Albspirit

Media/News/Publishing

Thanas Medi zbulon formulën e helmit të totalitarizmit

 

Constantin Voinescu

Oana Glasu, përkthyesja e librit të Thanas Medit në Rumanisht.

 

Lexova, në përkthimin e Oana Glasut, librin e shkrimtarit shqiptar me origjinë arumune, Thanas MEDI, MARKELA. Dhe shënoj disa ide, duke përfshirë ndërthurjen e rrëfimit me përshkrimin derisa ato të shkrihen në një formë komunikimi artistik të veçantë. Specifik më tepër për kinematografinë. Rrëfimi i Thanas Medi është impresionues nga përshkrimi, i cili i shmanget teprimeve bajate apo pasazheve te stërholluar. Imazhi i Markelës, një simbol jo vetëm i bukurisë femërore, por edhe i pasojave të një kategorie të tërë estetike në botë, nuk është i ndërtuar nga elemente fizike të prekshme, por nga efekte morale përcaktuese. Mungesa e mundshme e Markelës nga mbrëmja e Rovinës do të dinamitonte harmoninë e botës, të mbajtur në një ekuilibër të bukur: “Gjerdhet më të ngarkuar me pluhur, rrugët më të ndotura, pellgjet më të pistë, çatitë  më të mpira, njerëzit më të lodhur, nata që po binte më e zymtë, yjet e largët më të trishtë”. Asnjë vizë e thelluar, asnjë vijë e tejdukshme, asnjë njollë ngjyre për të nxjerr në sipërfaqe bukurinë e Markelës, sepse nuk bëhet fjalë për bukurinë e një femre. Fjala është në të vërtetë për një komponent estetik që i jep bukuri të shëmtuarës dhe jetë jetës, siç thotë autori. Sekuenca e pritjes rrëqethëse të Markelës në mbrëmje bëhet një rrëfim përshkrues tepër mbresëlënës, duke e bërë të tepërt zbulimin e ndonjë tipari fizik, sepse ajo, thjesht prania e Markelës: “do të kishte bërë të zezën-të bardhë, natën-ditë, trishtimin-gëzim, lodhjen-gjallëri, apatinë-shpresë, mërzinë-kënaqësi, ëndrrën-të vërtetë”. Thanas Medi zhvillon një teknikë letrare novatore të portretizimit fizik të personazhit, e cila, megjithatë, përvijon edhe disa tipare që përbëjnë portretin moral të tij.

Mesazhi shqetësues dhe i qartë i librit është çhumanizimi i njeriut në shoqëritë diktatoriale, tiranike, të ndërtuara mbi diktatin e frikës, të asaj gjendjeje të thellë shqetësimi, të prodhuar nga rreziku, që i imponohet njeriut në çdo moment.Nga frika, të cilën grekët e lashtë e quanin phrike – dhe shqiptarët, në gjuhën e të cilëve autori shprehet artistikisht – frikë. Phobia, siç e quanin grekët (demonofobia mitike), dominon heronjtë e librit të Thanas Medit, të nënshtruar sprovave të ashpra të realitetit të shtrembëruar shoqëror në të cilin jetojnë, çrregullimit mikrokozmik, që nuk guxojnë ta rivendosin ose ta kundërshtojnë. Sepse për ta bërë këtë, do të ishte e nevojshme që ata vetë të kishin guximin për të rivendosur, para së gjithash, rendin e tyre të brendshëm dhe ekuilibrin e tyre të humbur mendor. Andon Çerepi, njëri nga dy të rinjtë e dashuruar në të njëjtën kohë me Markelën, rrëfen se dashuria e tij e mëparshme për Emën u shemb papritmas sepse një nga familjarët e saj ishte arratisur nga vendi dhe biografinë e saj e kishte ‘njollosur’ dhe ajo mund të përjashtohej nga fakulteti. “Kaq mjaftoi që të më pushtonte paniku, të më mbërthente frika. Frika e ndotjes nga njolla e Emës. U katandisa një copë burreci i mjerë, nuk pata kurajën as ta takoja njëherë, ta dëgjoja njëherë”. Kur djali tjetër i dashuruar me Markelën, Leko Zavalli, është çuar nga burri i hallës për të parë nusen e mundshme, babai i tij shprehu miratimin e vetë politik për krushqit e mundshëm: “Mua më mjafton që janë në rregull nga biografia, të tjerat i ke ti”. Nuk është bukuria magjepsëse e Markelës ajo që ngjall frikë tek admiruesit e saj të rinj, por ‘njolla’ biografike pas bukurisë së saj: statusi i të dëbuarve nga Tirana në Rovinë, të qenit diçka si leckëpër shoqërinë socialiste shqiptare, kundërshtarë të regjimit diktatorial të Enverit. Vetë Andoni e pranon: “…mua frika më gatoi kështu. Frika nga ca sy të kallkantë, që vetëm përgjojnë; frika nga kushdo dhe gjithçka”. Dhe duke e përshkruar më gjerë: “Janë të gjithë, është një popull i tërë. Ne ngjizemi me frikë që në mitrën e nënave tona, mëkohemi me frikë që në shpërngënj, rritemi me frikë, marrim frymë me frikë, flasim me frikë, mendojmë me frikë, qeshim me frikë, qajmë me frikë, këndojmë me frikë, brohorasim me frikë, dashurojmë me frikë, dhjesim me frikë, rrojmë e vdesim me frikë.”  Struktura narrative e librit mbështetet në një antonimi shoqërore dukshëm të çekuilibruar: nga njëra anë – imponuesit dhe kontrolluesit e frikës (të paktët, që mbajnë pushtetin), nga ana tjetër – të shumtët, duke i’u nënshtruar frikës, nga rreziku i dënimit, ndëshkimit dhe vrasjes.

Thanas Medi nuk shkruan një roman dashurie, ai shkruan një roman për barrierat, për muret rreth ndërgjegjes, për frikën. Dashuria është vetëm preteksti për t’i bërëautopsinë një shoqërie totalitare. Tavolina e operimit është Rovina, në një sallon të quajtur Shqipëria komuniste, ku pacientët i nënshtrohen një eksperimenti të shpëlarjes së trurit, si në të gjithë Lindjen staliniste. Rovina, ashtu si Bërëgani rumun, është një vend ‘larje mëkatesh’ për të dëbuarit, për ata që ende gjenin forcë për t’i rezistuar të keqes komuniste, të mishëruar tek Enver Hoxha. Rovina është një nga barrierat, familja Gajtani, e dëbuar nga Tirana, detyrohet të jetojë (praktikohej edhe në Rumani në vitet 1950) këtu, ku ende duken rrënojat e një burgu të vjetër kërcënues dhe ku Kisha e Shën Gjergjit ishte prishur që të rinjtë të ngrinin shtëpinë e kulturës në vend të saj. Markela është vendosur në këtë fshat, për fajin që babai i saj i kishte dhënë, në një pikturë, një pamje të zbehtë, aziatike, udhëheqësit të dashur. Në këtë mënyrë i vihet një barrierë formimit intelektual, ajo e vazhdimit të studimeve universitare dhe rreth saj ngrihet një mur ndalimesh, madje vritet brutalisht e drejta e saj legjitime për dashurinë, për të mos ndotur të rinjtë e panjollë. Nga auditorët universitar, Markela mbërrin (riedukim komunist) të hapë gropa për të mbjellë bajame në tokën e kooperativës Rovina. Të rinjtë e fshatit, të ngritur në mënyrë propagandistike në statusin e qytezës, po përballen me barriera izolimi dhe urrejtjeje ndaj armikut të klasës: personazhi narrator, Andon Çerepi është kandidat për pranimin në radhët e partisë, që mbizotëronte mbi ndërgjegjen, shpirtin dhe jetën. Babai i Leko Zavallit është një komunist i ndershëm, partia pret sjellje të ngjashme nga djali i tij. Përballë shprehjes së lirë të mendimit, ndeshim një barrierë tjetër: “Shëët, se na dëgjojnë” – thotë gjyshi i Andonit. “Shëët, edhe muret kanë veshë”! Barriera, muri, frika, nënshtrimi i vullnetit, shplarja e trurit janë qendrat referuese të idesë së librit të Thanas Medit. Ketë e shpreh qëndrimi i fshatarëve, të cilët kur mësojnë se Leko Zavalli kishte puthur të jashtëligjshmen politike Markela, e shajnë të tmerruar: “I dashuruar me një të dënuar, të internuar… Ajo s’qe dashuri, qe faj, qe krim, tërmet shtatë ballësh, minë me sahat në themelet e Shqipërisë socialiste. Qe rënie në kurthin e armikut, që ç’nuk bënte për të ‘na e marrë’ kalanë nga brenda. Qe mola që do bluante pak nga pak shtatin e shëndoshë të atdheut… Armiku, pasi e dinte që e kish të humbur luftën me armë, po sulmonte tani me femrat e tyre më të bukura”! Autori kap kështu qasjet tipike totalitare për ç’personalizimin e individit, për ta indoktrinuar atë duke ushtruar një kontroll pervers mbi mendimet, sjelljen, emocionet ose vullnetin e lirë. Në këtë kuptim, e jashtëzakonshme është sekuenca narrative e mbledhjes së organizatës të partisë, e drejtuar nga Paskal Içi.

“Markela” nuk është, në kuptimin klasik, një roman dashurie, por është një roman i dashurisë së pamundur, të ndaluar, një temë e pashtershme dhe e përsëritur në letërsi, nga Shekspiri, Tolstoi apo Markez e deri te Philip Roth, e trajtuar ndryshe sipas moshës, gjinisë, statusit shoqëror, besimit, epokës historike ose llojit të kulturës, si tek Mircea Eliade. Thanas Medi eksploron mekanizmat e jashtëm që shkatërrojnë ndjenjën erotike dhe ekuacionin e dashurisë, duke u ndalur në detaje mbi kuadrin ekzistencial social-politik dhe vektorët shkatërrues, nga tre këndvështrime: dashuria si fillesë, dashuria si pasion dhe dashuria tragjike. Dy të rinjtë e dashuruar me Markelën shprehin ndjenjat e tyre krejt ndryshe: rrufeshëm, çmendurisht, i papërgjegjshëm – njëri, Leko dhe i fshehur, platonik, serioz, metafizik, hakmarrës – tjetri, Andoni. Megjithatë, të dy përballen me të njëjtën barrierë ideologjike absurde, sepse partia zbret në thellësi të shpirtit të individit, duke kontrolluar ashpër ndjenjat e tij intime. Individit i nxitet urrejtja, jo dashuria, urrejtja ndaj armikut të klasës, i cili duhet të shkatërrohet ose të riedukohet përmes punës së detyruar dhe kufizimit të lirisë. Jo vetëm Markela është peng e një hapësire (gjeografike), por edhe dy të rinjtë që e duan janë të burgosurite një kampi tjetër përqendrimi, atij ideologjik. Andon Çerepi reflekton: “Ajo është një e dënuar e lirë, kurse ti një i lirë i dënuar. I dënuar të vuash burgun tënd, të vegjetosh në errësirë, mos e braktisësh zhguallin tënd të sigurt, rob i përjetshëm i frikës, rrënjosur në çdo rruazë gjaku, në çdo qelizë”. Ai që mposht në një farë mënyre frikën është Leko, por e paguan shtrenjtë këtë arratisje nga hapësira ideologjike e kampit të përqendrimit të partisë.

Andon Çerepi nuk vret Markelën, vret veten. Është një vetëvrasje nga frika. Ai është i mbytur nga terrori halucinativ i një shoqërie totalitare. Pëllëmba mbi gojë është simboli djallëzor i vrasjes së ndërgjegjes, i parathënë nga ai ‘shëët’të gjyshit me gisht mbibuzë! Është një vet(vrasje) e ngadaltë, nëpërmjet mbytjes, brenda mureve të ndërtuara rreth dashurisë. Të dashurisë që sipas Ajnshtajnit është forca më e fuqishme në Univers. Andon Çerepi nuk gjen forcën të vrasë frikën, siç kishte bërë në një farë mënyre Leko Zavalli, me gjithë pasojat e pritshme.”Ajo frikë që s’vritej, i akulloi si kurrë ndonjëherë peshkun e kurrizit. I mprehu veshët, të dëgjonte zhurmën më të vogël; i hapi sytë, të shihte hijen më të largët. Iu mbështoll në trup si gjarpër i stërmadh, i kobshëm, i thithi gjakun, i helmoi trurin”.

Thanas Medi zbulon formulën e helmit të totalitarizmit, e shpërfytyron me fjalë, duke dhënë kështu një imazh tronditës të çhumanizimit të individit që pati fatkeqësinë të lindte dhe të jetonte në një kohë të tillë.

 

 

Please follow and like us: