Albspirit

Media/News/Publishing

S’ka ndonjë Akil përjashta…!

Ilustrimi: Igor Morsk
S. Guraziu, 2012 (luftrat brenda “kështjellës”)

“…kjo figurë imcake që e shihni në qoshe është një artist me vetëm 1 ide në kokën e tij, me 1 ide të vetme të ashtuquajtur nga ai vetë: plani A dhe plani B”…

***
E dimë që jeta nuk është vetëm rritje nga “jashtë”, vetëm vrap pas krijimit të pasurisë, pas prestigjit dhe pas gradave e dekoratave. Jeta s’është vetëm “kultivimi” i besimeve personale, i principeve apo… i hedonistikave – e dimë që jeta dhe universi personal është shuuumë më shumë.

Në jetë ballafaqohemi me përplot situatash pa dalur fare jashtë “kështjelles”, s’ka ndonjë Akil që na thërret përjashta në dyluftim. Akoma pa u hapur portat, thjesht ashtu brenda nesh një laryshi e vërtetë dhe një mal informacionesh që sugjerojnë luftën. Herë situatash qesharake, e herë tepër serioze, herë kalamllëqesh, gjërash foshnjarake e menderosjesh…

Jeta vetiu është një lloj lufte – thuhet kështu nga gjithkush dhe gjithandej. Në secilin krah që rrotullohemi, betejat e situatat janë të panumërta dhe të ndryshme. Që nga ditët e para të frymimit na përcjellin përplot gëzimesh e hidhërimesh, rëniesh e ngritjesh, fitimesh, dështimesh… etj.

Është luftë jo vetëm në rrafshin e ngushtë, për ekzistencën – siç më tepër aludon shprehja metaforikisht – por dhe për konsolidimin e harmonisë, për vetë-avancimin e brendshëm, për kornizimin e karakterit e për kalitjen. Kështusoj jeta jonë patjetër se është dhe një lloj lufte e pambarim brenda mureve të kështjellës, luftë me vetveten.

Luftë e pandalshme brenda nesh, luftë me sentimentet e me ngarkesat emocionale, pastaj aso formash që (nga ai komisti amerikan Çarli – Charlie Sheen) – janë komedizuar si “anger management”, pastaj menaxhim i streseve etj. etj., sa për t’i përmendur ca formash.

Por jo vetëm Çarli, kjo botë është e mbushur me kronistë-psikologë të vërtetë që e kanë pasion dhe profesion ta analizojnë, ta studiojnë, ta komentojnë “psiko-natyrën” e njeriut. Lufta jonë internale është luftë serioze – natyrisht që implikohen disa rregulla “luftarake”, dhe e ka atë kodin e vet.

Sa duam t’ia pranojmë vetes se megjithatë një Akil i brenda-mureve na provokon, kjo është çështje tjetër, madje s’na detyron kush. Disa gjëra mundësisht s’do duhej t’i marrim të gatshme, paçka se më e lehtë.

Pavarësisht në cilin stad të luftës të ndodhet “kështjella jonë”, në luftë e sipër s’duhet ta torturojmë zemrën. Me secilën betejë e kacafytje zemra është i vetmi “arbitër” që e kemi. E vetmja që mund t’i besojmë absolutisht – dhe pipi i saj, ku di unë… ndoshta nund t’jetë ndërgjegjia.

***
Nganjëherë sikur ndjehemi “fitimtar” tek ashtu, thjesht sepse nuk humbasim gjë (padashur, as aksidentalisht). Asgjë s’na shket nga dora, asgjë nuk thyhet, s’ka ndonjë “vazo kristali” që duhet ngjitur (kristalet janë jashtëzakonisht kompleks, andaj dhe duhet kujdes i jashtëzakonshëm), s’ka diç që nuk ngjitet, që nuk riparohet. Ç’duhet fituar më shumë nëse veç ndjehemi fitimtar?!

Nëse gjërat s’kanë lëvizur, akoma janë ashtu siç ishin, nëse hëpërhë “fatin” e kemi në anën tonë, aq e lehtë në secilën kohë, natyrisht, të kënaqemi me aq. Moshumbja e diçkaje (që mund ta humbisnim) sikur na mjafton, sikur e ngopë ego-n tonë. Diç të tillë madje mund dhe ta kthejmë në njëfarë feste, ashtu tinëzisht të festojmë e të dehemi brenda vetes.

Ndonjëherë si fitore e ndjejmë dhe vetë hapin zero, thjesht pikat A dhe B nuk ekzistojnë, s’kërkohet ndonjë ndryshim. “Victoria” sikur e ngopur me sistemin e gjërave – s’kërkohet aksioni, prishja e qetësisë, s’është nevoja të trazohet as vetë ajri.

Së këndejmi thuase as idetë tona s’na nevojiten, sikur të panevojshme, të tepërta… (këtu m’u kujtua një artist që parodizonte gjoja me një dikend anonim, por ai në fakt e bënte me veten, me një diç si vizatim minimalist sikur tallej me vogëlsinë e vet artistike: “kjo figurë imcake që e shihni në qoshe është një artist me vetëm 1 ide në kokën e tij, me 1 ide të vetme të ashtuquajtur nga ai vetë: “plani A dhe plani B”).

Nganjëherë ndjehemi “humbës”, pandehim se kemi humbur diç… duke fituar diç që nuk e prisnim. Papritmas sikur na imponohet ta ngadalsojmë frymëmarrjen. Ose dhe pikërisht e kundërta, sikur na imponohet ngutja – shpesh rendim si të marrë që t’mos ngelim pa frymën tonë.

Dhe zemrat kurrë s’ankohen. Aty-këtu kemi përshtypjen sikur dhe zemra ngutulushe, por jo. Ajo thjesht akordohet me hujet tona të papritura, me oksigjenin e frymës, me sistemin e vetëftohjes, me frymëmarrjen e qelizave, me secilin cikël të qenies dhe me të gjitha reciprocitetet e jetës. E ngrata kujdeset dhe për dozat e lotëve që na duhen, për rrezet e diellit të vetmisë, për harkun e ylberit dhe për ngjyrat e tij, për dritën dhe nuancat e lumturisë… për gjithçka!

Ndërsa ne, ç’bëjmë ne, (merre me mend:) harrestarë, ose shtiremi sikur s’e dimë. Vazhdojmë ta torturojmë me gjërash kot… pafalshëm e padenjësisht, një jetë të tërë.

Askush s’i “njeh” luftrat e brenda-kështjellës më mirë se zemra. Cilado zemër i di sakrificat, i kupton dhe sfidat, operon pagabueshëm. Zemra është ai barometri sublim i qenies, aparati më i sofistikuar… i “lidhur” me mendjen. Pa simbole, pa germash, pa asfarë shenjash, pa numra… që nga thirravaji i parë i foshnjërisë i ruan rëniet, ngritjet, të gjitha statistikat. I ruan sepse i duhen asaj vetë, për t’i “arbitruar” hapat tanë; humbjet, fitoret, kupat e krenarisë, marshimet, dështimet, ngrysjet, paqen, madje dhe “flamujt e bardhë”… ecejaket e gjithë jetës.

Please follow and like us: