Albspirit

Media/News/Publishing

Rifat Ismaili: FESTA

Tregim
Ndala hapin në çast dhe ngrita veshët përpjetë. U çudita pa masë nga një zhurmë hapash, pak më tutje, që e prishën qetësinë e shëtitjes sime rituale bri lumit.
Nuk po arrija ende të shihja ndonjë gjē. U bëra akoma dhe më kureshtar dhe u afrova edhe ca duke mposhtur ndjenjën e ndrojtjes. Në breg të lumit, fare pranë ujit, pashë të kalonte një kolonë e vogël njerëzish. Ata kaluan fare pranë meje në heshtje dhe nuk më vunë re sepse u fsheha pas një druri. Burrat ishin veshur me pelerina, ndërsa gratë me fustane të holla vere. Ato mbanin nëpër duar disa shporta me ushqime dhe me fruta dhe dukej se ishin nisur të fushonin diku për të kaluar paraditen.
Ajo që më tërhoqi vēmendjen ishin veshjet e tyre, që nuk ishin të ditëve të sotme, por imitime tē së shkuarës, veshje që duhet të përkonin me kohërat pagane. Kjo kolonë e vogël dukej sikur po nisej drejt ndonjë feste që organizohej për të rikujtuar kohërat antike. Pas tyre ishin dhe dy burra që mbanin në duar vegla muzikore.
“Mbase kanë qenë në ndonjë kremtim, mendova, dhe tani po shkojnë tē shlodhen e pushojnë në ndonjë lëndinë të qetë, të pijnë dhe të këndojnë së bashku”. Nuk di pse ndjeva dëshirë të isha dhe unë mes tyre dhe të mos shëtisja më kështu i vetmuar.
 Përveç një fluture krahëbardhë, qē herë pas here shfaqej , më vinte gjer pranë fytyrës e më pas largohej, nuk shihej asgjë tjetër. Por ajo u largua në drejtimin nga vinin zërat, gjersa u shndërrua në një njollë dhe u bë njësh me qiellin.
Nga larg shquheshin profilet tërheqëse të vajzave, flokët e tyre i valëviste lehtas era dhe fustanet dukej sikur shkriheshin me ngjyrën e ujit, për të nxjerrë akoma më në pah linjat e bukura të trupave të tyre. Dëshira m’u ndez akoma më shumë dhe vendosa t’u shkoja pas për të parë se ku do ndalonin dhe çfarë do bënin më pas.
Muzikantët, në akordim mes njëri – tjetrit filluan t’ia merrnin me flaut dhe t’i binin daulleve. Ata i flisnin njëri- tjetrit me zë të lartë, qeshnin e këndonin, e herë pas here ndonjëra prej vajzave kërcente nën ritmin e ëmbël të melodisë, që dukej sikur u jepte atyre hare, gëzim, shpengim, dhe një lidhje të fshehtë me forca të panjohura e të mbinatyrshme.
– Asgjë, si gëzon mē shumë perënditë, sesa lëvizja e harmonishme e trupit, sidomos kur ajo ushtrohet nga vajza shtathedhura e të bukura si ju- u foli dikush prej burrave.
Disa prej vajzave qeshën me zë këmbues dhe u ndalën njē çast për t’u shlodhur dhe për të kërkuar njē vendqëndrim për t’u ulur.
-Vera, të qëndrojmë më mirë këtu!- i foli njëra prej vajzave asaj që po kërcente.
– Mirë, Suzi- i’u përgjigj ajo. Qenka vend fantastik! Vend i qetë dhe i fshehur.
– Po ti, Mira, si mendon? – iu kthye Suzi një tjetre, që ndodhej në fund të kolonës.
– Për mua kudo është njëlloj- i’u përgjigj vajza në fund të rreshtit. Burrat akoma s’ kishin thënë gjë, por vështronin herë vajzat e herë vendin përreth.
– Kanë të drejtë- i pëshpëriti në vesh Titi Luanit. Janë ca të lodhura. Vendi qenka i bukur. Edhe vetë zotit do t’i pëlqente këtu.
– Ej, Maja, i foli Vera një vajze tjetër. Vëri në këtë vend ushqimet.
Maja, një vajzë me flokët të zezë pis dhe trup të zhdërvjellët, e vendosi shportën që kishte mbajtur përgjatë gjithë kohës, në atë vendin ku e udhëzoi Vera. Pastaj ata u ulën të tërë përreth “sofrës”, që u sugjeroi natyra, një trung i madh i prerë pothuaj rrafsh, që shërbeu në vend të tavolinës. Morën frymë të lehtësuar dhe ngritën me duar paguret e ujit e kupat me verë duke uruar njëri – tjetrin, dhe duke falenderuar zotin për bujarinë.
Mē pas, për një copë herë, askush nuk foli. Rrinin në heshtje dhe vështronin me ëndje njëri – tjetrin.
Gjithçka që shihja dhe unë nga prapa pemës, po më dukej paksa e çuditshme.
I pashë sesi u rehatuan poshtë shelgjeve, nën barin e butë, duke krijuar një rreth të madh përqark një si statuje dhe sesi nisën të nxirrnin poçe me verë, mishra të pjekur dhe fruta, të cilët i vendosën me kujdes të madh mbi tokë dhe t’i ndanin në pjesë të barabarta. Filluan të hanin dhe të flisnin mes njëri -tjetrit me gëzim. I dëgjoja turbull zërat e tyre dhe nuk e kuptoja se ç’ thoshin. Po ajo që më çuditi më shumë teksa fshihesha pas trungut të pemës, nuk ishin ata njerëzit që po hanin e po pinin, po një djalosh i ri sa unë në moshë që nuk e di as vetë se nga mbiu. Ai ndodhej midis tyre si i barabarti me të barabartin, edhe pse dukej sheshit se ishte më i riu nga të gjithë, filloi të hante e pinte bashkë me ta si i babëzitur, duke e shqyer mishin sa me dhëmbë e sa me duar. Kishte të hedhur mbi shpinë një pelerinë të zezë me kapuç, që e mbulonte atë nga koka gjer tek këmbët dhe ngjante midis të tjerëve si një maçok i vogël e i zi.
Pasi të gjithë mbaruan së ngrëni e së piri, ai çunaku u ngrit, shkoi përballë një peme, pastaj u vendos përbri dhe i hodhi në heshtje një vështrim të përndezur rrethit të vogël të njerëzve.
Ndërkohë, pata mundësinë ta shoh më mirë dhe diçka më theri me forcë brenda gjoksit. U tremba dhe s’ doja ti besoja syve. Ai njeri më ngjante aq shumë, sa dukej sikur ishte unë. “Si ka mundësi”, pyesja veten. Si ka mundësi? Sikur të jem unë ose një vëlla binjak me mua. Çfarë po ndodh? Përse rastësisht ndodhem këtu? Po ky njeri që qenka një reflektim i imi përse m’u shfaq përpara syve dhe për çfarë arsyesh ndodhet këtu? Dukej se ishte mbisundues mbi atë grup njerëzish dhe sikur të gjithë, burra e gra së bashku e adhuronin.
Nuk po kuptoja më asgjë dhe mbeta në heshtje, duke vështruar atë binjakun tim dhe levizjet e tij. Në dorë ai po mbante një këmborë si ato të deleve , të cilën nisi ta shkundte fort, gjithnjë e më fort. Të gjithë u ngritën në këmbë si të magjepsur dhe pasi rrëmbyen nga toka gurë e rërë, i’u afruan një e nga një atij djalit. Ai u prekte lehtazi fytyrën dhe u fërkonte ballin e flokët me gishtërinjtë e tij të vegjēl, pastaj i puthte, e secili prej tyre, pasi kryente një si lloj riti të pakuptueshëm për sytë e mi shkonte pak më tej e vihej në rresht. Kështu u krijuan dy rreshta me burra e gra përballë njëri- tjetrit. E uli këmborën në tokë dhe u dha shenjë muzikantëve t’ia nisnin kēngëve e valleve. Pastaj duke vështruar i ngazëllyer në drejtim të të rinjve, u dha shenjë atyre me një përplasje të lehtë duarsh, që të nisnin festën e ditës së pranverës e të pjellorisē, që ishte e bekuar nga vetë perënditë.
Vajzat u zhveshën të tëra lakuriq dhe të mbërthyera secila nga një burrë u shtrinë së bashku në rërë, ku vithet e tyre të mbështetura fort pas tokës nën aktin seksual që po kryenin lanë gjurmët e siluetave të tyre që vetëm pas ndonjë shiu të rrëmbyeshëm mund të fshiheshin. Djali me pelerinë të zezë kapërcente nga njëri çift tek tjetri, dukej sikur u jepte zemër me fjalë të ëmbla, ulej përbri tyre duke u’a prekur femrave sisët me duar, ndonjërës i’a mbante nën gishta thithkën ngjyrë rozë për ndonjë kohë më të gjatë e cila ngazëllehej e niste të rënkonte më shumë nga pesha e rëndë e burrit që mbante sipër barkut. Ata e vështronin djaloshin që më ngjasonte si të hipnotizuar dhe gati me babëzi e bekonin me fjalë të ëmbla atë dhe perëndinë që po u dhuronte një kënaqësi të tillë.
Dukej sikur ai djalosh zotëronte kordat e shpirtrave të tyre, gjymtyrët, lëvizjet, rënkimet, sikur të ishte zemreku i veprimeve të tyre. Pastaj ai ulej, tek ndonjë tjetër prej çifteve, vështronte me ëndje këmbët e zhveshura të gruas, ia kalonte gishtërinjtë nga pulpat gjer tek thonjtë e gishtave të këmbës, ua hapte dhe cikte lehtaz sikur të kërkonte atje diçka të fshehur, sikur po i binte harpës. Dukej i tronditur e magjepsur njëkohësisht nga ajo mori trupash lakuriq që u shndritnin lēkurët ende më shumë nën diell, nën ato rrezet e qashtra, të ngrohta e shpresëdhënëse të mëngjesit. Dukej sikur ai kishte ëndje të pafundme për lakuriqësinë, sikur të gjente atje burimin e vetë jetës, ujin, bukën, shijen e kripës e të gjakut. Ai sikur provonte atë shijen e ëmbël të harresës, të arratisë përtej kufijve të vetvetes, përtej botës dhe universit, duke rrokur me mendje shqisa e përmasa të pangjashme e të pakapshme për vetë njeriun, qenësinë e tij të vdekshme. Ishte diçka që kishte të bënte më shumë me ëndrrën.
Atje prapa drurit nuk po u besoja syve për ato që shihja, sa nuk dija ç’kuptim kish ajo dhënie e marrje trupash të shtrirë përtokë, që më shumë ngjante me njē kacafytje e përleshje, por pa të vrarë. Nuk mund t’i kuptoja dot ofshamat, ulërimat, por edhe qeshjet e tyre histerike. As harbimin e kafshimeve e puthjeve të ëmbla. Pasi ndjenja i trembur dhe i fshehur pas trungut të gjerë të një pishe për një kohë tepër të gjatë, filluan të më mpihen gjymtyrët, të ndjej lodhje dhe të më kaplojë një si mërzitje. Doja të ngrihesha e të shmpija këmbët, por kisha frikë mos më shihnin. Përveç kësaj, një forcë e pashpjegueshme më mbante ende atje, më joshte e turbullonte, një forcë e tillë krejt e panjohur për mua.
Më pas, pashë se si burrat u ngritën njëri- pas tjetrit dhe nisën të zhdukeshin andej nga kishin ardhur, disa prej tyre hynin në lumë e laheshin, ndërsa vajzat rrinin ende të shtrira si të kishin vdekur, ashtu të lodhura e të përgjumura.
Unë në fillim u tremba për to, por kur pashë se ato herë pas here hapnin sytë dhe vështronin qiellin duke i buzëqeshur, u lehtësova ca në shpirt. Ai çunaku me pelerinë të zezë rrinte ende mbi vithet e njërës prej tyre e po i kundronte të gjitha si një sy vetëtime që donte t’i përfshinte dhe fiksonte të gjitha nën dritën e saj. Ndjeva se si mu mpi akoma më tepër njëra këmbë duke ndenjur i shastisur e i palëvizur për një kohë të gjatë pas pemës. Ndaj u ngrita ca që të shmpihesha, por gjatë lëvizjes, një degë fëshfëriu dhe çunaku me pelerinë të zezë, e ndjeu zhurmën dhe ktheu kokën në çast. U pamë të dy ndër sy për një grimë të habitur, pastaj ai tjetri e mblodhi shpejt veten, vuri lehtaz buzën në gaz dhe më ftoi me dorë që t’i afrohesha. Mbeta për një çast i shtangur dhe duke ngurruar, por sapo u zgjova prej hutimit, desha t’ia mbathja prej trembjes. Nē sytë e binjakut vura re diçka të mistershme, jo njerëzore. Po atë çast, një flutur e bardhë krahëshkruar më kaloi vetëtimthi pranë kokës dhe pasi përshkoi pak metra, shkoi dhe u ul në dorën e djalit me pelerinë të zezë që i ngjante maçokut. Atij i ndritën një çast sytë si të ishin dy thëngjij të ndezur, pastaj ata morën përsëri ngjyrën e mëparshme. Ai e mblodhi shpejt veten, vuri prapë buzën në gaz dhe duke më dëftuar fluturën në dorën e tij dhe trupat e njomë vajzërorë, më ftoi rishtaz të shkoja tek ai. Unë brofa në çast, u ktheva mbrapsht dhe ia mbatha me të katra përmes një are të vogël të mbjellë me luledielli. Duke vrapuar zemra më rrihte fort dhe sytë i kisha ende të përlotur. Në fillim më kishin ndjellë aq shumë ato vajzat, sa isha gati të shkoja tek ato, por pata shumë frikë. Një forcë e pavetëdijshme vetmbrojtjeje më mësoi të ruhesha prej çunakut që më ngjasonte si të ishim vëllezër binjakë, ose sikur të isha unë vetë. Ndaj ndjeva shumë frikë prej tij. Vrapova pareshtur, mes arës me luledielli, mbërrita tek një korije e vogël me qiparisa, pastaj u ula mbi bar dhe mora frymë thellë e paksa i lehtësuar. Kisha ende brenda tërë qenies, shikimin e çuditshëm të atij tjetrit.

Dimër 2003.

 

Please follow and like us: