Ramiz Lushaj: Ambasadorë amerikanë për shqiptarët (4)
28 KORRIK 1922, VENDOSEN MARRËDHËNIET DIPLOMATIKE SHBA-SHQIPËRI
“… Duke u mbështetur në rekomandimet e z. Blleik mbi rëndësinë që kishte njohja e menjëhershme e Shqipërisë si dhe angazhimet me shkrim të kryeministrit shqiptar, Xhafer Ypi, të paraqitur më 25 qershor 1922, në të cilat favorizoheshin interesat tregtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Sekretari Amerikan i Shtetit, Hjuz, (Çarls Evans Hjuz, 1862-1948) ishte Sekretar I Shtetit Amerikan nga 25 marsi 1921 deri më 4 mars 1925). më 25 korrik, i telefonoi z. Blleik dhe e udhëzoi atë që t`i ofronte Qeverisë Shqiptare njohjen de jure të Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 28 korrik 1922“. (Leonard Demi. Shqipëria dhe Diplomacia Amerikane. Monografi . Botimet Dudaj. ISBN 978-99943-0-120-2. Tiranë, 2009. fq.20). Në vitin 1920 SHBA ishte superfuqia më e re, më e pasur, eksportuesja e huadhënsja më e madhe në botë. (Gjatë kësaj kohe borxhi i aleatëve ndaj Uashingtonit ishte mbi 10 miliardë USD, ndërsa investimet e fi rmave private amerikane rreth 12 miliardë USD. Në v. 1928 Bota i detyrohej Amerikës 20 miliardë USD. Amerika doli nga Lufta e Parë Botërore tejet e fuqishme).
Gazeta “Near East” e Londrës, 4 gusht 1922
“GUVERNA E WASHINGTONIT KËTO DITË E NJOHU GUVERNËN E TIRANËS
Lajmi u konfi rmua zyrtarisht në Tiranë prej z. Maxwell Blake, (Diplomati Maxwell Blake, 1877-1959, ishte zyrtar i Shërbimit të Jashtëm të Karrierës, i lindur në Missuri të Amerikës, filloi karierën e tij të diplomatit në ambasadën amerikane në Marok, shtator 1912-korrik 1917, pastaj Konsull i Përgjithshëm në Marok, 20 korrik 1917- 11 prill 1922 dhe rifilloi përsëri në këtë detyrë nga 23 qershori 1925 deri më 3 gusht 1940) komisarit amerikan, i cili, pa dyshim, do të marrë për së shpejti ofi qin e përfaqësuesit diplomatik. Ky fakt ka një rëndësi të madhe. Guverna e Washingtonit nuk është interesuar gjer tani me punët e Shqipërisë , ngaqë ka ndenjur larg punëve evropiane. Kësisoj Shqipëria u shtrëngua të provonte që asjatërsia e kërkonte që Shtetet e Bashkuara duhej t`a njihnin guvernën e Tiranës m`anë tjetër Republika e madhe e Amerikës nuk mund të qëndronte e painteresuar, ose politikisht, ose ekonomikisht në punët e Shqipërisë. (Gazeta “Dielli”, Amerikë. 6 shtator 1922. fq.3, Botuar sipas origjinalit).
Gazeta Dielli” – Amerikë, 23 shtator 1922
- ULYSSES GRANT-SMITH – MINISTRI I AMERIKËS NË SHQIPËRI
Washington, 21 shtator. (Boston Herold). Z. Ulysses Grant- Smith (Ambasadori amerikan Ulysses Grant-Smith, 1870-1959. Shteti i Rezidencës: Pensilvania. Zyrtar i Shërbimit të Huaj. I Dërguar i Jashtëzakonshëm dhe Ministër i Plotfuqishëm në Shqipëri. Emëruar: 22 Shtator, 1922. Prezantimi i letrave kredenciale: 4 Dhjetor, 1922. Përfundimi i Misionit: U largua më 8 Shkurt 1925. Pas largimit nga Tirana u emërua më 18 mars 1925 në detyrën: I Dërguar i Jashtëzakonshëm dhe Ministër i Plotfuqishëm në Uruguaj, ku i paraqiti letrat kredenciale më 13 korrik 1925 dhe qëndroi në këtë detyrë diplomatike deri më 11 janar 1929), nga Pensilvania i cili gjer tani shpejt ish komisar i Amerikës edhe chargè d`affaires i Legatës Amerikane në Hungari, u emërua sot prej Presidentit
Harding, (Warren Harding, 1862-1948, ish senator i shtetit Ohio në Amerikë, Presidenti i 29-të i SHBA (4 mars 1921-2 gusht 1923), mik i mirë i Shqipërisë e shqiptarëve) ministër i Shteteve të Bashkuara pranë Qeverisë Shqiptare, të njohur tani shpejt prej Amerikës. Z. Ulysses Grant- Smith ka qenë në shërbim diplomatic që më 1903 dhe ka shërbyer me rradhë në Turqi, Angli, Kili, Belgjikë, Austro-Hungari, Danimarkë dhe Hungari”.
SHQIPËRIA KA NEVOJË PËR QETËSI DHE BASHKIM
-Intervistë e ambasadorit amerikan në Shqipëri, Maxwell Blake, dhënë nga Korça, më 23 qershor 1922-
-Sa u pëlqen Shqipëria dhe ç`mendoni për të, z. Blake?
– Shqipëria është një vend romantik dhe shumë i pasur. Ky vend ka nevojë qetësie dhe bashkimi. Tek populli shoh një spirite të ndezur dhe besoj se ajo spirite nuk do të shuhet kurrë. Një komb i tillë s’ka se nga të ndalohet veç se t’ja arrijë qëllimet shumë shpejt. Ajo që iu duhet shqiptarëve është që të bashkohen dhe të spastrojnë disa udhëheqës gjakmarrës që kanë. Gjithë shtetet e porsalindur prej kësaj lufte, kanë njerës të tillë që pengojnë mbarëvajtjen e kombit- Kështu edhe Shqipëria. Këta njerëz për çpage armiqësie dhe interesi vetjak sjellin ngatërresa dhe kryengrite të dëmshme, prandaj këta quhen gjemba dhe duhen fl akur prej rrethit tuaj. Ambasadorë Amerikanë për Shqiptarët 73
-Z. Blake*, sa u pëlqen Pogradeci?
E tërë Shqipëria është një nga vendet e bukura natyrale. Pogradeci, shumë afër, posa të bëhen rrugët, ka për të hequr turistë prej tërë botës, që të vijnë të shikojnë vakancat e tyre. Njerëzia u lodh së vizituari dhe së u çlodhuri nga here në Zvicër, Itali e gjetkë. Shqipëria Mitike dhe Romantike , është një vend m`i bukur dhe që s`është shkelur, kështu që ky vend do të bëhet prehja e mendjes së lodhur dhe shpirtit të mërzitur…
Maxwell Blake erdhi në Shqipëri në qershor të vitit 1922 dhe e përgatiti një raport mjaft pozitiv për vendin tonë, të cilin ia dërgoi Departamentit Amerikan të Shtetit.
“SHQIPËRIA ËSHTË AMERIKA E VOGËL”
-Një shkrim nga gazeta amerikane “The Boston Globe” në Boston, Massachusetts në SHBA, 21 janarit 1923 –
…” Shqipëria është interesante për Amerikën, jo vetëm nga posibiliteti që ajo mund të ketë minà e të tjera pasurina, po, përpara se çdo gjë, se Shqipëria është me të vërtetë Amerika e vogël e Lindjes së Afërme. E dhjeta e popullit të Shqipërisë ka qënë në Amerikë dhe fl asin anglisht. Në Korçë, qyteti i dytë nga popullsia në Shqipëri, më shumë se 10.000 nga të 25.000 vendasit të saj kanë qenë në Amerikë. Po nga natyra shqiptarët janë konservatorë dhe nuk duan që t`u ndrohen zakonet e tyre të vjetra…
… Një amerikan tregtar tek shetite vendin dhe kërkuar për mina tha që po të kishte kohën do të mundtte ta bënte Shqipërinë Amerikën e Europës dhe më shumë se aq shtetin model të botës…
… Shqipëria është Amerika e vogël dhe në një kuptim tjetër është i vetmi vend që nuk i ka borxh një vendi tjetër…
… Shqipëria është një nga më të bukurit vende të Lindjes së Afërme. Tirana, kryeqyteti , është qyteti kombëtar i pashembullt në tërë Europën. Buallica, lopë … diplomatë dhe bujq shëtisin të gjithë tok në kryerrugën e qytetit…
… Apollonia është një orë e gjysmë larg nga Fieri, është vendi ku ka qenë një herë universiteti roman dhe i cili është fundosur tani gjashtë këmbë nën dhè. Arkeologët thonë se kur të zbulohet ajo nga rëndësia mund të shkojë Pompein. Ca pak milje më poshtë është udha e vjetër e Romanëve që shpinte në Stamboll.
Në jug janë qarku i Korçës me shtratet e pasur prej qymyri dhe qarku i Elbasanit, qendra e pemëvet, i cili, sikundër thonë, mund të arrijë gjysmën e Europës me pemë të gaditura në teneqe po të bëhen fabrikat e duhura. Në veri është pylli i madh i Nivixhakës me borigat dhe drurët më të mirë për të bërë vaporë.
Pastaj është liqeni i Ohrit me qytetin e vogël të Pogradecit, që e ka bërë të famshëm Longfellou. (Henry Wadsworth Longfellow (1807-1882), poet i shquar amerikan i shek. XIX, e botoi me 1873 vёllimin e tretё tё veprёs sё tij me poezi “Rrёfenja tё njё Hani ndanё Udhёs”, ku pёrfshihet dhe poemth pёr Heroin tonё Kombёtar Gjergj Kastrioti- Skënderbeu. Mё 1916 Fan S. Noli e shqipëroi kёtё poemё “Kthimi i Skënderbeut në Krujë”nё gjuhёn shqipe me shënimin “I kushtohet Faik Konicës “dhe e botoi nё njё vёllim mё vete nё Boston tё Shteteve tё Bashkuara).
Pogradeci është 125 milje larg nga Brindizi dhe ndonjë ditë do të bëhet një vend behari (summer resort) me emër. Fuqia e ujit në Fushën e Drinit të vjetër s`është trazuar kurrë.
Herman BERNSTAIN
(Herman BERNSTEIN. Shteti i rezidencës: Nju Jork. I emëruar, jo karriere. Titulli: I Dërguar i Jashtëzakonshëm dhe Ministër i Plotfuqishëm. Emëruar: 17 Shkurt 1930. Prezantimi i Letrave Kredenciale: 28 Prill 1930. Përfundimi i Misionit: u largua më 24 Shtator 1933…
Ky botim i ambasadorit amerikan Herman Bernstein “Mbreti Zog kallxon historinë e tij” u publikua dhe në veprën “Diplomatë amerikanë për Mbretin Zog”. Përgaditur për botim nga Ramiz Lushaj. Botim i SHB “Dardania”. Tiranë, 1994…
Ambasador i SHBA në Shqipëri, (1930-1935)
MBRETI ZOG KALLXON HISTORINË E TIJ
-Kujtime –
PARAARDHËSIT E TIJ
Në pjesën e fundit të shekullit XV themeluesi i Shtëpisë së Zogut mbrrini në Mat në kohën kur malësorët kryelartë e shijuan lirinë nën udhëheqjen e heroit të tyre, Skënderbeut, por pas vdekjes së Tij s’mundën t’iu qëndrojnë më tej hordhive otomane dhe viset veriore të fi sit më të fortë shqiptar, ishin sërish subjekte të Sulltanit, duke pritur që dikush t’iu printe në kryengritje për lirinë e vendit të vet.
Në këto rrethana Zogu e ngriti bajrakun e tij kundër guvernatorit të Perandorisë Osmane, Gazi Beut. Malësorët bashkarisht iu gjendën përkrah atij. Guvernatori u vra gjatë luftimeve. Zogu u bá qeveritar i Matit. Në këtë kohë Familja e madhe Zogu, që deri atëherit kishte qenë katolike, u kthye në fenë myslimane, ndaj si shpërblim dhe për këtë fakt, otomanët ua njohën pjesëtarëve të saj të drejtën të jenë qeveritarë trashëgues të kësaj krahine të Veriut të Shqipërisë. Këtu, midis maleve të ashpra e pyjeve të shumta, ku vetëm dhentë e njerëzit e armatosur mund të ekzistonin, Fisi Zogu me të Tijët, begatoi e jetoi i lirë. Vlera dhe trimëria e këtyre luftëtarëve respektohej nga të gjitha viset shqiptare përreth e larg. Ata thirreshin nga fi se të tjera shqiptare që t’iu ndihmonin atyre në luftën kundër otomanëve. Zogu u thirr njëherë në ndihmë edhe nga një fi s në Shqipërinë e Jugut dhe i mblodhi fuqitë e tij për luftë. Pas disa përpjekjeve të ashpra në male turqit u zmbrapsën nga fronti i luftimeve, por në tërheqje Zogu u plagos për vdekje. Ai u varros në Tiranë. Data e vdekjes së tij është një datë zije, në kujtim e nderim të përpjekjeve të tij heroike për çlirimin e vendit. Për pesëqind vjet Familja Zogu e qeverisi Matin, duke qenë gjithmonë në përpjekje të vazhdueshme për të çliruar vendin në mënyrë të plotë nga sundimi i gjatë otoman.
Kemi Said Bej Zogun, që u burgos dhe u syrgjynos përjetë në Tripoli për shkak të ndjenjave të veta patriotike dhe opozicionit të tij ndaj Sulltanit. Edhe atje, në Tripoli, nuk mund të rrinte pa e thënë fjalën e tij, biles i bindi rojtësit e tij ta ndihmonin në një kryengritje, e cila pati sukses. Ai duke e marrë qeverinë e këtij vendi afrikan në duart e tij ishte në gjendje t’ua diktojë kushtet e veta Perandorisë Osmane, e cila ishte humbëse në këtë betejë. Një marrëveshje e re u fi rmos me Turqinë, të drejtat e tij iu njohën nga Qeveria e Sulltanit.
Ai u kthye triumfonjës në Shqipëri. Kemi pastaj, Xhelal Pashë Zogun, kryetari i Matit gjatë mesit të shek. XVIII. Ai, pasi u bë guvernator i krahinës udhëtoi deri në Rusi, në Perandorinë Ruse. Pas një pritjeje të gjatë për shtatë muaj u takua me Carin e Rusisë. Atëherë, Rusia kishte një ndikim të madh në punët e Turqisë. Cari i premtoi të përdorë ndikimin e tij te Sulltani në favor të Zogut. Prej andej Xhelal Pasha u kthye në Stamboll, ku mori një Dekret që e emëronte atë Guvernator të të gjithë Shqipërisë dhe Epirit. Në ditën që dekreti u fi rmos nga Sulltani, ai u helmua nga otomanët.
Biri i tij, Xhemal Pashë Zogu, atëherë u bë guvernator i krahinës malore të Matit deri në ditën që vdiq, më 1903. Gjatë sundimit të tij, më 1878, kur Lidhja Shqiptare e Prizrenit u formua me qëllim për t’i siguruar Pavarësinë Shqipërisë duke dhënë besën për të luftuar kundër çdo përpjekjeje për copëtimin e Atdheut.
Ndërkohë, i vëllai i Xhemalit ishte një nga përkrahësit më të mëdhenj të kësaj Lëvizjeje dhe punoi shumë për të përgatitur Kryengritjen Kombëtare. Po Turqia, me një ushtri të madhe, e mundi dhe këtë Lëvizje, i dënoi me vdekje të gjithë krerët e saj. Edhe një herë Liria e Shqipërisë sapo lindi u mposht menjëherë nga armiku i vjetër i saj. Këto ishin rrethanat kur lindi Ahmet Bej Zogu atje lart në Kalanë e Burgajetit të Matit, në kështjellën veriore të gjyshallarëve të tij, më 8 tetor të vitit 1895.1
KOHA E RINISË
Ahmet Zogu i kaloi tetë vitet e para të jetës së tij në Burgajet. Atje, në heshtjen madhështore të kodrinave mbushur me pyje dhe luginat e pjerrta në formë V-je, jetoi në atmosferën e dinjitetit të heshtur të popullit të maleve. Ai dëgjoi me vëmendje këngët e popullit të tij, shumica e të cilave lëvdonin aktet e gjyshallarëve të vet. Ahmet Zogut në moshën tetëvjeçare i vdiq babai Xhemal Pasha Zogu. Kohë më parë, nëna e tij kishte vendosur ta dërgonte djalin e saj në shkollë në Stamboll, ndaj më 1903 e nisi atë për në kryeqytetin e Perandorisë Otomane, i shoqëruar vetëm nga një shok i tij.
Ahmet Zogu, posa arriti në Stamboll, u fut në Liceun e Shtetit. Kontaktet e tij me studentët e tjerë ishin shumë të kufi zuara, sepse zakonet dhe mendimet e tij ndryshonin shumë nga ato të të tjerëve. Në fakt ai mungonte shpesh në shkollë dhe gjente shkaqe të ndryshme për të justifi kuar këto mungesa pasi shkonte të vizitonte personalitete të ndryshme turke dhe shqiptare, të cilët e lejuan një fëmijë si ai të diskutonte me ta subjektet e rëndësishme të ditës. Kur u diplomua në Liceun e Stambollit, Ahmet Zogu hyri në shkollë ushtarake, me qëllim që të ndjekë rrugën dhe gjurmët e gjyshallarëve të tij luftëtarë.
Gjatë këtyre viteve të shkollimit të tij Turqia ishte duke kapërcyer nëpër një kohë tranzitore të vështirë. Më 1908, kur Ahmeti ishte vetëm 13 vjeç, turqit e rinj kishin proklamuar Kushtetutën e re të Perandorisë Osmane, duke i siguruar të Drejtat e Kombeve të sunduar prej tyre. Gëzimi e entuziazmi në këtë rast s’patën kufi. Shqiptarët, të sunduar për disa shekuj, e pritën këtë ndryshim politik me brohoritje duke besuar se të drejtat e mohuara për kaq kohë do t’u njiheshin realisht e zyrtarisht.
Në fakt, me Proklamimin e Kushtetutës Turke më 1908, një periudhë e re për mësim dhe kulturë, një rilindje rinisi në Shqipëri. Fletore e libra shqiptare u botuan në gjuhën amtare. Për herë të parë klube të bashkimit kombëtar dolën në dritë kudo. U hapën shkolla. Me këtë shije të parë të Lirisë filloi Shqipëria të ketë shpresë për një çlirim përfundimtar. Ahmet Zogu e shikonte këtë ringjallje kombëtare që nga larg, prej nga shkolla e tij në Stamboll. Çdo libër, çdo fletore, çdo revistë, që dilte në gjuhën shqipe e gjente rrugën të arrinte në tavolinën e tij të studimit.
Kur dy vjet më vonë Revolucioni plasi me të vërtetë, duke u përhapur me të shpejtë në vend, kur lufta midis shqiptarëve dhe turqve plasi në Grykën e Kaçanikut, djali i ri e pasonte çdo ngjarje me nervozitet e interes të madh. Çdo ditë priste të dëgjonte lajmet e mira të shpëtimit nga zgjedha e huaj. Por, ushtria e plotfuqishme e Turqisë e fshiu çdo pengesë para saj, duke shkretuar tërë vendin, duke torturuar banorët e saj, duke shtrënguar dhe më shumë zgjedhën e sundimit të vet. Ahmeti u dëshpërua shumë. Më 1912 zjarri i kryengritjes u përhap përsëri, gjithandej. Ushtria shqiptare kapi Shkupin dhe marshoi për në Manastir. Kudo, si në malet e Veriut dhe në fushat pjellore të Jugut, Lëvizja Kombëtare Shqiptare u përhap me shpejtësinë e zjarrit në behar.
Tani Ahmet Zogu nuk mund të rrinte më gjatë dhe të shikonte nga larg lëvizjen patriotike. Më në fund, në korrik, pasi një fuqi shqiptare prej 20 mijë vetësh hyri triumfalisht në Shkup, ai e la shkollën dhe shkoi në Mat të ndihmojë popullin e tij për të fi tuar lirinë.
ME PRINC VIDIN
Kryengritja shqiptare pati sukses. Krerët triumfonjës lajmëruan autonominë e vilajeteve të vjetër të Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës. Kjo fitore shqiptare ishte shkaku i plasjes së Luftës së Parë Ballkanike. Një aleancë lindi që këtej me qëllimin e copëtimit të Shqipërisë, duke ua dhënë copa-copa fqinjëve pjesët e saj. Më 2 tetor 1912, Mali i Zi deklaroi luftë. Ahmet Zogu që mbante gradën kolonel ndodhej asokohe në Mat dhe me të shpejtë iu vu punës të organizojë një ushtri për t’i bërë ballë armikut të ri. Bashkë me 2000 vetë, që erdhën në krah të tij ai i la kodrat e Matit dhe u drejtua për në Veri. Në Lezhë ra në përleshje me armikun të futur në llogore e të mbrojtur mirë, që ishte shumë më i madh në numër se fuqia e tij. Malazezët kërkuan dorëzimin e tij pa kushte bashkë me fuqinë që kish. Kolonel Zogu e kuptoi që ish punë e kotë të lëshohej në sulm me fuqinë e tij të vogël. Këtu nuk ishte rasti për një problem ushtarak, por për një lojë kush t’ia hedhë tjetrit. Ai menjëherë njoftoi se ishte gati të dorëzohej, por më përpara kërkonte të takohej me krerët e fuqisë malazeze. Sapo krerët e malazezëve arritën, ai i vuri ata përballë fuqive të tij dhe kësisoj duke i shpëtuar sulmit të tij u zhdukën në male.
Më vonë u kthye prapë dhe luftoi në mënyrë të dëshpëruar fuqitë e bashkuara serbo-malazeze duke lënë qindra të vdekur në çdo fushë beteje. Për shkak të mungesës së municionit dhe numrit të vogël të fuqisë së tij, kolonel Zogu vendosi të shpërthejë rrethimin duke çarë përmes fuqitë e armikut dhe të hyjë në qytetin strategjik të Shkodrës. Por në këtë kohë mori lajme të këqia; se një fuqi e re serbe ishte drejtuar kundrejt tij nga lindja. Kjo ngjarje e papritur e detyroi të ndryshojë planet që kish sajuar.
Kështu ai tërhoqi ushtrinë e tij dhe u kthye në Mat, ku mori masa të mbrohej në rast se një fuqi e sulmonte. Duke riorganizuar fuqitë e tij zuri të gjitha vendet kufi tare dhe ra nëpër ndeshje, në luftë guerilesh me serbët. Por kjo lojë mbrojtjeje kundër serbëve u gjet e paefekt dhe s’hynte në punë. Fuqitë kundërshtare ishin shumë të mëdha që të luftohen nga një vend i vogël si Shqipëria. Ishte e nevojshme të viheshin në përdorim të tjera mjete mbrojtjeje të vendit, një mjet shumë më efektiv dhe shumë më shkatërrues, diplomacia.
Zogu tani ishte Komandant i Përgjithshëm i të gjitha fuqive besnike të tij bash në moshën 21 vjeç. Ai mbante gjithnjë gradën e kolonelit dhe vishte uniformën e ushtrisë shqiptare, jo atë austriake. Ai iu lëshoi udhëzime të përpikta të gjitha nënprefekturave të vendit që të formojnë qeveri lokale. Ai e ristabilizoi Qeverinë e Vidit me Aqif Pashën si Ministër i Brendshëm. Prefektët dhe nënprefektët u vendosën, u caktua një buxhet dhe duheshin kryer tërë funksionet e Qeverisë. Në këtë kohë Zogu i drejtoi një ultimatum komandës italiane që okuponte Vlorën, këtë pjesë të pandashme të tokës shqiptare dhe iu kërkoi menjëherë zbrazjen e qytetit. Por jo çdo gjë shkonte siç e dëshironte ai. Zogu u bë aleat me Austrinë, sepse e vuri besimin e tij në deklaratën e Komandantit të Përgjithshëm të Fuqive Austriake që shprehte: “se ata vinin si miq në Shqipërinë mike me qëllim të zbonin prej këndej fuqitë serbe”.
Ai besonte se ata nuk do të pengonin formimin e një fuqie kombëtare dhe për këtë mori iniciativën të mbledh në Elbasan një Asamble Kushtetuese në mars 1916. Ai ftoi delegatë nga të gjitha anët dhe nga kolonitë shqiptare të Bukureshtit, Sofies, Lausanne (Zvicër) dhe nga të tjera vende për të biseduar punët dhe të vendosnin fatin e Shqipërisë. Nga ana tjetër, ai e vuri qeverinë austriake para një fakti të kryer, duke vënë në vend tërë Qeverinë e Vidit. Ministrat e Vidit ishin larguar nga Durrësi për shkak të violencës dhe terrorit, por nuk kishin dhënë dorëheqjen. Tashti që terrori kishte pushuar legalisht duhej të kthehej si më parë. Kongresi i Elbasanit, sipas mendimit të Zogut, do të ishte vendimi i Kongresit të Vlorës, sepse aty u proklamua Pavarësia e Kombit. Dhe tani, pas krimeve të hatashme greko-serbe dhe rënies së revolucionarëve, pas okupimit greko-italian dhe pas shkeljes së pavarësisë së siguruar me kaq sakrifi ca, Kongresi i Elbasanit duhej të vendoste mbi fatin e Kombit Shqiptar në kushtet kur Jugu i Shqipërisë shtypej nga grekët, Vlora nga italianët, Lindja e vendit nga bullgarët dhe pjesa tjetër e vendit nga austriakët.
Duke patur ndërmend këtë situatë, Zogu i shkroi August Karlit, Komisarit të Lartë Austriak në Shqipëri: “…Ne vendosëm që një Kongres Kombëtar të mblidhet këtu me 18 mars, me qëllim që të sigurojë njësim bashkëpunimi midis fi seve shqiptare dhe për të biseduar se ç’duhet të bëjmë, që vendi ynë të mund të ecë në rrugën e përparimit dhe të gëzojë lirinë që iu dha nga armata e Perandorisë Austro-Hungareze, prej nga ne presim shtyerjen dhe zgjerimin e kufi jve tanë, në bazë të parimit të kombësisë së popullatës”. Por, për fat të keq autoritetet austriake e ndaluan këtë lëvizje. Në një urë, ku detyrimisht duhet të kaloje për të hyrë në Elbasan, të gjithë autoritetet që kërkuan të kalonin u ndaluan për t’u futur në qytet duke thënë se nuk ishte e këshilluar hyrja për shkak se në qytet ka rënë kolera. Austriakët e justifi kuan veprën e tyre qesharake duke thënë: “Duhet ta keni në mend se çdo mbledhje me karakter politik është e ndaluar”. Dhe jo vetëm e ndaluan mbledhjen, por burgosën disa ofi cerë nën akuza të falsifikuara. Përveç kësaj armata austriake e shpërndau tërësisht administratën kombtare, që u vendos në Elbasan, duke marrë qytetin në duart e tyre. Prefekturat e tjera, duke mos patur zyra qendrore, u detyruan t’i nënshtrohen qeverimit austriak. Të gjitha këto veprime arbitrare kaq haptazi e në kundërshtim me premtimet solemne të bëra nga komandanti i ushtrisë, e bindën plotësisht Zogun se ishin vetëm gënjeshtra politike për të zbutur ndjenjat e shqiptarëve. Menjëherë Zogu shkoi në Komandë të Përgjithshme, tek August Karl dhe pas një bisede të nxehtë u prish me ta. Por para se ta linin Zogun t’u dilte fare nga duart, vendosën ta ftojnë në Spalato, ku ai u prit me nderime mbretërore. Ata i treguan Zogut fuqinë e madhe të ushtrisë së tyre duke e njohur me fuqinë e tyre detare dhe anijet e mëdha të luftës, si dhe me fuqinë e tyre ajrore. Ata u munduan ta bindnin se sa gjë e kotë është t’i dalësh përpara një fuqie të madhe. Ata e morën vesh shpejt se këto metoda ishin të kota me Zogun dhe vendosën ta internojnë në Veri, për sa kohë do të zgjaste lufta.
Në shtator 1918 Bullgaria papritur firmosi një armëpushim me aleatët dhe Austriakët u detyruan ta lënë Shqipërinë me shpejtësi. Kështu në tetor të atij viti i gjithë territori shqiptar nën okupatën austriake ra në duar të italianëve, me përjashtim të Shkodrës, që mbahej nga frëngët. Pas rënies së fuqisë austriake Zogu priste vetëm një armëpushim të përgjithshëm para se të kthehej në Shqipëri. Ai shkoi drejt e në Mat, ku i duhej të vendoste bashkë me fuqitë e tij se ç’duhej të bënin për lirinë e Shqipërisë tërësisht të okupuar nga Fuqi të Huaja. (Ky libër i ambasadorit amerikan Herman Bernstein “Mbreti Zog kallxon historinë e tij” ishte pjesë e botimit të veprës madhore “ Oxhaku famëmadh Zogu”. Vëllimi i parë, Tiranë, 1995, fq.131-150).
PASOJAT E LUFTËS SË MADHE
Pas fundit të Luftës nuk kishte në Shqipëri asnjë shenjë të vetme të ekzistencës së një qeverie. S’kish asnjë qeveri qendrore, asnjë lider të vërtetë, që të mund të paraqiste një ankim për fatet e vendit, të kërkojë mbrojtjen e të drejtave të tij. Në këtë kohë, ministri i jashtëm italian, Baroni Sonnino (Sidney Sonnino (1847-1923) ishte ministër i Jashtëm i Italisë nga 31 tetor 1914 deri më 23 qershor 1919) thirri një Kongres në Durrës, që u mblodh në ditën e Krishtlindjeve, më 1918. Italianët, donin të mbanin nën kontroll Shqipërinë dhe nuk kishin qejf të bëhej fjalë për një Qeveri Kombëtare, por bënin plane të emërohej njëfarë Këshilli Kombëtar dhe Komitet Ekzekutiv që t’ia servirnin në pjatë popullit sylesh shqiptar, (siç mendonin ata). Kjo bëhej për ta gënjyer. Megjithëse Kongresi u mblodh me këtë qëllim, ai nuk iu bind udhëzimeve italiane, por formoi një Qeveri Provizore, e cila s’kish autoritet dhe komanda supreme italiane vazhdoi të administrojë punët e qeverisë me anë të përfaqësuesve të saj austriakë. Nga ana tjetër Konferenca e Paqes në Paris, nuk mundi të gjente asnjë zgjidhje tjetër për Shqipërinë e gjorë, veçse për më mirë mendoi ta copëtonte midis fqinjëve të saj; duke iu dhënë copa të vendit atyre që kishin marrë anën e aleatëve fitues në luftë. Një principatë e vogël myslimane rreth Durrësit do të krijohej nën mandatin italian dhe Italia me Greqinë do të ndanin midis tyre atë pjesë që do të kishte mbetur pa u copëtuar. Në këtë udhë dy përfaqësues të qeverisë së Durrësit, në gusht 1919, fi rmosën një marrëveshje me Italinë duke i njohur protektoratin mbi vendin tonë dhe duke pranuar një komisar të lartë italian. Pikërisht për këto arsye Zogu u vu defi nitivisht kundër Qeverisë së Durrësit dhe luftoi vazhdimisht deri në rrëzimin e saj.
Vendi gjendej në një gjendje anarkie, nga e cila Italia s’qe e zonja ta nxirrte. Frëngët ua kishin lënë Shqipërinë e Jugut grekërve në dorë dhe tërë populli ishte në gjendje shpirtërore të dëshpëruar. Nga çdo anë e vendit, emigrantët donin të iknin dhe të gjenin një rrugë shpëtimi dhe dukej se s’kishte mbetur asnjë shpresë për të ardhmen. Në këtë çast kritik delegatët shqiptarë në Konferencën e Paqes i njoftuan Popullit Shqiptar në mënyrë të fshehtë se nuk duhet të prisnin asnjë ndihmë nga jashtë. Shpëtimi mbetej vetëm në duart e tyre. Edhe një herë patriotët e dëshpëruar vendosën të mblidhen. Zogu me pasuesit e tij u nis nga Mati për në Lushnje duke kaluar midis fuqive ushtarake italiane. Lushnja ishte kryeqendra e ushtrive italiane dhe fuqitë u përqendruan mbi të për të ndaluar mbledhjen e Kongresit atdhetar, por duke druajtur cilësinë luftarake të luftëtarëve të Matit italianët vendosën që do të ishte punë më e urtë ta linin kongresin të mbaronte punët e tij paqësisht. Të kënaqur atëherë që fuqitë e Zogut, që kishin zënë pozicionet strategjike rreth Lushnjes, do të ishte e mjaftueshme t’i mbronin ata, delegatët fi lluan diskutimet për çka do të bënin më vonë. U formua këtu një Qeveri Provizore dhe Zogu u zgjodh me unanimitet Ministër i Punëve të Brendshme duke e autorizuar të kthehej në Tiranë për të marrë frenat e Qeverisë në duart e tij me gjithë kundërshtimin italian. Zogu u nis menjëherë drejt Kryeqytetit të ri.
QEVERIA E TIRANËS
Qeveria e Durrësit duke e kuptuar se ishte e pamundur të dilte para Qeverisë së Tiranës që doli nga Kongresi i Lushnjes e mbylli veten e saj në Durrës, e ruajtur nga një fuqi ushtarake italiane. Meqenëse ky qytet ndodhet në një vijë me Lushnjen dhe Tiranën, ishte e nevojshme që fuqitë e Zogut të kalonin nëpër Durrës. Zogu dhe fuqitë e tij u ndeshën përballë me fuqitë italiane dhe armët e tyre. Ofi ceri që komandonte këtë ushtri urdhëroi Zogun të ndalojë marshimin e tij drejt Tiranës. Zogu e njoftoi ofi cerin se ai nuk mund të qëndronte dhe të ndalte marshimin e tij dhe i tha se po qe se ka urdhër le të shtjerë kundër tyre. Oficeri u përgjigj se urdhrat e tij janë të qëllojë me plumb këdo që do ta shikojë që shkon në Tiranë. Zogu e këshilloi ofi cerin italian të çojë në vend urdhrat e marra. Por ai nuk qëlloi kundër fuqive të Zogut dhe ato marshuan drejt Tiranës, ku arritën më 11 shkurt 1920. Duke e kuptuar se kjo Qeveri e përfaqësonte popullin më mirë se Qeveria e Durrësit pushoi çdo kundërshtim dhe një nga një u kthyen nëpër shtëpitë e tyre. Më së fundi mbeti vetëm një përfaqësues, i cili me shumë urtësi e njohu sovranitetin e administratës së re. Zogu tashmë e ndiente më tepër përgjegjësinë e vendit mbi shpatullat e tij, sepse shqiptarët i mbanin tek ai të gjitha shpresat për lirinë e tyre.
Veriu, Jugu, Perëndimi dhe Lindja, në çdo anë; vendi ishte nën sundimin e huaj. Dhe sikur kjo situatë të mos mjaftonte farët e dyshimit dhe të kryengritjes po mbinin nga çdo anë e vendit. Mustafa Kruja nxiste popullin për kryengritje në krahinën e tij dhe Esat Pasha me tërë agjentët e tij dhe kërcënimet e tij dhe Serbia me agjentët e saj provokatorë rreth Shkodrës dhe andartët e Greqisë dhe asgjë tjetër. Kjo ishte situatë e dëshpëruar e Zogut dhe e Qeverisë së Tiranës. Duke parë dhe kuptuar mirë rrezikun e madh në të cilin gjendej vendi, ai i lëshoi një komunikatë popullit duke thënë: “Armiku nuk do të shëtisë nëpër vendin tonë si nëpër shtëpinë që nuk ka zot; trupat tona do jenë mburoja dhe kështjella që do të përballojë pushkët dhe topat e armiqve”. Në marsin e vitit 1920, Zogu vendosi t’ua heqë Shkodrën nga dora ushtarëve frëngë që e mbanin të okupuar. Kështu që më parë se qyteti t’u dorëzohej jugosllavëve, ai hyri në qytet natën dhe e vuri nën kontroll. Populli e priti me hare e gëzim, sepse e kishin shumë frikë sundimin serb. Kështu Qeveria e Tiranës kishte ndërmarrë hapin e parë për ta bërë sundimin e saj të ndjehej në të gjithë vendin. Ajo fi lloi punën për bashkimin e vendit.
Tashti, që viset e Veriut ishin pa të huaj, u bë e mundur të hapej i pari parlament shqiptar më 27 mars 1920. Këshilli Kombëtar që përfaqësonte vullnetin e popullit shqiptar e aprovoi Qeverinë e Tiranës dhe tregoi besimin e tij duke deklaruar: “Qeveria e zgjedhur nga vullneti i popullit, me punën e saj energjike dhe patriotike ka bërë Shqipërinë të lirë, indipendente dhe integralisht si tokë”. Qeveria kishte parim të mos i njohë Italisë asnjë autoritet mbi Shqipërinë, ndaj e tërë administrata u muar përsipër nga Qeveria e Tiranës, e cila emëroi autoritetet civile në vend. Rrethi ku shtriheshin autoriteti i Tiranës arrinte deri në Skrapar, përfshinte tërë Shqipërinë e Mesme dhe krahinat e Veriut me Shkodrën.
Krahina e Gjirokastrës, sipas një marrëveshje të bërë në Romë, ishte akoma nën një sundim italo-shqiptar. Kjo situate e detyroi Zogun të dërgojë atje një fuqi ushtarake për ta marrë nën kontrollin e saj dhe, në prill të vitit 1920 u bashkua me Qeverinë e Tiranës. Ky lajm u dha përmes këngëve dhe marsheve ushtarake dhe ushtria italiane u tremb aq shumë nga këto manifestime saqë fi lloi të tërhiqet nga çdo anë, duke mbajtur vetëm qytetin e fortifikuar të Vlorës. Ndërkaq, Lëvizja Esadiste, që s`ish zhdukur kurrë, filloi të japë sërish shenja gjallërie. Në prefekturën e Durrësit rebelët i prenë linjat e telefonit dhe telegrafi t, grabitën posta dhe në disa vende prishën edhe rrugët. Esati vetë ndodhej në Paris dhe Qeveria vendosi të dërgojë një komision të posaçëm të merrej vesh me të. Por asgjë s’mund të vendosej me të, sepse Esati kërkonte ndarjen e Shqipërisë dhe veten e tij kryetar mbi atë copë që të mbetej. Gjatë këtyre negociatave Qeveria e Tiranës e kishte sakatuar Lëvizjen Esadiste. Me 13 qershor Esati u vra nga një shqiptar në Paris. Kështu kjo lëvizje u fshi fare në mënyrë të egër, një herë e mirë. Vlora mbahej akoma e pushtuar nga fuqitë italiane. Duke qenë se delegatët në Kongresin e Lushnjes deklaruan se Shqipëria do të çlirohet nga Fuqitë e Huaja, Zogu mendoi se ishte koha që të mbushej ky premtim. Ai e dinte se diplomacia s’kishte ç’bënte në këtë rast dhe i vetmi mjet ishte fuqia e armatosur dhe lufta. Kësisoj, kur kërkesa për boshatisjen e Vlorës u injorua nga italianët, shqiptarët u lëshuan me fuqitë e tyre kundër qytetit të fortifi kuar të Vlorës. Zogu komandoi një fuqi prej 2500 vetësh nga Shqipëria e Mesme dhe bashkë me fuqitë e tjera fi lloi rrethimin e qytetit. Katundet përreth u muarën nga fuqitë tona më parë dhe në korrik, ditën 22 të 1920 në një betejë vendimtare në afërsi të Vlorës, italianët u detyruan të tërhiqen të mundur. Brenda 10 ditëve fuqitë e tyre muarën rrugën e Italisë duke kapërcyer detin. Shqipëria u bë e lire, ashtu si 500 vjet më parë.
PAQËSIMI I VENDIT
Brenda pak kohëve Zogu paraqiti dorëheqjen e Tij si Ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e Iljas Vrionit, sepse nuk ishte në një mendim me disa veprime të asaj qeverie. Në këtë kohë një kryengritje shpërtheu në Mirditë, nxitur nga jugosllavët, që donin të okuponin Shqipërinë e Veriut. Një delegacion mirditas u nis për në Lidhjen e Kombeve, duke u përdorur si mjet nga ana e jugosllavëve. Fuqitë e qeverisë, dërguar kundër rebelëve të Mirditës, qenë të paafta ta shtypnin atë Lëvizje, ndonëse luftuan dhe dogjën shumë katunde, po rendin dhe qetësinë nuk mundën t’i vendosnin. Më së fundi Qeveria iu drejtua Zogut që të merrte përsipër komandën e fuqive. Bandat e armatosura, që kishin bërë shumë dëme ishin armatosur dhe paguar nga Beogradi, po përfaqësuesit e Jugosllavisë e mohonin këtë fakt. Ai ngulte këmbë se e tërë Shqipëria nuk qeveriset nga Tirana dhe se një tjetër qeveri punon në Mirditë. Ai kërkoi nga Këshilli i Lidhjes së Kombeve që të dërgojë në vend një komision e të konstatojë se sa qeveri janë në Shqipëri. Rreziku atëherë ishte i dyanshëm. Brenda vendit ngjasin revolucione dhe çrregullime dhe pas këtyre një fuqi kundërshtare që kërkonte tokat shqiptare. Megjithëse Zogu në këtë kohë vuante nga malaria dhe e kish gradën e etheve 105 të lartë u nis për në Mirditë. Brenda një kohe të shkurtër, me pak gjakderdhje, mundi ta paqësojë vendin dhe rendi mbretëronte në krahinën e Mirditës. Ai prapëseprapë mbeti në këto vise, se kishte frikë se mos Armata Jugosllave atakonte, derisa të mblidhej Konferenca e Ambasadorëve në Paris, më 18 nëntor 1921, e cila u dha urdhër Jugosllavëve të tërhiqen tërësisht nga Tokat Shqiptare.
Ndërsa Zogu paqësonte Mirditën, një grusht shteti kishte ndodhur në Tiranë, që i detyroi anëtarët e parlamentit dhe ministrat të iknin për në Elbasan. Dhe një herë sapo kishte fi lluar një gjendje terrori. Sapo mori lajmin për këtë ngjarje të papritur Zogu mblodhi fuqinë e tij dhe marshoi drejt Tiranës. Rendi u stabilizua menjëherë dhe deputetët e ikur në Elbasan u njoftuan të kthehen shpejt në krye të detyrës. Parlamenti rifi lloi detyrën e tij. Zogu u emërua përsëri Ministër i Brendshëm. Ata, që kishin marrë pjesë në Grushtin e Shtetit, i cili dështoi, u fshehën në zonat malore të krahinave të tyre dhe fi lluan sërish të grumbullojnë fuqitë e veta. Më së fundi, në mars 1922, ata marshuan drejt Tiranës duke vrarë Komandantin e Përgjithshëm të Xhandarmërisë dhe shpërndarë fuqitë e tij me anë të një sulmi të befasishëm. Kur u err dita, ata hyjnë në Tiranë dhe fi lluan të shtijnë me armë duke krijuar një panik midis popullit të kryeqytetit. Të nesërmen, si kabineti dhe deputetët, përsëri ikën në Elbasan duke e lënë Zogun dhe fuqitë e tij t’ju bëjë ballë rebelëve. Zogu fi lloi të përgatitet për mbrojtjen e qytetit, duke hapur llogore midis rrugëve dhe duke vendosur mitraloza dhe të tjera mjete në pullazet e godinave si dhe në godinën e parlamentit. Rebelët sulmuan nga çdo anë. Pushkët shtinin dhe rrugët u mbushën me të vrarë dhe të plagosur. Përplot katërmbëdhjetë orë vazhdoi e paprerë beteja. Më së fundi, Ministri Britanik i akredituar në Tiranë ndërhyri dhe iu kërkoi fuqive të mbledhura të kthehen nëpër shtëpitë e tyre dhe të shpërndahen.
Ndërsa luftimet brenda në Tiranë vazhdonin, një fuqi rebele marshonte nga Jugu drejt kryeqytetit. Zogu mori këtë lajm dhe para se të mbaronte lufta e Tiranës u nis që të merrte masat kundër situatës së re. Nga jugu i qytetit, në një tjetër përpjekje në Kashar, i mundi fuqitë e tjera rebele dhe e solli vendin prapë në paqe. Kur u mundën dhe u kthyen nga të gjitha anët, liderët e revolucionit u arratisën dhe u futën në Jugosllavi. Në këtë kohë Zogu u bë kryeministër. Duke dalë para Parlamentit për votëbesim, premtoi se do të mbante zgjedhjet e lira për një Asamble Kushtetuese, që do të caktonte defi nitivisht formën e regjimit në Shqipëri. Me 27 dhjetor të vitit 1923, pas një fushate të rreptë elektorale, zgjedhjet u kryen dhe rezultatet treguan një triumf total për Qeverinë e Zogut, duke siguruar 102 vende në Parlament, kurse kundërshtarët vetëm pakëz vende. Më 21 janar 1924, në përvjetorin e Kongresit të Lushnjes, Asambleja Kushtetuese u mblodh në Tiranë dhe fi lloi punën e saj.
REVOLUCIONI I FAN NOLIT
Opozita në minorancë, u dëshpërua shumë për shkak të humbjes së thellë në zgjedhje, sepse partia e Zogut kish fituar me shumicë dërrmonjëse. Çdo lloj planesh dhe komplotesh u bënë dhe u ndërmorën për të hedhur në dorë vendin, sepse e dinin se në çdo zgjedhje të lira do të humbisnin përsëri e përsëri. Mënyra më e mirë, do të ishte vrasja e liderit kundërshtar, vrasja e vet Ahmet Zogut. Një i ri budalla, Beqir Valteri nga Mati, u përdor për të vënë në zbatim këtë plan të kundërshtarëve dhe armiqve politikë të Zogut, të cilit ia mbushën mendjen, se po ta bënte këtë akt do të konsiderohej hero kombëtar dhe emri do t’i kalonte në histori si shpëtimtar i vendit të tij. Më 23 shkurt 1923, ndërsa Zogu ngjitej shkallëve për të hyrë brenda në sallën e Asamblesë, Beqir Valteri ju vu dhe shtiu dy herë nga prapa kundër Zogut, duke e goditur dy herë në dorë dhe në kofshë. Delegatët e Asamblesë shikuan me sy të çoroditur, kur Zogu hyri në sallë e me hap të ngadaltë u ul me gjakftohtësinë më të madhe në vendin e sekretarit. Zëdhënësi i parlamentit, i frikësuar, ishte larguar dhe shumë të tjerë ishin në pikën e panikut të përgjithshëm. Trupi i Zogut qe mbushur me gjak po ai u ngrit në këtë çast dhe nisi të fl asë: -Këto gjëra – u tha delegatëve me qetësi, shpeshherë ngjajnë, ne nuk i dijmë se kur dhe ku; pra, merreni këtë gjendje me qetësi dhe rregull. Në këtë mënyrë ai e zbuti situatën në mes të delegatëve dhe u nis për në shtëpinë e vet, ku të dy plumbat ia hoqën nga trupi dhe u mjekua me kujdes. U shërua shpejt dhe ridoli në skenë pas atentatit. Ndërkaq, sulmi kundër jetës së Zogut u dha kurajë delegatëve të Opozitës, të cilët kërkuan të okupojnë postet ministeriale. Me qëllimin e caktuar, që të mënjanojnë rreziqet që i kërcënoheshin vendit të tij dhe interesave të atdheut, gjatë kavalishencës, Zogu dha dorëheqjen si kryeministër. Kriza ministeriale, që pasoi këto ndodhira, zgjati për gjashtë muaj dhe më së fundi kryesia e Qeverisë iu ngarkua Shefqet Verlacit, por opozita nuk ishte aspak e kënaqur nga kjo zgjidhje.
Organizata si “Dora e Zezë” dhe “Dora e Kuqe” nisën të dalin në skenë dhe të organizohen në vend dhe anarkia filloi sërish të kërcënojë jetën e popullit. Është e natyrshme, që në periudha të këtilla, disa njerëz hakmarrës kërkojnë të vërsulen kundër armiqve të tyre. Kështu, më 20 prill 1924, u vra nga ana e revolucionarëve, Avni Rustemi, një politikan shumë popullor. Ky akt violence u përdorë nga ana e Opozitës si një mjet për t’i treguar popullit fuqinë e tyre falce. Pas ceremonies funerale, trupi i tij u nis për në Vlorë, ku rebelët qenë të zotët të mashtrojnë fuqinë e ushtrisë dhe ta përdorin atë si një mjet për qëllimet e tyre. Lëvizja ushtarake në Shkodër, Përmet dhe Kosovë sapo kishte fi lluar dhe po fuqizohej gjithnjë e më shumë. Qeveria e Tiranës kish një fuqi të rekrutuar legalisht, e cila ishte e mjaftueshme për të sjellë vendin në gjendje paqe e qetësije; po kjo fuqi u mbajt në Tiranë. Zogu e njoftoi qeverinë se ishte e mundshme të vendosej qetësia brenda dhjetë ditëve pa derdhur asnjë pikë gjaku: dhe mund të marshonte për t’i dhënë fund rebelimit, po Qeveria e Verlacit dëshironte të mbante një qëndrim paqësor karshi rebelëve dhe ia dha komandën e fuqive një tjetri. Kabineti i Verlacit ra shpejt dhe kabineti i Vrionit ia zuri vendin, i cili s’bëri asgjë tjetër, veçse dërgoi një komision të merrej vesh me rebelët pa iu dhënë udhëzime të prera dhe humbën shumë kohë duke kërkuar herë pas here mendimin e qeverisë dhe kur qeveria vendosi të dërgojë ushtrinë kundër tyre, ata panë atëherë se çdo pikë strategjike kish qenë okupuar nga ushtria rebele. Në Jug, veçanërisht, ata mbanin në dorën e tyre çdo qytet dhe vend të rëndësishëm dhe më 10 qershor 1924, hyjnë në Tiranë nën kryetarin e tyre, Fan Nolin. Po atë ditë, Zogu u largua nga Tirana, duke iu drejtuar kufirit jugosllav.
ZOGU KTHEHET
Triumfi i revolucionarëve e kish mbytur vendin në një det anarkie të jashtëzakonshme. Asgjëkundi nuk shihej se kish një autoritet dhe një qeveri. Shumë shpejt populli nisi të mendonte se Qeveria e Fan Nolit s’do ta kishte të gjatë. Ky mendim forcohej nga fakti se Fan Noli nuk mblodhi një Asamble Kushtetuese dhe as që mbajti zgjedhje të lira që të kërkojë votën e popullit. Situata ishte bërë me të vërtetë kritike. Shqipëria tashti ishte katandisur jo vetëm në një vend anarkie e turbullimi, por edhe si qendër e bolshevizmit. Nga përtej kufi rit, Zogu shikonte me keqardhje gjendjen e keqe të vendit dhe vendosi që edhe një herë të mundohej ta shpëtojë nga kaosi. I mblodhi trupat e tij dhe marshoi nëpërmjet Dibrës, Kosovës dhe Shkodrës dhe pas një ndeshje në Peshkopi në dhjetor të vitit 1924, hyri triumfalisht në Tiranë. Fan Noli dhe Qeveria e tij, pa asnjë rezistencë, ikën për në Vlorë dhe së andejmi për në Itali duke kapërcyer Detin Adriatik.
Pas kthimit të Zogut në Tiranë të gjithë qytetet e Shqipërisë, të lodhura nga turbullirat dhe revolucionet, telegrafisht i shprehën bindjen e tyre të plotë dhe njohjen e Qeverisë së tij. Asnjë turbullirë nuk ngjau dhe fuqitë e mbledhura nga revolucionarët u kthyen qetësisht në shtëpitë e tyre. Zogu atëherë urdhëroi oficerët e zyrtarët e ndryshëm të merrnin masat më të shpejta për qetësinë e vendit duke u udhëhequr nga ligjet. Përderisa Asambleja të mblidhej në Tiranë, përsëri Zogu mbajti rregullin me anë të një Qeverie Provizore. Më 15 janar 1925, pas shtatë muajsh pushimi të detyruar, Asambleja përsëri e hapi Sesionin e saj dhe si përfaqësuese e vullnetit të popullit vendoste mbi fatin e tij. Bash në ditën e parë të mbledhjes, Kabineti i Zogut mori votëbesim unanim të delegatëve.
Një javë më vonë u pranua regjimi republikan si formë e regjimit të ri. Një komision u zgjodh për të përgatitur Projekt-Kushtetutën më 31 janar 1925. Pasi artikujt që i takonin krijimit të Republikës u pranuan, Asambleja në liri të plotë dhe vetëm me dy vota kundër, zgjodhi Zogun President të Republikës për shtatë vjet. Ai i falënderoi ata për nderin e madh që i bënë duke iu thënë: “…Ju siguroj se asnjë ambicion personal nuk do të më ndalojë që t’i shërbej interesit të përgjithshëm të vendit tim…”. Fuqitë e huaja u njoftuan për këtë zgjedhje dhe të gjitha Vendet që nuk e kishin njohur regjimin revolucionar të Nolit, menjëherë e njohën Qeverinë e re Parlamentare. Njëri pas tjetrit përfaqësuesit diplomatikë erdhën dhe i dorëzuan Zogut letërkredencialet e tyre nga ana e qeverive që i përfaqësonin ata. Shqipëria u vu në rrugë të të gjitha kombeve të tjera të qytetëruara. Gjashtë muaj më vonë, kur të gjitha strukturat e Qeverisë punonin rregullisht, Zogu ftoi në Tiranë të gjithë krerët e Malësive të Veriut dhe të Jugut dhe mori Besën Shqiptare se do të qëndrojnë besnikë duke iu bindur ligjeve të vendit. Ishte një besë për paqe dhe qetësi. Përveç kësaj, Zogu urdhëroi menjëherë çarmatimin e popullit, që e kishin zakon të mbajnë veten të armatosur. Pasi u bë çarmatimi në Jug, fi lloi edhe midis fi seve me luftëtarë të Veriut. Ky operacion u krye me sukses, sepse populli ishte lodhur nga gjendja e tensionuar duke qenë gjithnjë i armatosur dhe duke u ruajtur nga frika dhe e kuptuan mirëfilli se në vende të qeta dhe të qytetëruara mbajtja e armëve nuk ishte e nevojshme dhe për këtë i dorëzuan me qejf armët që mbanin ata. Një proces modernizimi në vend mori udhë. Filloi ndërtimi i rrugëve, duke lidhur zona malore të pambrritshme me qytete më të mëdha. Ligjet u modernizuan. Kodet civile, penale dhe tregtare u përgatitën. Një xhandarmëri u organizua dhe një ushtri e vogël ishte në gjendje të lëvizte shpejt. Kësisoj, gurët themelorë të një Shqipërie të fortë, të lumtur dhe të pavarur u vunë në vend.
SHKËPUTJA ME JUGOSLLAVINË
Lart, atje mbi kodra afër Pogradecit ku shikohet nga lart liqeni i Ohrit, ndodhet një manastir ortodoks historik: Shën Naumi. Gjyqi Ndërkombëtar i Hagës i njohu Shqipërisë të drejtën mbi tokën që mbante Manastirin dhe Konferenca e Ambasadorëve në Paris e aprovoi këtë vendim. Po Qeveria Jugosllave e kishte okupuar këtë copë tokë dhe refuzonte të tërhiqej prej saj. Konferenca e Ambasadorëve vendosi që çështja të lihet për rregullim midis dy qeverive dhe njoftoi se; në qoftë se të dy qeveritë nuk bien në ujdi, Komisioni i Kufijve edhe një herë do vijnë në vend për të caktuar kufi rin Shqiptaro-Jugosllav. Po Parlamenti Shqiptar vendosi që ta shkëmbejë këtë copë tokë me një copë tjetër, që i përkiste Jugosllavisë.
Për lëshimin e Manastirit të Shën Naumit Qeveria Shqiptare mori katundin e Peshkëpisë, luginën e Çëravës, kishën e Ujit të Bekuar dhe kodrat strategjike të Shën Naumit (no. 961-965-807-868) së bashku në shtëpitë e rojeve jugosllave të kufi rit. Toka që na morën si shpërblim kapte një sipërfaqe prej 22 km. katrorë. Përveç kësaj, lugina e kullotave të Libovicës u sigurua, dy shtëpi në katundin e Grencës, rruga e Lumbrajës së bashku me karakollet e vjetër të Turqisë, një kodër e vogël dhe një liqen, nga ana e pasme e Velipojës dhe gjithë majat duket kufi ri u shty më tej 25 km. Ky shkëmbim tokësor nuk i pëlqeu Qeverisë së Beogradit, që ende besonte se regjimi i Zogut, si ai i Esat Pashait, ishte I pazoti t’i qëndrojë Jugosllavisë dhe ishte servil ndaj tyre. Ky besim i gabuar i tyre arriti pikën e fundit, kur Qeveria Jugosllave kërkoi me tërbim dorëzimin e refugjatëve politikë serbë e bullgarë që sipas ligjit ndërkombëtar nuk mund të dorëzoheshin.
Shqiptarët refuzuan kategorikisht të veprojnë në këtë mënyrë dhe Jugosllavët u zemëruan së tepërmi. Dhe me qëllim që të vënë në dukje se sa e lehtë ishte rrëzimi i regjimit të Zogut, fuqitë civile u mobilizuan në kufi dhe hyjnë në tokën shqiptare duke provokuar Kryengritjen e Dukagjinit, që u udhëhoq nga disa ofi cerë rebelë dhe pasuesit e tyre, nisi në pjesët më veriore të vendit dhe arrin pothuaj në Shkodër në nëntor të 1926. Kjo Kryengritje u mposht lehtësisht. Kjo ishte arsyeja e prishjes së Zogut me Jugosllavinë në mënyrë përfundimtare. Mësimet e Kryengritjes së Dukagjinit i dhanë Zogut të kuptojë se Shqipëria nuk ishte kala aq e fortë sa të qëndrojë në këmbët e saj në mes të Fuqive të Huaja grabitqare të pangopura. Për këtë shkak, megjithëse Kryengritja u mposht, kësaj rradhe duhej të merreshin masa që turbullira të reja, të nxitura nga Fuqitë e Huaja duhej të mos ndodhnin përsëri. Për këtë arsye, Zogu e pa të udhës dhe të nevojshme që të lidhë një traktat miqësie me një shtet tjetër dhe t’i japë fund politikës së rrezikshme të izolimit. Ai hyri në marrëveshje me Qeverinë Italiane dhe më 27 nëntor 1926, një Traktat Miqësie u nënshkrua në Tiranë, në fuqi për 5 vjet. Përveç kësaj, Zogu e pa të nevojshme të fi rmojë dhe aleancën mbrojtëse me Italinë, duke ruajtur në të njëjtën kohë dhe garantuar sovranitetin kombëtar dhe integritetin tokësor të vendit. Në këtë bazë themelore dhe me të drejta e detyrime të përbashkëta, më 22 nëntor 1927, u firmos në Tiranë Traktati i Aleancës Mbrojtëse midis Shqipërisë dhe Italisë, që shpejt u bë faktor kryesor në stabilizimin politik të Shqipërisë dhe I dha popullit shqiptar kohë t’i tregojë botës se ata janë të zotët të vetëorganizojnë një shtet modern. Kjo hapi një udhë, ku hapa të rëndësishëm u hodhën në drejtim të ekonomisë, të administratës dhe të kulturës. Në këtë kohë, gajleja kryesore ishte nevoja për fonde për të fi nancuar programin e modernizimit. Shqipëria ishte shumë mbrapa vendeve të tjera në zhvillimin ekonomik dhe kishte nevojë të madhe për ndreqje të çdollojshme punësh botrore. Për këtë arsye, ministri i Financave, Myfit Libohova, hyri në marrëveshje me një grup fi nancierësh të përfaqësuar nga Mario Alberti. (Mario Alberti ishte personalitet i shquar Italian, ekonomist fi nance me famë ndërkontinetale, publicist, autor i disa botimeve. Ishte drejtor i Bankës “Credito Italiano” në Romë. Ishte themelues i Bankës Kombëtare të Shqipërisë (1925) e president i saj, etj)
U bë një marrëveshje për ngritjen e një Banke Kombëtare dhe një hua prej 50 milionë frangash.(10 milionë dollarë). Pas kësaj marrëveshje, që u aprovua me disa ndryshime nga Parlamenti në Qershor 1925, përfaqësuesi i grupit italian do të formonte brenda 30 ditëve Bankën Kombëtare të Shqipërisë me një kapital nominal prej 12 milionë e gjysëm frangash floriri të ndarë në 495 aksione ordinere me vlerë 25 franga secila dhe 100.000 aksione themelore me vlerë 1.25 franga secila. Zyra kryesore e bankës do të ishte Tirana dhe mund të hapte degët e saj kudo. Kjo marrëveshje kishte fuqi për 50 vjet po kjo periudhë mund të zgjaste me marrëveshje të përbashkët. Banka mori përsipër të formojë gjithashtu dhe Shoqërinë për Zhvillimin Ekonomik të Shqipërisë (SVEA). Pas marrëveshjes, huaja e SVEA-s nuk do të paguhej kurrë, sepse shumica e fondeve do të përdoreshin në punë botore të përbashkëta si ndërtimi i Portit të Durrësit dhe shumë rrugë e ura me rëndësi strategjike për të cilat Qeveria Italiane kishte më shumë nevojë sesa Qeveria Shqiptare. Qysh nga 1923, si “American Standart Oil Company” dhe “Anglo Persian Oil Company”, kishin bërë kërkesë që të marrin koncesionet e vajgurit në Shqipëri. Kundërshtimi i rreptë dhe konkurenca e madhe midis dy shoqërive, ia bëri qeverisë të nevojshme të mos japë koncesionin, përkohësisht, as njërës e as tjetrës, duke kërkuar kohë të studiojë çështjen me kujdes.
Më së fundi, pas shembjes së Qeverisë së Fan Nolit më 1925 Parlamenti aprovoi kontratën me Anglo-Persianët për shfrytëzimin e zonës vajgurore të Patosit. Më vonë, të tilla koncesione, iu dhanë dhe “Standart Companis” dhe hekurudhave të Shtetit Italian dhe shumë të tjerave. Sot për sot, anglo-persiani ka gërmuar shumë puse në Patos dhe ka gjetur një shumicë vaji, sikurse dhe hekurudhat e shtetit, po ashtu në zonën e Vlorës.
PROKLAMIMI I MONARKISË
Shqiptarëve, Proklamacioni i Republikës më 1925 nuk ia mbushte dëshirën e plotë për qeverisje. Traditat dhe mentaliteti i tyre ishte i tillë që ata nuk i kuptonin plotësisht idealet e një republike. Për shqiptarët, patriotizmi dhe dashuria e vendit s’kishin dhe aq kuptim në qoftë se nuk kishin një fi gurë qendrore që t’i personifi konte këto ndjenja: shqiptari i vërtetë është me zemër një monarkist. Edhe popullit shqiptar, një fron shqiptar donte t’i thoshte autonomi dhe pavarësi e vërtetë, sepse ata e kujtojnë historinë e vendit të tyre, kur Skënderbeu ishte mbret i tyre. Dhe qenë pikërisht këto arsye që më 1924, Asambleja Kushtetuese u nda në dysh: monarkistë dhe republikanë. Më së fundi, monarkistët dolën fi tues dhe Asambleja Kushtetuese, që paraqiste vullnetin e popullit, e pranoi dhe e vuri në jetë këtë dëshirë. Më 1 shtator 1928, ditën e shtunë, Shqipëria u proklamua Mbretëri në mes brohoritjeve të pafré dhe gëzimit të papërshkrueshëm. Zogu u proklamua Mbret me titullin “Zog i Parë” dhe i tha Asamblesë këto fjalë: “Sot në çastin që populli im, si është shprehur nga përfaqësuesit e tij që jeni ju dhe nga ndërgjegja juaj vetë, më ngarkoi detyrën e rëndë të drejtimit të shtetit. Ju premtoj se do kem gjithmonë në mendje dhe në zemër përgjegjësinë morale ndaj popullit shqiptar, i cili shpejt ose vonë do të çohet lart me energji të pakufi shme për ngritjen lart të kombit tonë midis kombeve të lira të botës”.
VJENA DHE ATENTATI KUNDËR JETËS SË ZOGUT
Nga shkretinat e kohës të një populli shumë të lashtë filloi ngritja e Shqipërisë së re. Puna për organizimin dhe konsolidimin e shtetit ishte shumë e re. Gjatë muajve të pare të vitit 1930, Mbreti punonte rregullisht 18 orë në ditë. Më së fundi, me këtë punë të tmerrshme, fi lluan dhe prishja e shëndetit dhe ishte dobësuar mjaft dhe për këtë arsye, ai u këshillua nga rrethi familjar dhe të tjerët të shkojnë jashtë për një periudhë të shkurtër për mjekime. Zogu ia la Qeverinë në dorë Këshillit të Shtetit dhe në shkurt 1931 u nis për në Vjenë me anijen e luftës italiane “Quaeto”. Në Vjenë, jetonte një numër i madh i atyre njerëzve që provokuan atentatin kundër jetës së tij edhe më 1924. Kur revolucioni i tyre dështoi, ata ikën jashtë shtetit dhe jetonin një jetë aventurash dhe lluksi në kryeqytetin e Austrisë; të paguar me rroga nga fuqi të ndryshme. Këta persona, të shtyrë nga fuqitë që iu paguanin rrogat, vendosën të bëjnë atentat kundër jetës së Zogut. Për këtë qëllim më 20 shkurt 1931, ish-ofi cerët e Xhandarmërisë, Ndok Gjeloshi dhe Azis Çami u ngarkuan me detyrën të kryejnë atentatin. Kur mbreti la operën e Vjenës, i shoqëruar nga adjutantët e tij, e qëlluan makinën e Mbretit disa herë. Zogu shpëtoi për mrekulli pa asnjë plumb. Po u vra adjutanti i tij, majori Llesh Topallaj, besnik i vërtetë derisa e dha shpirtin dhe ministri i Oborrit, Ekrem Libohova, u plagos mbasi u përpoq heroikisht të mbulojë Mbretin me trupin e tij. Në nëntor 1931 Traktati i Miqësisë me Italinë që u lidh në nëntor 1926 rá nga afati. Qeveria Italiane kërkoi përtëritjen e tij, por Mbreti e gjeti të pavend përsëritjen për arsyet që pasojnë: a) Duke qenë se Traktati i Aleancës ish në fuqi me detyrimet dhe të drejtat e përbashkëta, një traktat miqësie ishte i panevojshëm; b) Traktati i Miqësisë, si këtu dhe jashtë vendit, ishte kritikuar shumë dhe i bëri keq emrit të Shqipërisë, aq sa për të ndalë propagandën e keqe, për të hequr përshtypjen e keqe që kishte lënë, ishte punë e urtë të mos përsëritej; c) Traktati i Miqësisë, në artikullin e tij që trajtonte statukuonë politike dhe juridike, ishte kuptuar nga populli shqiptar si një mjet për të mbajtur në këmbë regjimin, jo shtetin sovran: duke mos e përsëritur atë, do të merrej vesh mirë se traktatet e nënshkruara gjatë Mbretërisë së Zogut, kanë për themel kombin dhe jo regjimin aktual dhe personin që e kryeson; d) Në çdo rast, Traktati i përtëritur do të ishte pa kuptim për shkak të politikës së sinqertë dhe të hapur midis dy qeverive. Për arsyet e mësipërme, Mbreti refuzoi të përtërijë Traktatin e Miqësisë me Italinë.
DHJETË HUATË ITALIANE
Zhvillimi ekonomik i Shqipërisë nuk kishte arritë një përparim të mjaftueshëm që t’i lejonte rritjen e nevojshme në përshtatje me interesat e saj vitale. Duke pasur parasysh shpenzimet e rënda për administratën e ushtrisë, Mbreti i kërkoi Qeverisë Italiane nëpërmjet ministrit të saj, Antonio Meli Lupi Saragna, një hua të tillë që të ishte e mundur për programin konstruktiv dhe përparimtar të Qeverisë Shqiptare. Qeveria Italiane si një mike, aleate, fqinje dhe shtet Adriatik pranoi të japë një hua të tillë minimale me 10 milionë franga ari për çdo vit, duke fi lluar me vitin fi nanciar 1931- 1932 edhe për nëntë vjet me radhë. Kjo hua duhej të lihej në iniciativën e Qeverisë Shqiptare, kur ajo ta quajë atë kohë të mundshme pa prekur gjendjen e saj fi nanciare dhe ekonomike. Po në çdo rast, asnjë pagim nuk do të bëhej përpara se buxheti i shtetit shqiptar të arrinte shumën vjetore prej 60 milionë frangash ari. Këto hua vjetore do të shkurtoheshin proporcionalisht me shtimin e të ardhurave dhe pakësimin e shpenzimeve të Thesarit Shqiptar. Dhe së fundi, këto hua do të përdoreshin kryesisht për punë botore, për ekonominë kombëtare dhe edukacionin kombëtar. Në këto baza, një ligj special u aprovua më 30 qershor 1931 duke i aprovuar dhe ratifi kuar këto Hua të papajtuara midis dy qeverive. Rregulla speciale, të dekretuara nga Mbreti Zog përcaktuan detyrat dhe kompetencat e një komisioni për përdorimin dhe shpërndarjen e fondeve të huasë. Ky komision përbëhej nga dy shqiptarë dhe dy italianë të emëruar me Dekret Mbretëror. (Ago AGAJ e përktheu këtë vepër të ambasadorit amerikan Herman Bernsteinit gjatë kohës që jetonte në SHBA. Ai ka lindur në Vlorë më 1897 dhe ndrroi jetë në Clearwater, Florida, më 1994. Ky inxhinier agrokulture, diplomuar në Vjenë, shërbeu në profesion e tij dhe nëpunës administrate në Vlorë, Shkodër, Shijak, Lushnje, Berat, Gjirokstër, Delvinë e Tiranë (dhe në Gjermani, Poloni, Moldavi), prefekt në Mitrovicë (1941); ministër i Ekonomisë Kombëtare (1943-’44); etj. Ishte pjesmarrës në Kongresin e Lushnjes dhe Luftën e Vlorës (1920), një ndër nënshkruesit e mbledhjeve të opozitës në ceremonitë e zhvilluara pas vrasjes së Avni Rrustemit; përkrahu Lëvizjen e Qershorit 1924; ndalohet për ngjarjet e Kryengritjes së Delvinës (1937) dhe dënohet me burgim të përjetshëm; ishte pjesmarrës në qershor 1944 në mbledhjen e Dytë të Lidhjes së Prizrenit e Kongresin e Dytë të saj (15 janar 1944). Largohet nga Shqipëria komuniste dhe punon në Itali, Austri, Egjypt derisa më 1969 vendoset në SHBA. Ai e shkroi dhe librin tjetër: «Lufta e Vlorës» (1969) kur ishte në Amerikë).