Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Familjet e fisme Mukajt dhe Papavangjelajt në faqet e një libri

I dashur Vasil Muka, të përshëndes!

Libri yt më kthen në mesin e viteve ’70. Në lagjen Pazari i vjetër ku jetonte familja e Fridës, motra dhe nëna e saj Evanthia Bozgo, vjehrra ime.

Mbas vitit 1974 unë kam patur aty familjen time, djemtë e mi.

Në fillim me kohë të pjesshme, më pas me kohë të plotë, u bëra banor i asaj lagjeje. Ishim gati strehë më strehë me Mukajt.

Atëherë ishte një tjetër  lloj gjitonie. Dyert liheshin gati hapur dhe fëmijët, hynin vrullshëm nga një shtëpi në tjetrën. Fëmijët e mi janë rritur kështu me fëmijët e Mukajve. Djalit të Panos, Janit, çunat e  moshës së djalit tim, i këndonin një këngë: Jani Muka/me baluka/mbaji flokët /se t’i nduka.

Jani kishte një kaçube të bukur flokësh.

Lagjia ishte e pjerrët, e gurtë sa të shkisnin këmbët. Po pllakat e rënda të gurëve mbi çatitë e shtëpive nuk të mbysnin. As avllitë me mure të larta, as portat e drunjta me pafta hekuri të rrahur si të kështjellave. Kishte një ndjenjë të hollë nazike që i depërtonte muret, portat, kalldrëmet.

Kjo lloj ndjeshmërie vinte nga ajo që quhej sojllëku i gjirokastritëve. Sjelljet e tyre të mira të terezitura midis përzemërsisë, hatërit dhe distancimit të butë. Askush të mos lëndohej.

Në shtëpi vjehrra më fliste vaçan për Mukajt. Për atë që ishin një shtëpi tregtare me emër të mirë. Nga ato me të cilat e ke për nder të bësh miqësi e krushqi. Vjehrra ime ishte zagorite, e rritur në Gjirokastër, kishte dhe një vëlla beqar inxhinier… Atë me këtë familje si dhe me Papavangjelajt e lidhte “origjina” e saj shoqërore. I ati i saj kishte qenë një tregtar i firmës “Vëllazëria Duda”, firmë e njohur e atij qyteti, e shpronësuar pas 1944-ës.

Lagjia, këto histori të vjetra nuk i përmendte hapur. Por aty… ishin. Ishin në të sjellat e fisme të njerëzve, në atë hijeshi zakonesh që mbeten, edhe kur njerëzit u përshtaten ligjeve që mbi ta vendosen dhunshëm.

Mbaj mend shumë gjëra, por nga ky libër mësova dhe sa shumë që nuk i dija.

Me Vasilin më pas kemi punuar në gjimnazin e qytetit. Kemi qenë kolegë të mirë.  Mua më ka lënë gjithmonë të kënaqur ajo sjellje e ekuilibruar dhe përkrahëse që më ka dhënë Vasil Muka. Në çdo punë njeriu gjen mbështetje shpirtërore në ata që i quajmë “njerëz të mirë”. Këta njerëz të mirë edhe me një përshëndetje “ndryshe”, dhe me një buzëqeshje, me një shkelje sysh… edhe kur nuk ta shpallin hapur miratimin, të kanë dhuruar një ndihmesë të çmuar për të jetuar e punuar në kohë të vështira.

Këta ishin Mukajt.

Mukajt shpërndanin siguri e miqësi për të gjithë ata që i njihnin, për gjithë ata me të cilët punonin e jetonin bashkë në lagje e kudo.

Kjo nuk është pak në ato kohë kur politika ishte agresive e shpesh e pamëshirë për ata që doni të bënin mirë.

Këto janë disa përshtypje.

Ky është një libër që meriton një studim profesional . Mua më ka befasuar ajo që miku im Vasil Muka, ka treguar vullnet, zotësi dhe ndërgjegje historike për ta shkruar këtë dëshmi me përgjegjësi. Një dëshmi që i bën nder Gjirokastrës jo vetëm familjes së tij.

Ju uroj gjithë të mirat atij dhe gjithë Mukajve kudo që janë.

U jam mirënjohës për aq sa jetuam pranë e pranë dikur. Më dhanë një shenjë nga kohërat e mira të dikurshme, kur njeriu vlerësohet për vlerat që mbart si njeri, si individ dhe si familje.

Suksese e urime për ty miku im, Vasil Muka.

Ymer Çiraku: NJË LIBËR PËR BABAZOTËT

Një libër monografik që shkon përtej dy familjeve Mukaj dhe Papavangjeli

Please follow and like us: