Robert Martiko: Koha dhe Fotografia—rreth librit “Miq në 50 foto” të Qerim Vrionit
Për të gjykuar rreth fotove të paraqitura në librin “MIQ NË 50 FOTO”, të studiuesit të fotografisë dhe fotografit tashmë të mirënjohur në Shqipëri, Qerim Vrionit, nuk ka element më të madhërishëm e njëkohësisht më thelbësor sesa KOHA. Dhe kur flitet për këtë nocion bazë jo vetëm në filozofi, të marrë me mend si një mjedis i pafund, në të cilin ngjarjet pasojnë njëra-tjetrën, nuk mund të mos të të shkojë mendja te shprehja e famshme e Heraklitit, para më shumë se 2500 vjetësh se gjithçka në botë rrjedh pafundësisht. Filozofi grek kishte parasysh një lum që rrjedh pa pushim, njësoj si brezat njerëzorë të gjendur në zemrën e ngjarjeve që vijojnë njëra tjetrën, ndërkohë që historia nuk bën asgjë tjetër përveçse të regjistrojë me paanshmëri më shumë tragjeditë njerëzore sesa sukseset e saj.
Duke iu referuar fotove të Qerimit, mund të thuhet se në vetë artin fotografik nuk ekziston Kohë, përveçse gjurmë të mbetura në çdo shkrepje të aparatit. Kjo është arsyeja që fotot e paraqitura në librin e mësipërm, nuk mund të shikohen përveçse si gjurmë të pavdekshme në një kuptim të zgjeruar, universal. Ndërsa në një aspekt të dytë anësor, duke hedhur dritë edhe në vetë ndjenjat miqësore të autorit për personazhet e paraqitura në libër, vlen të vihet në dukje se është me të vërtetë një gjest mjaft i lavdërueshëm, që çdo njeriu pozitiv i hap mendjen, për të parë vetë qeniet humane brenda kohës që ata jetuan.
Duke dalë provizorisht nga koncepti i Kohës që rrjedh pa pushim, mund të pohoj se nuk i njoh të gjithë personat që paraqiten në libër. Një parim i madh në filozofi të mëson se njerëzit nuk duhen gjykuar, por të shikohen si produkte të Kohës në të cilën jetuan. Njoh më mirë nga të gjithë Fatos Arapin që sikur të përsëritej edhe një herë historia nga e para, do të pranonte më mirë të mos shkruante asnjë rresht në poezi nën Diktaturë, me qëllim për tu bërë i dëgjuar. Mund të dalloj Timo Fllokon i cili ishte ndër të vetmit që kërkoi falje për faktin se kishte marrë pjesë në Realizmin Vëllavrasës Socialist. Njoh gjithashtu karakterin sinqertë e paqësor të Luan Rama, i cili nga Parisi përshkruan në ditët e sotshme mrekullitë e jetës dhe të Artit të Vërtetë Perëndimor. Gjithashtu nga afër më ka rastisur të njoh Dionis Qirizidhin, një natyrë e butë me prirje poetike dhe Aleko Baben me një karakter dashamirës, të ndjeshëm e mjaft pozitiv.
Nuk besoj të bjerë askush në kundërshtim jo me mua, por me vetë Logjikën e gjërave se Arti i vërtetë nuk mund të ekzistojë përveçse në vende të lira. Dhe kurrsesi në diktaturë! Është e mundur të krijohen vepra arti në mungesë lirie! Është një absurditet i madh edhe sikur vetëm ta mendosh. Vetëm njerëzit me inteligjencë të kufizuar mund ta besojnë një gjë të tillë. Asnjë gjigant i Artit botëror nuk mund të konceptohet jo vetëm për të shkruar në Liri të plotë, por edhe të mos ndiente veten e tij brenda Kohës që jetoi. Ishin pikërisht njohuritë e domosdoshme filozofike që bënë përbindëshat e artë si Dantja, Da Vinçi, Shekspiri, Gëtja, Hygoi, për të ndryshuar Kohën, siç ndodhi sidomos me Rilindjen Evropiane. Dhe të ndryshosh Kohën d.m.th. të hapësh fatin e shoqërisë, të nxjerrësh Njeriun nga ferri i vetvetes mesjetare. Kjo ndodhi në Perëndim, ndërsa në Shqipëri, për hir të Propagandës nën Diktaturë, ku Arti i realizmit Socialist, ishte më aktiv nga të gjithë, Koha u kthye shekuj të tërë pas. Shqiptarët u përhapën në botë për të ndërtuar një jetë të re nga e para, ndërsa shteti i ëndërruar historikisht në Shqipëri nuk jep asnjë shenjë në horizont se do të mund të krijohet.
Nga gjithë personat që Qerim Vrioni ka fotografuar në libër, sigurisht me ndjeshmërinë e tyre si individë, të prirë drejt botës së Arteve, sa bukur do të ishin zhvilluar gjërat nëse, duke filluar nga viti 1944, mendimi shqiptar nuk do të mbetej viktimë e materializmit të matur në botë me 100 milionë të vrarë e të asgjësuar. Sa ndryshe do të ishin gjërat sikur në Shqipëri të mbizotëronin shkollat perëndimore. Arti i tyre në radhë të parë do të ndihmonte shoqërinë për të rilindur, pasi nuk mund të konceptohen shkrimtarët e poetët pa këtë mision të madh historik, duke filluar me Homerin e deri te çdo shkrimtar perëndimor të cilit i jepet mundësia të studiojë më parë për filozofi, pastaj të mund të shkruajë sikur të ketë zbuluar papritur jo një kontinent amerikan, por dhjetë Toka të Zjarrta.
Duke iu kthyer përsëri nocionit të përjetësisë, filozofia nuk u bazua vetëm te lumi i Heraklitit që rrjedh pa pushim, por, mbi këtë u vendos ARSYEJA apo Logos, si një pikë pa ndryshim, e përjetshme, vrojtuese e lëvizjes dhe ndryshimit. Pikërisht këtë kërkon jo vetëm mendimi intelektual por kryesisht shoqëria shqiptare, sot në nevojë më shumë sesa kurrë. Ky pikërisht do të mund të ishte patriotizmi intelektual i cili, kur ndeshet me humanizmin, merr në Kohë trajtat të madhërishme, hyjnore si i Nënë Terezës. Nuk ka të ardhme shoqëria shqiptare pa Arsye të Qëndrueshme që vrojton lumin e pandalshëm të jetës, në mënyrë tepër kritike dhe jo lavdëruese. Ndryshimi pa pikë vrojtimi gëlltit në bark historinë. Vijon në shekuj armiqësia, tragjedia e kaosi i pandarë nga shoqëria shqiptare. Pika vrojtuese në lumin e pandërprerë të jetës nuk është asgjë tjetër përveçse UNI, SHPIRTI, që ndikon në lëvizjen historike. Shpirti është pikë referimi që i jep formë lëvizjes për ta përdorur në një mënyrë të mençur. Është bazë për qytetërimin e një vendi. Të mençurit shohin botën me rregulla e në ekuilibër, ndërsa të paditurit shohin vetëm me konspiracion, në kaos e përçarje.
Përpjekjet e Qerim Vrionit si një studiues dhe fotograf i talentuar, njësoj siç vlen për të gjitha degët e tjera të Artit, nuk mund të shikohen përveçse në këtë aspekt universal, të përjetësisë dhe Kohës që rrjedh pa pushim, me shpresë se një ditë, me mençurinë e duhur intelektuale, dhe jo të vdekur për së gjalli, gjërat përreth do të ndryshojnë…
Please follow and like us: