Cikël poetik nga Nexhat Halimi
Dritë e artë
Mësytë pa i prekur largësitë të arrinit te deti
Të zgjoheshit në jug te ulliri siç e ringjallë poeti
Shkelnit vështirësi zgjuar e fjetur me mëngjes
Fshinit djersët për fytyrë të dylltë përmbi vesë
Ja, Meka, shikoje kalanë e vjetër mijë vjeçare
Aty afër ulliri kaq i moçëm bën hije në dritare
E në qiell dhe mbi ujë ndrin vinjetë e hënës
E mua seç më shpërfaqet në gur silueta e nënës
Nuk qe në bregdet asnjëherë për të bërë benë
Veç jo pse qemë të varfër sa për ta ndjekur fenë
Ajo s’ është më veç unë e kujtoj prore me lot
Nga më pret te dyert e oborrit në Dumnicë kot
As ajo as unë s’ hyjmë tash nëpër të njëjtat dyer
Gjatë ecjes jetës diçka nga shpirti është thyer
Mbyll vjershën me zbrazësi zemre me yllin lart
Dea e gruaja janë në det nën dritë të artë
Zëri nga larg
Prapë fillikat vetëm me gungat e leqet e mendimit
Veç me ndonjë tufë drite e pikëllimi fijesh të kujtimit
E mbi tavolinën e bukur përplaset ndonjë valë e detit
E më ngjallet ndonjë rrjedhë gjaku etjes së poetit
Ndjek mes degësh dritën e ndonjë degëz të ullirit
Verandës ik e prapë vjen e derdhet aromë e thellë e blirit
E mendja ik te pusi i hasës së kullës në dumnicë
E etja e vetmia bredhin udhët e këputura në toplicë
fërkoj ballin e djersitur as shkruaj gjë e vetes ik
tërë jetë e njëjta këputje e gjëmim i largët dhe mitik
as letër marrë ka kohë as letër ka kohë nuk nis
i derdh shikimet tek një zog në vaj të thellë ngrysë
E ngrys pleqërinë vetëm, ngrys vetullat, ngrys fytyrë.
Ngrihem e shikoj gjatë veten në një cep në pasqyrë
-Alo, babai, dëgjoj zërin e deas të shpërndahet me lyrë
Ky zë më tingëllon vetes sa herë ndjehem ngrirë
Udhët e mia
‘i pikë ujë t’ më çel shpirtin vetmuar në këtë zjarr
në oborrin e vjetër kam hyrë tashmë të bërë arë
pemët djegur kanë mbirë vetëm barishte të gjata
bie mjegull e zymtë mbi çdo gjë ka rënë nata
molla e thartë në këndin e vet të vjetër tharë
përbëri pusi me ujë të thartë dhe shtëpia aty çarë
babai ka vdekur e muri rreth mollësh rrënuar
çdo gjë ka rënë në hi ka mbetur kaq e vetmuar
askush s’më pret te dera e oborrit me shkëlqim
dritaret dhomat tek frymonte jeta është vegim
nëna s’ është ka vjet çdo gjë ka rënë në përfytyrim
kush ka vajtur në amerikë ka ik në pa kthim
veç unë i pres te lëmë e drithit të ikim te jallia
nisem vetëm t’i ecë dhe një herë udhët e mia
është dhe nesër ditë cekte dikur një poet fshatar
ndërsa skiconte urat natyrisht me etje dhe mall
Loja e vdekjes
eca dy hapa para e një prapa të një loje tjetër
m’u shfaq halim tullari tashmë me mjekër
në frymë të ikur te siluetë e lisit të prerë të tretë
ai lëvizi duart lart tha tashmë unë jam mbret
ulur në një gur luaja dekergjik përherë të parë
fitoja dhe fitonte e loja gdhendej në mullar
e kurrgjë s’ lëvizte në këtë lojë të kotë të kurrkujt
në një përballje të ashpër të halilit e të muj’t
qe tharë fyti e afër asnjë e vetme pikë e ujit
i mbetur vetëm në mal pa mbrojtje të askujt
byrytet një dem me të dy brirët mbytur në gjak
e kot djersitet në jetëmbetje një plak
a s’qe më mirë të jemi matur me gurapeshë aty
t’ia pranonin fitoren e humbjen vetes unë dhe ti
në këtë mënyrë dy të vdekur në të njëjtën lojë
s’ kujtojmë ç’ bëjmë e nuk flasim fjalë me gojë
Kjo tokë jona
Pullat në dyer të oborrit ndrisin yje në hapësirë
Shpend s’ zbret të gjej ushqim çdo gjurmë është fshirë
E lart fluturojnë siluetat e atyre që s’janë në jetë
Veç ndonjë flutur prek ujin e kroit në rrjedhë lehtë
Vija kufitare i përngjet shpirtit të djegur nga Toplica
Për cunga i rrjedhë me dhembje shpirti Dumnica
Në roje të gurit të vatrës ka zbritur veç Uka ndër lot
Në xhirim të fejtonit për mua i sillet vetes kot
Fluturojnë të vdekurit qiellit të thyer për dritare
Nëna kthyer nga Amerika të varroset pa brenga fare
Uka vjet më vonë më njeh e më përshëndet
Vetëm pse gjaku nuk mund të bëhet kurrë ujë në jetë
Çdo gjë tjetër është e vjetër është e njëjtë hiq pa qare
Ja xhaAhmetin nga ndez me strall e brincë cingare
Me qentë ujqër ka dalë Biqaku ta ruaj tokën në ugare
Uka më njeh e më përshëndet pa brenga fare
Fluturimi mbi Dumnicë
Fluturojnë të vdekurit qiellit të arnuar prej pëlhure
Figura përralle përfytyruar në qenie përbri një gurre,
Ja të del para në të bardha natën e të pret udhën
poshtë te jallia varret akull e askush s’e kalon urën
As vjen as nuk shkon kush te shkolla në një valle
E një zë i thyer gjithësie i bërë heshtje djegur fare
Vigut të muharremit s’lëviz kolonë me libra në dorë
A është hije apo halim tullari endet me një kurorë
E derdhet ndërmjet vjeshtë apo veç bie e bie shi
Nëna Hatixhe e babai Haliti enden me dhembje në gji
Brengosur kush i kositë barishtet e egra në dumnicë
Shkret mbetur çdo gjë njëjtë fushës për në toplicë
Veç nga shtëpia me kulm thekre ende ndez kujtimi
E lidh me shall të bardhë kokën të mos ik mendimi
i lë në copëza të gjitha e fluturoj hapësirës së këputur
‘I bletë larë në nektar e te kroi cicëron zog i bukur
Epikë në gur
Prapë dëgjohen bimët shpezët e të lidh zjarri
Me të rrahurat e zemrës nën vetëtimë behari
Toka fle pjesërisht e uji në çast kthehet në krah
Veç qeni vështron e i qëndron pronarit në gjah
Dritëza larg ndizet fiket herë zbehtë herë tretur
pasi të kenë kryer dashuri çdo gjë tjetër e fjetur
Ujërat rrjedhin në zhurishta dhe ndër gurë
Ti nisesh prej nga vjen jallisë dhe del në urë
Kot është nuk lidhen gjërat më kurrë me litar
Zjarri ngjet lidhet me ujin për zjarr aty në farë
Ende jehon e vjetra e vritesh pse je shqiptar
Vetëm hija siç është Uka ik fushës me fanar
Më mungon një fletë e madhe, një tabak letër
për ta pikturuar dhembjen e zjarrin e vjetër
një tablo, një pikturë në dërrasë të varur në mur
E ta lë Dumnicën në varre në epikë e në gur
Ndërmjet
e kanë thënë aty ku lind është mesi i botës
poet të jesh shkencëtar apo mjeshtër i flotës
ja pse melodisë me flaut mësyn valë valë
e thëllëzat ikin te foletë te të vegjlit në mal
e ke në këtë mënyrë ëndrrën në shuplakë
te kroi i kishës te lugu i mollës duar përgjak’
Ramë H. nxirrte gurë te Kalanica e mirë
E maste largësinë veç me sy pa të vështirë
Jata rridhte me hove e s’ sillte asgjë fare
Çdo gjë lëviz veç dumnicashtërirë në luadhe
Oxhakët me muzgje ngjanin në fabrikë
Kush e fikte dritën e kush ecte në mitikë
Mbeti çdo gjë siç qe e mora udhë për qytet
kurrë s’iku mendje se diçka e tij është mbret
ka ikur ka kohë kanë vajtur dhe vjet e vjet
aty ku lind e bukura aty dhe vdes ndërmjet
Pa titull
Vaji i qyqes në gem zgjohet në secilën orë
Të bjerë shi të jetë vjeshtë të bjerë dhe borë
Fatin e motrës me nën vëllezër e qan me lot
Mes të djeshmes e të sotmes vajton kot
Ka çfarë të vajtohet në Dumnicë dhe tjetër
Siç ka të përmendet në Toplicë plagë e vjetër
Ranë shtëpitë ranë hijet mbi lumë të vrarë
Nënat mbetën pa vetvete pa trashëgimtarë
Pse dëgjohet qyqja në gem në vijën kufitare
Fluturon verbërisë e s’ndalet në asnjë dritare
s’ka pse t’i lumturohet çdo gjë veten e vret
E ata që vajtën e pasuruan botën secilin vjet
Tashmë veç varret mes vetes flasin me natë
E ndonjë lodër kryeneçe me inat të gjatë
Niset te mësuesi Azem B. ta mësojë ABC-në
E mes qiellit në shi vjeshte zgjon rrufenë
Qeni me larë dhe Alba
Vetëm mbetën qengjat, delet, qeni e unë ika
Më vinte ngado hije e shpika fatin a s’e shpika,
Më shikoi qeni në sy dhe lehu thellë e rrallë,
Udhëtonim një të pa ndarë në jetë e përrallë
Përrallë qe tjerrja e çasteve ndër fusha kodra
Me të thyenim vetminë ngjashëm me lodra
Në çastin e ndarjes s’do t’ ia harroj sytë kurrë,
Të pa qartë, lot piknin vadë. Mbet gur në urë
Të më priste, me shpresë të vetme në sytë.
Më lehtë do ta përjetoja të më kishin mbytë.
Gjashtëdhjetë vjet ikën s’u takuam më kurrë,
Prej syve të mi vinte e derdhej një gurrë.
Dola të blej bukë te furra e Ibishit, kaq vonë.
Ika mendjen nga qeni, veç ai s’harrohet thonë
Zbrita rrugën te furra tjetër e ja Alba aty
Më ra në duar e më shoqëroi deri në shtëpi