Albspirit

Media/News/Publishing

Çerçiz Loloçi: In memoriam, fqinja ime, Ornela…

Fqinja ime, Ornela tani nuk jeton më, pati një vdekje tragjike nga ish-bashkëshorti i saj, ish aktor në disa filma shqiptarë, teksa jetonin për disa kohë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në pallatin tonë gjashtëkatsh parafabrikat, numër 31, me banorë të hershëm tridekadorë dhe me të rinj, me tre hyrje, aty te ish-Parku i Autobuzave, ajo jetonte me prindërit e saj të thjeshtë dhe me dy motrat, që tashmë janë martuar dhe kanë jetën e tyre.

Ornela, e vogla e fëmijëve, kishte mbaruar studimet e larta për infermieri, por edhe ishte një superyll, (mbase dhe më e hijshme se të gjitha aktoret e Hollivudit), disa vjet më e vogël se vajza ime, por edhe me një botë të madhe shpirtërore.

Familja e saj jetonte modestisht në katin e gjashtë, por po në atë hyrje ka banuar aktori dhe regjizori i njohur Sheri Mita, pak më tutje Koço Devole e Liljana Kondakçi, akomë më tej Edi Rama, etj.

Kam ndjekur me vëmendje të gjitha reagimet që janë dhënë për këtë ngjarje tragjike dhe kam parë që shumë syresh janë me ish-aktorin, që për shkak të profesionit ishte më i njohur në mjediset publike, por askush nuk ka pohuar se ai ka bërë një krim të rëndë. (Ka vrarë gruan në sy të dy djemve ose e ka detyruar të vritet. Asnjë lloj arti nuk e pranon vrasjen e një qenie njerëzore për hir të artit). Jo thjesht dhe vetëm nëse ai, i sulmuar nga xhindet e me besimin te Allahu, e detyroi bashkëshorten e dy djemve dhe të një krijese në bark për t’u hedhur nga kati i gjashtë, por sepse nga çdo kod pagan, fetar, njerëzor, universal është e papranueshme dhuna ndaj një krijese më të dobët, siç është femra. Ky është gjithashtu krim nëse do ta bënte jo një aktor periferik, por edhe Robert De Niro, Xhon Travolta apo kushdo tjetër artist i përmasave europiane apo botërore.

Jetën ta merr drejtësia ose Zoti, askush tjetër nuk e ka këtë të drejtë, përveç të çmendurve!

U prehsh në paqe Ornelëza e bukur, e hijshme, e hirshme!

Mjafton ky status, nëse është i vërtetë, për të parë se në ç’gjendje ka qenë Belliu.

Çifti shqiptar, Florind Belliu dhe Ornela Shehini, do të përcillen në banesën e fundit të mërkurën, njofton gazeta “Dielli”.

Ceremonia mortore për çiftin e bashkëshortëve që u hodhën nga kati i 6-të i pallatit ku banonin do të organizohet nga komuniteti shqiptar në New York.

Çifti ishin prindër të dy fëmijëve dhe ishin në pritje të fëmijës së tretë, pasi Ornela e ndjerë ishte shtatzënë.

“Nesër, më 10 Gusht 2022 nga ora 2 – 9 Pm në adresën e Funeralit: Farenga Brothers Funeral Home 920 Allerton Ave Bronx, NY 10469 (718) 654-0500, komuniteti shqiptar në New York e më gjerë do të përcjellë për në banesën e përjetshme bashkëshortët Ornela Shehi dhe Florind Belliu”, thuhet në njoftim.

Bashkëshortët u ndanë nga jeta tragjikisht, duke lënë jetimë dy fëmijët e tyre të mitur dhe në dhimbje e pikëllim jo vetëm familjarët dhe miqtë e tyrte, por çdo shqiptar e njeri të ndërgjegjshëm për tragjedinë.

Please follow and like us: