Sulejman Mato: Kanë ndodhur shumë gjëra
Disa kanë vdekur
të tjerë kanë ikur,
disa kanë ecur,
të tjerë kanë dremitur.
disa kanë rënë,
të tjerë janë ngjitur,
disa kanë mbetur
me sy të habitur.
Dhe e gjithë kjo ka ndodhur
krejt papritur.
Dikush është bërë president,
një tjetër shkrimtar,
dikush është bërë disident,
një tjetër tradhtar.
dikush është bërë deputet,
një tjetër kamarier,
njëzet gazeta gënjejnë çdo ditë,
njëzet të tjera vjellin vrer.
Kanë ndodhur shumë gjëra,
që s’i kuptojmë as unë as ti.
Jeta është bërë tjetër jetë,
njeriu tjetër njeri.
× × ×
Na e vodhën demokracinë politikanët dhe karrieristët
E futën nëpër vetura,
e ngjitën nëpër podiume,
e përplasën nëpër salla
plot dritë diplomatike.
Tani s’na mbetet gjë tjetër, veç të vajtojmë për ty,
demokracia ime…
× × ×
Na gënjyen të gjithëve dhe na lanë.
Sa filluan shtërngatat e shirave
ikën një nga një,
pa kuptuar.
Unë mbeta i vetëm
me iluzione në duar.
× × ×
Heshtim të dy
shikohemi në sy.
Si në kohën e kolerës
bëjmë dashuri.
× × ×
Këtu dhe nënat janë mësuar me vdekjet
Bisedojnë për të vdekurit
si për gjëra të zakonshme
I përcjellin për në tokën e ftohtë
me qetësi dhe indiferencë.
Dhe vdekja ecën në kortezh, paralel me ne,
kokëulur, midis të gjallëve.
Tokë diellore
Sa bukur është të jetosh në Shqipëri!
Aty ku në vend të zarzavateve
hanë gazeta me politikë.
Të jetosh në Shqipëri
me hajdutë dhe politikanë,
me poetë dhe matrapazë,
trutharë
dhe liberalë…
Të përgjosh anijet që vijnë nga brigjet e huaja,
t’i kthesh sytë diellit në lulishten “Rinia”
Sa bukur qenka të jetosh në Shqipëri!
Me policë dhe poetë,
të burgosur politikë
dhe studentë
me komunistë dhe agjentë,
me ideologë dhe disidentë…
E megjithatë
diçka e keqe ikën përgjithmonë
dhe diçka e bukur vjen…
Si lulet e prillit
Toka e dashur lëviz, lëviz,
si qenie e gjallë drejt perëndimit.
Populli
Populli është memec.
Populli nuk i njeh ligjet.
Më mirë të flasin oratorët
Ata që përdorin fjalë të bukura
ata që nxitojnë të dalin të parët në podiume,
ata që bëjnë zhurmë më tepër se ena e zbrazët
kur rrokulliset tatëpjetë.
Ata që bëjnë prova para pasqyrës, për të shqiptuar sa më bukur fjalët:
” O populli im!” dhe “O Demokraci”!
Ata që s’kanë asgjë të përbashkët me heshtjen dhe fisnikërinë popullore,
me popullin që ” nuk i njihka mirë ligjet”.
as kthesat e shpejta në çastet historike,
me popullin, i cili s’nxiton të ngjitet në presidiume
të mburret e të thotë: “Unë jam populli!
Unë jam uragani që përfshij gjethet e vjeshtrave të mia,
Unë jam thundra që shtyp çdo krimb
që ngrihet e flet në emrin tim”.