Alimerko» në qytetin e Vlorës,si mësues i Bio-Kimisë.

Misioni vlerëmadh me kontribute shumëdimensionale për një individualitet padyshim që është transmetimi dhe shpërndarja e njohurive dhe diturisë, e këtë më së miri e realizon dhe konkretizon mësuesi me rolin e tij të shenjtë tek masa e nxënësve.

Prioritetet e përditshme tanimë të mësuesit dhe edukatorit Irakli Billa, konsistonin në mësimdhënien e cila në thelbin e saj, e ka mëse të domosdoshme dhe të nevojshme shpirtin, shpjegimin me maturi. Si prioritet shquarjen e personalitetit individual, me qëllim që nxënësit jo vetëm të ndjejnë, por njëherazi të dalin më të pasur në dije dhe më të formuar dhe më të mirë si njerëz e qenie shoqërore. Sepse ai nuk e shihte veten si një mbajtës apo rregjistrues dokumentesh, por si një misionar aktiv që duke transmetuar dijet dhe njohuritë shkencore, të mundësonte në edukimin dhe formimin e të rinjve e mbarë shoqërisë. Kësisoj ai përballej me portretet gjithë shkëlqim, me sytë e pafajshëm e shpirtrat rinorë që kërkonin të zbulonin të vërtetat e jetës dhe edukimin e tyre me dijet shkencore.

I spikatur në karrierën e tij pedagogjike si një personalitet dhe një mësues profesionist, duke dëshmuar përkushtimin dhe seriozitetin, shkallën e lartë të profesionalizmi, Irakli Billa shquhet për punën e tij të palodhur dhe korrekte. Jo vetëm si mësues, por edhe si një mësimdhënës autoritar dhe i talentuar i brezit të ri. Njëherazi edhe si edukator në proceset e formimit dhe edukimit me sjelljen e kulturuar në shkollë, shoqëri e familje, por edhe në displinën e ndërgjegjshme. Sepse me vetëdije dhe bindje të plota,ai reflektonte pozitivisht dhe investonte sistematikisht thesarin e gjithë përvojës së tij, në shërbim të proceseve të zhvillimit arsimor ,por edhe përhapjes së dijes, në nxitjen dhe çuarjen përpara të prirjeve dhe aftësive të brezave.

Starti i shembjes së sistemit komunist dhe fillimit të proceseve të demokratizimit të jetës së mbarë vendit, përkon me një prej periudhave më të vështira në jetën e Irakli Billës. Pasi duke iu referuar nenit famëkeq 24/1, keqdashësit pseudopushtetarë lokalë të arsimit vlonjat të asaj periudhe kohore, me një arrogancë cinike, padrejtësisht e flakin në rrugë. Duke shkelur në mënyrë flagrante parimet e etikës njerëzore,si edhe duke anashkaluar enkas vlerat dhe aftësitë profesionale të një mësuesi dhe edukatori, me kontribute dhe veprimtari admiruese në jetën shkollore dhe atë shkencore.

Përtej bindjeve politike ai ishte njeri, specialist, ideator, mësues, drejtues, një individ asfare i përkedhelur apo produkt suksesi prej politikës, për të përjetuar vuajtje, përndjekje, ndëshkime fatale, krejt pa logjikë dhe pa asnjë arsye.
Vlerësuar me kontekstin kohor, jetëgjatësia politike e një zyrtari të lartë që inicion dhe miraton vendime të tilla tejet arbitrare, nuk i kapërcen 4 vite, ndërsa mësuesi me misionin e tij, nuk i përket vetëm realitetit por gjithësesi të sotmes dhe përjetësisë.

Pikërisht prandaj Irakliu edhe pse e goditën, e lënduan, e vranë shpirtërisht, nuk u përkul, kurrësesi nuk iu dorëzua fatalitetit ndëshkues, por kryelartë dhe me vetëdije, si një shembull qëndrese në parimet e tij të vyera, vijoi rrugën e mundishme të kontributeve të vyera për komunitetin dhe shoqërinë.
Në shtatorin e vitit 1997, Irakli Billa emërohet si Drejtor i shkollës së Mesme «1 Maji» në qytetin e Vlorës, e cila në vijimësi me interesimin e pushtetit vendor dhe Drejtorisë arsimore lokale, emërtohet «Μustafa Qemal Ataturk». Me autoritetin shkencor dhe pedagogjik, përmes punës këmbëngulëse, përmes angazhimeve të tij dhe falë përvojës si një drejtues i talentuar, e shndërron këtë shkollë, nga një institucion anonim shurdhmemec, në një institucion ku vlonte jeta shkollore, ku spikaste niveli mësimor por edhe formimi i nxënësve në nivele të larta. Si një drejtues i suksesshëm, me aftësi të admirueshme në organizim dhe drejtim, duke iniciuar një filozofi krejt të re drejtimi, me shkathtësi përgatit dhe krijon rreth vetes një staf të formuar e dinjitoz. Për të mundësuar kësisoj një model dhe konceptim të ri në funksionimin e shkollës bashkëkohore, duke ia arritur që nga 350 nxënës që figuronin në startin e tij të drejtimit, të kapërcente 800 nëxnësit, prej të cilëve afro 400 prej tyre i përkisnin sistemit me shkëputje nga puna. Kjo periudhë drejtimi nga ana e Irakliut, përkon me mundësimin e dy prej nxënësve të shkëlqyer të çdo viti shkollor, të përfitonin të drejta studimi në shtetin turk.
Paralelisht, duke respektuar pak a shumë arritjet e parardhësve por edhe kolektivit mësimor, synimi ambicioz ishte që gradualisht,në gjithë aspektet mësimore të ndryshohej cilësisht dhe të mund të ecej përpara në koherencë dhe përshtatje me kërkesat dhe imperativin e kohës.

Në aspektet e vlerësimit pozitivisht të mundësive potenciale, e duke synuar në nivelin e përgatitjes si edhe në përkushtimin e trupës mësimore, ky institucion shkollor përballet me ndryshime të dukshme në të gjitha aspektet dhe drejtimet, në disiplinë, në frekuentim, në përgatitjen shkencore ashtu sikundër edhe në arritjen e vendeve të nderit në konkurse apo olimpiada shkollore në shkallë lokale apo kombëtare. Po ashtu edhe në gjallërimin e mëtejshëm të jetës kulturore artistike po ashtu edhe asaj sportive

Duke dëshmuar stilin konstruktiv dhe organizativ të një drejtuesi krejt të pazakontë, tepër human dhe me një komunikim njerëzor, por edhe si një mësues i pa përtuar, metodist shumë i mirë, Irakli Billa synon në orientimet preferenciale mbi procesin e të nxënit dhe rezultatet konkrete të të nxënit, si edhe në efikasitetin në përdorimin e intuitës si edhe mjeteve dhe metodave të veprimtarisë pedagogjike.

Për të arritur majat e përsosmërisë profesionale, lipset e nevojshme të formohet në procesin e veprimtarisë pedagogjike stili individual, i cili natyrisht që siguron efektivitetin e tij, falë performancës ashtu sikundër edhe përvojës pedagogjike dhe vetëzhvillimit krijues.
Me shkathtësinë e një mësuesi, si niveli më i lartë i zhvillimit të profesionalizmit të tij, Irakli Billa, si një intelektual dhe drejtues që karakterizohej nga një prirje e dukshme për veprimtari shkencore por edhe për arritje të niveleve të larta mësimore, sistematikisht ai spikat dhe këmbëngul në rreptësinë e kërkesave dhe rritjen e përgjegjësisë në përgatitjen dhe zhvillimin e mësimit, në programimin me përpikmëri në përzgjedhjen e materialit edukativ, në mënyrat komunikuese intensive me një ton të qetë, miqësor dhe tepër dashamirës në raportet me nxënësit ashtu sikundër edhe me kolegët e tij mësues.
Irakli Billa, dëshminë e suksesit të tij si drejtues e mbështeste dinamikisht në ndërtimin dhe ruajtjen e marrëdhënieve të shëndetshme me të gjithë kolegët mësues, por edhe me prindërit, si një komponent kyç për të patur një shkollë të jashtëzakonshme dhe rezultate të niveleve të larta. Në bashkëpunim të ngushtë e racional me trupën pedagogjike, por edhe gjithë stafin e shkollës, me gjithë potencialin e energjive të pashtershme të tij, ai ia del mbanë që jo vetëm të ndryshoj imazhin e kësaj shkolle. Por paralelisht, të krijoj stereotipin e mirëfunksionimit të saj, duke e pajisur me bazë materiale dhe didaktike bashkëkohore, duke rikonstruktuar dhe rregulluar gjithë mjediset funksionale të shkollës, si edhe duke minimizuar numrin e nxënësve braktisës që pa arsye dhe shkak largoheshin prej mësimit.

Në vitin 2002, si një figurë e njohur dhe e konfirmuar e arsimit vlonjat, transferohet në shkollën e Mesme «Halim Xhelo», tashmë me detyrën e Zv/drejtorit të kësaj shkolle, ku shërbeu me përkushtim për 3 vite rradhazi.
Edhe në këto pozita drejtuese, veprimtaria produktive e një mësuesi dhe drejtuesi me përvojë si Irakli Billa, konsiston në transmetimin e perfeksionuar të njohurive dhe dijeve shkencore, të pasuruara me elementë novatorë, duke iu përgjigjur më së miri kërkesave të një arsimi cilësor dhe bashkëkohor.

Si një mësues model i vlerave njerëzore, me profesionalizmin, produktivitetin, ekspresivitetin, logjikën, mënyrat ilustruese e veçanërisht komunikimin, me mjeshtrinë e tij, përballonte me sukses misionin e lodhshëm dhe punën e vështirë sistematike. Duke sfiduar hera herës kushtet pafavorshme në organizimin e orës mësimore, në shërbim të skalitjes së shpirtrave rinorë me dije dhe njohuri shkencore.

Për të përmbushur sa më mirë detyrën thelbësore socio-pedagogjike dhe formimit të gjithë komponentëve të veprimtarisë edukative-arsimore, si një garanci se mësimdhënia do të përligjte funksionin e saj si veprimtari drejtuese. Sepse qenia e tij ekzistenciale, lidhej kryekëput me prirjen misionare, për t’u shërbyer brezave dhe gjeneratave përmes kërkimit dhe përpunimit krijues të informacionit të dobishëm shkencor, në mbështetje të zhvillimin dhe mësimin e tyre në një komunitet dhe shoqëri dinamike.
Tepër serioz dhe i përgjegjshëm për detyrën drejtuese që angazhohej, monitoronte dhe inkurajonte gjithë eventualitet e mundura në shërbim të zhvillimit profesional të stafit mësimor, duke i mëshuar veçanërisht përmirësimit të cilësisë së mësimdhënies, duke u mbështetur në standardet bashkëkohore, në aspektet didaktike, pedagogjike,psikologjike dhe sociologjike.

Ndonëse i promovuar si një personalitet me vlera, si një mësues dhe edukator i spikatur, ndryshimi dhe rrotacioni i pushteteve ndikon menjëhere me largimin e tij krejt të padrejtë dhe të pamotivuar nga shkollat publike. Krejt i pambrojtur dhe i dobët përballë pushtetit dhe kornizës së tij shtrënguese, i trysnuar në përjetimin e radikalizmit të tensioneve politike dhe versioneve ekstreme të manipulimit të tyre, të mos vlerësimit dhe respektit për individët dhe personalitetet modeste të fushës së arsimit, pa pasur thuajse asnjë lloj mundësie për reagim apo rezistencë. Për rrjedhojë të angazhohet tanimë si mësues në Shkollën Jopublike, «Drita e Dijes», i tejpërkushtuar në profesionin e tij misionar, profesional, shumëdimensional dhe reflektiv, sa të vështirë po aq edhe të lodhshëm, sa sharmant po aq edhe të këndshëm, në shërbim të ngjizjes së dijeve dhe transformimit real të jetëve të nxënësve.
Si mësues dhe edukator, si një prej figurave të sprovuara në fushën e mësuesisë, në vitet 2008-2009, Irakli Billa merr frenat e drejtimit si drejtues në shkollën Jopublike «IKEA». Në vitin shkollor 2009-2010 emërohet si Drejtor i shkollës Jopublike «Reald» duke dëshmuar vlerat e larta të një punë krijuese dhe edukative. Por njëherazi edhe aftësitë e tij profesionale, duke ndikuar drejtpërdrejtë në arritjen e niveleve të larta në zhvillimin e procesit mësimor, ashtu sikundër edhe në formimin tërësor të nxënësve. I ndërgjegjësuar dhe i devotshëm në barrën shoqërore të formimit dhe edukimit të nxënësve në kushte shumë të vështira, me të drejtë Irakliu ndihej i motivuar dhe krenar, teksa shihte frytet justifikuara të vullnetit dhe mundit të tij shumëvjeçar. Arritjet dhe sukseset e rrugëtimit të tij prej disa dekadash, në dobi të formatimit dhe edukimit të nxënësve, si edhe të sistemit arsimor dhe të shoqërisë, mbështeten dinamikisht në performancën dhe punën e tij sistematike, këmbëngulëse dhe frytdhënëse.
Në vitin 2011, Irakli Billa për shkak të një problemi të rëndë shëndetësor, duke u operuar në zemër, nuk mund të punonte aktivitisht.
Në vitin shkollor 2011-2014, Irakli Billa emërohet si Zv/drejtor i Shkollës së Mesme Profesionale «Pavarësia». Veprimtaria e tij e shumanëshme si mësues në këtë instuticion, konsiston përpos rreptësisë dhe kërkesave të larta në përgatitjen e nxënësve, duke i motivuar jo vetëm të përvetësonin sa më mirë të fshehtat e profesionit, por njëherazi duke siguruar edhe një kulturë të gjithanshme në rrugën e vështirë të përvetësimit të dijeve. Një tjetër aspekt ku kontribuoi me skrupulpozitet dhe ofroi një kontribut të vyer, ishte përgatitja dhe riorganizimi i mbajtjes dhe ruajtjes së dokumentacionit shkollor, si një thesar i paçmuar jo vetëm për aktualitetin, por natyrisht edhe për ardhmërinë historike të kësaj shkolle si edhe arsimit vlonjat. Paralelisht, duke ofruar ndihmesën e tij dhe shërbyer në mbarëvajtjen e problematikave në shkollë, në aspektet e kualifikimit dhe përsosjes së vazhdueshme të specialistëve të rinj por edhe të kolegëve mësues të sapo emëruar në këtë institucion shkollor.
Në 7 Prill 2014, pasi ka mbushur moshën, mësuesi fisnik Irakli Billa del në pension. Por rishtaz ky mbeti një fakt krejt pa vlerë. Sepse duke kontribuar sistematikisht një jetë të tërë në shërbim të edukimit të brezave të rinj, i karakterizuar prej pasionit për profesionin e mësuesit, kulturës pedagogjike, përkushtimit në punë, korrektesës dhe ndërgjegjes së lartë,kurrësesi nuk mund të largohej Irakliu larg klasave dhe mjediseve shkollore.Kësisoj,në vitin shkollor 2014-2015 ai angazhohet dhe ofron kontributin e tij misionar, si Drejtor i shkollës Jopublike «Horizonti», ndërsa në vijimësi në vitin shkollor 2015-2016, si mësues specialist në shkollën Jopublike «Dijetari».
Drejtoria Arsimore e qarkut ashtu sikundër edhe Bashkia e qytetit të Vlorës, e kanë vlerësuar për aftësitë, etikën, integritetin, pasionin e tij në mësimdhënie dhe për kontributin si drejtues metodik shumëvjeçar në arsim, duke e lauruar dhe nderuar me tituj nderi e Çertifikatën «Për arritje profesionale dhe përkushtim në edukimin shkencor e qytetar të brezave. Për ndihmesë të vyer në përparimin e arsimit në qytetin e Vlorës e atij mbarëkombëtar».
Në vitin 1982, ai kurorëzohet me martesë me mjeken baktereologe Estoni Billa. Me përkujdesin e veçantë dhe dashurinë e bashkëshortes – mjeke, sollën në jetë 2 fëmijë të mrekullushëm e të mbarë, Olianën dhe Llambrion, të cilët i edukuan dhe i rritën në mënyrë të shëndetshme dhe duke u kujdesur në përkrahjen e tyre të vazhdueshme, për të realizuar ëndrrat e tyre jetësore. Sot ai ndihet tepër krenar, për të bijën, e cila është diplomuar për Ekonomi-Biznes në Universitetin «Ismail Qemali» në Vlorë, si edhe të birin, i cili studioi dhe është diplomuar si Piktor në Akademinë e Arteve në Tiranë. Të dy ofrojnë me përkushtim kontributin e tyre modest në shërbim të shoqërisë dhe kanë krijuar strehëzat e familjeve të tyre.
Mësuesi i respektuar Irakli Billa gjithësesi, në rrugëtimin e tij jetësor dhe profesional dëshmohet një familjar i jashtëzakonshëm, një prind shembullor i përkushtuar, sepse faktori kryesor dhe më i rëndësishmi i suksesit në jetë, është familja. Trashëgoi cilësitë më të vyera të paraadhësve, por edhe të prindërve, të cilët sfidat jetësore dhe jetën familjare, e krijuan duke e përballuar me dinjitet, me sakrifica si edhe me punën e tyre sistematike të palodhshme.
I adhuruar por edhe tepër autoritar, një baba i mrekullueshëm, prind i përkryer në përkujdesjen e mirërritjen fëmijëve, një bashkëshort model, duke u shndërruar në një pikë referimi jo vetëm për familjen e tij, por edhe për gjithë rrethin e afërt familjar.
Hobi jetësor i Irakli Billës, përpos përkushtimit të tij në profesionin e mësuesit duhet thënë se ishte futbolli, ku ai kontribuoi dinamikisht në rolin e arbitrit. Madje duke arritur të fitonte edhe kategorinë e parë e duke gjykuar sistematikisht për disa vite rradhazi e duke ndikuar në arritjet e kohës së futbollit cilësor vlonjat.
Irakli Billa, si pjesëz e idealistëve dinjitozë, me përkushtim, seriozitet dhe devotshmëri, startoi dhe rrugëtoi në jetë si një misionar dhe mësues i nderuar, në shërbim të formimit dhe edukimit të brezave. Si një mëtues i dijeve në një mision jetësor që i ofroi impresione dhe kënaqësi të jashtëzakonshme, duke lënë gjurmë të pashlyera në memorien e nxënësve që mësuan prej tij, ashtu sikundër edhe të kolegëve dhe prindërve. Ndonëse sfidat jetësore e përballën me sakrifica e vështirësi të panumërta, ndonëse karriera e tij nuk ishte asfare e lehtë, por ai me vetëdije u lartësua në rrugët e arritjeve dhe sukseseve. Duke qënë në çdo moment pranë nxënësve të tij të dashur, pranë kolegëve, pranë prindërve e dashamirësve. Gjithësesi duke përjetuar ato ndjesi shpërblyese që vështirë të artikulohen me fjalë, sepse çdo problematikë e shpjeguar, çdo përparim i nxënësve dhe çdo vlerësim me nota të mira, natyrisht që ishte shpërblimi sublim dhe madhor,për një mësues dhe edukator vizionar.

I tillë është skalitur dhe memorizuar Irakli Billa, si një prej personaliteteve të përkora që shërbeu vazhdimisht dhe ngrohtësisht nga pozicioni i mësuesit, por edhe i drejtuesit dinamik dhe autoritar, në disa shkolla të rrethit edhe të qytetit të Vlorës. Fatmirësisht, i ofroi maksimalisht të dyja këto aspekte, për komunitetin arsimor dhe për shoqërinë shqiptare e veçanërisht për komunitetin vlonjat.
Në vend të epilogut…
Irakli Billa, simbioza e një mësuesi dhe edukatori vizionar, e njeriut idealist dhe parimor, me vlera shumëdimensionale që përmes dijeve që transmetoi, përmes shembullit e përvojës së tij, i shërbeu arsimit me seriozitet, me këmbëngulje, me qëndrueshmëri dhe përkushtim. Për të mundësuar inkurajimin, por edhe përmbushur kauzën e domosdoshmërisë jetike të përgatitjes dhe afirmimit të një gjenerate të orientuar në udhëkryqet e jetës. Duke u angazhuar dhe punuar me një entuziazëm të pashoq, në rrugën e arsimimit të nxënësve të etur për dijen dhe edukimin e njëherazi duke frymëzuar shumë individë të moshave të reja.
Νë rolin e një kontribuesi meritor në arsimin vlonjat por edhe me tej, në atë mbarëkombëtar, Irakli Billa dëshmon figurën e një emisari të papërtuar, si mësues ideal dhe edukator, por edhe si drejtues e veprimtar shoqëror. Si një pjesëz e plejadës që ofruan kontributdhënien më të rëndësishme në një shoqëri të qytetëruar, atë të përçimit dhe mësimit të dijeve anekënd në rrugëtimin e mundshëm plot me peripeci dhe sfida të përballuara me shum sukses nga ana e tij. Me seriozitetin, modestinë, metodikën, thellësinë e njohurive, ishte jo vetëm për armatën e nxënësve të tij, por njëherazi edhe për kolegët tij mësues, një burim i besueshëm dhe i sigurtë inkurajimi dhe njohurie të vyera e të dobishme.
Në këtë ditë Festive të Mësuesit, nëpërmjet këtyre aradhave e vlerësimeve tepër modeste, ravijëzojmë e portretizojmë personalitetin intelektual dhe kontributdhënien e çmuar të mësuesit edukator, udhërrfyesit të gjeneratave Irakli Billa. I cili ofroi bujarisht potencialin e energjive mendore dhe fizike në përmbushjen misionare të detyrave të nderuara që iu ngarkuan, ashtu sikundër edhe dashuri të pakufishme dhe pa kërkuar asgjë për veten e tij. Duke dëshmuar rrugën e shprehjes së mundësisë së pakufizuar që ekziston tek cilido individ të përkushtuar, i fokusuar tërësisht në edukimin dhe ndriçimin e rrugës së brezave të rinj. Heroi i padukshëm dhe i heshtur, misionari mësues dhe edukator, si shtylla bazë e sistemit tonë arsimor, mund të quhet vetëm ai që jeton për të tjerët, ku pavarësisht konjukturave epokale plot pengesa dhe vështirësi, me durimin e patejkalueshëm kapërcejnë vetveten, duke ofruar njohuri dhe vlera edukimi. Kumte dhe vlera që i përshtaten një shoqërie bashkëkohore, që formësojnë të ardhmen e vendit në rrugët e përparimit dhe ndërtimit të një të ardhmeje prosperiteti.
Mirënjohje dhe falenderime të pafunda për Irakli Billën, misionarin, edukatorin, mësuesin, drejtuesin e shkollave, frymëzuesin dhe udhërrëfyesin e një sërë plejadave drejt udhëve të dijes dhe shkencës, duke i motivuar dhe mbështetur ata në çdo hap të rrugëtimit të tyre në labirintet e procesit mësimor.
Si bashkëkohës, si miq të afërt, me të drejtë krenohemi me modele dhe shembuj të tillë të jashtëzakonshëm, që me rolin e rëndësishëm dhe opusin e veprimtarisë edukative shumëdimensionale, spikatën në fushën e arsimimit, duke lënë gjurmë të pashlyeshme ndër breza e gjenerata.
Personaliteti misionar humanist i Irakli Billës konsiston në sakrificat e betejave dhe vizioneve të tij jetësore, në zgjerimin e horizonteve shpirtërore për të njohur thellësitë e enigmave të dijeve shkencore. Duke mishëruar dhe shprehur në mënyrë të përkryer, meritat, guximin dhe idealet për jetën, përpjekjet e tij dhe dashurinë e jashtëzakonshme për dijen dhe arsimin, kontributin e tij të pafund në përgatitjen dhe formimin e gjeneratave të reja vlonjate për t’u përballur në mënyrë dinjitoze me jetën, me realitetin social-shoqëror.
Sot për Festën e 7 Marsit, i urojmë shëndet, lumturi, gëzime, hare, vitalitet e harmoni familjare.
Faleminderit me zemër për Dijet potenciale, Energjitë, Fuqinë, Frymëzimin, Dashurinë, Performancën, Vullnetin dhe Përkushtimin, Mësuesi dhe edukatori i ndritur, Irakli Billa!
Gëzuar ndër mote Festën e 7 Marsit!

Athinë, 07. 03. 2022

Please follow and like us: