Otilia Teposu: FLORIKA
Ajo ngjitej e zhdërvjelltë nëpër shtegun e fshehur nga bredhat. Aty lartë, pasi linte mbrapa ca shkëmbinj të zbardhur nga shirat, gjendej një strehë verore për lopët. Todori e priste atje sa herë që mund të ikte nga shtëpia, t’i largohej gruas së tij, që ia kishin dhënë prindrit me detyrim. Ata dashuroheshin fshehurazi, dhe gjithmonë bënin kujdes për të mos u parë nga të tjerët. Dashuria e tyre zuri fill shumë kohë më parë, gjatë një pranvere, kur ata qenë akoma fëmijë. Çeli me lulet e para që dilnin nga bora dhe u rrit e u harlis gjatë muajve në vazhdim. Për t’i ngjarë në fillim të asaj vjeshte, një tabloje marramendëse së cilës nuk i mungonte asgjë. Ata flisnin pak kur qenë bashkë, si t’u shterronin fjalët e s’kishin gjë për të thënë. Merreshin vesh më tepër duke u vështruar. Dhe, ajo që shihnin në sytë e njeri-tjetrit, mjaftonte për t’u dashur përherë e më shumë. Për të përballuar peripecitë e përditshme, jetën në fshat, me të gjitha andrallat e saj. Të mira e të këqia, të hidhura apo të gëzuara. Todori ishte dhëndrri i tregtarit më të pasur të deleve në fshat, kurse ajo, Florika, vajza e vetme e një të veje.
Shpesh, kudo që gjendeshin me punët e shtëpisë, era do sillte një aromë të butë trumze e shafrani nga kreshtat, duke u kujtuar çastet e kaluar nën dritën e zbehtë të strehëzës malore. Dhe kjo i ndihmonte ta kalonin ditën më lehtë. Shpesh herë, kur ishin mes bashkëfshatarëve, dukeshin të veçuar nga kjo botë, qënie sipërane, me fytyrat e flladitura nga një si burim i qetë e i pashtershëm dashurie. Nga një ëndërr me krahët përherë në fluturim. Ndaj atij i doli nami se ishte i heshtur e pak inatçor, njerëzit i shmangeshin, si të mos kishin ç’të thoshnin me të. Kurse Florikën e panë me dyshim, si të mos mbushte mirë. Se qe si e harruar, s’kishte durim të fliste me shoqet, ngutej gjithnjë, përherë në rrugë për të shkuar diku, e kujdesshme për të mos rënë në sy.
Ata u pajtuan disi me fatin që u ra në pjesë. Nuk mund të kërkonin më shumë se ajo që jetonin fshehurazi në strehën e malit. Mes tyre, si brez i pakapërcyeshëm, rrinin ligjet dhe zakonet e lashta. Në ato kohë të vjetra, nuk mund t’i sfidoje ato pa lënë mbrapa një zbrazëti, një humnerë, një çarje. Dhe, nëse u dilje kundra, thyeje modelet e trashëguara, devijoje nga rruga e njohur, e përcaktuar si e vetmja e drejtë; gjykimi i të tjerëve do qe mëse i ashpër. Por dashuria nuk u është bindur kurrë ligjeve dhe rregullave kalimtare të njerëzimit. Kështu dhe ajo mes Florikës dhe Todorit, si një fluturim zogjsh drejt dritës, që nuk ka të ndalur.
Lajmi mori dhenë, ndërkohë, filloi lufta, por në fshatin e tyre malor vonoi të vijë. Më parë u thirrën në ushtri të rinjtë, pak më vonë, në kreshtën e malit, duke ndjekur shtigjet ku kalonin kafshët dhe bagëtitë, u shfaqën ushtarët që sajonin vende-vende tuma prej guri gëlqeror. Ndërmjet tyre vendosën gurë të tjerë, dhe mund të shihje nga larg sesi gjarpëronte mbi kodra e lugina muri i bardhë. Kufiri i përkohshëm që ndante Mbretërinë nga Transilvania. Nuk ishte më e pabesueshme, lufta u kish ardhur te pragu i shtëpisë, patrullat e ushtarëve kalonin përgjatë murit natë e ditë. Askush nuk lejohej të kalonte nga një anë e tumës në tjetrën. Pati peripeci të shumta, pasi kufiri injoroi dëshirat dhe nevojat e njerëzve që deri dje ishin bashkë, u ndau më dysh kopshte dhe hapësira ku kishin varret e të parëve. Dikush kishte shtëpinë në Mbretëri dhe kullotat i ngelën në anën tjetër të kufirit. Një tjetri i mbetën përtej tumave e murit të bardhë, stallat e bagëtive. Si mund t’u thoshje ushtarëve se lopët nuk kishin haber nga lufta e se më kot prisnin të mileshin e nxireshin në kullota nga zotërinjtë e tyre?! Burrat e shumë familjeve kapërcenin natën murin e bardhë, fshehura, me frikën në zemër se mos zbuloheshin e qëlloheshin nga ushtarët para se të arrinin te kafshët. Gratë dhe fëmijët prisnin të ktheheshin në agim me vedrat plot qumësht, ose të përgjakur.
Për të takuar Todorin në strehën e tyre të vjetër, Florika zvarritej nëpër llagëme të shkretë, kapërcente kufirin në majë të gishtërinjve, me hapa të mëdhenj e të pandjeshëm. Pa u zmbrapsur nga të shtënat e armëve në gjurmët e saj, por dhe ushtarët nuk ishin të sigurtë nëse hija që shihnin të fluturonte mes gjelbërimit ishte ajo e një qenieje njerëzore. Derisa Todorin e thirrën në ushtri.
Vala e vdekjes vërshoi për herë të parë në fshat, kur dy burra u zbuluan duke tentuar të hidheshin matanë kufirit dhe u qëlluan pa mëshirë nga patrullat. Për të gëluar buja më vonë, sa herë që mbrinte në fshat një zarf me vija të zeza. E një i panjohur u thoshte të afërmve të të vrarit të krenoheshin, se tashmë ata kishin në gjirin e tyre një hero. Shtëpitë me flamurin e zi te porta po shtoheshin përherë e më shumë, dhe duhej sikur kish rënë një heshtje morgu mbi fshat, që mbante mbërthyer me darë të dyja anët e murit me gurë të bardhë…
Të parët që e dëgjuan ishin ata të shtëpive përbri, pa mundur të merrnin me mend se çfarë kishte ndodhur. Dhe as dinin nga vinte ajo kujë e lemerishme, e pandalshme, aq sa u shkund mali si nga një tufan i zi. Pastaj dëgjuan të tjerët më largë, por askush s’dinte ç’po bëhej në të vërtetë. Vetëm kur ajo pushoi dhe ra heshtja, një dridhje e çuditshme i pushtoi të gjithë, një frikë e pakuptimtë i mbuloi krejt. Dukej sikur u kish rënë papritur mbi kokë një dimër i egër, i acartë. Gjethet u përpëlitën të pafuqishme mbi degë, kafshët që kullosnin vështruan gjithë habi qiellin e plumbtë.
Kur u dëgjua për herë të dytë, ngriti erë, si për ta çuar më largë. Sa më largë atë klithmë prej bishe të plagosur, duke u bërë njëherazi më e dobët, gati si pëshpërimë e pafuqishme. Për tu shuar akoma më shumë, ndërkohë, aqsa të grishte të veje të ndihmoje, të shihje kush qe, ta ngushëlloje për fatkeqësinë që i pat rënë mbi kokë… Dhe vetëm atëherë njerëzit kuptuan se vaji vinte nga shtëpia e Florikës. E fshehur pas thuprave të rinj, në luginë. Dhe po atëherë, sikur mbetën pa perden që gjithë kohës u kishte zënë sytë, u bënë me zë të pathënat e shumta, kur panë flamurin e zi mbi shtëpinë e Todorit.. Bashkëfshatarin e tyre të heshtur nuk do ta shihnin më kurrë me sy, ai tani ishte bërë hero..