Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: “Lunatik”, një poezi e mendimit

Vështrim i shpejtë mbi librin me poezi “Lunatik” të Dea Toçit
Dea Toçin para disa ditësh na e paraqiti artisti Timo Flloko. Vajzë me sharm, si business woman në veshje, jo koketë, e re, në të tridhjetat. Madje me një vështrim pak skiç.
Timo paraqiti dhe librin e saj me poezi titulluar “Lunatik”.
Në tryezë ishte Ismail Kadare dhe publicisti e prozatori Ç. Loloçi. Timo Flloko foli për poezinë e saj… më tej… recitoi një poezi, që rimerrte motivin e poezisë “Mall” të Kadaresë.
Sipas Timo Fllokos poezia e Deas ka ide, është një poezi që merr përsipër të thotë, të kumtojë.
Librin e mora dhe një dy… tri poezi… e lexova deri në fund. Artisti i mirënjohur Timo Flloko kishte pasur të drejtë.
Më poshtë po shkruaj dy fjalë për atë arsye që dikushi ka thënë: çdo fukara është vëllai im. Në këtë rastin tonë, për atë që… gjithkush që shkruan një libër, është vëllai im.
Në parathënien e librit autorja thotë se gjithë libri është shkruar në vitin e fundit, se këtu ka zbrazur “ndjesitë dhe forcën e besimit të saj”, se nuk ka pasur ndonjë plan por ka shkruar “duke ndjekur rrugën që më çonte te shpirti”. Më tej thotë se mësoi të shprehet kur mësoi të jetë me veten, kur mësoi për sfidat e sprovat e jetës… se lunatiku është dikushi që vërtitet majës më të lartë, por dhe drejt rrëzimit me faqen përtokë… etj, etj.
Më mirë të na i kursente këto vetë-thënie. Poezia e saj në arritjet më të mira, është më e mençur se sa qëllimet morale a didaktike të parathënies a të disa prej poezive të këtij libri.
Thelbi i poezisë së saj është të ai vështrimi skiç. Të inteligjenca e kapjes së disa temave e motiveve vërtet të mprehta dhe te kirurgjia e të shprehurit ashpër, lirshëm, hapur. Ashtu si e meritojnë tema të tilla. Toni i hidhët, mospajtues, gjuha jo poetike, jo e lëpirë por me ftohtësinë e tehut të thikës, shpotia e sakazma… këto janë vlerat e të rejat e librit. Humori aty ndonjëherë shpërthen natyrshëm në të qeshurën që nuk e mban dot, por ndonjëherë është i ngulët si një gozhdë drejt në plagën që dhemb.
Për një autore që bën librin e parë, të arrish kaq, nuk është pak.
Sa për atë dramacitetin e majës dhe përplasjes te fundi, që përbën lunatikun sipas autores, nuk duhet të vramendemi. Autorja poezitë e pasionit, a të mungesës së tij i ka nën nivelin e pozive të tjera të librit.
Ajo sjell një poezi të mendimit, te paradoksi, te grotesku… jo një poezi të ndjenjës. As të figurës. Ajo realizohet në poezitë që me logjikë marrin një ide dhe e çojnë atë poetikisht deri në fund. Pa fjalë të tepërta, pa zbukurime, pa barrok.
Ky është suksesi i saj.
Me guxim ajo kap tema që fshikullojnë sjellje e mënyra të menduari të bashkëmoshatarëve të saj. Qullosjen e burrave, zhveshjen e pangopur sa pa ia gjetur ende fundin lakuriqësisë së disa prej femrave të sotme. Prostituimin e gjithëfarshëm që ia ka marrë “nderin”, “respektin” prostitutës së dikurshme.
Në poezinë “Një histori” ajo me guxim sjell ngjarjen e Librazhdit kur vjehrri e vjehrra i bëjnë vidio tradhtisë së nuses së djalit. Një temë e ditës. Trajtuar në dramacitet dhe në ironi.
Është një nga temat magjistrale të librit. Kur marrëdhëniet në çift janë marrëdhënie të mashtrimit, të prostituimit, të përdorimit cinik të tjetrit, përfundimet e poshtërsive do t’u bien mbi kokë të dy palëve.
Autorja… skeptike, por e rreptë porosit: “gjeni dashurinë… ose lakuriq rrini”.
Te poezia “Moto” është e prerë: “Ku nuk ke pulën/ ha sallatë/ por mos e prano një sorrë në pjatë”.
Përtej porosive të forta, satirës, groteskut, fshikullit për paudhësitë e brezit të vet, në nëntekstin e gjithë librit rrëshqet brenga për rrënimin dhe mospërsosjen e njeriut. Një ndjenjë fisnike.
Disa nga poezitë më të arrira: Dashuruar me dashurinë, Çunit tim imagjinar, +18, Gra e burra, Vjehrrës, Sikur të isha djalë, Një histori, Sezoni i brekëve, Paradoks, Monolog 39+, Këngë e vjetër popullore, Cheers, Dimër, Gjysmë plot apo gjysmë bosh.
Këto janë disa përshtypje nga një lexim… jo një analizë e plotë mbi këtë libër përurues për autoren. Një libër që premton për më tej.
Please follow and like us: