Albspirit

Media/News/Publishing

Behar Metohu: VRASJET E GUSHTIT…

 

 

Tregim

 


Buzëmbrëmja tragjike…

Ishte një nga ato pasditet e rralla ku çdo gjë po shkonte drejt qetësimit dhe një shurdhimi nga zhurmat e nje dite plot gjallëri! Njerëzit ngadalë ngadalë me perëndimin e diellit po largoheshin nga bregu i detit. Hapësira ranore bëhej më e shkretë. Nxehtësia e ditës po ia linte vendin flladeve më të fresketa. Ishin ditët e para të gushtit. Plazhi në gjirin e detit të Meksikës mbisundohej nga turistët dhe banorët e qytetit të vogel të Floridës. Befas pash diellin, i cili po prekte buzën e detit blu duke ndriçuar minutat e fundit për atë ditë. Instiktivisht sa herë shikoja këtë pamje dora më shkonte tek celulari, i cili prej kohësh ndoshta për të gjithë ishte kthyer në një aparat i zakonshëm fotografik. Por pikërisht në atë moment ndjeva tingëllimën e një mesazhi që njoftonte për një lajm të ri nga agjencitë e ndryshme. Por ky lajm që më mbajti sytë mbërthyer ishte me një titull në shqip.

NJË ÇIFT SHQIPTAR NË NJU YORK HUMBET JETËN DUKE U HEDHUR NGA KATI I GJASHTE”

Klikova me rrëmbim për të lexuar lajmin e plotë. Në moment mendova mos ishte një lajm i rremë. Por më tej kuptova se ishte i vërtetë. Burimi vinte nga agjenci prestigjoze amerikane. E harrova diellin dhe po përjetoja ngjarjen e hidhur! Megjithëse serioz dhe me info lajmi linte shumë pikëpyetje nga pas! Çfarë do të ketë ndodhur? Pse e kryen këtë akt dhe përpara me dilnim kullat e larta njujorkeze…
Dielli ishte zhdukur, deti mbeti si vetmuar me pak varka turistësh që po largoheshin. Buzëmbrëmja, një prelud ngjyrash që zbeheshin duke lënë vend errësirës më kapërtheu në mendimet për këtë ngjarje! Tingëllima e celularit më njoftonte se dikush po më kërkonte. Gruaja, e cila nuk kishte dalë atë pasdite më pyeti ku ndodhesha?

Çfarë ke, pse nuk flet, më tha ajo!…

Ja edhe pak po kthehem, iu përgjigja me mendjen e trazuar.

Ndërkohë kurioz rihap celularin në facebook. Njoftimet për ngjarjen e Nju Yorkut po vinin një pas një.
Disa të rinj buzedetit po vazhdonin të zhurmonin me lojën e tyre me top. Ata ishin të vetmit që zërat e tyre me anglishten dominante përzihej edhe me spanjishten. Qeshnin dhe thërrisnin në dëfrimin e tyre. Një top me erdhi pranë çadrës ku isha ulur dhe befas u ngrita dhe e shqelmova atë në drejtim të djemve. Aty ndjeva për momentin sikur isha në plazhin e Durrësit, vite me parë kur ishim të rinj e loznim të shpenguar. Me ato portat e sajuara me shkopa të hedhura diku dhe që kur lozje njerëzit shetitorë buzë detit ishin të shumtë e të pengonin të luaje si doje…
…Kur vura çadrën e diellit në bagazhin e makinës dhe gjërat e tjera të plazhit më shkoi mendja të lidhesha me Tiranën! Për të mësuar më shumë. Por në çast u kujtova se në Tirane ishte ora dy e natës dhe njerëzit flinin. Ndeza makinën dhe ndërkohë që po bëhesha gati të dilja nga parkimi, një tjetër mesazh vjen në telefonin tim! Një shok i fëminisë më shkruante nga Michigani!

Ndalova makinën dhe i shkruajta se do flasim kur të jem në shtëpi. Ai do të dinte ndoshta ndonjë gjë më shumë. Se në mesazh me shkruante: “E more vesh për atë çiftin në Nju York”?! Po – i shkruajta ! Unë flisja një herë në dy javë me të! Kishim qenë shokë feminije në një lagje dhe ndonëse larg mbanim lidhje!
Shtypa fort pedalin e gazit dhe makina gulçoi. Për fat rruga ishte e shkretë pa qarkullim deri tek semafori ku padyshim ndala! Rruga për në shtëpi po më dukej tepër e gjatë, megjithëse nuk mbante as pesë minuta nga parkimi i plazhit.

Nata e dhimbshme….

Kur vjen nata në qytezë qetësia është absolute! Dëgjohen nga larg vetëm rastet kur makinat e sherifave apo ambulancat dhe zjarrfiksat do të lëshonin sirenat e tyre plot lemeri. Në këtë orë çdo gjë më duket tepër e shkretë! Sepse intuitivisht duke përjetuar të qenit në Shqipëri në këtë orë të gjithë flejnë. Çdo mbrëmje të vijnë në mendje ngjarjet e ditës. Raporti i ngjarjeve të përjetuara janë më tepër çfarë ndodh në Shqipëri! Lajmi për çiftin shqiptar në Nju York kishte ndryshuar raportin! Përset ishin të shumta! Ato rrotulloheshin tek përpjekjet e mëdha që emigrantët në këtë vend të madh bënin për mbijetesën. Por mendja të shkonte edhe tek ndonjë veprim aksidental. Për Nju Jorkun vinin informacione kontradiktore në gjithë këta dy vjet të pandemisë. Një çift shqiptar që jetonin prej 30 vjetësh disa javë më parë më thanë: – Ne u shpërngulëm nga Bronx. Jeta aty u bë e vështirë. Këtu duket më qetë. – Ata i takova rastësisht në një nga dyqanet që kishin hapur jo larg nga shtëpia ku banoja. Shisni ushqime të ardhura me porosi nga Shqipëria! Në fytyrat e tyre dukej lodhja e ditëve të përshtatjes me qytetin e ri. Punët e transferimit.
Ishte ora 10 e darkës. Tani mendova në Tirane ora është 4 e mëngjesit. Qëndroja pranë kompjuterit për të parë më shumë për lajmin. Portalet e shumta në Shqipëri kishin bërë punën e tyre. Një shoku im i viteve studentore administron portalin më të rëndësishëm kulturor në vend, në Albspirit.com ai shpërtheu fuqishëm ndaj kësaj tragjedie. Koeçidenca lidhej me faktin se ai e njihte nga afër nënën e re 28 vjeçe. Përshkrimi i tij ishte i mahnitshëm sa çdo gjë nuk kishte më kuptim në këtë jetë. Përse mundohen kaq shume njerzit sot! Çfarë vlere ka jeta pa dashurinë dhe të vërtetën!?
Po kështu edhe televizionet që i shikoja në këtë orë të vonët nëpërmjet youtubit flisnin gjatë. Atë natë shumë kanë fjetur me një ndjesi të vërtetë dramatike. Ngjarje të tilla kanë ndodhur vazhdimisht, por për mua ishte hera e parë që e përjetoja larg Shqipërisë. Kishte kaluar dymbëdhjetë e natës. Kishte hyrë dita tjetër e gushtit të përgjakur…

Qepenët e dyqaneve në Tiranë do të hapeshin, makinat të ndizeshin dhe jeta do të rifillonte si zakonisht. Vapa e këtyre ditëve dhe ngjarje të tjera që vinin nga Shqipëria për humbjen e jetës së një fëmije të pafajshme në një nga brigjet me të bukura shqiptare në Himarë kishte tronditur opinionin e një populli të tërë. Ajo vinte për pushime në Shqipëri me familjen që jetonte në Britani. Një motobarkë i mori jetën…

Ndërkohë fika ambazhurin dhe errësira e dhomës do të përthyehej nga një rrymë drite e zbehtë që vinte nga neoni i rrugës nëpërmjet grilave të dritares. Copa mendimesh atë natë kalonin nga Nju Yorku në Tiranë, në Himarën magjike dhe shpirtrat e familjeve të vrara nga këto ngjarje përziheshin dhe sikur nga oqeani në det dhe nga lartësitë e grataçieleve tek kodrat e bregut të jugut shqiptar, fytyrat e tyre përziheshin duke krijuar një trishtim tragjik ku jeta ndërpritet nga arsye të ndryshme por që shkakton dhimbje të njëjta në pafundësi!

Në dyqanin Apple një ditë pas tragjedive njerëzore….

Pas dy vjet pandemie ku humbjet njerzore ishin vertetë tragjike të dukej vetja me fat që po jetoje. Ora 11:00 duhet të shkoja tek dyqani Apple për të ndrruar baterinë e celularit, e cila kishte pësuar dëmtim. Një sallë e madhe ku brenda ishin mbi 50 – 60 persona të të gjithë moshave. Duke pritur për celularin ndoqa shpjegime leksionesh praktike që bëheshin për përdorimin e iPhone në kryrjen e fotove. Një vajzë shpjegonte disa burrave dhe grave të moshuara se si mund të realizonin foto. Një burrë nga më të moshuarit i veshur  me këmishë kafe e sandale, nga sytë e tij shikohej një vëmendje e madhe për të kuptuar efektet që sjellin aplikimi i programeve të veçanta. Ai gëzohej shumë kur mësonte diçka nga ky spjegim. Plaku mund te ishte mbi 70 e ca vjeç! Kur mbaroi leksioni të pranishmit u larguan të qetë, por në fytyrat e tyre buronte një kënaqësi. Të moshuarit ecnin ngadalë dhe falenderonin disa herë vajzën dhe dy djemtë e rinj që asistonin në kete leksion për 60 minutash.

Ata po mendojne se si t’i kenë më të bukura vitet që ju kishin mbetur duke u argëtuar me teknologjitë e fundit, ndërsa në anë të tjera jetë njerëzish të sapo çelura për të jetuar dhe ndoshta edhe në embrionin e fillesës mbetën të ngrirë duke u zhdukur nga kjo botë e zhurmshme dhe shpesh herë e padrejtë. Pse?! Dola nga dyqani Apple me mendimet e trazuara, por telefoni tani do të mbante më gjate për t’u lidhur me njerëzit, miqtë të afërmit kudo!

Jashtë retë ishin mbledhur dhe nga larg u dëgjuan bubullimat e para! Shiu do të vinte shpejt! Nxitova!

Naples, Florida, 10 gusht 2022.

Çerçiz Loloçi: In memoriam, fqinja ime, Ornela…

 

Please follow and like us: