Iris Halili vjen me botimin e ri “Letërsia në psikoanalizën e Frojdit dhe dilemat ekzistenciale”
Romelda Bozhani
Ish-studente nё degёn Gjuhё-Letёrsi shqipe, Fakulteti i Historisё dhe Filologjisё, Universiteti i Tiranёs, 1994-1998
Zysha dёrgon, herё pas here, ca fotografi, ku shihet ajo qё buzёqesh lehtё, pastaj, ajo me syze tё mёdha a tё vogla e me buzёqeshje prej hokatareje, nё fund, sёrish ajo, me tё qeshur shpёrthyese e me fustane shumёngjyrёshe, qё era ia merr si t’ia dojё qejfi. Seç vё edhe ca kapele dielli e hёne si Zelda e Fitzgerald-it, qё i hijeshojnё lёvizjet; nё sfond, pamje vendesh ekzotike plot me lejlekё rozё, dalё si nga pёrrallat, vetёm e vetёm qё tё kombinohen me varёsen qё i tundet rёndshёm zyshёs nё qafё. Duket sikur mezi pёrmban fluturimin. Nga kёto shёmbёlltyra çastesh tё ngrira dallohen vibracionet e dikurshme tё duarve. Ia shkruaj. S’harroj t’i vendos pёrkrah ca kёrcimtarё tё kuq e qejflinj, qё kompjuteri sikur i ka zgjedhur pёr mua, ca zemra qё rrahin si dashuri e pёrjetshme, ca puthje tё largёta, dalё nga buzё tё vijёzuara mjeshtёrisht. Ajo, veç buzёt e mia, qё shkojnё vesh mё vesh kёndej ekranit, nuk arrin t’i shohё. “Vibrojnё vetvetiu duart kur flet pёr letёrsinё”, pёrgjigjet. Vibrojnё, vibrojnё, po ç’kusur kanё flokёt qё tunden e shkunden nga ato duar… jakat e palltove, pullat e xhaketave, cepat e fundeve tё gjata qё ngecnin gjetiu… takat e kёpucёve si trok kali, qё dukej sikur kёrcisnin jo nё pllaka, po nё tru…
Se kёshtu ishte Iris Halili, zysha jonё, para mё shumё se njёzet vjetёsh, kёshtu ёshtё edhe sot, andej ku jeton, nga pjesa me diell e Amerikёs. I tundej qenia kur fliste pёr letёrsinё, na tronditej qenia kur dёgjonim pёr letёrsinё. Jetё e pasion atёherё, kur, e sapodalё nga bankat e universitetit, mbushte auditoret me ne studentёt e saj, jetё e pasion edhe sot, kur tregon qoftё edhe pёr vrapin e mёngjesit. Se janё ca njerёz, qё, kur i takon, tё mbushin me energji e tё bёjnё tё fillosh pa njё pa dy gjimnastikёn… Se ka ca njerёz, qё, nё tё shkuar e sipёr, tё tregojnё qё njё jetё pa pasione, pa gjallёri, ёshtё njё jetё e shkuar dёm. Dhe ti, aty, nё atё çast fillikat, varur si pa tё keq nё dorёn e dikujt tjetёr, kupton se jeta jote duhet filluar edhe njёherё nga e para. Ndryshe nga ç’e ke menduar, fundi s’mund tё jetё kaq i vakёt, vetёm i qetё s’mund tё pёrfytyrohet njё fund jete, kaq monoton vetёm fundi i njё tё mposhturi mund tё jetё. Zysha ёshtё njё nga kёta njerёz: tё hedh ca shkёndija drite nё tё prekur e sipёr e ti nuk e harron… e ajo nuk tё harron.
Na u desh tё puqeshim sёrish. Ishim lёnё andej nga mbarimi i universitetit, nё njё erё tё hershme qё kujtimin pёr njerёz tё bukur e mbjell, por ende s’mund ta vjelёsh qё ta kesh pёr jetё tё gjatё e tё ngeshme. U rigjetёm njё ditё tjetёr, nё erёn e dashurisё virtuale, ndёrsa sot na mblodhi ky libёr. U bёmё menjёherё njёsh, si nostalgjikёt e vjetёr. Se ky mund tё quhet edhe libёr kujtimesh, pёrderisa hapёm e shpluhurosёm ca libra tё vjetёr, qё dukej sikur veç ne i njihnim. Ideja ishte tё mblidheshin tё gjitha leksionet e dikurshme qё zysha kishte pёrgatitur gjatё kohёs qё kishte punuar si asistente e mё pas si pedagoge e letёrsisё sё huaj moderne nё Fakultetin Histori-Filologji, Departamenti i Gjuhёs dhe Letёrsisё shqipe, nё Tiranё.
Auditori i saj mbushej plot e pёrplot, sepse ishte e re, e bukur, e mençur, e emancipuar, e ditur, guximtare si tё paktat. Kёshtu e kuptoja dje. Ndёrsa sot kam edhe njё pёrgjigje tjetёr: arsyeja ёshtё ky libёr, domethёnё ky grusht leksionesh e seminaresh, qё na shpёtuan jetёn, sepse na dhanё atё ajёr pёr tё cilin kishim nevojё.
Ka qenё edhe largpamёse, pёrtej mundёsisё. Ka hapur dritare, ka shpёrthyer dyer, ka shpёtuar mendje. Fillimisht vetes, me guxim e intuitё tё çuditshme pёr njё kohё, qё gruan e shihte me fustan tё gjatё deri te gjunjёt e flokё tё shkurtёr, si tkurrje estetike. Pastaj neve, studentёve tё saj, nёpёr salla universitetesh, ku varfёria ishte vrimё nё mendjet tona.
Prapё fotografi. Fraza tё shkёputura nga libra tё njohur, qё s’u gjendej numri i faqeve, pa autorё tё shёnuar, se ishte ajo kohё kur thelbi ishte fjala. Rregulli, forma, numrat si saktёsi shkencore… ufff, ç’letёrsi ёshtё kjo?! Mendime tё guximshme ose jo, ashtu, tё hedhura me ngut nё blloqe shёnimesh, pёr tё mos i marrё shtёllunga e harresёs, pёr t’u gdhendur nё mendjen e saj, nё mendjet tona, pёrfundimisht. Nё ato faqe blloqesh, qё shpesh ngjiteshin me njёra-tjetrёn e griseshin si mos mё keq nga cilёsia qesharake e letrёs, gjen gjithçka. Aq nerva tё ashpra ka ajo letёr e palatuar me ngjyrё natyre, sa duket sikur janё gdhendur direkt mbi dru emra tё paharruarish. Hemingway, Čechov, Tolstoj, etj., domethёnё, klasikёt, e kishin ngjizur njёherё mendjen e saj, pёr t’u çoroditur mё vonё nga Freud, Virginia Woolf, Kafka, Camus etj. U çoroditёm edhe ne, nga ajo, nga ata. Bёhet fjalё pёr njё çoroditje si goditje universale, njё Big- Beng, qё botёn e vjetёr e shemb, qё botёn e re e ngre.
Ne njohёm Freud-in prej zyshes, atёherё kur dimri tё kёrciste dhёmbёt e futej nga xhamat e thyer tё dritareve prej druri tё kalbur, nga dyert e vjetra tё auditoreve, futej mureve tё plasaritura tё shkollave, qё tё ftohtin e kishin si brinjё tё trembёdhjetё nё ashtin e kraharorit. Njohёm Gradivёn, qё me hap lozonjar shkёlqente nё tё ecur, ndёrkohё qё kёpucёt tona tё vjetra e tё lagura na e pёrcillnin reumatizmёn tёrё lezet, rrёzё mё rrёzё e kockё mё kockё. Kafka-ёn e njohёm atёherё kur gangsterёt tё kapnin prej veshi e zgёrdhiheshin me kulturёn tёnde tё mёrzitshme e tё pavend nё atdheun e tё fortёve, ku ideali mё s’njihej, pse ishte bёrё rrobё zie pёr vdekjen e njё sistemi, qё as zorrёn nuk tё ngopte. Zinxhirёt e trashё prej floriri u bёnё prangat e njeriut tё ri e tё deformuar nga anarkia, ndёrkohё qё ne studionim mbinjeriun e Nietzsche-s. Na befasoi Camus-ja dhe absurdi i tij atёherё kur, nёpёr rrugёt tona, qё gёlonin nga plehrat shumёngjyrёshe, ecte hijerёndё huligani me makinёn e tij tё shtrenjtё e pa targa. Márquez na pёrplaste nё fytyrё dashuri tё fshehta e tё largёta, ndёrkohё qё profesorёt tanё, qё s’linin vrimё biblioteke pa rrёmuar, i merrte turma e paditur pёrpara e s’dihej ku i hidhte, andej nga radha e fundit e revolucioneve tё nisura keq, ndoshta.
Virginia Woolf, me njё “letёrsi grarishte” e vetёdije si hosten, na mёsoi se si njё dhomё pёr vete ishte mё e madhe se njё kёshtjellё prej qelqi, ku gratё lindeshin e rriteshin si bonsai me degё tё brishta e tё trishta. “Si grua qё jam, nuk kam atdhe. Si grua qё jam, atdheu im ёshtё bota mbarё”, bёrtiste ajo njё shekull mё parё, edhe pёr ne. Por rrёnjёt mashkullore, nё atdheun tonё burrёror, mbahen fort, sot e kёsaj dite.
Kёta shkrimtarё, mendimtarё, shkёlqimtarё, zysha na i pёrplaste si flatra shpendёsh qё vinin nga vise tё tjera. Atje mendohej ndryshe, liria tё shqyente flegrat e hundёs. Era e largёt kishte pak qё frynte e ne ishim nё pritje tё pёrplasjes sё flatrave tona. Pёrfytyroni! Ishin vitet ’90 e ne pёrballeshim me lirinё. Tё vetёm, si jetimё. Me lirinё tonё, atё tё tjerёve, me njё liri tё rrёmbyer me forcё e pёrdhunё, duke rrёzuar pёrmendore e shkarravitur bunkerё. Ishte shumё vonё pёr tё rrёzuar diktatorё prej mishi e gjaku.
Tё gjitha kёto mbanin erё Irisi. Edhe blloqet e vjetra me kapakё tё trashё, me ngjyrёn e kuqe tё Karlit, qё ky ia pasoi Frederikut e pastaj Maos e ky Enverit e Fidelit, derisa dolёn jashtё qarkullimit e u bёnё relikte tё vjetra. Lexoj perla nё Strategji tё tekstit, tё Francesco Muzzioli-t (Roma, 2006). Merret me Mizat e kapitalit tё Paolo Volponi-t dhe shkruan: “Njerёz si sende, sende si njerёz: jemi te rrёnjёt e fetishizmit, siç e ka pёrshkruar Marx-i nё Kapitalin e tij”, (fq. 242). E ka fjalёn pёr kapitalizmin, po nuk e di pse kam pёrshtypjen qё ky mendim i ёshtё kthyer mbrapsht si bumerang, Marx-it tё shkretё.
Tё tjera blloqe me kapakё tё gjelbёr qё duhet tё kujtonin jetёn ushtarake tё njё populli ushtarёsh, edhe ca me kapakё blu, qё sot duken si ngjyrё e pёrkryer e spleen-it tё rёndё tё kohёs. Pra, nё ato blloqe, qё, nё rastin mё tё mirё, ngjajnё si papiruse tё vjetra, shoh edhe ditare. Rastёsisht m’i dёrgon. I gjen mes shёnimeve tё tjera. Do tё mё tregojё, ndoshta, se ky libёr ёshtё mё shumё se njё dorё leksionesh tё dikurshme, ёshtё esencё jete. Bёhet nostalgjike e nxjerr tё vetmen valixhe qё s’e ka hapur qё kur ka lёnё Shqipёrinё. Pёrfytyroj ca dryna tё mёdhenj, ca gozhdё mundёsisht tё ndryshkura si sёndukёt e qёmotit, si sёnduku i gjyshes sё saj tё shkolluar jashtё, ku mbylli rёndshёm dijen pёr t’iu pёrkushtuar kazmёs nё njё sistem qё e shpalli armike. E si mund tё bёhet mik njё njeri i denjё nga njerёz tё padenjё?!
Ja, pra, ditaret. Mu aty, nё ato mendime intime, shkruar mё shumё si kujtesё historike se ndjenjё e ndrydhur dhe e shtrydhur njёzetvjeçareje, njihesh me personalitetin e fortё tё njё gruaje qё udhёheq, qё ёshtё gjithkund e para, sepse ёshtё mendjehapur. E njё grua qё guxon, zbulon, kupton botёn e madhe e harron tё voglёn, ёshtё gjithçka. Pozitivitet dhe entuziazёm kur fiton konkurse letrare, kur kalon pushime tё paharruara, kur ndeshet me pasione tё reja. Revoltё dhe ndёrgjegjёsim kur e drejta e studimit i del mё nё fund pёr Gjuhё-Letёrsi dhe jo pёr Inxhinieri Ndёrtimi siç tё tjerёt kishin vendosur pёr tё. Se ishte sistemi i Dinshumёve qё vendosnin pёr fatin tёnd e ti duhet tё bindeshe. Pёrsiatje dhe maturi kur pёrshkruan ngjarjet politike tё kohёs. Ishte 11 dhjetori i vitit ’90, dita e ndryshimeve tё mёdha, e shembjeve epokale dhe, nё ditar, shёnon: “Mё nё fund! Tashmё do kesh pёrse tё shkruash”. Dhe qysh atёherё nuk rreshti sё qeni Ajo. Ka qenё e para qё ka futur mendimin frojdist nё studimet e letёrsisё. Ёshtё e para dhe e vetmja grua nё historinё e Shqipёrisё qё ka mbuluar detyrёn e drejtoreshёs sё kabinetit tё presidentit tё Republikёs. Falё mbarimit tё shkollёs sё Doktoraturёs pёr lidership nё Shtetet e Bashkuara tё Amerikёs, qё i siguroi edhe njё post tё nivelit ekzekutiv nё njё kompani tё rёndёsishme amerikane me njё histori dyzetvjeçare, u bё edhe e para qё ka shkruar nё gjuhёn shqipe njё libёr pёr teoritё e lidershipit, mbi tё cilat hedh edhe idenё se liderёt nuk lindin, por bёhen. Libri ёshtё pasuar edhe me artikuj pёr lidershipin prototip e “tё famshёm” shqiptar. Sё fundmi, ёshtё anёtare e kryesisё sё Federatёs Panshqiptare tё Amerikёs, “Vatrёs”. Ёshtё edhe zysha ime e paharrueshme. Se ajo vazhdon tё jetё zysha e unё studentja, edhe kur pёr pak na u desh tё ndёrronim rolet, si nё rastin e pёrgatitjes sё kёtij libri, kur me hapa tё lehtё prej ketrusheje mё mёsoi diçka tjetёr: thjeshtёsinё. Edhe kur kёrkon me kёmbёngulje qё nё vend tё ndonjё emri tё shkёlqyer, siç bёhet rёndom pёr tё vlerёsuar njё botim tё ri, tё mbledhё veç mendime e kushtime ish-studentёsh, qё i vendos me kujdesin e tё barabartёve. Ajo mё bёn tё nxё edhe sot, kur do tё mё mbushё mendjen se e kam “detyruar” unё tё mё zgjedhё (shpresoj tё mos mё ketё rёnё lapsi duke bёrё apelin!!!). Dhe a e dini ç’na lidh?! Ne vdesim tё luajmё me kohёn, ndaj kemi zgjedhur tё njёjtёn rrugё qё kohёn e bёn tё pavdekshme: letёrsinё.
Jemi munduar tё fusim letёrsi edhe nё kёtё libёr. Letёrsi tё veshur me gunёn e rёndё tё mendimit. Ёshtё shtuar edhe Freud-i, doktori gjeni, qё na ka dhёnё ca çelёsa empirikё, qё njeriun e zbёrtheu pёrtej vetes e letёrsinё e zhbiroi dhe gjёmoi me kёmbёngulje paranojake si njollat e padukshme tё njё qilimi.
Nё morinё e leksioneve ёshtё preferuar tё zgjidhen ato qё mund tё quhen ese, studime, kritikё letrare, tek-tuk ndonjё artikull i botuar nё shtyp, tё gjitha tё shkruara nё harkun kohor 1994˗2022. Janё marrё nё shqyrtim vepra apo autorё, qё sot kёmbёn e hijen e kanё tё madhe, por dje ishin zbulim i vonuar nё Shqipёrinё e izoluar. Se sot s’mund tё vihet nё dyshim hija e Márquez-it, Pirandello-s, Kafka-ёs, Sartre-it, Zweig-ut, T. Eliot-it, Camus-sё etj, por, kur pёrgatiteshin kёto leksione, ekzistonte vetёm ndonjё libёr pёr kokё apo copёza pёrkthimesh fluturake, apo ndonjё shkrim kritik sporadik qё mbushte faqet e fundit tё kulturёs nёpёr gazeta. Ishte koha kur interneti, google, facebook, tik-tok-tak-tuk-u, ishin ende fantashkencё, si robotёt nё mendjen e Azimov-it. Tё mos zёmё nё gojё Freud-in, vepra e plotё e tё cilit ende nuk ёshtё botuar nё gjuhёn shqipe. Dhe s’ka kaluar shumё kohё, veç qind e njёzet e ca vjet, domethёnё hiçmosgjё, nga thagma qё shkaktoi teoria e tij e seksualitetit. Kjo ka qenё edhe njё nga vёshtirёsitё tona mё tё mёdha, pasi literatura qё duhet tё konsultonim nuk bёnte pjesё nё magmёn e komunikacionit dhe tё semiozave kolektive. Botuar para erёs sё internetit, kёta libra ekzistojnё ende vetёm nёpёr raftet e bibliotekave (shpresojmё pa myk e lagёshtirё) konkrete e reale, me mure prej llaçi e tulle, si pёr tё na thёnё qё koha jonё me atё virtualen qёndron si epoka e gurit me atё tё grurit.
Rastёsi, ndoshta, ose filli i kuq qё lidh kёta shkrimtarё me njёri-tjetrin, ёshtё çmimi “Nobel” qё kanё marrё katёr prej tyre dhe popullariteti i padiskutueshёm, i hershёm apo i vonshёm s’ka rёndёsi, por, gjithsesi, i pёrhershёm pёr tё gjithё. Se janё ca shkrimtarё qё bёhen themelues tё shkollave tё papёrsёritshme tё mendimit e mё pas mbeten nё breza gurё themeli nё letrat botёrore.
I lidh edhe Freud-i. Duket si fenomen i kohёve moderne, njё pёrzierje e vrullshme dijesh, njohjesh, perceptimesh, njё etje pёr tё shkuar mё tej, pёr tё kuptuar nё thelb njeriun e ri, qё donte tё hiqte zhgunin e vjetёr. Revolucion kopernikian ёshtё quajtur ndikimi i psikanalizёs sё Freud-it nё mendimin intelektual botёror, pasi ka shpёrthyer mikrokozmosin si Copernico makrokozmosin, nё kohё tё vet. I ka dhёnё njeriut njё njohje totale e tё thellё pёr veten, qё zor se mund t’ia ketё dhёnё dikush tjetёr. Po, deri kёtu, s’ёshtё pjesa jonё. Bёhet e jona kur ai “fut hundёt” nё art, nё letёrsi. Merr nё shqyrtim dritёhije personazhesh e tregon se nuk janё aq tё stisura apo vetёm pjellё e fantazisё sё shkrimtarit. Analizon pozicione skulpturash, buzёqeshje subjektesh nёpёr piktura, shkon e gjen fjalё kyçe nё tekstin letrar dhe tregon se s’janё gjё tjetёr veçse çelёsa pёr tё zgjuar neuronet e impulset e fjetura. Interesohet pёr jetёn e shkrimtarit dhe zbulon “pёr çudi” ndikimet e saj nё veprёn letrare. Por, ç’ёshtё mё e bukura, luan me mitet dhe mitologjinё antike si zhongler i pasionuar. Edipit i vesh njё kompleks, Elektrёs njё dobёsi, Klitemnestrёs njё patologji, Helenёs ia pёrqesh unin, enigmёs sё Mona Lizёs ia gjen anёn, Moisiut tё Michelangelo-s ia numёron rrudhat e mermerit. Edhe zysha e ka vёnё re dobёsinё e Freud-it e ndalet tek gratё e antikitetit, qё veç gra tё thjeshta s’janё, por janё heroina e kriminele, perёndesha tё pavdekshme e shemra vdekatare, sirena e luftёtare, mbretёresha e skllave. Freud-i i do, se i quan burim dashurie tё pёrbotshme; i analizon, se i interesojnё ёndrrat, mjegulla, pavetёdija, qё prek humnerat… dhe gruaja ёshtё e gjitha kjo. Mjetet e tij kirurgjikale janё pak: njё divan, njё tryezё dhe njё mendje brilante. Kёtu nisim edhe ne.
E filloj, pa radhё, nga Gabriel García Márquez. Se s’mund tё ketё fillim mё tё mbarё pa njё histori dashurie qё lehtёson kohёt e vёshtira tё njё sёmundjeje, kolere apo pandemie e qё pёrkon çuditёrisht edhe me aktualitetin. Bajamet e hidhura, si emblemё e njё dashurie tё pamundur, na janё bёrё aq tё ёmbla, sa as doktor Freud-i s’na e prish dot mё shijen dhe mendjen.
S’ka shkrimtar mё tё rёndёsishёm pёr tё sesa Stefan Zweig. Falё psikanalizёs zbulojnё njёri-tjetrin dhe bёhen miq. Janё ca novela e ca fjalё, ca “rrugё nёn dritёn e hёnёs” apo ca “tё fshehta pёrvёluese”, qё kanё tёrhequr jo vetёm atё, por edhe lexuesin shqiptar, qё kёto novela i ka pasur si strehё e si nёnkresё.
Si pёr tё treguar qё leximi frojdist funksionon mё sё miri edhe pёr letёrsinё tonё, janё futur edhe dy shkrimtarё shqiptarё qё, sipas mёnyrёs sё tyre, i kёndojnё dashurisё. Ben Blushi “guxon” ta lexojё ndryshe Otellon e Shakespeare-it. Kasёm Trebeshina na kёndon ca kёngё tё hershme, qё i pёrngjajnё valles turbulluese tё dervishёve. Ende nuk kam arritur ta kuptoj: i do kёta shkrimtarё pasi i ke zbuluar, apo i zbulon se i do?! Ёshtё edhe njё i tretё shqiptar, po ai ёshtё poet. Visar Zhiti ёshtё kthyer nё simbol tё vuajtjes çnjerёzore qё ka shkaktuar njё sistem absurd qё njeriun e shndёrroi, e gjunjёzoi, e shpёrfytyroi, e vdiq. Kemi njё kafkё shekspiriane edhe nё dorёn e Zhitit, qё seç na kujton ca mizori ende tё pashlyera.
Vazhdoj leximin e perceptoj. Kuptoj qё Kafka, pёr zyshën, mbetet humnera e shekullit, metamorfoza e diellit. Mendja e njeriut modern ёshtё njё brumbull i mjerё, po, gjithsesi, sui generis, qё pёrplaset katёr mureve tё njё dhome, domethёnё, dhemb pёrpёlitja e njё flutureje nё njё jetё tё ngushtё.
Tashmё, nuk kuptohet nё ёshtё Sizifi apo Camus-ja mё i famshёm. Njё gjё ёshtё krejt e sigurt: tё dy janё kthyer nё metaforё, i pari, duke sfiduar zotat me njё gur, i dyti me njё libёr. Mbaj mend se si, nё fakultet, iu pёrkushtuam me mish e shpirt absurdit tё tij dhe tё Sartre-it, qё na ngjasonte me njё cirk tё rrёmujshёm, ku “ferri ishin gjithmonë të tjerët”.
“Letёrsia fillon me Pirandello-n”, i shkruaj zyshës nё mes tё natёs. Harroj qё atje ku jeton ёshtё ende mёngjes i pagdhirё mirё. Ёshtё ekzaltim pupthi, gjithsesi se, çudi o rastёsi, sё fundmi, kam njohur mё mirё veprёn e tij. Leksioni i zyshës pёr ca personazhe qё lindin nga vetvetja, ma pёrforcon mendimin. Fillojmё, pёrherё, me tё njёjtin pasion, tё njohim njerёz, po ajo çka pёrftojmё nё fund, ёshtё thjesht njё maskё. Kjo ёshtё filozofia e jetёs sё njё gjeniu qё diti tё jetё edhe njeri.
Ёshtё njё poet mbi tё tjerёt, qё ёshtё edhe i vetmi poet i huaj nё kёtё libёr: T. S. Eliot. Poezia e tij nuk mёsohet pёrmendёsh, s’ёshtё ndjenjё. Kjo poezi ёshtё mendim i zgjuar, thellёsi, ёshtё figurё e fshehtё nё kokё, gjёegjёzё kulturash, shtresё dijesh. Falё fjalёs, “toka e tij e shkretё”, duket si tokё e lulёzuar. Pranё vajzave tё detit me kurora algash tё murrme e tё kuqe, ulet e mediton Prufrock-u, apo Prufroku i tij.
Dhe ja ku i erdhi radha njё fenomeni tjetёr, qё na shqetёson: emrat e pёrveçёm tё huaj e drejtshkrimi i tyre. Kongresi i Drejtshkrimit tё Gjuhёs Shqipe tё vitit 1972 ka pёrcaktuar drejtshkrimin e tyre, bazuar mbi shqiptimin fonetik. Jemi mёsuar me Niçe, Shekspir, Cvajg, Dostojevski, Frojd etj., po ka ardhur koha qё, pas pesёdhjetё vjetёsh, edhe mund tё rishikohen kёto rregulla qё mё shumё çorientojnё sesa orientojnё. Sepse, po t’i futёsh nё “centrifugat” e pamёshirshme tё rrjetit, domethёnё, nё botёn e madhe globale qё tashmё ёshtё bёrё e pёrditshmja jonё, kёta emra, mund tё pёsojnё njё krizё tё vёrtetё identiteti: Niçja na del Nietzsche e kёshtu me radhё, Shakespeare, Zweig, Dostoevskij, Freud.
Por, meqёnёse, neve na ka mbetur vetёm zgjedhja e jo vula, kemi parapёlqyer tё lёmё nё fuqi variantin e pёrzgjedhur nga autorёt ose pёrkthyesit, pёrsa u pёrket referencave e, njёsimin e tyre, nё rastin kur kemi hasur dy variante tё tё njёjtit emёr. Ndёrsa, nё pёrgjithёsi, drejtshkrimin e emrave tё pёrveçёm tё shkrimtarёve dhe personazheve i kemi lёnё nё gjuhёn origjinale. Kemi ndjekur formёn e drejtshkrimit tё vjetёr, pёrsa u pёrket emrave tashmё tё rrёnjosur e tё konsoliduar nё gjuhёn shqipe, siç janё, pёr shembull, ata mitologjikё. Nё fund tё fundit, vёmё re se kjo ёshtё tendenca aktuale e pёrqafuar nga shumica e shtёpive botuese nё Shqipёri, sidomos kur bёhet fjalё pёr librat me studime e kritikё letrare.
E mbyllim me lexuesin, tё vluarin e fundit tё librit. Gjithmonё kam menduar se njё nga protagonistёt kryesorё tё shoqёrisё shqiptare para ’90-ёs ёshtё lexuesi. Ka qenё i zgjuar, unanim, nuhatёs, sqimatar, i emancipuar e emancipues. Nuk ka qenё “lexuesi hipokrit” i Baudelaire-it, por i vёrtetё e i denjё, qё picёronte sytё natёn tё thithte libra e vlera pёr tё pёrballuar mё mirё ata qё ditёn e mbushnin me antivlera. Ende nuk ёshtё bёrё ndonjё studim serioz pёr lexuesin shqiptar, qё ka lёvizur si njё trup i gjallё e i shёndetshёm nё zemёr tё diktaturёs. Sot e kёsaj dite ia vlen ta studiosh si fenomen shoqёror, sepse lexuesit shqiptarё janё si kumbullat e thata: arritёn qё brenda tё ruajnё njё bёrthamё tё fortё e tё paprekshme, ndёrkohё qё nga jashtё i digjte e i zhuriste dielli komunist. Pёr tё mbajtur shpirtin gjallё apo trurin, apo thelbin, qё thelb mbeti, edhe pse pak, pёr fat, mund tё shpjegohet ajo etje e madhe e jona pёr letёrsinё gjatё viteve tё diktaturёs. Ndoshta, edhe nё kёtё rast, do na vinin nё ndihmё ca çelёsa tё tillё, si shtypje, ndrydhje apo frenim, qё Baba Freud-i i kishte aq qejf e i pёrdorte ca si shpesh.
Pas rёnies sё perdes sё kuqe, qё ra me forcёn e njё muri tё ngritur keq, vihej re njё etje tjetёr e padurueshme, nervoze, tёrё ankth e makth, tёrё ngёrç e dhembje, qё tё mbyllte stomakun, njё babёzi pёr tё lexuar gjithçka qё s’kishte kulluar dot nё sitёn idelogjike. U vu re edhe njё kureshtje e papёrballueshme pёr tё njohur disidentёt dhe veprat e sirtareve tё fshehura. Ç’ёshtё mё e keqja, vazhdojmё sot e kёsaj dite me letёrsi tё çorientuar e kaotike, piramidё e pёrmbysur ikonash tё vonuara, mё shumё njohёse sesa shtupё vlerash. Koha ёshtё e ngeshme, nuk rrjedh me shpejtёsinё e mendimit. Por, edhe sot e kёsaj dite, leksioneve tё zyshes nuk u hiqet presja, se s’mund tё ketё letёrsi moderne tё shekullit tё njёzetё pa autorёt qё u pёrmendёn mё sipёr dhe qё ju, lexues jo hipokritё, do i gjeni nё kёtё libёr. Njёzet e shtatё vjet mё parё, domethёnё dikur, domethёnё dje, njё njёzetedyvjeçare, i kuptoi kёto vlera dhe i rrёnjosi nё programin shkollor. Ajo i pranoi sfidat edhe kur tё tjerёve, lidhja psikanalizё-letёrsi u dukej rrobё e lagur, varur keq nё hava. Ata, qё, dje, letёrsinё e quanin unisex, sot, frojdizmin dhe feminizmin e shqiptojnё tёrё lezet, siç shqipton frёngjishten sensuale njё grua seksi. Po, zysha, s’ishte (dhe as nuk ёshtё) feministe apo futuriste, ajo thjesht mbetet avangardё e tё kujton ato poete me krifё, qё na i shpjegonte orё e orё tё tёra. Shkonte nё fund tё pusit e gjente gjenezёn e fjalёs. Nxirrte kova dijeje e s’lodhej, nё njё kohё kur letёrsia moderne, nё fakt, i kthente tё gjithё lexuesit nё studentё. Tё gjorёt! Kafka u mbetej halё nё fyt, ekzistencialistёt u çorodisnin ekzistencёn. Megjithatё, ai lexues fitoi. Lexuesi i tё gjitha kohёve fiton, mposht çdo diktaturё, tirani, padije, qё e ndan nga dritarja, ajri. Drita gjithmonё ka mposhtur errёsirёn e shpellave, forcёn e shpatave, gjuhёt e gjata tё turrёs sё druve, tё çdo zjarri nёpёr sheshe turpesh, ku digjeshin publikisht libra dhe njerёz tё mençur. Sepse librat janё djegur pa mёshirё, siç digjen idetё, nga dritёshkurtёsia. Mediokriteti tё prek si pa tё keq nё çdo kohё. Na shpёtojnё largpamёsit, vizionarёt. Ata, tё ndriturit, qё, nёse do tё ktheheshin pas nё vite, do tё kishin ndjekur tё njёjtёn udhё pёr tё shkuar drejt njerёzimit, do ushqenin tё njёjtёn dashuri e pёrkushtim, do shtrydheshin e pёrpёliteshin sёrish, qё njerёzimi tё shpёtohej nga vetёflijimi, nga gremina.
E pra, edhe ne, nuk ёshtё se i kemi pasur punёt mbroth me vulgun dhe mediokritetin qё shpesh gjeneronte, por ja qё arritёm ta mposhtnim, pasi patёm fatin tё kishim mendjemadhёsinё e mendjemprehtit. Jetuam nё kohёn e turmave, tё bulevardeve e i kёnduam njё bukurie qё nuk dinim se e kishim, por e kuptonim kur ikte, na linte e arratisej vetёm kur ndjenim duart tё na digjnin. Jetuam nё njё kohё kur letёrsinё e lexonim fshehtazi, nё dritёn e llambushkave tё natёs, poshtё batanijes sё leshit, qё na mbronte nga i ftohti, censura, paragjykimet. Magjepseshim. Karakteri negativ na fuste nё mendime, personazhi pozitiv nuk na dukej naiv, por hero e kaluar heroit. Njё lloj Batmani i ditёve tё sotme, qё shqyhet mё kot duke u hedhur nga njё kullё nё tjetrёn, nga tarraca pallatesh shumёkatёshe a çati me tjegulla tё thyera e ne e shohim jo si pelivan, po si shpёtimtar. E shpiknim lojëra. Na pёlqenin mё shumё ato tё rrezikshmet, me pёrmbajtje ideologjike. Qeshnim e pёrqeshnim skemat e gatshme e bajate apo mbylljet artificiale, tё tipit “tё lumtur”, tё veprave tё realizmit socialist. Ishte koha qё virtuale quhej vetёm bota e ёndrrave. Kishim pak libra e i quanim tё vyer, epoka e kompjuterit ende s’dukej gjёkundi e pёrgjigjet i merrnim pasnesёr, duke rrёmuar nёpёr biblioteka tё vёrteta. Pra, mёsuam tё kalisnim durimin e u shpёrblyem me mё shumё dёshirё pёr dije, kishim pasion e pasioni na tregoi se rruga e vetme pёr tё njohur letёrsinё kalon pёrmes tij. Por, mbi tё gjitha, kishim shpresёn e ajo na mёsoi tё besonim me optimizёm nё tё ardhmen. Jetonim në kohë ndryshimesh e vetëm kёshtu mund ta pёrballonim atё oqean tё vrullshёm, qё merrte kёdo qё i dilte pёrpara e bёnte tok, si nё gji tё huaj, jetёn me vdekjen. Pikërisht, optimizmi na jepte forcёn tё mendonim se “e nesёrmja do tё ishte njё ditё tjetёr”. E kishte thënë e para Scarlett O’Hara nё filmin Tё ikёsh me erёn dhe zysha vdiste të na e pёrsёriste.
Ja, pra, ky ishte ishte revolucioni ynё.
Please follow and like us: