Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Perikli SHETI – I TALENTUARI KIRURG SHKENCËTAR, I JASHTËZAKONSHMI NJERI DHE MJEK (1)

Nga Pirro Fotiadhi

Pjesa e dytë

 

Zhgënjimi, forca e vendimit për të braktisur atdheun…
Korifeu i korifejve mantelbardhë, Dr. Perikli Sheti, me karakterin e njohur kryeneç e burrëror, në qytetin e Elbasanit, përpos startit të ri të karrierës së diktuar në një qytet provincial ,vendos të kurorëzohet me martesë me të përzgjedhurën e ëndrrave të tij, zonjën Kozara.

Ëndrra e tij, ishte aq e fuqishme, saqë ai ishte mëse i vendosur për të hedhur një hap të tillë, e madje nuk do të llogariste asnjë lloj mundësie, që do të mund ta ndalonte apo frenonte në sendërtimin e një vendimi të tillë jetësor. Ndonëse ishte njëherazi i bindur për pasojat vrastare e ndëshkuese që do të paguante në hapat e jetës së tij. Mes tërë asaj mase të strukur njerëzish, të ulur dhunshëm nga diktati i sunduesit partiak- pushtetar, statura tejet e epërme të karakterit Dr. Perikli Sheti, si një njeri shumë këmbëngulës, i fortë e kryeneç, me fisnikërinë, me karakterin dhe kulturën që zotëronte,me një bindje në zemër se edhe në këtë sfidë, do ta fitonte bindshëm. Duke bashkërrugëtuar në udhët e jetës përkah bashkëshortes së tij,me ngjitje zbritjet sa tronditëse e të lodhshme, po aq edhe shokuese e barbare. Ndonëse absurdët dashakeqës të karrierës së tij, realisht habiteshin me guximin e tij burrëror,ai me moskokëçarjen e tij karshi tyre, hidhte hapat e para të vrullit të tij jetësor, tanimë si një familjar i lumtur.

Përpos talentit të tij mjeshtëror si kirurg, në aspektin njerëzor, Dr. Perikli Sheti dëshmonte personalitetin e ndritur burrëror, që mbronte me skrupulozitet parimet thelbësore, duke iu përmbajtur vlerave njerëzore. Sepse ai besonte shumë tek familja dhe thelbi i saj, si pikënisja dhe baza e shëndoshë e përjetshme, tepër e shenjtë për çdo shoqëri, në të cilën kultivoheshin vlerat humane dhe detajet e përsosmërisë njerëzore.

Pa mëdyshje, duhet pohuar fakti se ishte tepër fatlum, Dr. Perikli Sheti, që fati e bekoi të kurorëzohej me martesë, me bashkëshorten e tij Kozarën,e cila ishte pranë tij, duke e mbështetur dhe motivuar në çdo hap të karrierës dhe jetës së tij. Ata sollën në jetë dy fëmijë të mrekullueshëm, Ralfin dhe Evën, duke harmonizuar realisht një familje të shkëlqyer shembullore, të kujdesshme, me solidaritet dhe dashuri, gjithsesi, me cilësitë dhe virtytet e vyera njerëzore. Ndihej fare mirë Dr. Perikliu, që me autoritetin e tij të padiskutueshëm dhe shpirtin e tij ngazëllyes, ofronte shumë dashuri, kujdes dhe paqe për fëmijët e tij aq të dashur.

Ngjarjet shpërthyese të viteve 90-të e gjejnë Dr. Perikli Shetin ende si mjek në Peqin, ndonëse ishte një prej mjekëve kirurg më të shquar dhe spikatur e tepër të rëndësishëm të brezit të tij. Por ai ende vijonte të jetonte i privuar nga të drejtat natyrale themelore njerëzore. Sepse ai e ndiente thellë që kërcënohej liria, dinjiteti, personaliteti, madje vetë jeta e tij personale dhe familjare me gjithë vlerat e saj. Krejt i vetëdijshëm për skenarin e pambaruar të padrejtësive ndaj tij, i shumëfishoheshin streset duke e imponuar që ai të ndihej gjithnjë si i dëbuar. Shteti mizor me emisarët e tij vrastarë, dëshmonin dukshëm se ishin mizorisht të padrejtë ndaj tij.

Ditët e jetës së tij, ishin sikur të jetonte në agoninë me vdekjen e afërt. Padrejtësitë e jetës së tij aktuale, konsistonin prej urdhërave të verbër të zyrtarëve delikuentë partiakë.

Shpirti i Dr. Perikli Shetit, në heshtje vuante dhe mbushej me keqardhje dhe ai kishte motive të forta që të ndihej i trishtuar, duke iu nënshtruar persekutimit dhe harresës së plotë, nën sundimin e rregjimit totalitar partiak enverian.

Vite të jetuara nga ditë dhimbjesh, minuta të jetuara nga monstruoziteti i ndëshkimeve krejt pa asnjë faj, sekonda të lidhura me ankthin e vazhdueshm, nëse si personalitet rishtaz do të vihej në shënjestrën e viktimizimit.

Më i papranueshëm dhe i padurueshm fakti, i injorimit por edhe privimit të paprinciptë të fëmijëve nga e drejta themelore për t’u arsimuar.

Edhe pse ai kishte sakrifikuar gjithçka për vendin e prosperitetin e atdheut të tij, ndonëse ofroi gjithë potencialin e energjive më të mira të tij për vendin, shpërblimi i përhershëm, ishte persekutimi, mosmirënjohja dhe zhgënjimi.

Si mundej të jetonte i kthjelluar shpirti i një prindi si Dr. Perikli Sheti, teksa shihte që fëmijët e tij jo vetëm ishin inteligjentë, por edhe shumë të mirë në mësime, të cilët përparonin shkëlqyeshëm, enkas të njolloseshin e përjashtoheshin nga e drejta për të studiuar. A mundej ai të pranonte kufizimin e mundësisë për të vijuar studimet e larta, por edhe të mund të frekuentonin shkollat si institucione të arsimimit dhe edukimit.
Sa e mallkuar e sa mizore ishte hakmarrja dhe ndëshkimi i diktaturës neveritëse, me gjithë ata individë që enkas etiketoheshin e cilësoheshin si «armiq të popullit». Brutaliteti dhe arroganca e pashpjegueshme, e keqja, negativja, ishin shndërruar në detaje mastige, që hidhëronin por edhe dëshpëronin prindërit e pafajshëm, teksa mendonin ardhmërinë e fëmijëve të tyre.

Linçuesit tejkohorë me karaktere të luhatshme e mbushur me hipokrizi dhe urrejtje verbëruese, të veshur me egon e asgjësuesit të padokumentuar, ndiheshin krenarë për krimin e heshtur të përbuzjes dhe pafuqinë e individit. Të cilët enkas viktimizoheshin dhe dhunoheshin drejtpërdrejtë, duke i mbajtur të distancuar nga auditorët e arsimimit dhe civilizimit.

Sadizmi makabër dhe metodat që përdoreshin, si pengesa shfajësuese retorike, përtej çdo imagjinate njerëzore, eskluzivisht për të refuzuar vazhdimësinë e arsimimit universitar, dëshmonin realisht dhimbjen e ndrydhur si edhe vuajtjet përtej njerëzores për Dr. Perikli Shetin, si shembulli më i lartë i dashurisë për fëmijët e tij. Pra, dita-ditës e ndjente dhe e shihte, se e vetmja rrugë për të jetuar e shijuar dinjitetin e munguar të jetës, ishte ikja dhe largimi. Pikërisht këto ishin motivet që e nxitën dhe e shtynë të bashkohej me fëmijët e tij, në verën e nxehtë të Korrikut të 90-ës, të cilët kishin hyrë në mjediset e Ambasadës Italiane në Tiranë. Përfundimisht, Dr. Perikli Sheti, me brenga dhe dhimbje të panumërta shpirtërore, largohet nga vendi familjarisht. Fillimisht vendoset në Itali, por duke synuar të udhëtonte në drejtim të Amerikës.

Dr. Perikli Sheti përmbush më së fundi ëndrrën e tij duke emigruar familjarisht në Amerikë, ku vendoset dhe banon në Ridgewood të Nju Yorkut. Si një surprizë e këndshme dhe e pabesueshme, një artikull shkencor botuar në një periodik që botohej në Kaliforni, ku referoheshin imazhe shkencore të Rusisë e veçanërisht të Moskës, në të cilin referohej personalisht edhe Dr. Perikli Sheti, u shndërrua në një indicie dhe motiv madhor që si personalitet i spikatur në fushën e mjekësisë, të pranohej dhe angazhohej si specialist kirurg në Spitalin Universitar të Nju Yorkut. Edhe në këto mjedise, i shquari mjek, njeriu me zemër të madhe, Dr. Perikli Sheti, si një ndër themelhedhësit e kirurgjisë shqiptare, shfaq dhe shpalos aftësitë e tij të përkryera në specialitetin e kirurgjisë. Duke u nderuar dhe vlerësuar me mirënjohje, si njeri konstruktiv por edhe mjek i fokusuar e tepër modest, për vlerat dhe dinamizmin e potencialit të tij profesional.
Tepër i dhimbshëm dhe tronditës ishte kumti për shuarjen përgjithmonë të Dr. Perikli Sheti, më 08 Mars 2012.

Pasi shkëlqeu me aftësitë dhe virtytet e tij, i Gjithfuqishmi Zot, e ftoi Dr. Perikli Shetin, në oazin e lumturisë së përjetshme.
Një mjek i përkorë, profesor akademik, një qytetar modest me zemër të madhe, një burrë i mençur dhe erudit, një bashkëshort ideal dhe prind i mrekullueshëm, Dr. Perikli Sheti pas një dyluftimi të gjatë me sëmundjen, humbi betejën me jetën e çmuar.  Një betejë që ai e kishte kryer pafundësisht me sukses, në emër të jetës njerëzore, për shërimin e pacientëve të tij, u dëshmua e humbur për të vetmen herë, në këtë luftë krejt të pabarabartë.

Njeriu me një kontribut të pakrahasueshëm, që kishte guxuar dhe «mposhtur» me mijëra herë vdekjen, kirurgu duarartë që shpëtoi mijëra pacientë të tij, u dorëzua në Përjetësi… Jeta e këtij humanisti të mirëfilltë dhe mjeku të shkëlqyeshëm, ishte aktive, e zhdërvjellët me ngjitje zbritjet befasuese, duke iu përkushtuar realisht një vizioni të shkëlqyeshëm plot fisnikëri, dinjitet dhe mirësi, HUMANIZMIT.

Meteori i pashuar, i shndrritshmi dhe i bekuari mjeku i përkorë, profesori akademik, qytetar modest me zemër të madhe Dr. Perikli Sheti, personaliteti dinjitoz dhe fisniku modest, u shua duke udhëtuar në Dritën e jetës së amëshuar e të pasosur të Parajsës.
Dr. Perikli Sheti e humbi betejën me jetën, duke u ndarë fizikisht nga bashkëshortja e tij e zemrës, Kozara, nga fëmijët e tij Ralf dhe Eva, nga nipi Jake dhe mbesa Alyssa. Por edhe nga rrethi i kolegëve dhe njerëzve të panumërt anekënd, që e donin dhe e respektonin me përulje.

Për të mbetur përjetësisht në kujtesën tonë, si njeriu dhe mjeku duarartë, si një bir i devotshëm, si një model tepër i vlefshëm dhe tepër i vështirë për t’u rigjetur. Duke spikatur në aspektet e kompetencës shkencore, të aftësive, moralit, modestisë, dinjitetit, ndjeshmërisë, mendjemprehtësisë, kontaktit dhe komunikimit të drejtpërdrejtë, të vetëmohimit dhe përkujdesit shoqëror.

Kontribues të pashembullt, individë që spikatën në jetën shoqërore dhe rrugëtimin e tyre profesional,largohen heshturazi… Duke lënë pas imazhet e një jetë të pabujë e plot sakrifica.

Nëpërmjet këtyre aradhave modeste, nderojmë dhe përkulemi para madhështisë dhe shtatit moral të njeriut dhe personalitetit të Vunoit e mbarë Shqipërisë, Dr. Perikli Sheti që nderoi shkencën mjekësore si askush tjetër, që tërë jetën ia kushtoi atdheut dhe progresit social-shoqëror të tij. Me modestinë eventuale, pa pretenduar se mund të përfshihen gjithë detajet thelbësore të jetës e rrugëtimit të tij profesional, në përmasat e një përkushtimi tejet modest dhe simbolik.

Ende i pavlerësuar kolosi i kirurgjisë shqiptare…

Gjithësesi, vlerësimi teorik i ikjes së dhimbshme nga jeta, mund të ndikojë në përcaktimin real të aftësive edhe të vlerave vërteta të individit që na mungon. Detyrimi për të kujtuar dhe nderuar simbolet e pakapërcyeshme, figurat dhe personalitetet brilante, që lanë gjurmë të pashlyeshme me kontributdhënien e tyre, realisht përbën një mision të shenjtë dhe frymëzues për çdo qenie njerëzore. Dhe kur ky detyrim imperative, lidhet kryekëput me figura të spikatura dhe personalitete që kontribuan fuqimisht, duke na lënë gjurmë të dukshme të një punë të madhe dhe të nderuar, veprimtari aktive në favor të shoqërisë në tërësi në favor të idealeve universale njerëzore dhe shkencore, një trashëgimi krejt të papërsëritshme. Kësisoj detyrimi i kujtesës pushon së qeni në konturet individuale, duke marrë përmasat e vërteta të komunitetit por edhe të vetë shoqërisë.

Si mundet të jetë realitet i vërtetë fakti, që edhe sot në Ditën Përkujtimore të Ditëlindjes së kësaj figure brilante, si një ndër viganët dhe personalitetet më të mëdha të kohës së tij, të figuroj ende i pavlerësuar si Qytetar Nderi në kryeqytet,në Elbasan, apo në Vuno dhe Himarë. Ashtu sikundër edhe me tituj të tjerë nderi respektivë, për vetëmohimin, humanizmin, fisnikërinë e modestinë e tij. Si mund të përballemi me një paradoks të tillë ogurzi, apo indiferentizmin dhe injorancën e hiçërve të paemancipuar, pushtetarëve monstra të shëndetësisë dhe atyre vendorë. Që jo vetëm nuk artikulojnë as edhe një fjalë të vetme për individë të tillë dinjitozë e të përkushtuar, por me pacipësinë e tyre përdhosëse, me sharlatanizmin e njohur, vijojnë të mohojnë dhe të heshtin përballë vlerave të patjetërsueshme e të papërsëritshme.
Tepër i habitshëm dhe krejt i pashpjegueshëm një rast i tillë skandaloz, prej cipëplasurve të pamoralshëm, injorantëve dallkaukë të pavlerë, që vegjetojnë dhe ngrohin karriget e zyrave pushtetare.

Sa kohë akoma do durojmë marrëzinë e madhështisë të injorantëve dhe pafytyrësisë së mjeranëve pa pikën e përgjegjësisë, për figurat, për vlerat, për historinë, por gjithsesi edhe për vetë jetët tona.
Në mënyrë tepër logjike, u drejtohem zyrtarisht gjithë atyre të pushtetshmëve që përfaqësojnë institucionet, nëse të mirënjohurat në ndërgjegjen e shoqërisë dhe komunitetit, vlerat e testuara në kohë, a duhet të harrohen? Apo duhet reaguar menjëherë që të projektohen si modele, që simbolizojnë shembujt e simbiozave të personaliteteve të përkushtuara.

Atëherë çfarë saktësisht mund të bëjmë konkretisht dhe çfarë mund të presim për të tashmen dhe të ardhmen tonë si shoqëri në këtë vend?!
Ndërsa vitet kalojnë dhe orvatemi të krahasojmë të sotmen me të kaluarën, aq më shumë vlerësojmë dhe admirojmë me përulje, madhështinë e personalitetit dhe madhësinë e veprës së tij unike shkencore. Një kontributdhënie simbolike e cila pasqyron drejtpërdrejt nivelin e kujdesit mjekësor fillimisht në Tiranë e mandej edhe në Elbasan, më shumë se 5 dekada më parë. Duke u identifikuar drejtpërdrejt me historinë e suksesshme mjekësore të kohës, që Dr. Perikli Sheti, vulosi në mënyrë të pashlyeshme me emrin dhe sakrificat e tij.

Sepse stili i tij, butësia, dashuria dhe mirësia e tij ndaj çdo qënieje njerëzore, durimi i pafund ndaj të sëmurëve, mirësia e lindur, natyra e tij përulëse dhe modeste me kolegët, njohja me detaje e fazave të sëmundjes, e bënin atë një mjek të shquar dhe krejt të veçantë.
Dr. Perikli Sheti, një njeri krejt i zakonshëm nga një familje tepër e thjeshtë e Vunoit, modest, me një mendje të pastër, këmbëngulës dhe stoik, për ambiciet dhe synimet e tij, arriti të ngjitet në shkallët sipërore të suksesit, duke pasur një performancë shumë serioze, për të cilat edhe neve sot,mund të krenohemi me të.

Një qenie modeste, një mjek i shkëlqyeshëm ishte Dr. Perikli Sheti, plot fisnikëri dhe mirësi, një personalitet krejt i veçantë i jetës publike, një humanist i përkushtuar dhe shërbëtor i zellshëm në mbrojtje të shëndetit të njerëzve. Një misionar i përkorë, një shkencëtar unikal, që u përball me guxim me realitetin e hidhur të dekadës së viteve 60-të e në vijimësi dhe sfidoi realisht me performancën dhe talentin e tij të vyer.
Gjithë veprimtaria dhe kontributdhënia proverbiale e Dr. Perikli Shetit, kurrsesi nuk është asfare e lehtë për t’u analizuar dhe vlerësuar apriori. Sepse edhe nëse do të mund të artikulonim apo përdornim terminologjinë më të sofistikuar, natyrisht që do të ishte tepër e vështirë të përshkruhet me saktësi shtrirja, aftësitë, performanca si edhe lartësia shkencore e në të njëjtën kohë thellësia e mendimit si edhe gjerësia e një personaliteti të nivelit me përmasa përtej vendit,të Dr.Perikli Shetit. Pa as më të voglën gjurmë ekzagjerimi, historia jetësore e Dr. Perikli Shetit, konsistonte tek harmonia e gërshetimit të mjekut profesionist, me pedagogun pasionant, të personalitetit modest dhe karakterit të pathyeshëm, të humanistit gjenial dhe diskret.
Dr. Perikli Sheti, si një vlerë e çmuar, që nuk zbehet apo zvenitet asnjëherë, lartësohet si një kolos, si një përmendore, sepse gjithsesi jetëgjatësia nuk gjykohet dhe nuk matet përmes viteve të jetuara. As nga titujt apo gradat, por nga dashuria dhe bukuria e shpirtit të tij, nëpërmjet përmbajtjes së kontributdhënies, gjurmëve dhe veprës së spikatur njerëzore, në rrugëtimin jetësor dhe profesional.

Në këto kohë vrastare të rrënimit të vlerave, pavarësisht regresit të padurueshëm si edhe absurditeteve neveritëse të drejtuesve aktualë të shëndetësisë shqiptare, por edhe atyre vendorë, imperativi ynë konsiston që personaliteti dhe figura e Dr. Perikli Shetit, asnjëherë të mos pushoj së qëni, një shembull kuptimplotë dhe referencë e vazhdueshme për të gjithë ne bashkëkohësit. Duke e kujtuar gjithmonë me dashuri, por edhe duke e pasur si udhërrëfyese trashëgiminë tepër të vyer që ai na la.

Faktori kohë, duhet cilësuar si indiferentizmi pervers, gjykuar dhe vlerësuar në kontekstin e harresës dhe injorimit, të jetës së ndritur dhe veprës së paçmuar e figurave me reputacion në shoqëri.Të cilët dëshmuan përkushtim dhe përsosmëri ndaj detyrës së tyre si misionarë të Hipokratit. Kësisoj, është e domosdoshme jo vetëm t’i respektojmë me përulje, por edhe duhet të legjitimojmë si domosdoshmëri, që ata jo vetëm të nderohen dhe vlerësohen, por njëherazi të ndriçohen e projektohen si shembuj që lipset të imitohen. Sepse asgjë nuk duhet të humbasë, nga gjithë ato që ata na mësuan me punën, jetën, moralin dhe betejat e tyre. Vendi ynë dhe përparimi i shoqërisë tonë, mund të ecin përpara, vetëm atëhere kur secili prej nesh,përmbush dhe kryen detyrën e tij ashtu siç duhet. Por ama duke respektuar dhe dëshmuar mirënjohje për gjithë ata misionarë, që triumfuan në arritjet e mëdha.

Κur është fjala për jetën e veprimtarinë e ndritur të personaliteteve madhore, përse Fakulteti Mjekësisë të mos vlerësoj dhe krijoj «Çmimin e Mësimdhënies të Jashtëzakonshme Universitare», me emrin e nderuar të Dr. Perikli Shetit, si një medalje institucionale, që shpërblen përsosmërinë dhe përkushtimin ndaj Mësimdhënies Universitare për çdo vit mësimor.

Ky çmim i veçantë, do të ketë rëndësinë dhe një vlerë krejt të veçantë, në aspektet e promovimit, por edhe forcimit të nivelit të mësimdhënies, në shërbim të dhjetëra studentëve që ndjekin profilin e specialitetit të Kirurgjisë. Duke e konsideruar si një angazhim madhor, për të nderuar e ua ofruar, personaliteteve dhe institucioneve që kontribuojnë me seriozitet dhe vendosmëri, në ngritjen e nivelit tonë kulturor dhe shoqëror.

Dr.Perikli Sheti, është një prej korifejve legjendarë të kirurgjisë shqiptare, që ia kushtoi tërësisht jetën shërbimit të shëndetit publik dhe ekselencës akademike. Edhe pse u përndoq, u denigrua, u burgos, ai mbështeti kauzën e përparimit të dhjetëra mjekëve – shkencëtarë të rinj, në favor të idealeve universale. Duke vlerësuar aftësitë e tyre, ai kontribuoi denjësisht me leksionet dhe intervistat e tij, për të informuar edhe publikun e gjerë për qëllimin e jetës dhe promovimin e profilaksisë së shëndetit. Detyrimi ynë si mirënjohje e kujtesës dhe nderit të atyre që u larguan nga jeta, konsiston si një nga detyrimet e shenjta për çdo qytetar dhe qenie njerëzore.

Nderimi pas vdekjes për pedagogun, studiuesin dhe kirurgun e përkorë, Dr. Perikli Sheti, në një kohë kur universitetet shqiptare si edhe vetë shoqëria janë mbërthyer në kolapsin e një krize të paprecedentë, reflekton edhe vlerësimin dhe mirënjohjen për kontributdhënien pasionante të profesorit të paharruar të Fakultetit të Mjekësisë.

Në vend të epilogut

Në rrugëtimin e jetës, janë disa tregues të pagabueshëm që përcaktojnë karakterin, edukatën, kulturën e cilitdo individi. Jo më kot, Mark Avrilio nënvizonte se «Çdo njeri ka vlerë aq sa kanë vlerë gjërat me të cilat ai merret në jetë».

Një aksiomë tepër simbolike dhe sinjifikative që i shkon për shtat korifeut, gjigandit kirurg plot shkëlqim, Dr. Perikli Sheti.

Dr.Perikli Sheti, si një kirurg i përkryer dhe si një mjek guximtar, i ngjizur me një dashuri të pashtershme për misionin e tij, duke shërbyer me përkushtim në mbrojtjen e jetës së qytetarëve, mundi të fitonte shprehi dhe një përvojë unike shkencore, duke spikatur me nivelin e teknikës operatore si edhe njohurive të tija në botën e mjekësisë. Madje si një thesar i paçmueshëm në fushën mjekësore, ai ravijëzoi një filozofi jetësore, ose ndryshe një armë moderne në betejën e jetës së përditshmërisë së tij, të cilën, shumë të paktë ishin në gjendje të realizonin një gjë të tillë, në vijimësinë e dekadave të jetës së tyre.

Do të mbetet një personalitet i rrallë dhe i jashtëzakonshëm, Dr. Perikli Sheti, i cili do të jetë përherë i pranishëm jo vetëm në kujtimin e gjeneratave të ardhshme, por në çdo hap tonin. Pasi edhe pse konjukturat jetësore kanë ndryshuar, i kemi mëse të domosdoshme dhe jetike vetëmohimin, vendosmërinë, përkushtimin, modestinë, sakrificat që u përballën dhe u nënshkruan prej vetë jetës së këtij biri të shquar.

Me personalitetin dhe dinamikën e tij, Dr.Perikli Sheti kontribuoi dhe u lartësua në shoqëri duke sendërtuar dhe ndjekur rrugën e tij të veçantë dhe tepër të admirueshme.Me atë qetësinë e tij hyjnore, ai jo vetëm ishte, por do të mbetet, një prani e gjallë, një model i vlefshëm i kompetencës shkencore, moralit, modestisë, dinjitetit, ndjeshmërisë, mprehtësisë, vetëmohimit dhe kujdesit shoqëror, kontaktit dhe komunikimit të drejtpërdrejtë me njerëzit e zakonshëm.

Me përulje, faleminderit Dr. Perikli Sheti, për gjithçka ofrove dhe na mësove, me vlerat e njeriut që lufton vazhdimisht me këmbëngulje, me përkushtimin dhe ofertën e një njeriu të kulturuar, për afro 4 dekada në të gjitha pozicionet që shërbyet dhe shëruat jetë njerëzore. Duke dëshmuar realisht se vetë arritjet e shkencës, ishin kryekëput në shërbim të njerëzve. Dhe ju si mjek, si misionar, i shërbyet me etikë dhe devotshmëri, kësaj vlere të madhe shoqërore universale.
Dinamizmi, pasioni i tij i pashtershëm për jetën, njohuritë dhe mënyra e pakrahasueshme që ai përdori artin e tij të bisturisë, në shërbim të njeriut dhe në shërbim të vetë jetës njerëzore, është gdhendur përgjithmonë në kujtesën tone përjetësisht. Buzëqeshja  e tij e mirë dhe e ngrohtë, që aq shumë na ka munguar, do të na shoqërojë çdo herë në gëzime dhe hidhërime. Realisht si bashkëkohës, ndihemi tepër krenarë dhe të impresionuar, për madhështinë e shpirtit të tij, për veprën e kontributin e jashtëzakonshëm të Dr. Perikli Sheti, në shërbim të jetës njerëzore.

Njeriu i dashur e fisnik, Dr. Perikli Sheti na mungon. Njeriu që pa e kërkuar kurrë, u bë një personalitet krejt i veçantë, një mjek shkencëtar i shkëlqyer dhe shumë modest. Sepse prania e tij, konsistonte tek aftësitë, maturia, ndershmëria, përkushtimi e virtyte të tjera tepër të spikatura. Si një rast i jashtëzakonshëm i njohjes universale, pa ndonjë motiv, fuqi apo autoritet.

Puna e tij u justifikua plotësisht nga mirënjohja, vlerësimi, nga madhështia e mirësisë dhe respekti i pamasë i mijëra pacientëve, apo njerëzve anonimë, të cilët patën fatin të mbështeteshin me besim të verbër, në duart e tij të çmuara.

Dr. Perikli Sheti ishte një figurë dhe personalitet i veçantë shumëdimensional, shkencëtar i shquar, luftëtar i palodhur i detyrës ndaj njeriut, lirisë dhe jetës, si individ i shquar dhe human i Vunoit dhe Himarës, por edhe gjithë Shqipërisë. Prej atyre fisnikëve të rrallë, që kanë lënë gjurmë suksesi dhe respekti në shoqërinë tonë, të cilit njerëzit e thjeshtë e pacientët,por edhe të gjithë neve, i detyrohemi së tepërmi.

Sot në këtë ditë Përkujtimore të Përvjetorit të 90-të të Ditëlindjes së misionarit human, mjekut Perikli Sheti, thellësisht të emocionuar, përulemi dhe e përkujtojmë. Por edhe e nderojmë atë me veneracion.

Le të jetojë shembulli i tij gjithmonë, jo vetëm në zemrat tona dhe mes nesh, por njëherazi le të shërbej si një udhërrëfyes ndriçues për brezat e ardhshëm.

I paharruar mjeku kirurg, frymëzuesi emblematic, Dr. Perikli Sheti!

Pastë dritën e flakëruar e të përhershme të Parajsës Hyjnore, shëmbëlltyra e Dr. Perikli Shetit!

Athinë, 20. 06. 2022.

Please follow and like us: