Çerçiz Loloçi: Turma e mediokërve në një konflikt të stisur
Kohëve të fundit ka shpërthyer një debat me shkas nga panairi i fundit i librit. Bëhet fjalë për mungesën e librave të Virion Graçit në stendën e botuesit të Onufrit, që ka nxitur edhe sulmin e tij me një status në facebook që përfundonte me cilësimin “mesjetar-fashist-stalinist” dhe me paranojën e thashethemeve kundër tij prej Hudhrit dhe Kadaresë. Fillimisht, pa e ditur shkakun, e konsiderova jo të drejtë mosparaqitjen e librave të një autori, por kur dëgjova shpjegimin e botuesit që kishte sjellë në panair vetëm botimet e reja, i dhashë të drejtë atij. Natyrisht më erdhi keq për statusin sepse dija diç më shumë për raportet midis tyre. Nëse do të kishte paranojë, Hudhri nuk do i botonte katër libra dhe nuk do i krijonte hapësirë në të përjavshmen letrare ‘Exlibris’.
Etiketimi “mesjetar- stalinist-fashist” më tronditi pak, (nuk di që botuesi të ketë ndonjë lidhje të tillë të mëhershme dhe tani), por edhe pak kohë më parë kur këtë akuzë e bënte Flutura Açka, deputete demokrate, autore dhe botuese, e punësuar dhe e mbështetur mjaft për shumë vite nga Bujar Hudhri. Zemërimi i Açkës vinte nga mospërfshirja në një foto përvjetori të botimeve Onufri, që është një detaj i vogël, i papërfillshëm; botuesi është në të drejtën e vet private, nuk është institucion shtetëror publik apo dordolec shtetëror i kulturës, që retushon kundërshtarët ose të padëshiruar. Açka nuk thoshte asgjë dhe nuk e përmendte kurrë punën te kjo shtëpi botuese. Madje deklaratën e bënte në një kohë kur ishte vënë në listën sipërore të kandidatëve demokratë për qarkun e Elbasanit, që u votua fare pak dhe për pak dinjitet dhe si shkrimtare ndoshta duhet t’ia kishte liruar vendit një tjetri të shumëvotuar po që e penalizonte renditja në listë. Si në rastin e Graçit, ashtu edhe të Açkës mungon mirënjohja ndaj një botuesi që e do librin, është investuar familjarisht në të dhe ka bërë botime dinjitoze.
Sa për punën e paranojës që e pohon i pari dhe e nënkupton e dyta më vjen ndër mend një ndodhi me babain e Shkurte Vatës, Heroinë e Punës Socialiste, vdekur aksidentalisht në hekurudhën Rrogozhinë–Fier. Asaj iu bënë shumë nderime, poezi, dokumentarë, mbledhje solemne, madje edhe një shkrepse me portretin e saj. E pyetën shkodranët Pal Vatën nëse ishte në dijeni dhe ai tha me solemnitet: “Unë dhe Enveri s’dimë gjë, do e ketë bërë kryeministri me kokën e vet”.
Açka është ajo që është në poezi, prozë dhe në letrat shqipe, ndërsa ndryshon puna me Graçin, poet dhe prozator, një nga më të talentuarit e brezit të vet, madje një nga romanet e tij “Le paradis des fous” publikuar edhe frëngjisht nga ‘Gallimard’ në mars 2000. Është i njohuri im i hershëm, jo thjesht si gjirokastrit, por disa sjellje me botuesit i ka të papëlqyeshme, madje këto të fundit me Onufrin e nxjerrin në një plan tjetër.
Të mendojmë versionin e tij që e ka bërë me dashje Hudhri, akoma më tej, e kanë bërë të punësuarit, çfarë humb te autori, asgjë. Kuptohet botuesit shqiptarë nuk janë ëngjëj, kanë dhe ata preferencat apo mëkatet e veta, por liria e botimit është një arritje e madhe. Nëse nuk të pëlqen bashkëpunimi me një botues, shkon te një tjetër. Nëse do sa i lexueshëm je, kërko një faturë tatimore që nuk është sekret. Nuk kam ndërmend të publikoj mesazhet që shkëmbej me miqtë e mi dhe e quaj shumë të gabuar kushdo që i nxjerr si dacibao, por ky konflikt i stisur mund të zgjidhej qoftë edhe me një telefonatë. Gjithsesi secili ka mendjen e vet dhe bën si e sheh të arsyeshme.
Turma e mediokërve dhe laryshia e portaleve “pa din e iman” e kanë tjerrur më shumë se ç’duhet, pa ditur asnjë për brendinë e tij dhe pa siguruar burimet e nevojshme. Janë të njëjtët fytyrëvrerosur e psudonimtarë që sikur ia befin nga gjirizet dhe shprazen pa pikë droje si dikur kur të vinin përballë një kolektivi të politizuar që shkonte me histerizëm deri në dënimin përfundmitar: me vdekje, në litar! Më vjen tmerrësisht keq që Virioni këtë here është shfaqur si zhurmues!