Albspirit

Media/News/Publishing

Bedri Dedja: AKADEMIA E SHKENCAVE NË UDHËN E SAJ

AKADEMIA E SHKENCAVE NË UDHËN E SAJ

 

1.

Atdheu ynë kapërceu udhët e shekujve si një maratonomak dhe përmes mjegullës së barutit të luftës për liri e pavarësi, çau përpara edhe mendimi shkencor shqiptar, i lidhur ngushtë me të. Kjo ishte koha e Rilindjes kombëtare shqiptare, kur mendimi shkencor politik-shoqëror shqiptar u bë flamur beteje dhe shënoi një hap të rëndësishëm përpara, për të ravijëzuar siluetën e shkencës kombëtare shqiptare me karakter luftarak, me karakter aksioni. Mëndjet më të urta të shkencëtarëve rilindas u dhanë zgjidhje problemeve më akute të kohës dhe prodhimtaria e tyre shkencore nisi që nga a-ja, nga librat më të thjeshta, nga tekstet e para origjinale elementare të shkollës shqipe. Kjo ishte koha kur shkencëtari i madh shqiptar, Sami Frashëri, me veprën – kushtrim “Shqipëria çka qënë, ç’është e ç’do të bëhet“, erdhi me intuitën e vet, duke besuar në energjitë e pashtershme krijuese të popullit të tij, te ideja e Akademisë së shkencave të Shqipërisë. Te kjo ide erdhi edhe Mësuesi i Popullit Sali Nivica. Më 1914, fill pas shpalljes së Pavarësisë, kur me ndihmën e Ismail Qemalit ai u caktua të drejtonte kursin e gjuhës shqipe në Robert Kolexh të Stambollit, për njëzet shqiptarët që ndodheshin atje, ai shkroi artikullin “Nevoja e një akademie“, të cilin e dërgoi për botim në Shqipëri. Dritën e botimit ky artikull e pa vetëm pas vdekjes së tij, në mars 1921. Në fund të këtij artikulli ai thoshte: “Me ba me u themelue një këso ndërtese në Shqipëri (fjala është për Akademinë e Shkencave), atëherë unë do të besoja që mrekullitë s’qënkëshin sall për profitat, por i bakan edhe shqiptarët“.

Po të tilla mrekulli, kuptohet, as që mund të ëndërroheshin në 40 vjetët e parë të shekullit të 20-të, kur u hapën plagë të reja në trupin e Atdheut, kur rendi feudo-borgjez i vuri barikadë të pakapërcyeshme zhvillimit të mëtejshëm të traditës shkencore dhe kulturore të Rilindjes kombëtare shqiptare. U deshën edhe tre dekadatë tjera që ne të vinim te realizimi objektiv historik i kësaj ideje të rrahur gati në njëqind vjet. Kjo është udha historike, përmes së cilës ne arritëm te Akademia e Shkencave të Shqipërisë.

Pas Luftës së Dytë Botërore, shkenca e re shqiptare u bë element zotërues në jetën tonë; ajo eci përmes arsimit të masave, shkollës së parë të lartë më 1946, të parit institut modest të mirëfilltë kërkimor të shkencave në 1947, të krijimit të disa shkollave të larta e të disa instituteve kërkimore, të Universitetit të Tiranës e gjer te 10 tetori i vitit 1972, kur doli dekreti i Presidiumit të Kuvendit Popullor që bëri realitet juridik themelimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

2.

Sigurisht, është shumë vështirë të flasësh për rrugën 30-vjeçare të shkencës sonë pas Luftës së Dytë Botërore, përmes instituteve të mirëfillta kërkimore. Aq më shumë sot, kur në të japin një kontribut të shquar me dhjetëra e dhjetëra kolektiva e bërthama të shpërndara në të katër anët e vëndit, në sektorët e industrisë dhe bujqësisë, kur në të marrin pjesë aktive institutet e larta mësimore me Universitetin e Tiranës në qëndër, kur numërojmë mbi njëzet institute kërkimore jashtë sistemit të Akademisë, pa folur më për nëntë institucionet shkencore që përfshihen në Akademinë e Shkencave. Ky sistem angazhon sot, jo me qindra, por disa mijëra punonjës që kontribuojnë në punë shkencore. Të gjitha këto janë arritur nëpërmjet rrugës së sakrificave dhe punës vetëmohuese të popullit tonë, i cili brënda një periudhe të shkurtër “i pagoi“ të gjitha haraçet që na lanë shekujt e kaluar me prapambetjen e madhe ekonomike, kulturale, analfabetizmin, si dhe arsimin kombëtar të lënë krejt pas dore. Brënda këtyre 30 vjetëve, vëndi ynë u kthye në një vend, i cili zhvillon me sukses revolucionin tekniko-shkencor, ku metoda shkencore e drejtimit ka filluar të bëhet natyrë e dytë në të gjitha qelizat e jetës dhe të shoqërisë sonë, ku në shkencat teknike dhe natyrore po bëhet gjithnjë e më e fortë fjala e teknikëve, inxhinierëve dhe shkencëtarëve tanë, të cilët me forcat e veta po zgjidhin probleme konkrete të industrializimit dhe të modernizimit të bujqësisë; ku në shkencat shoqërore është arritur një nivel i lartë zhvillimi, i cili bën që fjala jonë në këto shkenca të tingëllojë me autoritet edhe jashtë kufijve të vëndit.

Një panoramë, sado sintetike e këtyre zhvillimeve shkencore të instututeve që përfshin Akademia tregon se sa drejt dhe sa në kohë u nuhat momenti i themelimit të saj, si një nevojë objektive, reale dhe logjike, si një kërkesë, për të cilën ishin pjekur kushtet dhe si një domosdoshmëri për të bërë hopin e ri cilësor në zhvillimin e mëtejshëm të shkencës, në organizimin, drejtimin dhe metodologjinë e saj.

3.

Po të hedhim vështrimin në udhën e tri dekadave,do të kujtojmë vështirësitë e para, sukseset modeste që arritëm në fushën e kërkimeve shkencore në vitet e para të pasçlirimit. Në njërin numër të Buletinit të ish Institutit të shkencave më 1954, duke shkruar për zhvillimin e shkencës sonë gjatë dhjetë vjetëve të parë, me të drejtë e me krenari shënoheshin si çapa të para përpjekjet për ta lidhur studimin me zgjidhjen e problemeve që shtronte zhvillimi ekonomik e kulturor i vëndit. Atëherë sapo kishin nisur studimet tona mbi florën spontane të vëndit, mbi bimët helmuese që dëmtonin bagëtitë dhe bimët e këqia që dëmtonin kulturat bujqësore të vendit, sapo kishte filluar studimi i hollësishëm i klimës së Shqipërisë, mbi mbrojtjen e fushave të kultivuara nga erozioni, mbi zbulimin e mineraleve të reja, etj. Atëhere kishte shumë pak sektorë shkencorë, një shërbim të thjeshtë hidrometeorologjik dhe një numër komisionesh me punonjës të jashtëm për një seri fushash studimi. Në fushën e shkencës shoqërore, përsëri me shumë të drejtë, shënoheshin si suksese hartimi i historisë së Shqipërisë për shkollat e mesme, fjalori shqip i vitit 1954 dhe gramatikat e sintaksat shqipe për shkollat tetëvjeçare dhe të mesme.

Që nga ajo kohë kanë kaluar vetëm njëzet vjet. Dhe vetëm në kuadrin e institucioneve kërkimore të shkencave teknike dhe natyrore të Akademisë janë arritur suksese që vërtet kanë shënuar një hop cilësor në këto fusha dhe për disa drejtime kanë bërë që fjala e punonjësve tanë shkencorë të dëgjohet me respekt në forume shkencore ndërkombëtare për gjeologjinë, sizmiologjinë, hidrologjinë etj. Në këtë aspekt, mjafton të përmendim fushën e studimeve tona hidrometeorologjike: nga një zyrë e thjeshtë hidrografike pranë ish-Ministrisë së Punëve Botore dhe një zyrë meteorologjike pranë ish-Ministrisë së Bujqësisë, me të cilat i gjeti çlirimi i vëndit këta sektorë, më 1949 u kalua në shërbimin e rregullt hidrometeorologjik pranë ish-Institutit të Shkencave dhe më 1962, në Institutin e Hidrometeorologjisë, i cili sivjet feston 25-vjetorin e fillimit të aktivitetit të vet. Kuadri shkencor i këtij Instituti, në krahasim me vitin 1949, është trembëdhjetëfishuar, pikat e matjes hidrometrike dhe meteorologjike, nga 93, kanë arritur në 388. Instituti përfundoi veprën “Klima e Shqipërisë“ dhe një sërë studimesh shumë të rëndësishme, të lidhura me ndërtimet hidroenergjitike, me sigurimin e ujit për qëndrat e banuara, me zhvillimin e lundrimit, të bujqësisë, të pyjeve, të komunales, etj. Kështu, është krijuar baza për të kaluar së afërmi në përfundimin e veprave me rëndësi të madhe ekonomike e shkencore, siç janë “Atlasi Klimatik i RPSH“, “Hidrologjia e Shqipërisë“ dhe “Kadastra e ujërave të RPSH“.

Megjithëse sektorë të rinj, kontribut të shquar në ndërtimin e vëndit kanë dhënë edhe Laboratori i Hidraulikës dhe Qëndra Sizmologjike. Zgjidhja e problemeve hidraulike të disa hidrocentraleve, impianti i pastrimit hidraulik të fosforiteve etj. hapën rrugën e punës kërkimore nëpërmjet modelimeve hidraulike. Hartat e rajonizimit sizmologjik, të sizmoteknikës, si dhe puna përgatitore për Katalogun e tërmeteve shqiptare, bënë të mundur që në Qëndrën Sizmologjike, jo vetëm të grumbullohet një material i pasur shkencor dhe përvojë kërkimesh, po edhe të jepet kontribut me kompetencë nga institucioni ynë përkatës në studimin e sizmicitetit të Evropës dhe të Ballkanit. Punonjësit tanë shkencorë në këtë fushë janë tani bashkautorë të veprave shkencore ndërkombëtare “Katalogu i tërmeteve të Ballkanit“, “Harta sizmotektonike e Ballkanit“, si dhe “Harta sizmike e Evropës“.

Fusha krejt të reja që u krijuan në këta tridhjetë vjet në shkencën tonë janë edhe kërkimet në fushën e përdorimit të metodave matematike llogaritëse e të programimit për zgjidhjen e problemeve të prodhimit, duke ndërtuar e studjuar modelet matematike të këtyre problemeve. Qëndra e Matematikës Llogaritëse e Akademisë së Shkencave ka arritur gjer tani të vërë në përdorim me sukses metodat e saj në fushat e energjitikës, ndërtimit, bujqësisë, mekanikës, gjeologjisë, statistikës, planifikimit, etj. Rezultate të këtyre përdorimeve kanë qënë, gjithashtu, me leverdi ekonomike. Ndërsa Instituti i Fizikës Bërthamore punon në një nga degët më të gjëra dhe më të aplikuara të mendimit të sotëm fizik, në përdorimin e energjisë bërthamore e të metodave të përpunuara nga fizika bërthamore. Tani për tani, ky Institut e ka përqëndruar vëmëndjen në përdorimin e rrezatimeve e të indikatorëve radioaktivë në fusha të ndryshme të prodhimit. Ai tani po kërkon rrugë të reja, në drejtime me vlerë aplikative dhe teorike, siç janë fizika e neutroneve dhe aktivizimi neutronik, elektronika bërthamore dhe efektet e rrezatimit në problemet e konservimit të produkteve biologjike etj.

 

4.

Një stimul të madh zhvillimi pas Luftës së Dytë Botërore patën shkencat tona gjuhësore, letrare, historike. Këto shkenca do të luanin një rol të madh më zhvillimin e kulturës sonë, në frymëzimin dhe edukimin e masave punonjëse dhe të brezit të ri. Ato do të bëheshin dhe u bënë faktikisht një bazë e fuqishme për krijimin e arsimit tonë, me të gjitha hallkat e tij, si dhe për edukimin dhe kalitjen e kuadrove të reja. Me këtë zhvillim që morën këto degë, shkenca mbi Shqipërinë u strehua më në fund në atdheun e vet; shkenca albanologjike krijoi detashmentin e vet të shkencëtarëve shqiptarë, të cilët dhanë dhe japin një kontribut të shquar me veprat e tyre; fjala e tyre sot në çdo forum ndërkombëtar shkencor është fjalë kompetente dhe me autoritet, të cilën e dëgjojnë me respekt gjithë albanologët e huaj. Të gjitha këto erdhën si rezultat i një pune të organizuar dhe të planifikuar mirë si dhe nga zbatimi me rigorozitet i koncepteve dhe metodave shkencore.

Kështu, historiografia shqiptare pas çlirimit të atdheut përfshiu për herë të parë historinë kombëtare në gjërësinë e së vërtetës, si një histori që u zhvillua që nga kohët më të lashta; studjoi proceset parësore ekonomike-shoqërore që përbëjnë tabanin e saj, veprimtarinë e masave popullore në shumanshmërinë e saj, etj. Ajo studjoi me baza edhe historinë politike, edhe atë të kulturës, duke shpjeguar drejt lidhjen e shëndoshë midis bazës dhe superstrukturës, veprimin dhe ndikimin e tyre reciprok. Gjithë puna që u bë gjeti konkretizimin e saj sidomos në hartimin e “Historisë së Shqipërisë“, vepra më madhore në këtë fushë, me tri vëllime.

Shkenca jonë historike, me rezultate të mëdha në fushën e arkeologjisë, të studimeve të historianëve të mesjetës, të historisë së re dhe të sotme, është ngritur tani në një shkallë të tillë që lejon të kalojmë në një fazë të re të inensifikimit dhe thellimit të kërkimeve, duke iu futur monografive madhore për çështje të periudhave të ndryshme, si dhe botimit të veprave dokumentare me vlerë të madhe burimore. Për këtë hop dëshmojnë përfundimi i historisë së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, puna që po bëhet për historinë e shkollës dhe të mendimit pedagogjik shqiptar, për historinë e mendimit politik-shoqëror, për historinë e ekonomisë popullore si dhe aksioni më i madh shkencor në kuadrin e 30-vjetorit të Çlirimit, Konferenca Kombëtare e studimeve për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar që i kurorëzoi me sukses punimet e veta më 8-11 nëntor të këtij viti.

Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, kohët e fundit botoi veprën Historia e Letërsisë Shqipe në dy vëllime. Kjo vepër përbën një kontribut në studimin e procesit letrar nga pozita më të shëndosha metodologjike, sjell në shumë raste interpretime të reja në krahasim me botimin e vitit 1959, duke mënjanuar në këtë mënyrë tendencat e idealizimit dhe të shikimit të njëanshëm të disa periudhave, fenomeneve e figurave të së kaluarës.

Gjuhësia jonë arriti një fazë të lartë cilësore me një numër të madh veprash, të cilat gjetën një kurorëzim të shkëlqyer në Kongresin historik të Drejtshkrimit të vitit 1972. Duke u mbështetur në këto vepra, jo vetëm u hodhën bazat shkencore të mësimit të gjuhës shqipe në të gjitha kategoritë e sistemit arsimor, por edhe u ndriçuan faktorët shoqërorë e gjuhësorë që çuan në formimin e një gjuhe letrare kombëtare të njësuar, u zbuluan veçoritë kryesore strukturore e funksionale të shqipes së sotme letrare dhe prirjet e mëtejshme të kristalizimit të formës së saj. Krahas problemit të formimit të gjuhës letrare të njësuar, gjuhësia jonë, në këta tridhjetë vjet ka ndjekur problemet e kulturës së gjuhës, duke kaluar nga “Ortografia e gjuhës shqipe“ e vitit 1951, te veprat me rëndësi historike për kulturën kombëtare: “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe“, “Fjalori drejtshkrimor“, “Rregullat e drejtshkrimit“ etj. Tashmë ne kemi në fondin e kësaj shkence vepra monumentale, si ato që u përmendën më lart;Studimet etimologjike, Gramatika normative, Dialektologjia, Fjalori normativ i gjuhës shqipe, që janë në përfundim ose në punim e sipër, brënda pak vitesh do të shohin dritën e botimit.

Folkloristika shqiptare, me botimet e shumta dhe studimet e saj, ka merituar respektin e madh jo vetëm brënda vendit, por edhe jashtë tij, duke pasur meritat e trajtimit tëmjaft problemeve me rëndësi praktike dhe teorike për ekonominë e vendit, siç janë studimet në fushën e marrëdhënieve të drejtimit e të planifikimit të ekonomisë, të marrëdhënieve në fshat, të marrëdhënieve të shpërndarjes e të shpërblimit të punës, të përsosjes së organizimit e të drejtimit të furnizimit material-teknik, të prodhimit nëpërmjet përqëndrimit, etj.

 

5.

Krijimi i Akademisë së Shkencave, si rezultat objektiv historik i zhvillimit tridhjetëvjeçar të shkencës sonë dhe si domosdoshmëri për të kaluar në një etapë të re të drejtimit, të organizimit, të planifikimit e të metodologjisë shkencore, nuk ka asnjë dyshim se para punonjësve të shkencës sonë shtron detyra të reja dhe shumë të ndërlikuara. Në këtë mes, roli i Akademisë së Shkencave ka karakter parësor; ajo duhet të japë shembull, duke vënë në lëvizje organizmat e saj, seksionet, për t’i bërë ato tribuna të vërteta të zhvillimit të mendimit tonë mbi drejtimet e reja shkencore që duhet të zhvillojmë në të ardhmen, për të bërë vëzhgime në institucionet shkencore dhe për të dhënë ndihmën e saj të kualifikuar për problematikën shkencore, për metodat, për mjetet e kërkimit shkencor, për studimin me shumë vëmëndje dhe për zgjidhjen e problemeve të rritjes së cilësisë së punës shkencore, si dhe të drejtimeve të reja më të domosdoshme të zhvillimit perspektiv të shkencës sonë. Për ne duhet të jetë e qartë, se ngritja e nivelit teorik të shkencës sonë duhet të jetë një nga detyrat themelore të Akademisë, të institucioneve të saj kërkimore, si dhe e të gjithë punonjësve shkencorë.

1974.
Please follow and like us: