Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Perikli SHETI – I TALENTUARI KIRURG SHKENCËTAR, I JASHTËZAKONSHMI NJERI DHE MJEK!

 

 

Nga Pirro Fotiadhi

 

Portret i paautorizuar në këtë ditë përkujtimore të përvjetorit të 90-të të ditëlindjes, kushtuar mjekut fisnik, kirurgut shkencëtar, legjendës së bisturisë shqiptare, intelektualit të përkorë, Dr.Perikli Sheti.

«Përderisa u krijuat si një trup i vdekshëm, përpiquni të lini një kujtim të vyer të shpirtit tuaj», nënvizon filozofi i madh i lashtësisë greke Isokrati.

 

Në vend të prologut…
Përkushtimi ndaj mjekësisë kurrsesi nuk mund të shihet dhe vlerësohet vetëm si një aspekt përzgjedhjeje të një fushe të shkencës.Por lipset të vlerësohet në një aspekt më të gjerë, si një mënyrë e tërë jetese misionare përkushtuese. Sepse dinjiteti dhe prestigji i mjekësisë, eskluzivisht i përket jo vetëm etikës,por gjithësesi edhe moralit të mjekëve.

Mjekët janë ata humanistë, të cilët motivohen dhe fokusohen në artin e tyre, në një mënyrë konkrete sa praktike po aq edhe filozofike. Roli dhe pozicioni i mjekut në shoqëri, konsiston në kuptimin e tij më të gjerë, që përfshin jo vetëm mënyrën se si ai trajton problemet e pacientit, por edhe mesazhet që ai kumton. Kryesisht nga pranimi social i pozicionit të tij, në formimin e qëndrimit të një mjeku,dy faktorë vlerësohen si prioritarë : shkenca ose arti dhe arsimi,ku ai nuk merr vetëm fuqinë dinamike të tija, por edhe gjithë potencialin e veprimtarisë së tij, që shpreh me sjelljen e qëndrimin e tij.

Misioni dhe funksioni i një mjeku, natyrisht që vlerësohet dhe shihet si tepër jetik dhe i dobishëm ashtu sikundër edhe vendimtar në aspektin e një shoqërie. Sepse vetë njerëzit e thjeshtë e mandej gjithë shoqëria, u beson verbërisht profesionistëve mjekë misionarë, liderëve të dukshëm mantelbardhë, të vetëpërqëndruar në përkujdesjen ndaj shëndetit, të thesarit të tyre më të vlefshëm, vetë jetën e tyre.
Në këtë kontekst, një përjashtim i ndritshëm dhe shembull frymëzues, përbënte padyshim edhe humanisti, tepër i thjeshti, kirurgu shkencëtar, Dr. Perikli Sheti. I mjekut dhe njeriut, i fisnikut dhe intelektualit për të cilin përulej me respekt të jashtëzakonshëm cilindo qytetar tiranas apo elbasanas, ku ai pas karrierës së suksesshme mjekësore në kryeqytet, jetoi pjesëzën më të rëndësishme të jetës së tij, por njëherazi madje dhe të trevave përreth.

Dr. Perikli Sheti, një ndër legjendat e papërsëritshme të bisturisë shqiptare, një shkencëtar i palodhur, i cili nuk pushonte së qëndruari pranë njerëzve në nevojë duke u angazhuar në rolin e tij tejet të rëndësishëm në ruajtjen e dinjitetit të jetës njerëzore. Që me përulësi, me moral të lartë, me përkujdesje hyjnore, me ndërgjegje dhe përgjegjësi vetëmohuese, i shërbeu pacientëve dhe njerëzve që e kishin të domosdoshme dhe jetike ndihmesën e vyer të tij, në funksion të ruajtjes së shëndetit mendor dhe fizik, si edhe stabilitetit të tyre psikosocial. Duke u angazhuar seriozisht në histori mjekësore jetëshpëtuese në trajtimin e sëmundjeve si edhe duke mundësuar parandalimin, duke diagnostikuar e ndërhyrë energjikisht dhe lehtësuar në maksimum dhimbjet akute.

Profesori-kirurg i mirënjohur Dr. Perikli Sheti, ishte inteligjent dhe me ndjenja të spikatura të përkushtimit ndaj punës së tij misionare, si virtyt i ndershmërisë së këtij njeriu të thjeshtë. Një mjek që për afro gjysëm shekulli kontributdhënie aktive dhe sistematike ofertë për qytetarët e thjeshtë, ia doli mbanë jo vetëm të shquhet me përvojën e tij të vyer, por edhe të funksiononte me të vërtetë në nivelin më të lartë të punës së tij. Duke trajtuar me ndërgjegje dhe për një kohë të gjatë, situata tepër të vështira të pacientëve, gjithësesi duke zbatuar rreptësisht parimin e Hipokratit, gjithçka të jashtëzakonshme për pacientët, kategorikisht asgjë për përfitime apo lavdi vetiake.
Si mjek, si pedagog e si shkencëtar, Dr. Perikli Sheti duhet nënvizuar, se shpalosi dhe dëshmoi një kurs meritor të mrekullueshëm shkencor, përmes studimeve dhe botimeve shkencore, përmes mjeshtrisë së tij pedagogjike si lektor e mësimdhënës, në funksion të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve, por edhe përgatitjes shkencore të gjeneratave të reja të mjekëve.

I njohur gjithandej si një mjek brilant dhe i ndershëm, si një qytetar i veprimit, Dr. Perikli Sheti ishte krejt i palodhur për të ndihmuar nevojtarët dhe i gatshëm të sakrifikonte veten si rojtar i shëndetit të tyre. Ashtu sikundër dhe si një figurë kryesore intelektuale me një potencial dhe performancë të jashtëzakonshme. Qytetar i rreptë dhe kërkues, i drejtpërdrejtë dhe pa kompromis në bindjet e tij, që rrënqethej e zemërohej nga padrejtësia, shpifjet, nga intrigat dhe intrigantët e kurdisur pas prapaskenave neveritëse.

Nuk mund të jetë rastësor fakti që fati i cilitdo individi, thuajse është i paracaktuar, duke vlerësuar karakterin e tij. Dhe Dr. Perikli Sheti, përveçse një shkencëtar korife, ndonëse i përgatitur dhe i zotuar në humanizmin e tij sublim, përtej protokollove apo orëve zyrtare, dëshmonte përkushtimin e tij në shkencën mjekësore, sepse operacionet mund të ishin të këndshme, vetëm atëhere kur ishin kryer siç duhej dhe rezultativë. Përherë i buzëqeshur në portretin e tij hyjnor, qëndronte në agoni ditëve dhe netëve pranë shpirtrave dhe trupave që e kishin tejet të domosdoshme dhe jetike, fjalën e ngrohtë të tij, ndërhyrjen dhe ndihmesën, sugjerimet dhe këshillat e tij të vyera.

Dr. Perikli Sheti, simboli dhe kauza e individit që u përball me delikuencën maniake të farisejve të kuq, shpirtkatilëve vrastarë, që shënjestronin intelektualët dhe thesarët e çmuar të shoqërisë. Por që me etikën e tij, sypatrembur dhe krenar, mundi të kontribuonte me vetëdije dhe përgjegjësi, me përkushtim dhe sadisfaksion, duke kontribuar ngrohtësisht dhe shpirtërisht në shërbim të jetës së njerëzve të thjeshtë. E ndonëse përjetonte impresionet e gëzimit apo vlerësimit, të kënaqësisë së suksesit të punës së tij sakrifikuese, përmes pranisë së tij të matur, qëndronte krejt i heshtur, modest dhe i përulur.

Ky shkencëtar i shquar, luftëtar i palodhur i detyrës ndaj njeriut, lirisë dhe jetës, kjo figurë e shquar humane e Vunoit, Himarës dhe gjithë Shqipërisë, ishte një figure dhe personalitet i veçantë shumëdimendional. Prej atyre fisnikëve të rrallë, që kanë lënë gjurmë suksesi dhe respekti në shoqërinë tonë, të cilit njerëzit e thjeshtë e pacientët, por edhe të gjithë ne i detyrohemi së tepërmi.

Dr. Perikli Sheti ishte një mjek dhe njëherazi mësues i teknikës dhe shkencës kirurgjikale për kolegët e tij më të rinj, një profesionist që kalonte orë të pambarimta në sallën e operacionit, në auditor apo në mjediset spitalore. Si një shërbëtor i vërtetë i Hipokratit, si një personalitet dhe njeri thellësisht përparimtar, me entuziazëm dhe bujari, ofronte tek të gjithë mënyrën por edhe njohuritë e tij të vlefshme mjekësore. Ashtu sikundër edhe përvojën e tij shumëvjeçare tek studentët e rinj, por edhe tek kolegët fillestarë, u mësonte detaje për kryerjen e proceseve të duhura operacionale si edhe arritjen e rezultateve të dëshiruara.

Gjithësesi, nuk është asfare e nevojshme për të artikuluar as referencën më të vogël, se kush ishte në realitet fjalëpaku e punëshumi kirurg, i udhërrëfyeri Dr. Perikli Sheti. Sepse misioni dhe vepra e tij, sistematikisht për afro 5 dekada foli e dëshmoi vetë, përmes imazheve jetësore duke u ofruar në momentet më delikate në ditënetët akute të çdo jete njerëzore që përjetonte agoninë e situatave të koklavitura në kufirin eventual ndërmjet jetës dhe vdekjes. Ashtu sikundër edhe të suksesit impresionues të jetëve të fituara dhe të shpëtuara dhe qytetarëve të rehabilituar plotësisht në jetën e përditshme.

Mendjendrituri Dr. Perikli Sheti, një personalitet vetëmohues, që punoi me pasion, me njohuri dhe metoda bashkëkohore në rrjedhën e gjatë historike të mjekësisë shqiptare. Por që veçonte dhe spikati me dashurinë dhe respektin e tij në shërbim të qytetarëve. Në përmbushjen e detyrimeve dhe ushtrimin e profesionit humanitar, ai bazohej thellësisht në dijet dhe praktikën profesionale, duke formatuar dhe hedhur bazat jo vetëm të së tashmes por edhe të së ardhmes në fushat e kirurgjisë dhe asaj të mjekësisë bashkëkohore në përgjithësi.

Me shpirtin e tij të dhembshur e ligështuar, Dr. Perikli Sheti vlerësonte si askush tjetër raportet e marrëdhënieve të shenjta mjek-pacient, duke punuar me intensitet të lartë dhe motivuar aplikimet e saj në praktikën klinike. Sepse fryti i punës së mundimshme, lidhej kryekëput me sigurinë dhe efektivitetin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore, si një përgjegjësi eskluzive e vetë mjekut, ashtu sikundër edhe zbatimit apo ekzekutimit me saktësi të terapive alternative. Natyrisht si sfida eventuale të testimit të kufijve dhe njohurive të tij, por edhe qëndrueshmërinë e vetëdijes, për të mundësuar kësisoj në përballimin me sukses të sfidave të paparashikueshme, fenotipeve të pazakonta të sëmundjeve në dhurimin apo jetëshpëtimin, dhe gëzimin e buzëqeshjet jo vetëm të pacientëve, por edhe të rrethit të gjerë familjar të tyre.

Mënyra e jetës së Dr. Perikli Sheti, individualiteti dhe karakteri i tij si njeri entuziast, kontributi i tij i gjatë dhe shumëdimensional shoqëror dhe human, ravijëzon një personalitet të dalluar e të shquar të bluzave të bardha. Ai me punën e tij pasionante, shkroi historinë e tij të mrekullueshme profesionale, përmes proceseve të vazhdueshme të ndryshimeve dhe përshtatjeve eventuale, si një mjek i përkorë dhe tepër modest, si një bamirës i madh dhe i denjë për t’u vlerësuar me mirënjohje të pakufishme, për t’u admiruar dhe ndjekur prej brezave të ardhshëm.

Dr. Perikli Sheti, thuajse çdo ditë, konjukturat jetësore e përballnin dhe e sillnin në kontakt me vazhdimin apo fundin e jetës njerëzore. Ai si përherë guximtar, vetëmohues, modest, me indicie inovative dhe me një kurajo krejt të rrallë, ofroi gjithçka në shërbim individualitetit të çdo pacienti, të alternuara me një strategji teraupike të veçantë. Ashtu sikundër edhe në kontekstin e gjerë të hapësirave të vetë shoqërisë, të prosperitetit për vendin e tij, në aspektet e përkujdesit dhe ruajtjes së shëndetit, duke sendërtuar një histori epokale tejet të admirueshme, të prekshme, tepër thelbësore, sa të dobishme po aq edhe të paçmuar në kirurgjinë shqiptare. Natyrisht pasur parasysh dhe vlerësuar kushtet tejet të pakëndshme, vitet e vështira, standardet e jetesës, mangësitë problematike në transportet rrugore,si edhe mjetet alternative dhe aparaturat mjekësore që ishin të disponueshme, atëhere madhështia e punës dhe kontributit shkencor të Dr. Perikli Sheti, marrin përmasa të jashtëzakonshme, me vlera të mirëfillta dhe shumëfishta social-shoqërore.

Padyshim që Dr.Perikli Sheti, ishte simbioza e kirurgut misionar dhe një shërbëtori të përulur fanatik i një perëndeshe hyjnore të trilluar, që quhej «Kirurgji». Dhe asaj i nënshtrohet pa kushte deri në vetëflijim, duke performuar gjithë aftësitë e tij të mahnitshme kirurgjikale në shërbim të jetës së pacientëve.

Erudicioni, humanizmi, modestia, performanca e lartë dhe përkushtimi i tij ndaj pacientëve, kombinuar me respektin absolut për vlerat morale të etikës hipokratike, ishin elementë thelbësorë që zbukuronin, individualitetin dhe karakterin e mjekut kirurg, fisnikut hyjnor të mirësisë, simbolit të intelektualit rrezatues i papërsëritshëm në tiparet njerëzore dhe të panënshtruar të Kombit, Dr. Perikli Sheti. Si një personalitet i madh në mbarë shoqërinë shqiptare e jashtë kufijve të saj, si një mjek lider, pasionant dhe vizionar, si një profesionist elitar i shkëlqyer, Dr. Perikli Sheti, shërbeu dhe kontribuoi aktivisht me stafetën e misionarit human. Duke ofruar një veprimtari të vërtetë efikase profesionale e shkencore, skajshmërisht produktive, vlerësuar në aspektet tepër të rëndësishme që lidheshin me pacientët dhe kujdesin e duhur ndaj tyre.

Dr. Perikli Sheti, si një mjek i vërtetë, zemra e tij ndiente një dashuri të madhe për njerëzit e thjeshtë, duke i mëshuar dhe kushtuar vëmendje të veçantë prognozës por edhe trajtimit të kujdesshëm mjekësor, besnik i parimit hipokratik, duke parandaluar, fitohet besimi i cilitdo pacienti.

Modeli i bukur impresionues i një intelektuali me kulturë të gjerë, Dr. Perikli Sheti, humanisti misionar i thjeshtësisë, i përkushtuar dhe serioz deri në vetëmohim, përpos talentit ishte puna sistematike këmbëngulëse dhe përkushtimi i jashtëzakonshëm që e lartësuan si një mjek brilant. Pikërisht prandaj do të mbetet përjetësisht, si profili unik dhe më origjinal i një mjeku të papërtuar, i papërsëritshëm në tiparet njerëzore të ndihmesës dhe jetëmbrojtjes, duke operuar krejtësisht falas pacientë të panumërt.

Doktori me duart e arta dhe zemrën e artë, me imazhin real të një mjeku shkencëtar plot shkëlqim, një specialisti tepër të kualifikuar, por mbi të gjitha edhe një njeriu brilant e të paimitueshëm. I cili as që donte t’ia dinte dhe nuk shihte asfare interesin e tij personal, por praktikisht ishte interesuar për pacientin dhe ecurinë e problematikës respektive, me të cilën përballej edhe në kushtet pasoperacionale
Dr.Perikli Sheti me përmasat e profilit të një intelektuali, mjeku me dhunti të rralla dhe pedagogu par excellence, u përkushtua me vetëdije dhe pasion dhe krejt pa e tepruar, mund të pohojmë se gjithë jeta e tij ishte shkenca kirurgjikale dhe mjekësia. Duke u shndërruar në një figurë protagoniste në sfidat e përballjes së pamëshirshme të triumfit njerëzor ndaj vdekjes. Por njëherazi edhe të një mjeku të devotshëm kontribuor, i cili intensivisht ishte në shërbim të formatimit por edhe krijimit të standarteve të reja të mjekësisë shqiptare. Një njeriu misionar me integritet dhe me vlera humane të spikatura, i pakursyer në asgjë për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.

Një emër lavdimadh, legjendë mitike në fushën e kirurgjisë dhe mjekësisë shqiptare ishte Dr. Perikli Sheti. Një intelektual me vlera sipërore shoqërore dhe kombëtare, me dimensionin poliedrik shkencor dhe veprimtarinë e tij të spikatur shumëplaneshe, kontribuoi me përkushtim e devotshmëri. Duke spikatur si mjek profesionist human, por edhe si një intelektual erudit që nderohej dhe respektohej si nga ana e kolegëve të tij po ashtu edhe prej studentëve, pacientëve dhe qytetarëve të panumërt.

I përket atij brezi mjekësh heroikë, Dr. Perikli Sheti, i cili vulosi vendosmërisht me personalitetin e tij karizmatik, fizionominë e një burri të shkëlqyer dhe human, një mjeku që në ditë të vështira dhe në rrethana të vështira, u përball me sukses ditë e natë nëpër shtëpi, teksa thirrej dhe vinte si ëngjëll ngushëllimi dhe shpëtimi. I mbrujtur me një dashuri të pashërueshme për mjekësinë, prej duarve të tij, kaluan breza fëmijësh e të rriturish, që ai shëroi me dijet e tij shkencore, me të qeshurën dhe dashamirësinë e tij, të cilët sot mbajnë poste elitare në mbarë shoqërinë tonë.

Dr. Perikli Sheti ndërthurte me harmoni madhështinë shkencore dhe atë intelektuale, si një kontribues me vlera të larta të parimeve bazë të etikës mjekësore. Duke ofruar deri në vetëmohim shpëtimin e jetës së njeriut, por edhe duke u ngjizur e rivitalizuar shpresën e bukurisë së jetës. Duke e preferuar kirurgjinë si një mënyrë jetese, por edhe duke i qëndruar besnik postulatit të njohur, se nëse në karrierën mjekësore ndikoi dhe veproi në shpëtimin e jetës së një të sëmuri, atëhere ka shpëtuar prestigjin e shkencës ku kontribuon.

Me gjithë kontributdhënien e tij krejt të papërsëritshme, ravijëzoi dhe shkroi një histori të ndritur në fushën e kirurgjisë dhe mjekësisë shqiptare, por edhe më gjerë, në historinë mbarëkombëtare. Një mjek që ofroi një ndihmesë të jashtëzakonshme jo vetëm në organizimin apo hedhjen e bazave të shëndosha të teknikës kirurgjikale shqiptare, por njëherazi edhe në drejtim të zhvillimit dhe ecjes përpara të kirurgjisë në përgjithësi. Duke mbetur në kujtesën tonë, si modeli i njeriut të fuqishëm, frymëzyes e përshtypjelënës, por edhe e mjekut mendjehapur, me një përkushtim proverbial, të pa kufi në artin jetëdhënës të kirurgjisë.

Mjeku që ndonëse viteve që heshturazi kalërojnë me vrull, fiton një vlerë më të madhe. Impresionues dhe i jashtëzakonshëm në ushtrimin e profesionit të tij human, krejt modest dhe i thjeshtë në jetën e përditshme të tija. Aftësitë dhe performanca mjekësore e Dr. Perikli Shetit, si një mjek frymëzues dhe një kirurg duarartë, tepër i efektshëm, përkushtimi dhe kontributdhënia e tij misionare, realisht është e paçmueshme dhe tepër mbresëlënëse.
Rrugëtimi jetësor dhe karriera profesionale

Për vite të pafundme, figura, personaliteti dhe prezenca, karriera vullnetmirë afro prej 5 dekadash e Dr. Perikli Shetit, pa e tepruar asfare mund të pohojmë se i dhanë realisht përmasa me vlera madhore, si mjekësisë kirurgjikale shqiptare, po ashtu edhe mësimdhënies universitare. Por gjithësesi edhe Vunoit që e lindi edhe gjithë Himarës po ashtu edhe mbarë shoqërisë shqiptare anekënd.
Shumë mote më parë, pikërisht një ditë të ngrohtë vere, më 20 Qershor të vitit 1932, në lartësitë e Vunoit, erdhi në jetë vogëlushi Perikli Sheti, si pinjoll i tretë në familjen e Kosta Shetit dhe të ëmës së tij, Sofie, të cilët sollën në jetë 5 fëmijë. Në një truall dhe mjedis të pasur me ngjarje historike, në oxhakun e një familjeje fshatare të varfër, por me shumë vlera dhe virtyte të larta, si edhe bujari e mikpritje, që gjithësesi e lartësonin dhe e bënin të nderuar në gjithë trevën e Bregdetit.

Starti i përballjes së tij me jetën, ishte një mjedis rural, ku me shumë mund e sakrifica, duke u angazhuar kryesisht me punë bujqësore e blegtorale, siguroheshin kushtet modeste të jetesës familjare.
Vitet e para e të brishta të moshës fëminore i kalon në vendlindjen e tij pranë familjes. Duke u rritur si gjithë moshatarët e tij, në kontekstin kohor të viteve tejet të vështira, vlerësuar në aspektin ekonomik, për një trevë me reliev malor e asfare të favorshëm, siç ishte edhe Vunoi. Thjeshtësia dhe bukuria e vetë jetës, konsistonte tek përditshmëria e cila përbëhej prej bujqëve fermerë, blegtorëve, peshkatarëve dhe njerëzve punëtorë. Një mënyrë jetese paksa autentike, me komunikim por edhe me festa, me lojëra, me përkujdesin familjar, si edhe plogështi me shkujdesje, e respektin madhor në raportet dhe marrëdhëniet njerëzore.

Hapat e para të shkollimit i starton në vendlindjen e tij, ku falë impenjimit dhe vullnetit të tij në përvetësimin e dijeve, përfundon ciklin e mësimeve të shkollës 7 vjeçare me rezultate të larta.
Qysh në moshë të njomë, duhet nënvizuar se Perikli Sheti, mbështet fuqimisht lëvizjen për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj, duke u rreshtuar si partizan në rradhët e Batalionit të V-të të Brigadës së VI-të, që në atë periudhë kohore, quhej Batalioni i Bregdetit, në krah të bashkëpatriotëve të tij siç ishin Foto Goxho, Stefan Gavani, Seo Trola, Eftihi Baka, Melpo Trola, Katere Trola, Aliqi Varfi etj, i cili në vijimësi u quajt batalioni «Zaho Koka».

Vijimësinë e arsimimit e ndjek tanimë në kryeqytet, ku starton mësimet e gjimnazit, me synime dhe ambicie të qarta për të arritur rezultate maksimale të larta, për të mundësuar vijimësinë e studimeve universitare. Paralelisht, përballej me vështirësitë momentale jetësore, duke punuar edhe si ndihmës apo çirak pranë një këpucari, ashtu sikundër hera herës edhe si shitës në disa dyqane të njohura të kohës që tregëtonin fruta dhe zarzavate, për të përmbushur nevojat e domosdoshme të jetesës.

Perikli Sheti veçonte gjithnjë si një nxënës i shkëlqyeshëm e pas kryerjes dhe përfundimit të shkollës së mesme në Tiranë me rezultate të shkëlqyera. Edhe pse ëndrra pasionante dhe dëshira e zjarrtë për të ndjekur hapat e duhura të karrierës si mjek, Perikliut i akordohet bursa respektive për të ndjekur studimet universitare, në degën e gjeologjisë.
Mandej Perikli Sheti, niset për të studiuar në Moskë, me një vendosmëri dhe ambicie të jashtëzakonshme, që paralelisht me studimet në degën e gjeologjisë, të rregjistrohej dhe startonte mësimet pranë Fakultetit të Mjekësisë, të Akademisë Mjekësore tepër të njohur për kohën, «Sechenov».

Falë këmbënguljes së tij, shpirtit iniciator si edhe seriozitetit të papërshkruar, Perikliu me përfundimin e vitit të parë të studimeve,me një zell admirues, gjatë pushimeve verore, iu nënshtrohet provimeve dhe testeve respektive të Fakultetit të Mjekësisë, duke dëshmuar realisht se do të bëhej një mjek i përkushtuar dhe tepër human. Kësisoj largohet duke braktisur studimet për gjeologji dhe fokusohet në rrugëtimin e tij profesional në fushën e mjekësisë. Duke vlerësuar imazhin dhe funksionet shëruese të trupit dhe shpirtit, Perikliu realisht u motivua dhe magjeps prej mjekësisë, duke e shndërruar tanimë në pjesën thelbësore të ëndrrave të tij rinore.

Qysh në hapat e para drejt të ardhmes profesionale dhe ndoshta të karrierës së tij të ndritur shkencore, gjatë viteve të jetës studentore, Perikli Sheti nisi të spikaste si tepër inteligjent e njëherazi të dallohej si një prej studentëve më të aftë e më të rregullt, duke u shquar për nivelin e tij të lartë të përgatitjes shkencore si edhe formimit profesional. Mjedisi ku ndiqte studimet tepër interesant dhe i njohur për shërbimet që ofronte në fushën mjekësisë, ku jepnin leksione dhe mësime praktike akademikë por edhe kirurgë, emra të njohur e të shquar të asaj periudhe kohore, si Mihail Perelman apo Leo Bokeria, ndikonte pak a shumë që me të drejtë Perikli Sheti të ndihej mëse krenar.

Pasi përfundon me sukses ciklin studimor, Perikli Sheti diplomohet pranë Universitetit të njohur «Sechenov» të Moskës, në degën e mjekësisë, specialiteti kirurgji me rezultate ekselente të shkëlqyera. Impenjimet dhe përzgjedhja e specializimit drejt Kirurgjisë, konsistonte në faktin se Perikliut, përherë i pëlqente të përballej me sfida dhe vështirësi.

Ndonëse i vlerësuar për intelektin, për nivelin e lartë të arsimimit dhe përgatitjen e tij profesionale shumëplanëshe, paçka se i sugjerohet të vijonte ciklin e studimeve të doktoraturës, vendos të kthehet në Tiranë. Dashuria e tij për familjen, për motrat e vëllezërit e tij, e detyron të vendosi duke preferuar të kthehej në atdheun e tij që e donte aq shumë, për t’u ofruar shërbimet e tij të specializuara bashkëatdhetarëve të tij. Por njëherazi duke refuzuar dhe lënë pas një karrierë sa të lakmueshme po aq edhe të mahnitshme.

Mandej Dr. Perikli Sheti starton karrierën e tij profesionale si kirurg, në spitalin kirurgjik të kryeqytetit, teksa me zgjuarsinë e tij, me dëshirat dhe entuziazmin e mjekut të ri, përballet me kushtet krejt të pakëndshme e të vështira të kohës. Ndërkohë që edhe pse përpara tij shtriheshin hapësirat e një karrierë të shkëlqyer universitare, ai dëshironte me çdo kusht të praktikonte dhe zbatonte gjithë përparësitë dhe bagazhin profesional që mësoi në Moskë, duke ia ofruar me zemërgjerësi, bashkëatdhetarëve dhe vendit të tij. I vendosur të startonte një karrierë në fushën e shëndetësisë, në shkretëtirën e padukshmërisë nga ku po fillohej nga hiçi dhe ku lipsej përpos virtyteve si njeri dhe si mjek, aftësia, përkushtimi, profesionalizmi.

Kirurgu i përgjithshëm Dr. Perikli Sheti, startoi karrierën e tij duke mbetur mjeku i njerëzve të thjeshtë, konsistent deri në detajin e fundit në ushtrimin e përmbushjen e misionit të tij humanitar. Tepër i vëmendshëm, i gatshëm dhe i përkushtuar për cilindo që e kishte të domosdoshme dhe nevojshme ndihmesën e tij, duke shmangur rastësitë e panevojshme e duke trajtuar çdo detaj në mënyrën më efikase dhe produktive, që lidhej me rehabilitimin funksional të organeve të dëmtuara.

Në hapat fillestare të rrugëtimit të tij drejt profesionalizimit si mjek kirurg, Dr. Perikli Sheti dëshmon përkushtimin dhe pasionin e një mjeku të përkorë, duke u shquar për efikasitet por edhe për respektin e përuljen ndaj qytetarëve që përballeshin me momente kritike jetësore. Përmes artit mjeshtëror të shkathtësisë së duarve të tij, ofronte angazhimin dhe kujdesin optimal për pacientët, duke u kthyer njëherazi në një shpëtimtar misionar të jetës njerëzore. I tejpasionuar edhe pas leximit, vijonte të lexonte me pasion edhe literaturën mjekësore të kohës për t’u informuar dhe thelluar njohuritë e tij. Por paralelisht edhe letërsi artistike dhe publicistike.

Në çdo hap dhe moment të jetës së tij, dëshmoi para së gjithash, përkushtimin e një mjeku dhe misionari të rëndësishëm, parimet dhe vlerat themelore të jetës të të cilit konsistonin tek vëmendja intensive ashtu sikundër edhe respekti i tij për pacientët, duke nderuar betimin hyjnor të Hipokratit.

Pasi përballet me problematikat dhe vështirësitë eventuale të mjekësisë shqiptare në dekadën e viteve 60-të, teksa kishte përmbushur dy vjet pune pasionante dhe sakrifikuese, falë rezultateve inkurajuese në trajtimin e urgjencave kirurgjike, Dr. Perikli Shetit i miratohet e drejta për të vijuar specializimin e lartë, pranë Fakultetit mjekësor ku ai ishte diplomuar.

Vendos të niset rishtaz drejt Universitetit «Sechenov» në Moskë, tanimë me ambicien serioze për të punuar e studiuar drejt perfeksionimit dhe mbrojtjes së disertacionit shkencor. I mbisunduar prej ambicieve të tija të njohura, për të thelluar shkallën dhe nivelin e dijeve shkencore, si një mjek dhe student i admirueshëm, Dr. Perikli Sheti ngjasonte me ata djalosharë energjikë, që hapte krahët fuqishëm, për të fluturuar në zonën e ëndrrave të tij, në brendësinë e thellësinë e profesionit të kirurgut. Dr. Perikli Sheti ,lundronte në brendësinë e asaj botë të mrekullueshme e magjike, që sendërtonte kirurgjia, duke depërtuar në rrugët e pashkelura por edhe duke u orientuar në horizontet e reja shkencore që shpaloseshin përpara tij.

Si një person i motivuar, si një aplikant dhe mjek student i suksesshëm, me ide dhe pasione të jashtëzakonshme, kreativ dhe tepër efikas, Dr.Perikli Sheti, i mbrujtur me durim por njëherazi edhe tepër këmbëngulës, fokusohet në përmbushjen e synimeve madhore të tij. Me një zell të pazakontë përgatiti një disertacion doktoraturë, diçka e rrallë në atë kohë, duke ia dalë mbanë përfundimit me sukses të plotë të disertacionit, të cilin e mbron shkëlqyeshëm, duke arritur natyrisht jo vetëm një sukses intelektual. Sepse me mesazhin e përpjekjeve të tij gjatë studimeve dhe të specializimit respektiv, krijoi paralelisht imazhin e një njeriu të talentuar me predispozita dhe perspektivë të hapur në profesionin human të kirurgut specialist.

Ndonëse rishtaz vlerësohet si një personalitet dinjitoz në fushën e tij, madje i ofrohen edhe vende pune si mjek kirurg në spitale perëndimore, për të vijuar karrierën e tij të suksesshme, Dr. Perikli Sheti, pa asnjë mëdyshje rikthehet në Tiranë.

Ajo që e bënte Dr. Perikli Shetin, një figurë kaq të veçantë, ishte vërtetësia e personalitetit të tij emblematik. E natyrisht që përpos kësaj ishte edhe performanca e tij, zgjuarësia dhe edukimi i shumanshëm, që falë një angazhimi të jashtëzakonshëm, guximit profesional, anktheve njerëzore dhe tensioneve në çdo moment, ai ishte i kudondodhur. Me një ngarkesë marramendëse, ai ofronte kontributdhënien e tij perfekte në sallat e operacioneve të Spitalit Kirurgjik të Tiranës. Realisht entuziazmonte, por gjithësesi me vetëmohimin, modestinë dhe ndershmërinë, më shumë se sa mund të imagjinohet, ai ndryshonte pozitivisht jetën e qytetarëve.

Doktor Perikli Sheti, mjeku i privilegjuar që kishte hyrë në zemrat e pacientëve të thjeshtë, ishte buzagaz dhe i gatshëm për cilindo që kishte nevojë për të. Me buzëqeshje përherë, duke i shërbyer me devotshmëri një synimi thelbësor dhe qëllimi specifik, përmes shkathtësisë dhe teknikës së tij kirurgjikale, në rehabilitimin dhe përmirësimin e funksioneve specifike jetësore. Veçonte për thjeshtësinë dhe modestinë e tij, duke u treguar i palodhur dhe dhe vullnet plotë, për të ofruar ndihmesën e tij të vyer. Kësisoj emri i këtij njeriu të mrekullueshëm, nisi jo vetëm të bëhej i njohur, por edhe të shquhej me përvojën dhe njohuritë e tij në botën e shumëanëshme dhe çudibërëse të kirurgjisë dhe asaj mjekësore.

Fuqia shpirtërore e kirurgut duarartë Dr. Perikli Sheti, që frymëzonte dhe mobilizonte gjithë ata që e rrethonin, interesimi i tij për pacientët që besonin dhe prisnin me padurim njeriun e duhur, që me mundin dhe me zellin e pabesueshëm për trajtimin dhe shërimin e dhimbjeve njerëzore, e kishin lartësuar në një figurë legjendare. Sepse Dr. Perikli Sheti, ishte pjesëz e plejadës së përzgjedhur të atyre kirurgëve të paktë, që me talentin dhe pasionin proverbial, e kishte shndërruar mjeshtërinë e kirurgjisë së tij, në një art të vërtetë shpëtimtar.

Përveçse një shkencëtar rrezatues, Dr. Perikli Sheti, spikaste edhe si një njeri i shkëlqyer, misionar dhe mjek me integritet, me ndershmëri, me seriozitet dhe përgjegjësi, me një vetëmohim të papërsëritshëm. Që nuk e njihte konceptin kohë përballë detyrimeve ose kontributdhënies së tij, duke anashkaluar me vetëdije hapësirën kohore për jetën e tij personale sa më të rehatshme. Dr. Perikli Sheti, kirurgu me duart e arta, ishte simboli sinjifikativ i një mjeku të talentuar, me etikë dhe plot shkëlqim në fushën e kirurgjisë, sepse ai dinte të harmonizonte me mjeshtëri dijet dhe potencialin e njohurive të tij shkencore me personalitetin e jashtëzakonshëm që ai dëshmonte.

Imazhi real i një mjeku specialist tepër i kualifikuar, i cili nuk shihte asfare interesin e tij personal, por praktikisht ishte interesuar kryekëput për pacientin dhe ecurinë e problematikës respektive me të cilën përballej edhe në kushtet pasoperacionale me aplikimin e teknikave invazive të rehabilitimit. Duke vepruar me bindje se kirurgjia moderne, lipset të plotësonte domosdoshmëritë dhe karakteristikat e çdo pacienti individualisht. Mjedisi i qetësisë së tij shpirtërore ishte shndërruar spitali dhe salla e kirurgjisë, duke operuar ditën sipas programit por edhe netëve të vona në rastet e urgjencës. Dr. Perikli Sheti, përpos angazhimeve të tija aktive në spitalin kirurgjik, me një devotshmëri brilante, ofronte kontributdhënien e tij të vyer edhe në auditorët e Fakultetit të Mjekësisë, duke spikatur si lektor në zhvillimin e kurseve teorike dhe klinike. Njëherazi duke synuar në nxitjen e hulumtimeve dhe punës shkencore, në ngritjen e nivelit të performancës së studentëve, duke punuar si një frymëzues dhe edukator për gjeneratat e ardhshme të mjekëve shqiptarë. Si Profesor i Kirurgjisë dhe akademik, Dr. Perikli Sheti,me një zell të paimagjinueshëm, duke reflektuar në informacionin bashkëkohor, me vendosmëri ofronte ndihmesën e tij modeste në shërbim të edukimit mjekësor në përgjithësi, por edhe të kirurgjisë në veçanti.

Ai ishte përgjithësisht i rreptë, por njëherazi edhe tepër i dashur dhe i respektuar prej studentëve. Fliste relativisht pak, por ishte tepër aktiv në aspektin e transmetimit të sistemeve praktike operatore, duke u shquar si një kontributdhënës tepër i vyer jo vetëm në fushën shkencore, por edhe në ato klinike dhe pedagogjiko-arsimore. Leksionet interesante që zhvilloheshin nga ana e Dr. Perikli Shetit, ishin pa asnjë mëdyshje sfida të veçanta të çdoditshme. Të ngjashme me kurset klinike, si ushtrime të logjikës mjekësore, por edhe mënyrës së të menduarit që lidheshin me procedura të diagnostifikimit diferencial teknik në rastet urgjencave traumatologjike.

Vrasësit e heshtur të një personaliteti magjik…

Dr. Perikli Sheti posedonte një energji të pabesueshme, krejt i palodhur dhe efikas në punën e tij të vështirë. Modeli i personalitetit dinjitoz, me një përulësi të jashtëzakonshme dhe tepër modest, të cilit nuk i pëlqenin dhe as preferonte vetëpromovimet vetiake. Duke ndjekur rrugën e pashmangshme të një pune shumë intensive, përkujdesi për pacientët dhe interesimi i tij krejt i veçantë për studentët, i përkushtuar në kauzën madhore të humanizmit, rrezatonte si misionar dhe mjek aktiv energjik. Aftësitë e tij profesionale, orët e gjata të veprimtarisë së tij sistematike e gjithsesi gjithë veprimtaria e tij sakrifikuese pothuajse hipomanike, krijonte natyrshëm tek kolegë të tij e jo vetëm, premisa dhe tendenca xhelozie me një dashakeqësi të paramenduar.

Krejt pa asnjë shkak serioz, duke anashkaluar kontributin e tij të madh shkencor dhe shoqëror, Dr.Perikli Sheti shënjestrohet dhe viktimizohet, prej anakronizmit të paragjykimeve konservatore dhe botëkuptimit obskurantist të tiranëve të kuq, të pushtetshmit e kohës.
Në kulisat e prapaskenave mizore partiake, vendoset ndëshkimi i rreptë i mjekut dhe intelektualit brilant, duke e hequr nga Tirana dhe e transferuar si mjek në spitalin e qytetit të Elbasanit. Hijet e rënda të biografisë njollëzezë, nuk kapërdiheshin lehtë prej hipokritëve të paskrupullt të pushtetshëm. Për hir të dashurisë njerëzore të këtij gjigandi dhe korife të kirurgjisë, delikuentët mizorë partiakë, kurrsesi nuk mund të pajtoheshin me të shpallurit si armiq. Kësisoj lipsej harbutëria dhe arbitrariteti i ndëshkimeve të padrejta… për të flakur tej gardhit, mjekun që pranoi aleancë me bijën e armikut të shfaqur në Konferencën e Tiranës të vitit 1956.

Fatkeqësisht, në kulmin e energjive potenciale dhe kreativitetit të tij, i talentuari kirurg Dr. Perikli Sheti bie pre e kokëfortësisë së kohërave dinake kominterniste, komuniste. Duhej të sakrifikohej e kufizohej në ushtrimin e profesionit të tij, në emër të luftës djallëzore të klasave. Kohëra neveritëse, kohëra hijenash të frustuar, kohëra të turbullta e rrënqethëse,për të privuar personazhe dhe figura të nderuara, që të mund të jetonin jetën e tyre normale. I drejti dhe njerëzori, fisniku intelektual Dr. Perikli Sheti u përball me sukses me furtunat e kohës së djajve të kuq, duke i sfiduar me qetësinë e tij karakteristike, duke rrezatuar përherë dashuri, mirësi, bujari dhe fisnikëri. Fillon të jetojë krejt i qetë, në një qytet krejt të vogël në periferi, natyrisht pa pajisjet dhe mundësitë potenciale të domosdoshme për personalitetin dinjitoz, të talentuarin kirurg, Dr. Perikli Sheti. Edhe ndonëse joshja momentale, ishte emërimi i tij si Shef i Pavionit të Kirurgjisë pranë këtij spitali.

Në terrin e një heshtjeje vrastare, starton golgotaja e kalvarit dëshpërues dhe torturues të Dr. Perikli Shetit, duke ia shndërruar në skëterrë vetë jetën. Por edhe duke ia vështirësuar enkas prej makabritetit inatçor, përditshmërinë e këtij individi madhështor me virtyte të çmuara, e këtij misionari mbresëlënës të kirurgjisë shqiptare me vlera të papërsëritshme shkencore.

Përkushtimit pasionant, e punës së palodhur të mjekut Perikli Sheti, përpjekjeve të tij për të organizuar mbi baza shkencore moderne shërbimin kirurgjik të spitalit të Elbasanit, emisarët e territ i përgjigjeshin me shpifje dhe me intrigat e tyre sistematike e të dalaboje, për ta eleminuar dhe shfarosur profesorin duarartë të Kirurgjisë shqiptare.

Dr. Perikli Sheti, profesori i talentuar, mjeku i përkushtuar, simbioza dhe ndërgjegjja e shkencëtarit të tiranizuar dhe të terrorizuar. Jeta e torturuar e përndjekjes konstante, krejt pa shkak e një kolosi gjigand, nga neveritësit e kuq maniakë shfarosës e anormalë. Por Dr. Perikli Sheti me karakterin e tij qëndrestar, nuk stepej e nuk frikësohej. Jetën e torturuar të misionarit shkencëtar, ai e motivonte dhe e shndërronte në aksioma tepër më të vlefshme. Duke kontribuar me dashuri të pakufishme e humanizmin e tij të përkorë, në shërbim të jetës së qytetarëve elbasanas.

Përkrah kolegëve të tij, që e nderonin dhe e respektonin si askush tjetër, si Dr. Stilian Nosi, Bedri Xhomo, Luan Laro, Emil Mborja, Ali Deliallisi, Lavdije Vyshka, Reshat Kapshtica, Kol Papajani, Koço Poro, Neki Harja, Kasëm Dylgjeri, Ali Mihali, Shefqet Deliallisi, Kiço Shqau, Agron Braho, Bujar Kllogjeri, Pjerin Xhuvani, Sali Pani, Eli Dino, Luan Rrapi, Besnik Tollumi, Arben Paralloi, Grigor Dedi, Resmi Balla, Qemal Elezi, Arben Kamami, Zheni Gjergji, Edmond Laho, ofronte kontributdhënien dhe performancën e tij admiruese në funksion të kujdesit sistematik për të sëmurët problematikë. Por përpos kësaj, një angazhim madhor i tij ishte edhe procesi trajnues, teksa me iniciativën e tij, krijoi kushtet dhe premisat respektive, për t’u kualifikuar dhe specializuar nën përkujdesin e tij, një sërë mjekësh të rinj kirurgë. Dr.PerikIi Sheti, njeri dhe mjek autoritar, por njëherazi edhe tepër i admirueshëm, sistematik dhe i palodhur. I papërtuar dhe tepër efikas në misionin e tij tejet të vështirë dhe humanitar, gjuha dhe kumti i të cilit, ishte vetëmohimi krejt i heshtur i punës së tij në sallën e operacioneve, si histori krejt të natyrshme njerëzore. Kur e thërriste nevoja, ai ndihmonte gjithkënd prej bashkëqytetarëve me bujari, me përpjekje mbinjerëzore e përherë me sukses, me talentin dhe mjeshtërinë profesionale të duarve të tija.

Duke ligjëruar me gjuhën shpëtimtare të profesionit të tij, atë të kirurgut erudit, Dr. PerikIi Sheti, ndërhyri me sukses duke shpëtuar me qindra jetë, si shprehje e dashurisë më të madhe e një qenieje njerëzore. Duke kontribuar në shërbim të shëndetit të qytetarëve, duke krijuar një model klinike kirurgjikale, që vështirë se mund të ripërsëritet në ditët e sotme, e duke lënë gjurmë të tilla të pashlyeshme të suksesit të tij.

Ndonëse në dukje jeta e Dr. Perikli Shetit ngjasonte si tepër e thjeshtë, personalisht për të, duhet pranuar se ishte tmerrësisht tejet e ndërlikuar.

Edhe pse ai kryelartë vijonte misionin e tij humanitar në mjediset e Spitalit të Elbasanit, në qytetin ku e ndiente se respektohej me përulje në aspektin profesional, hijenat e kuqe të prapaskenës e zhysin në truket e parapërgatitura, duke e viktimizuar në bankat akuzuese të drejtësisë. Çuditërisht pa asnjë lloj mëkati, pa parashkelur asnjë lloj ligji apo rregulli, me shpifje e akuza të rreme, demonët e kuq vrastarë, viktimizojnë dhe e dënojnë apriori për ta faktorizuar si element negativ. Një kolos humanitar, me ndërgjegje të pastër, me një karakter brilant, dhe krejt i pafajshëm në prapavijat e kurtheve dinake, gjendet befasisht brenda mureve të burgut ose i izoluar brenda katër ndarjeve të trasha të qelisë skëterrë.

Tabloja e jetës së tij, si një njeri,si një kolos shkencëtar, me të gjitha karakteristikat e tij humane dhe njerëzore, tanimë nis e zbehet pas grilave të hekurta, pas mureve të burgut Përse vallë lipsej të veprohej nëpërmjet një maskarade të turpshme, ndaj një mjeku humanitar shpëtimtar?!…

Përse kaq mllef e urrejtje, përse kaq kurthe të inskenuara e akuza të trilluara, ndaj një shpirti humanitar të dlirë siç ishte Dr. Perikli Sheti?!
Përse duhej hidhëruar e tërhequr zvarrë me monstruozitete perverse dinjiteti i një figure kaq të spikatur të kirurgjisë dhe mjekësisë si Dr. Perikli Sheti? Thjesht për të kënaqur orekset e shfrenuara hakmarrëse të feudopartiakëve burokratë, që çdo gjë e konsideronin si të tyren… madje edhe vetë jetët tona. Por për karaktere stoikë si ai i Dr. Perikli Shetit, edhe ndaj burgut, të papërkulur, dalin triumfatorë e fitimtarë. Emocionet e triumfatorit e shoqëronin humanistin në çdo hap teksa ai përballej me deziluzionistët narcistë, që dëshironin t’i privonin lumturinë e jetës së tij.

Pas viteve të turpshme të burgut të paligjshëm, Dr. Perikli Sheti emërohet në Qendrën Shëndetësore të Peqinit, si mjek i thjeshtë, prej demonëve të paskrupullt e farisejtë vrastarë. Edhe aty, ai dëshmoi dhe la gjurmët e një misionari të ndritur. Punën e tij të frytshme dhe me vlerë, e respektonte dhe përulej, jo vetëm komuniteti mjekësor, por gjithë qytetarët e banorët e thjeshtë të kësaj qyteze. Si një mjek legjendar, si një Mësues i Madh, ai dinte të fitonte jo vetëm zemrat e kolegëve të tij, por gjithë njerëzve të thjeshtë e ky impakt ishte kënaqësia dhe gëzimi i jashtëzakonshëm i këtij shpirti të papërkulur.

Dr. Perikli SHETI – I TALENTUARI KIRURG SHKENCËTAR, I JASHTËZAKONSHMI NJERI DHE MJEK (1)

Please follow and like us: