Albspirit

Media/News/Publishing

Kristaq Balli: GJON MILI NË PASARELAT E MODËS DHE SHOWBIZIT

Historia e “modës” në kontekstin e mënyrës së veshjes është një aspekt i historisë njerëzore. Që nga kohët e hershme deri sot grekët, egjiptianët, romakët, europianët, aziatikët e më pas amerikanët visheshin në mënyrë të ndryshme, sipas nevojave e traditave të tyre antropologjike, etnokulturore, pozitës shoqërore, kushteve klimaterike, por dhe mundësive aktuale të prodhimit paraindustrial e shkëmbimit të tyre. Vonë, në kohët moderne moda, në kuptimin e saktë leksikor u konsiderua si shprehje estetike njerëzore posaçërisht në veshje, këpucë, aksesorë, kozmetikë, stilim e parukeri, të cilat janë në funksion të tipareve, imazhit e proporcioneve trupore.
Rreth kuptimit më specifik e profesionalisht zejtar të modës, mund të flitet nga gjysma e shek XVIII. Në përhapjen e saj kanë ndikuar në mënyrë të posaçme artet figurative, veçmas piktura, ku mund të merret si shembëll mbretëresha e Francës Marie Antoinette (1755-1793), e cila nëpërmjet pikturave të figurës e bustit së saj nga piktorë të oborrit me veshje të stiluara enkas për të, u quajt në mënyrë metaforike si “ministre e modës” e asaj kohe. Më pas, lindja, botimi e shpërndarja e massmedieve, sidomos e shtypit, dizajnit grafik dhe sidomos shpikja e fotografisë e botimi i tyre në revistat social-kulturore, apo kinematografia e së fundi mediumet elektronike, kapërxyen kufijtë gjeografikë të shteteve e kontinenteve dhe sfumuan çdo barrierë konvencionale izolimi. Sidoqoftë, ekziston një datë, një vend dhe një person të cilëve iu atribuohet fillimi i modës në sensin kontemporan e modern të stilimit të saj. Bëhet fjalë për Çarls Frederik Worth (1825-1895), një stilist anglez, i cili në vitin 1858, në Paris qepi etiketën me emrin e tij në veshjet që ai krijonte. Ai themeloi “The House of Worth”, shtëpitë më të famshme të modës në atë kohë. Ai konsiderohet nga shumë historianë mode si babai i saj. Dhe atdheu i modës është Franca. Por, në fillim të shek. XX moda i kapërxeu muret francezë thuajse në të gjithë perëndimin europian por edhe në Amerikë e kontinente të tjerë. Gjatë dhe pas Luftës II Botërore Parisi nuk mbeti më qendra globale e modës. Vetë ajo u globalizua me progresion gjeometrik në të gjitha kontinentet. Sot ajo është kthyer në art, madje edhe në një nga industritë dhe bizneset më të mëdha në botë.
Moda është një shfaqje e idealeve të bukurisë dhe ndryshimit shoqëror, një lojë shprehëse midis përkatësisë dhe dallimit, komunikimit dhe prirjes. Veçoria e vetme e saj e vazhdueshme është ndryshimi i përhershëm. Në sferën e paraqitjeve të bukura, moda funksionon në një mënyrë parashikuese dhe historike: reflekton ndryshimin që krijon.
Ndërkohë, kur flitet për Showbiz-in (më saktë show-business) në gjuhën e përditshme merren në konsideratë të gjitha aspektet e industrisë së argëtimit me elementë kreative (që përfshijnë variete, artistë, aktorë, performues, shkrimtarë, muzikantë, akrobatë, striptistë, modele , etj.). Ky zhanër është elaboruar si term mediatik që nga vitet 1850, por hyri masivisht si zhargon në dinamikë në vitin 1945. Industria moderne e argëtimit është e lidhur pazgidhshmërisht me industrinë e madhe të modës dhe të dyja kanë fituar edhe të drejtat e “pronësisë intelektuale”.
Së bashku këto gjini të një industrie të madhe krijuese dhe konsumatore thithën edhe shumë fotografë e fotoreporterë, një pjesë e të cilëve iu përkushtuan atyre aq thellësisht sa krijuan profilin e tyre profesional fotografik duke u bërë të famshëm në këtë lëvizje të pandalshme social-artistike e komerciale. Midis dhjetra e dhjetra prej tyre, të tillë si Mario Testino, Steven Meisel, Annie Leibovitz, Richard Avedon, Irving Penn, Patrick Demarchelier, Sumanth Kumar…, etj., u bënë fotografët ikonikë të revistave më të mëdha e më të shitura të modës në botë “Vogue” “Vanity Fair”, “Glamour”, “Harper’s Bazaar”, “Elle”, “Marie Claire”, “Cosmopolitan”…, apo të kompanive media-vizuale të mëdha si “Getty Images”, “Flickr”, “Magnum photos”, “Lively Morgue”, etj. Fotografitë e modës janë gjithmonë interpretime, rezultate nga një mizansenë. Ato reflektojnë dhe vizualizojnë ndodhinë e ditës dhe parashikojnë atë të së nesërmes.
Për arsye të përmbajtjes e tematikës së shumëfishtë social-kulturore të revistës “LIFE” ( e themeluar në vitin 1883) ajo ishte e para media javore amerikane lajmesh fotografike që dominoi tregun për shumë dekada me maksimumin 13.5 milion kopje të shitura çdo javë në zenithin e saj. Roli i kësaj reviste në historinë e fotogazetarisë konsiderohet kontributi i saj më i rëndësishëm. Kjo ishte mbase edhe arsyeja që “LIFE” rekrutoi disa nga fotografët më profesionistë si Alfred Eisenstaedt, Margaret Bourke-White, Robert Kapa, Andreas Feininger, Nina Leen, John Loengard, Philippe Halsman, W. Eugene Smith, Ralph Morse, Carl Mydans, Gordon Parks. E në këtë vorbull të madhe shoqërore e artistike s’kishte se si të mos inkuadrohej edhe fotografi i shquar shqiptaro-amerikan Gjon Mili, portofoli fotografik i të cilit për revistën “LIFE” është shumë I ngjeshur. Gjon Mili lëvroi fotografinë e modës dhe showbizit kryesisht gjatë viteve 1940-1950, pra gjatë dhe pas Luftës II Botërore, kur kjo gjini ishte “zhvendosur” nga Europa në Amerikë e ku gjeti hapësira të reja konsumatore e inovative. Ishte koha kur Amerika kishte dalë nga “depresioni i madh” dhe shoqëria lëvizte vrullshëm drejt një mënyre më të emancipuar, më të sigurt materialisht e më të sofistikuar nga pikpamja e organizimit social-kulturor. Në fakt, trendi i modës masive gjatë kësaj periudhe përgjithësisht ishte ai neoklasik, kur njerëzit kishin nevojë që veshjet e tyre të ishin sa më të lehta, praktike e të çliruara nga aksesorë të tepërt voluminozë, të rëndë e stilizimesh të sofistikuara baroku. Ato duhej të lejonin lëvizshmërinë, zhdërvjellësinë, thjeshtësinë, lehtësinë, komoditetin e çlirimin e çdo pjese të trupit. Këtë prirje masive shfrytëzoi edhe Gjon Mili për t’u shprehur sa më denjësisht e individualisht në fushën e modës. Fakti që ai nuk ishte punonjës “organike” i stafit të revistës “LIFE” i jepte atij lirinë e zgjedhjes pa kushtëzime redaktoriale.
Për promovimin e suksesshëm të modës, Gjon Mili synonte tre elementë kryesorë: gjurmimin e brandeve dhe shtëpive të mëdha të modës, gjetjen dhe zgjedhjen e modeleve të famshme që prezantonin veshjet e aksesorët, si dhe aftësinë profesionale e artistike për ta fotografuar modelin në mënyrë mbresëlënëse, ekspresive duke nxjerrë në pah hirshëm staturën e saj/tij në funksion të veshjeve që reklamoheshin, pra që edhe fotoja të ishte spektakulare, estetike dhe artistike. Gjon Mili ishte edhe fotograf studioje edhe fotograf terreni. Për angazhimin e tij në modë ai shfrytëzoi kryesisht studion e tij të madhe e shumë të njohur në ndërtesën e Galerisë së Artit Amerikan në Manhattan, Nju Jork, të cilën për nga shumëllojshmëria e niveli i aktiviteteve krijuese kulturore, fotografi i shquar humanist francez, Henri Cartier Bresson (1908-2004), koleg dhe mik i ngushtë i Gj.Milit, e ka quajtur “Athίna e Nju Jorkut”. Shumë personalitete të jetës kulturore, artistike, sportive, showbizit, ashtu si edhe të modës kishin krijuar aty nga një ngjarje, a histori të veçantë fotografimi e impresioni, madje, ndonjëherë, edhe nën mbikqyrjen e maces vigjilente Blackie, e cila u bë edhe një personazh në një pjesë të fotove të modës. Në rrethana të ndryshme pune, Gjon Mili u njoh me disa modele të famshme amerikane (midis të cilave edhe me artiste hollivudiane si Merilin Monroe, Marlene Dietrich, Sofia Loren, Elisabeth Tailor, Juliette Greco, Tanaquil Le Clercq, Samia Gamal, Jane Fonda, etj.), por takimi dhe bashkëpunimi me supermodelet e yjet fotozhenike amerikane Dorian Leigh (1917-2008), Elise Daniel, Adrian Misc, Suzy Parker, Barbara Mullen, Mimi Berry, Florence Dornin, Evelyn Tripp, Sunny Harnett, Cherry Nelms, Brooke Hayward, Suzy Dubel, Jean Patchett, etj., do t’i siguronin artistit fotograf suksesin e merituar dhe promovimin e popullaritetin e ciklve të tij të modës dhe trendeve të dizajnit bashkëkohor. Pjesa më e madhe e fotove (me ngjyra dhe bardh’e zi) u botuan në revistën “LIFE”. Diva e modës Dorian Leigh (1917-2008), me të cilën Gjon Mili pati edhe bashkëpunimin më të suksesshëm, në historinë e profesionit të saj si fotomodele profesioniste ishte një rast unik e thuajse i pakrahasueshëm për një supermodele. Ishte nga Teksasi, kish studiuar për inxhinieri mekanike, fushë në të cilën punoi për disa vjet. Kur ishte 20 vjeç u martua, lindi dy fëmijë, dhe u divorcua kur ishte 23 vjeç. Në moshën 27 vjeçare për hir të pamjes dhe përmasave trupore iu sugjerua modelingu nga agjencia e njohur “Conover”. Dorian kishte bel ekstremisht të hollë, flokë të zinj dhe sy blu të shndritshëm. Në fakt, ajo gënjeu për moshën duke u deklaruar si 19 vjeçare (përndryshe nuk do ta pranonin), githashtu nuk tregoi se kishte edhe dy fëmijë. Fotoprova e saj u vlerësua, u pranua dhe u botua në revistën e njohur të modes “Harper’s Bazaar”. Kështu filloi kariera e saj si fotomodele dhe ajo u shfaq si e tillë në revistat e tjera të njohura si “Vogue”, “Paris Match”, “Elle” dhe sigurisht në “LIFE” (me foto nga Gjon Mili). Veç Gjon Milit, ajo punonte edhe me fotografët e tjerë të njohur Irving Penn, John Rawllings, Cecil Beaton, Richard Avedon,etj. Gjatë gjthë angazhimit të saj në profesionin e modelingut Dorian është shfaqur në kopertinat e më se 50 revistave amerikane e europiane.
Pjesa e fototekës së Gjon Milit kushtuar Dorian Leigh-t, modës e showbizit në tërësi është e gjerë, e larmishme dhe përbën një kapitull të rëndësishëm të krijimtarisë së tij. Gjejmë në të kryesisht fotot e studiuara e kompozuara në studion e tij, apo në ambjentet e punës të modelingut, si porosi të kompanive të modës, ndeshim fotot e çastit në evente të ndryshme të modelingut, fotografi individuale apo në grup, foto të plota trupore, bust, por edhe fragmente që paraqitin elementë apo aksesorë të veçantë, “modën e fëmijëve”, si dhe “foto të rrugës” të shkrepura në befasi e surprizuese.
Në muajin Mars 1950 ai realizon me Dorian Leigh, “top-modelin e Nju Jorkut qysh në vitin 1944” (LIFE Magazine, March 1950) guidën me veshjet të konsideruara si më magjepsëset e vitit 1950, të cilat përfshinin të gjitha stilet e rëndësishme të atyre kohëve të dizajnuara nga mjeshtra e kompani të njohura të modës si Christian Dior, Hattie Carnegie, Alphonse Berge (modeluesi i veshjeve që vetëtijnë e që mund të realizonte në publik një dizajn në 20 sekonda), Jane Derby, Adrian, F.C. Gundlach , Henry Rosenfeld, , Trigere, Mollie Parnis, Monte Sano, Brigance New York, Vera Maxwell, Ceil Chapman, Jean Patchett. Dorian Leigh promovoi me trupin e saj qindra veshje e aksesorë të shumë llojeve e stileve të të gjitha stinëve, kryesisht brandet më popullore të preferuara nga vajzat e gratë e reja dhe seti fantastik i fotove realizuar dhe përzgjedhur nga Mili u botua në “LIFE” me sqarime të hollësishme duke i shtuar edhe më popullaritetin supermodeles dhe veshjeve të kohës.
Nga modelet e tjera ai preferoi edhe shumë aktorë e aktore kinemarografie, si Zasu Pitts, Paula Laurence, Celeste Holm e veçanërisht të filmave ku ai ishte fotograf në sheshin e xhirimit (“Guys and Dolls”, 1955, “Tempest”, 1958, “Porgy and Bess”, 1959, “Anatomy of a Murder”, 1959, ”Exodus”,1960).
Veshjet i përkasin, thuajse të gjitha llojeve, të ditës, apo mbrëmjes nga gjysmë-nudo e të tejdukshme e deri tek ato të stinëve të ndryshme të vitit. Teknikat profesionale e artistike të aplikuara nga Gjon Mili janë gjithashtu ato të preferuarat e tij, duke filluar nga klasiket, në ato me lëvizje e me shkrepje të dendura, apo të rralla (dopjo, apo multi-ekspozim) nën ndriçimin stroboskopoik, fotot kundër dritës, apo fotot ku kombinohen proceset e filmimit negativ dhe pozitiv të personazhit në një të vetëm, portrete ku mbizotëron detali i përsosmërisë së portretit femëror nën sharmin e hijeshinë e një aksesori transparent që duket se mistifikon modelin, etj. Ashtu si edhe në pjesën tjetër të krijimtarisë, syri dhe subkoshienca artistike e Gjon Milit është mbizotëruese. Qasja e thellë ndaj perceptimit të situatës solemne të një brandi të ri, organizimi kompozicinal, gjetja e pozicionit të fotografimit, qendërzimi dhe ndriçimi i detalit më të rëndësishëm në sfond zakonisht të qetë, njëngjyrësh, i bardhë, i zi ose neutral dhe niveli i thellë i mprehtësisë (smart) që vë në dukje edhe elementin më të fshehur të modelit e veshjes, e cilësojnë dhe e dallojnë fotografin për një stil origjinal e të përveçëm profesional e artistik. Modelet duket sikur vallzojnë në ajër duke shpalosur një vizion eterik ritmi fantazie e harmonie. Me fotot e tij për modën dhe modelet Gjon Mili ka marrë pjesë në disa ekspozita të rëndësishme. E fundit prej tyre është “Fashion Photography from the F.C. Gundlach Collection at Kunnsthalle” në vitin 2012. “Forma e ekspozuar dhe e muzeizuar e fotografisë së modës bëhet e dukshme si medium i kujtesës, gjë që krijon modën si mit. Në fund të fundit, fotografia e modës, si një medium i vetë-përfaqësimit të shoqërisë, zbulon zhvendosjen e interesit kulturor nga produktet në marka, imazhe dhe ngjarje”.(January 2,2012 postet by ACTVAdmin)
Në rastin e fotove nga bota e showbizit, Gjon Mili ka një përvojë po aq të suksesshme. Dihet që ai pas vitit 1940 ka qenë ideatori dhe organizuesi në studion e tij të veprimtarisë muzikore “Jam session”, që përfaqësonte një show argëtues nokturn informal “nën ritmet e muzikës xhaz, nën avujt e dendur të alkoolit dhe djersës”, ku instrumentistë e këngëtarë të njohur, kryesisht afroamerikanë si Louis Armstrong, Duke Ellington, Lester Young, Billie Holiday, Eddie Condon, Count Basie, Mary Low Williams, Gene Crupa, Red Callender e shumë të tjerë interpretonin për kënaqësinë e tyre, kryesisht për t’u zbavitur e ku synimi kryesor ishte improvizimi i çastit i motiveve dhe ritmeve me prirje nga më eksentriket e eksperimentueset që mund të shërbenin më pas si bazë e partiturave të tyre zyrtare. Një piano ishte instrumenti i përhershëm e i palëvizshëm në studion e Gjon Milit. Nga zhanri show i “Jam Session”, në vitet 1941- 1944 u realizuan nga Gjon Mili qindra foto kinetike që do t’i rezistojnë kohrave, një pjesë e të cilave janë të botuara në revistën “LIFE”. Po nga kjo veprimtari u xhirua nga kompania hollivudiane Warner Bross, më1944 filmi muzikor me metrazh të shkurtër “Jammin’the blues” ku Gjon Mili ishte producent, film i cili u nominua një vit më vonë për një çmim Oskar.
Por, në dosjen e zhanreve të larmishme showbizit, Mili ka të depozituara, gjithashtu shumë foto të realizuara në aktivitete të posaçme në institucione, salla të mëdha, hotele, klube nate, kabare, etj. Në ekspozitën e madhe ”American Photography, 1890-1965: from the Museum of Modern Art, New York” që u çel në Nju Jork më 1995 e udhëtoi edhe në Europë gjatë viteve 1995-1997 (Berlin, Amsterdam, Edinburgh, Goteborg, Paris, Valencia, Londër) ishte pjesëmarrës autor edhe Gj.Mili me foton e tij interesante nga Showbizi të titulluar “Café Society” realizuar rreth vitit 1944.
Plot estetikë e art, elegante, sharmante, plot delikatesë e sensualitet, edhe pse nuk kanë ndonjë përmbajtje me kumt të rëndësishëm historik, ato përbëjnë dëshmi (të kohës) që e kurorëzojnë nga të gjitha këndvështrimet karierën e një artisti profesionist me cilësi të epërme universale. Fotot e Gjon Milit kushtuar botës së modës dhe showbizit edhe pse nuk janë të studiuara, të grupuara e sistemuara me vëmendje si të tjerat, ashtu, të shpërndara si kristalet e metalit të çmuar në xeheror, mbeten pjesë e “minierës” së trashëgimisë të tij krijuese fotografike në çdo pikpamje profesionale e artistike dhe që zor se i gjendet fundi.
Please follow and like us: